Kreu Arte pamore Paul Éluard, poeti i surreales

Paul Éluard, poeti i surreales

Nga David Stoker, The New World, janar 2023

Përktheu Jola Tasellari

Çfarë do të bëje nëse gruaja jote do të përfundonte në krahët e Salvador Dalí-së? Përgjigjja e Paul Éluard-it ishte të zhdukej, pa i thënë askujt asgjë. Një ditë të marsit 1924, Éluard u zhduk. As familja dhe as bashkëkohësit nuk e dinin se ku ndodhej. Në Paris nisën të qarkullonin lajme se kish vdekur. I rraskapitur dhe thellësisht i zhgënjyer, ai donte t’i ikte vetes, të harronte gjithçka. U nis në një udhëtim të gjatë: nga Marseja drejt Tahitit, Indonezisë dhe Ceilonit. Pas shtatë muajsh, sikur një endacak, i hipi një anije mallrash holandeze në Singapor dhe u kthye sërish në Marsejë.  

Po Dalí? Ai dhe ish-gruaja e Éluard-it, Gala, jetuan të lumtur përgjithmonë. (Orwell e quajti Dalínë “një qenie njerëzore të neveritshme”.)

Paul Éluard (Eugène Émile Paul Grindel, 1895–1952) qe një nga themeluesit e surrealizmit. Në Francë njihet si një nga poetët më të mëdhenj të dashurisë të shekullit XX, ndërsa në botën anglishtfolëse mbetet çuditërisht më pak i njohur, por kjo jo për mungesë vlerash. Megjithatë kjo është vetëm një anë e figurës së tij. Éluard qe edhe një shpirt politik i zjarrtë, me prirje të majta, që pa nga afër se si demokracia, fashizmi dhe komunizmi premtuan çlirimin e njeriut, ndërkohë që, shpesh në mënyrë të padukshme, synonin kontrollin dhe nënshtrimin e tij. Ai ishte gjithashtu përkrahës i vendosur i praktikës surrealiste, duke kërkuar në nënvetëdije burime të reja për krijimtarinë artistike. Me mbi 70 vjet nga vdekja e tij, tani është koha për ta rishikuar rëndësinë, trashëgiminë dhe aktualitetin e Eluard-it, në një kohë kur populizmi kërcënon të zbehë zërat e disidencës kulturore.

A mund të jetë poezia forcë politike? Apo, siç sugjeron Auden, ajo “nuk bën që të ndodhë gjë”?
A janë dashuria dhe surrealizmi në kundërshtim me veprimin dhe angazhimin politik? Jeta dhe vepra e Éluard-it tregojnë me finesë se dashuria dhe bindja politike janë thellësisht të lidhura, dhe se poezia mund të jetë një forcë e fuqishme, një burim nga i cili mund të ushqehemi për t’u përballur me botën ashtu siç është, për të forcuar shpirtin dhe për të luftuar padrejtësitë. Si ta pajtojmë Éluard-in e ndjeshëm, poetin e dashurisë, me subversivin e nënvetëdijes, me militantin e luftës së klasave? Si mundet që poeti që shkroi “Rrëmbimi shtrihet lehtë mbi shqisat tona së bashku/ si agimi i ëndrrës sonë”, të shkruajë gjithashtu “toka është blu, si një portokall” ?

Për avangardën e fillimshekullit XX, ndryshimi shoqëror dhe metoda artistike ishin të lidhura fort bashkë. Sot, shumë lehtë i shohim të dyja si figura të tërhequra në skaje, që lëvizin me ndrojtje, gjersa, si të shtyra nga një shpërthim i papritur vetëbesimi, futen për vetëm pak çaste në skenën e kulturës mbizotëruese. Do të ishte e lehtë të kuptohej se pse edukatorët modernë do të zbusnin politikën e Éluard-it në favor të temave më të kapshme dhe më të pranueshme të dashurisë. Idealizmi dhe naiviteti i tij e çuan atë, si shumë të tjerë, të besonte se Stalini ishte një forcë për të mirën. Ngas ana tjetër, ai ishte edhe autor i disa poezive kundër nazizmit që qarkulluan fshehurazi, por që e bënë të njohur në mbarë botën si Poeti i Lirisë. Ndoshta pikërisht këto kompleksitete e bëjnë dashurinë më të qëndrueshme si temë: ajo është më e lehtë për t’u pranuar. 

Po surrealizmi, a mund të jetë një mjet politik? Në pamje të parë, ai duket si një arratisje nga realiteti, si një këndvështrim tjetër, një mënyrë për të parë gjërat ndryshe, për të nxjerrë në pah absurditetin. Shumicës prej nesh na vijnë ndërmend pikturat e Dalí-së: ëndërrimtare, të shtrembëruara, lozonjare por edhe të frikshme, njëkohësisht të kthjellëta dhe të lehta, paksa të çrregullta, ama sot të respektuara nga bota e artit. Arsimi artistik dhe kultura popullore e kanë reduktuar surrealizmin në stil dhe formë. Në kohën e vet, tronditja e surrealizmit lidhej me erotizmin e tij, gjë që bëhet e qartë në ekspozitën Objects of Desire të Design Museum, ku sheh një divan në formë buzësh të plota e të kuqe, një filxhan çaji i mbuluar me gëzof kafshësh apo një hekur me gozhdë. Lëvizja Dada dhe më pas surrealizmi shkaktuan jo pak zhurmë në botën e artit të viteve 1920. Nga ana tjetër, Freud-i nxiti gjerësisht interesin për nënvetëdijen dhe nga kjo kuti e Pandorës dolën imazhe që shoqëria “e respektueshme” nuk donte t’i shihte. Nuk është e vështirë të imagjinohet se si nënat e kujdesshme donin  t’i largonin fëmijët nga këto pamje.   

Megjithatë, i parë në kontekstin e vet, surrealizmi ishte më shumë se thjesht çudi për hir të çudisë. Ai përfaqësonte një kundërvënie ndaj fashizmit. Manifesti i parë surrealist, i shpallur nga André Breton në vitin 1924, deklaronte:“(sur)realizmi nuk është një mënyrë e re, më e lehtë shprehjeje, por një çlirim i plotë i mendjes… ne jemi tërësisht të përkushtuar që të bëjmë revolucion.” Çlirimi i mendjes mund të na sjellë ndër mend The Doors of Perception të Aldous Huxley-t apo të rinjtë e shkujdesur të verës së vitit 1968. Një term më në modë sot është çmësimi. Por në thelb, dëshira për t’u çliruar nga mendimi racional është një përpjekje për t’u shkëputur nga formula e ngurtë se kështu bëhen gjërat. Liria artistike nuk nënkuptonte shmangie nga përgjegjësia; përkundrazi. Vetë Éluard këmbëngulte në “ndjenjën më të thellë të përgjegjësisë që përfshihet pas çdo akti krijues”. Tensioni i tij prodhues midis realizmit social dhe eksperimentimit surrealist po vijonte të jepte fryte. E megjithatë, prapë se prapë, një farë tensioni mbeti midis politikës së tij dhe këtij impulsi për çlirimin e mendjes. Në vitet ’40, Éluard kaloi shumë vera me Picasso-n në jug të Francës. “Ata ndanin një lloj optimizmi për lidhjen e artit me mundësi të ndryshimit shoqëror”, shkruan studiuesja Jill Lewis.  

Gjithsesi, Éluard-i nuk ishte njeri pa dyshime. Në vitin 1951, në Pouvoir tout dire, ai shkruan:
“E rëndësishme është të thuash gjithçka, por fjalët më mungojnë / më mungon koha dhe më mungon guximi / ëndërroj dhe rrëfej në imazhe të çrregullta.” Megjithatë, ai ishte i vendosur ta lidhte artin me realitetin. Në një përgjigje ndaj një pyetësori mbi marrëdhënien mes artit dhe politikës, ai theksonte nevojën për të vepruar përtej kufijve, dyshimeve dhe kompromiseve që imponon realiteti.

“Pikërisht sepse është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që e rrethon, artisti gjen forcën për të krijuar […] nëse arti duhet të jetë i vërtetë, nëse duhet të jetë dëshmi dhe mjet veprimi, ai pranon se asnjë realitet, sado i tmerrshëm, nuk është i pakapërcyeshëm… Cilësia e vetme që mund të kërkojmë nga një artist është të mos i mungojë kurrë dashuria, të mos i mungojë kurrë besimi në potencialin njerëzor.”

Shpresa mund të jetë e rrezikshme. Poetja dhe gazetarja turke Ece Temelkuran shkroi: “Nuk besoj te fjala shpresë […] është shumë e brishtë për këto kohë të këqija.”

A është poezia një mjet për të zgjuar masat? Sot mund të tingëllojë disi e dalë mode. Megjithatë, tekstet e këngëve kanë qenë prej kohësh të ngarkuara politikisht: nga Gil Scott-Heron te Linton Kwesi Johnson e deri te Stormzy. Njëjtë edhe Éluard, në poezitë e tij politike, nuk përmbahet:
“Patjetër që e urrej sundimin e borgjezisë / sundimin e policëve dhe priftërinjve / por urrej edhe më shumë këdo që nuk e urren / si unë / me gjithë fuqinë.” 

Larg së qeni thjesht zbukurim, gjuha është hapësira ku ngjan transformimi. “Poezitë e Paul Éluard-it ilustrojnë fuqinë e fjalëve për të ngjyrosur dhe për të formësuar vizionin emocional”, shton studiuesja J. Lewis. Por ç’ndodh ndërkohë me dashurinë romantike? Lidhja e poezisë së dashurisë me politikën paraqet një tjetër enigmë. Carol Hanisch thotë për Éluard-in se personalja për të ishte politike. Më konkretisht, çifti përbënte vërtet një qelizë solidariteti. Në këtë këndvështrim, nuk ka përparim shoqëror, asnjë luftë për barazi, pa dashuri. Në Le Phénix, botuar më 1951, në poezinë që i jep titullin, feniksi bëhet simbol i rigjenerimit, duke vendosur realizmin dhe shpresën si thelbësore për procesin e dashurisë. Përtej thjeshtësimeve romantike, lidhja e zjarrtë dhe besimi intim i japin mundësi vetes të rikompozojë dëshira më të mëdha, t’u japë kuptim projekteve, ku çifti është në lëvizje brenda një bote shoqërore.

Pak prej nesh sot e shohin një çift romantik si një qelizë aktiviste, në kuptimin e plotë të fjalës. Ka prova që njerëzit priren të zgjedhin partnerë që i përkasin të njëjtave bindje politike, çka sugjeron se politika në fakt ka peshë në njohje dhe në martesë. Dhe barazia gjinore ka çelur hapësira për agjenci të reja, veçanërisht (por jo vetëm) për gratë, për të kërkuar role përtej atyre të bashkëshortes dhe të nënës. Megjithatë, nëse diçkaje i është mëshuar më fort, është se institucioni (prototipik heteroseksual) i çiftit, në kulturën perëndimore, përfaqëson një vend ripërtëritjeje dhe strehimi nga bota, më tepër sesa një pikënisje për ta transformuar atë. Kështu, kemi një trekëndësh kompleks e poetik të dashurisë, surrealizmit dhe politikës; një çlirim të mendjes dhe një përqendrim tek marrëdhënia monogame romantike si bërthama themelore, si fara embrionale e një solidariteti më të gjerë politik.

Gjatë jetës së tij, Paul Éluard botoi mbi 70 vëllime me poezi, si edhe shkrime letrare, kritike e politike. Vdiq në Charenton-le-Pont, pranë Parisit, më 1952 dhe, për arsye politike, iu mohua një funeral shtetëror. Për t’i dhënë respektet e fundit, në funeralin e Eluard-it u rreshtuan rrugëve me mijëra njerëz.

Piktura: Portrait de Paul Eluard (fragment), Salvador Dali, 1929

Exit mobile version