Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ymer Çiraku: Një shkrim në formatin e Manifestit Letrar

Ymer Çiraku: Një shkrim në formatin e Manifestit Letrar

Kadare: Duke lexuar “Milosaon”, 1963

Padyshim është shenjë prestigji për çdo letërsi, që në vijimësinë e zhvillimit të vet, të ketë të pranishme “manifestet letrare”, të cilat, janë programe estetike – mbi të cilat projektohen e zhvillohen lëvizje të caktuara letrare. Mund të kujtojmë në letërsi të gjuhëve të ndryshme europiane manifestet e bujshme të romantizmit, të simbolizmit, dadaizmit, futurizmit, hermetizmit, surealizmit etj.

Po në letërsinë shqipe a i kemi të shfaqura këto manifeste – apo programe letrare?

Në revistën e njohur Albania (1897-1909), e cila, nisi të dalë nga fundi i shek. 19-të, kishte zënë vendin e vet dhe një rubrikë periodike, e titulluar Kohëtore e letrave shqipe, ku vet botuesi i saj, Konica, përmes shkrimeve të veta, konceptoi modelin kritik në gjykimin dhe vlerësimin e letërsisë shqipe – përkundrejt modelit romantik (kryesisht vlerësues e himnizues) të deriatëhershëm. Po kështu, brenda një vizioni modern letrar, ai apelonte rreth vetmjaftueshmërisë së vlerave estetike për të përcaktuar statusin mirëfilli të letërsisë. Atdhesia dhe letratyra janë dy gjëra, do të shprehej dikur Konica dhe me këtë, kishte parasysh se patriotizmi në vetvete nuk do të thoshte asgjë, po qe se ai nuk do të ishte i tretur në inde dhe vlera letrare. Ky koncept ishte një sfidë ala koniciane për mjaft shkrime skriptomanësh të asaj kohe e më pas, të cilët, mungesën e talentit, ngreheshin që ta kompensonin (në të ashtuquajturat vepra të tyre) me lumin e deklaratave patriotike (!).

Tërë krijimtaria e një niveli të lartë si ajo e De Radës, mund të konsiderohet gjithashtu një lloj manifesti letrar, që e udhëhoqi në lartësi estetike një degë të fuqishme të letërsisë shqipe, siç ishte ajo arbëreshe. Vepra e tij Parime të estetikës (Napoli, 1861), përtej funksionit rutinë të një manuali klasik mbi estetikën, gjente rastin që të konstruktonte me tendencë edhe një argument nga problematika e kulturologjisë shqiptare. Konkretisht, këtu ai sjell në vëmendje pikëpamjen e teoricienëve të linguistikës europiane të kohës se gjuhët në vetvete, janë struktura unikale e misterioze dhe se në çdo stad të tyre, edhe në ato më të hershme e me volume sado inferiore strukturore e leksikore, ato gjuhë mund të ngjizin me magmën e tyre shprehëse kryevepra letrare. As më shumë e as më pak, kjo ishte mbështetje teorike, apo një program letrar nxitës – për të marrë guximin, siç e mori vet De Rada e të tjerë autorë arbëreshë, për të bërë letërsi të madhe edhe nën hijen e një dialekti relativisht të kufizuar e arkaik, siç ishte ai arbëresh. Përmes kësaj letërsie, në fakt u mbajt gjallë kjo gjuhë e rrezikuar për shuarje nga rrethanat historike, duke u bërë kështu krijesa e saj (letërsia) – edhe një rojtare e sigurt e kësaj vijimësie gjuhësore.

 Më 1963, kur ishte vetëm 27 vjeç, I. Kadare botonte në gazetën Drita shkrimin: “Duke lexuar Milosaon”. Duke marrë shkas nga 150 vjetori i lindjes së De Radës, shkrimtari i ri gjente rastin të shprehte disa pikëpamje estetike, që jo vetëm dëshmonin vlerësim të lartë për këtë ikonë të traditës letrare shqiptare, por mbi të gjitha, ajo që ka më shumë rëndësi, është se ato përcillnin apele të forta për aktualitetet letrare në Shqipërinë e saj kohe, madje, që trondisnin nga ato tema e skema, që konsideroheshin tabu. Ajo që vlerësohej guximshëm tek ky autor (De Rada), ishin pikërisht dimensionet e munguara apo të ndaluara në kontekstin e soc.realizmit në Shqipëri, madje theksoheshin, pikërisht në kohën kur doktrina e realizmit socialist, ishte në stadin e vet më të rehatuar.

Konkretisht, në këtë shkrim, Kadareja e çmonte De Radën dhe vinte theksin në vlerësimin e tij si novatori i madh i letërsisë shqipe, kur aso kohe, autorë si ai, mjaftohej të konsideroheshin kryesisht si kontribues brenda arealit letrar të traditës dhe, sa për novatorizëm, ai nuk mbetej veçse atribut i soc.realizmit (!) Kadare në këtë shkrim mes të tjerash shkruan: “ De Rada ishte novator i madh i poezisë sonë dhe novator i poezisë në përgjithësi. Ai e ndjente këtë gjë dhe prandaj edhe romanin e hap me vargje, që pohojnë se ai do të këndojë diçka të re në gjuhën e moçme të poezisë. Dhe vërtet, ai krijoi një gjë të re. “Milosao” është e mbushur me imazhe dhe figura, jo vetëm të panjohura për krejt poezinë tonë, por edhe të freskëta e të guximshme në gjithë poezinë e asaj kohe. Gjëja e parë që të bie në sy tek Milosao, është konceptimi figurativ i botës, një konceptim aq i pasur sa dhe i sinqertë, me nuanca ngjyrash, tingujsh dhe emocionesh, që rrallë e kanë shoqen… Të ngjan sikur je shtrirë përdhe, ke vënë veshin mbi tokë dhe po dëgjon zërat e brendshëm e të përjetshëm të dheut.”

Më tej akoma, në atë shkrim, vlerësohej lart fryma universale e kësaj vepre, kur kritika zyrtare trumbetonte për vlerë, para së gjithash frymën dhe dekorin nacional e lokal të letërsisë. Sipas gjykimit të Kadaresë, në këtë vepër të poetit arbëresh, vrehet një konçizitet, që arrin deri në virtuozitet dhe madje De Rada, vlerësohet si pararendësi i parimit të ajsbergut, i cili do të shfaqej si prirje letrare shumë vite më pas në letërsinë europiane. Dhe ky tipar, vihej në dukje pikërisht atëhere, kur letërsisë shqipe të kohës i imponohej dhe i vlerësohej qartësia e thjeshtësia maksimale e ligjërimit. “…Ajo që tek De Rada është quajtur errësim me dashje nga disa studiues, është forca e tij e madhe sintetizuese. Poeti ka lënë në vargjet e tij vetëm muskuj, duke hedhur çdo gjë të tepërt…”, shkruan autori i këtij shkrimi dhe jo vetëm implikohet i pari në përcaktimin e llojit zhanror të kësaj poeme, duke e quajtur atë të parin roman lirik në vargje në letërsinë shqipe, por edhe si bashkëkohëse të denjë me vepra të njohura të Bajronit, Pushkinit, Lamartinit.

Moderniteti i kësaj vepre vlerësohet prej Kadaresë edhe prej faktit se këtu, ka mjaft koinçizitet dhe përkorje stilistike. Është mënjanuar çdo gjë e tepërt dhe e panevojshme. Poeti ka futur mes vargjeve dhe këngëve “heshtjen”, si një mjet të fuqishëm artistik. Midis vargjeve, lexuesi ndjen dhe vargjet e pashkruar, midis këngëve dhe këngë të tjera të pathëna. Dhe kështu, vepra duket më e madhe dhe më e gjerë se vëllimi real i saj, “ashtu si qyteti që duket më i madh dhe më i papërcaktuar në mbrëmje, kur ka rënë mjegulla. Pikërisht një fluiditet i tillë i derdhur në vepër, e bën veprën në vargje Milosao të gjallë, me shpirt”.

Duke pohuar se kjo vepër hyri në pallatin e poezisë si një vajzë e bukur dhe e freskët, por mjerisht e belbër dhe nga një vend i humbur, shkrimtari i ri shtronte indirekt kërkesën për t`i dhënë zë letërsisë shqipe, në kontakt me publikun botëror, dhe kjo mund të bëhej përmes veprave të verifikuara si vlerë nga lexuesi dhe jo atyre të rekomanduara nga institucionet zyrtare. Duke e çmuar këtë vepër, që vinte nga bota arbëreshe e përtejdetit si një trajtë mirëfilli artistike, Kadare e konsideronte atë edhe si urë të mbarë komunikimi mes kësaj ane d.m.th. letërsisë shqipe – dhe metropolit perëndimorkulturor e letrar. Pra, këtu ai takohej (si mes të mëdhenjve) me tezën që kishte hedhur vite më parë E. Çabej, se letërsia arbëreshe, ishte lëndë ballkanike (shqiptare) e derdhur në formë romane, pra, një letërsi që stilistikisht, e kishte kapërcyer periferinë dhe mbetej e hapur dhe e ballafaquar me artin europian.

Ky shkrim-manifest, me tërë spektrin e ideve qarkulluese në të, ishte atakues me atë arsenal sofizmash që përmbante programi zyrtar i kohës për letërsinë, që tek e fundit, e limitonte rolin dhe misionin e saj kryesisht brenda domeneve të propagandës. Duke shqyrtuar veprën Këngë të Milosaos, si poema për dashurinë dhe lumturinë, për iluzionet dhe humbjet, për dritat dhe hijet, për riprodhimin njerëzor, për vazhdimësinë e jetës, Kadareja i kujtonte lexuesit dhe opinionit imperativin për të mbrojtur statusin natyral të letërsisë. Pra, përcillej si nëntekst prej tij kërkesa, që letërsia s`duhej kurrsesi t`i braktiste, apo t`i dobësonte strukturat e saj artistike, që në fakt, ishin aq të rrezikuara në rrethanat e asaj kohe.

Këto vizione emancipuese dhe refuzuese ndaj deformacionit dhe stanjacionit estetik, nuk mbetën brenda kornizave të një shkrimi në trajtë projekti letrar, por edhe u realizuan, u ngjizën në veprën e vet Kadaresë, në një vepër polifonike dhe me një ligjërim tejet modern dhe elegant, që i solli lexuesit shqiptar dhe atij botëror. Duke marrë prej këtij lexuesi të afër 50 gjuhëve, ku është botuar dhe ribotuar vepra e tij, vlerësime të larta.

Në përmbyllje, mund të thuhet se ai shkrim i Kadaresë i vitit 1963, edhe pse nuk vrehet të jetë përmendur si referencë në qarkun tonë letrar, (thua sikur të mos egzistonte ndonjëherë), mbetet një shenjë e fortë në rrugën e letërsisë shqipe të pasluftës. Temat (çështjet) e nxehta estetike, që ishin artikuluar në të, në fakt, qenë sirena, që grishnin krijuesit e kohës – për ta mbajtur letërsinë sa më fort në limanin (territorin) e saj autentik.

Exit mobile version