Nuk mund të rri pa thënë me krenari se Tirana dhe Bostoni kanë një lidhje të hershme mes tyre. Një lidhje të lashtë, gati në kufijtë e së pabesueshmes, për të cilën historia e shkruar, çuditërisht, ka heshtur.
Por para se të nis t’jua rrëfej këtë, nuk e quaj ndonjë mëkat të lëshohem pak çaste hergjele në livadhet e historisë.
Në vitin e largët 1614, kur u themelua Tirana, Bostoni, që më pas do të quhej vendlindja e Revolucionit Amerikan, ishte, as më shumë e as më pak, një vend i humbur, i zhytur mes tri kodrave, që me pak dashamirësi mund të llogariteshin si male – Trimountain – dhe, për më tepër, ishte ende i papagëzuar me një emër që t’i bënte nder. Me sa duket, banorët indianë të atij gadishulli të vogël, të paktë e të paditur, u përfshinë në luftën për mbijetesë me ethet e verdha e nuk ia patën ngenë t’i gjejnë një emër, derisa një eksplorues anglez, kapiteni John Smith, e thirri atë New England, me shpresën që të tërhiqte aty sa më shumë anglezë. Ky emër nuk u prit mirë apo, siç thuhet, nuk ngjiti te vendësit.
Pak vite më vonë një anglez tjetër, kolonialisti tashmë i kamur Isaac Johnson, “i shembi” tre malet (Trimountain), që me pak dashakeqësi mund të quheshin kodra, dhe e quajti vendin Boston, për nder të qytetit ku pati jetuar në Angli.
Deri këtu kam thënë gjëra të njohura, të cilat historia ua ka mësuar brezave njerëzorë dhe tani së fundi edhe inteligjencës artificiale.
Edhe unë në atë grazhd kam ngrënë e vazhdoj të ha, prandaj as më shkon nëpër mend që ta përmbys, por kam të drejtën të dyshoj. Unë e di mirë se e shkruara – kam parasysh letrën – është e rrezikuar nga zjarri, uji dhe historianët, ndaj shtyhem të mendoj se është gabim që shprehjen “Fjalët i merr era, e shkruara mbetet” ta marrësh për aksiomë. Këtu nis edhe dyshimi im se emrin e Bostonit e paska vënë ai farë Isaac-u që përmenda më sipër.
Kjo deklaratë dikujt mund t’i duket provokim dhe të më akuzojë se me një gur synoj të vras historinë e t’i mbaj anën gojëdhënës. Unë kam vetëm një armë për ta hedhur në erë këtë akuzë dhe kjo është modestia, së cilës për çdo rast ia lë një fishek në gojë. Prandaj ju pyes ju dhe veten: kush jam unë që të trimërohem e të ndeshem me aksiomat?
Nga ana tjetër, unë di se jo rrallë fjala është si virusi, përhapet nga goja në gojë dhe prek turmën. Kur e gjen atë me imunitet të rënë të trurit, mund të kthehet në epidemi dhe atëherë nuk ka armë e ilaç që t’i bëjë derman, sepse dihet që harresa – armiku i saj i vetëm – është individuale dhe jo kolektive.
Dhe pas këtij lehtësimi në ndërgjegje, mendoj se erdhi çasti të flas për lidhjet e hershme të Tiranës me Bostonin. Edhe në këtë rast historinë e shkruar e lanë gjunjët dhe qitapët e saj zunë myk. Njerëzia, ndryshe nga unë, u ushqyen në grazhdin e gojëdhënave dhe fjala erdhi revan deri te ne, duke e mbajtur legjendën gjallë e rrëfimin të freskët sikur ngjarja të jetë një ëndërr e parë mbrëmë në mesnatë.
Ju mezi prisni që unë të marr përgjegjësinë e vërtetësisë së fakteve për rrëfimin e mëposhtëm, por ju ftoj edhe një herë të zhgënjeheni, pasi nuk do ta bëj këtë. Jo nga ndonjë frikë. Thjesht nuk e quaj të ndershme t’i rrëmbej autorësinë atij që ma rrëfeu. Edhe pse unë nuk po i hap thonjëzat, jeni të lutur t’i merrni ato me mend.
Një i ri i pashëm e flokëkaçurrel nga fshatrat e Tiranës – nëse atëherë ekzistonte Ndroqi, andej duhet të ketë qenë, për shkak të afërsisë me portin – u nis nga Dyrrahu në drejtim të Venedikut, për të vazhduar më pas për në Egjipt. Qëllimi i deklaruar i këtij udhëtimi ishte të shpinte atje një thes me fara shalqiri, me shpresë se kjo lloj tregtie do ta bënte të pasur. Ngjarja duhet të ketë ndodhur rreth 400 vjet më parë, pikërisht kur Sulejman Bargjin Pasha themeloi Tiranën, por askush nuk na thotë nëse udhëtimi i djaloshit shqiptar ishte pjesë e ndonjë misioni sekret të themeluesit të Tiranës, apo thjesht aventurë e një kokëkrisuri axhami. Një gjë është e sigurt, i riu shqiptar nuk shkonte për të marrë pjesë në betimin e presidentit amerikan, për arsyen e thjeshtë se Xhorxh Uashingtoni, Presidenti i parë i Amerikës, donte edhe tre shekuj të lindte.
Për shkaqe që nuk i thotë kush, djali nga Ndroqi, pasi u nis nga porti i njohur i Gadishullit të vogël Ballkanik, la pas Venedikun dhe në vend që të mbërrinte në Egjipt, udhëtoi drejt Kontinentit të Ri, për të përfunduar në një liman të vogël të një gadishulli tjetër edhe më të vogël, në Massachusetts.
Udhëtimi qe i gjatë, i lodhshëm e i mërzitshëm, por nuk është qëllimi i këtij rrëfimi ta përshkruaj atë me hollësi e as të gjej ngjashmëri me të Kristofor Kolombit. Veçse nuk mund të rri pa thënë se pikërisht për të hequr mërzinë, i riu shqiptar u propozoi bashkudhëtarëve të tij ta kalonin kohën me një lojë që për ta ishte e panjohur, por mjaft e përhapur në Shqipërinë e asaj kohe. Bëhet fjalë për lojën e nëntëshit apo, siç quhet rëndom, të yçit me nëntë. Disave iu duk zbavitëse. Djali, ngaqë nuk kishte ku t’i gjente gurët për lojën, nxori nga thesi që kishte me vete një grusht me fara shalqiri. Askush nga udhëtarët nuk kishte parë dhe nuk ua kishte idenë “gurëve” me të cilët po luanin.
Çdo gjë shkoi mirë e bukur derisa i trazoi urat një kinez rrondokop, i cili jo vetëm i njohu farat, por ia ngriti nervat shqiptarit deri te kaçurrelat, duke thënë se farat e vogla e kishin origjinën nga Kina. Djali i dha një shpullë kinezit. Nuk di të them nëse e bëri këtë për sedrën e lënduar apo sepse ai u prishi lojën, por është fakt se aziatiku i tmerruar – u zverdh apo jo nuk e dëshmon askush, për shkak të ngjyrës së përhershme të fytyrës së kinezit – u fsheh në hambarin e anijes. Ajo që ka rëndësi është se yçi me nëntë u pëlqeu të gjithëve dhe e bëri shqiptarin e ri të preferuarin e vaporit. Ai zuri miqësi të ngushtë me një italian të ri, që thoshte se kishte studiuar për jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës.
Po aziatiku, si mola, nuk hoqi dorë. E kujtoi përsëri origjinën e farave të shalqirit sapo doli nga hambari kur vapori po ankorohej në liman dhe udhëtarët po bëheshin gati të zbrisnin. Atëherë shqiptari nuk u mjaftua me një shpullë, por e mbërtheu kinezin për gryke dhe e hodhi në det. Për fat të mirë, ai shpëtoi pa u mbytur, por autoritetet e limanit nuk e lanë me kaq. Improvizuan aty për aty një gjyq për shqiptarin. Duket se nga telashet e shpëtoi pikërisht italiani, i cili e mësoi të thotë para ‘gjykatësve’ se e hodhi në det kinezin, pasi kuptoi qëllimin e tij të mbrapshtë të ardhjes në Amerikë, përhapjen e etheve të verdha.
Kuptohet, amerikanët qysh atëherë nuk falnin askënd që synonte t’i bënte keq Amerikës, siç edhe ishin njëlloj të rreptë në doganë, ku e kalonin gjithçka në vrimë të gjilpërës. Shkurt, edhe pse i shpëtoi paq dënimit, rioshit nga Ndroqi iu sekuestrua thesi me fara shalqiri, i cili përfundoi atje për ku ai nisi kinezin, në det, ngaqë askush nuk dinte çfarë ishin ato që kishte brenda.
Dua të bëj këtu një parantezë të shkurtër, por pa e këputur fillin e rrëfimit nga fati i heroit. Ajo që desha të them është se ky nuk është rasti i parë që historia tregohet mospërfillëse me individin. Emri i këtij njeriu humbi, udhëtimi i tij nuk u përshkrua në asnjë roman aventurash, bëmat e tij nuk u përjetësuan në asnjë film të Hollywood-it të mëvonshëm, madje as pasardhësit e tij, me sa di unë, nuk përfituan shtetësi amerikane e as trashëguan pasuri a pension nga Amerika zemërgjerë.
Unë, nga ana ime, mendoj se sot, katër shekuj më pas, ai djalë meriton më shumë vlerësim në vendin e tij, pasi qe shqiptari i parë që kaloi Atlantikun. Edhe vetëm kaq do mjaftonte për të mbushur me krenari e gëzim një popull të vogël si yni, që e ka në gjak emigrimin. Sa për amerikanët, ata i mirëkuptoj pse nuk ngritën qoftë edhe një përmendore në nderim të shqiptarit. Ata në shekuj i ka munduar një ndjenjë e përzier turpi dhe faji për atë që i ndodhi djaloshit sapo këmba i shkeli sterenë e Kontinentit të Ri.
Duke e quajtur të konsumuar parantezën dhe për të mos lënë shkas për pyetje të llojit ‘përse ky djalë duhet vlerësuar kaq shumë’, po e them prerë dhe troç: Sepse ishte ai që i vuri emrin Bostonit! Të tjerat, në mos janë spekulime, duhen marrë për broçkulla.
Si ndodhi kjo? Më të duruarit nga ju, që arritën deri në këtë pikë të rrëfimit tim, do jenë edhe më të fituarit. Do e mësojnë të vërtetën brenda pak radhëve.
I gjendur në mes të katër rrugëve, i papunë, pa një cent e pa njohje, djaloshi zuri të endej kuturu. Befas një ditë gjeti nëpër xhepa ca fara shalqiri. Ishin ato me të cilat patën luajtur yçin në vapor. I nxori nga xhepi dhe pa ndonjë shpresë, por me inat i flaku përtokë diku në një djerrinë buzë lumit.
Kaluan disa muaj dhe, për çudinë e tij, i riu – të mos harrojmë se ishte tirons safi nga Ndroqi – vuri re se nga farat kishin mbirë e ishin rritur bimë të shëndetshme, të cilat e kishin mbushur djerrinën me kokrra larushane shalqiri. Nuk e zgjati fare, këputi ca prej tyre dhe doli në rrugët e qytetit për t’i shitur.
Thërriste: Boston i omël, boston katuni me t’ik truni! Hajde boston, boston!
Vendësit habiteshin sa nga kokrrat e mëdha e të panjohura për ta, aq edhe nga gjuha e çuditshme që po dëgjonin. Ah, harrova të them se shqiptari kishte fjetur ku kishte mundur, kishte ngrënë ç’kishte gjetur dhe nuk kishte mësuar asnjë fjalë nga gjuha e vendësve.
Thuhet se djalin e morën për të marrë, por u pëlqeu shalqiri që ai shiste. Ishte shumë i ëmbël. Po më shumë ua kënaqi veshin fjala ‘boston’. Ajo u ngjiti në kokë siç ngjit në gishta lëngu i shalqirit.
Dhe ia dhanë për emër qytetit të tyre.
Boston.
23 mars 2024