Kreu Letërsi Bibliotekë Prof. Dr. Klara Kodra: Mamaja dhe ne vajzat

Prof. Dr. Klara Kodra: Mamaja dhe ne vajzat

Jolanda Kodra

Mamaja kishte vendosur me ne vajzat (me mua dhe me time motër, Etelin), që nga fëmijëria e hershme, një frymë afërsie dhe dialogu.

Ajo luante me ne, duke u bërë si të thuash, edhe vetë fëmijë, duke dramatizuar përralla, duke rikrijuar personazhe përrallash me anë të kukullave tona, luante gjithashtu lodra me letra bixhozi ose lodra në bazë enigmash.

Nga ana tjetër, ajo fliste me ne, sikur të ishim të rritura, duke na rrëfyer kujtime nga e kaluara e vet në Itali e në Shqipëri, duke na treguar gjithashtu vepra letrare dhe duke iu përgjigjur pyetjeve tona.

Ajo kishte qepur për ne një shumëllojshmëri kukullash prej stofi vërtet të mrekullueshme me nuse me vello, princër dhe princesha, zana, zezakë, arushë, mace, gati një minigjithësi krijesash që mishëronin për ne botën e përrallave.

Ajo kishte krijuar midis nesh një frymë aq demokratike sa kur një ditë ime motër, atëherë adoleshente, guxoi ta pyeste a kishte dashuruar dikë tjetër para babait (për babanë e dinim që e kishte marrë me dashuri) nuk u zemërua, as u skandalizua (e përfytyroj me frikë ç’do të kishte ngjarë me ndonjë prej hallave tona a shoqeve të mamasë, edhe italiane sikur të ishin).

Vërtet që mamaja u zu ngushtë dhe iu përgjegj motrës “jo” me vendosmëri. Vërtet që ishte skuqur e tëra, po s’tha asnjë fjalë të ashpër.

Madje, më vonë ajo na porositi që kur të binim në dashuri, t’ia thoshim asaj të parës, kështu që ajo të bëhej ndërmjetëse midis nesh dhe babait.

Ajo shfaqej kështu mjaft e përparuar dhe as nuk i sillte në mendje martesat e përgatitura nga familja që në atë kohë ishin të zakonshme dhe që sigurisht gjyshja dhe halla e madhe do t’i pranonin. (Më kujtohet akoma se si i hapi sytë e llahtarisur kjo e fundit kur unë, për ta ngacmuar, i thashë se do të martohesha me dashuri).

Mamaja përkundrazi nënkuptonte se zgjedhja e shokut të jetës do të na lihej neve, po sigurisht me miratimin e prindërve.

S’do ta harroj kurrë, kur një djalë më foli për herë të parë në rrugë, kur isha vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, kthehesha nga shkolla dhe kisha lënë takim me babanë, i cili kur më pa me këtë djalë të panjohur, u nxeh dhe zuri t’i fliste atij me rreptësi (ai djalë i bëri ballë si mundi duke i thënë se edhe vetë kishte motra dhe e kishte parasysh respektin ndaj vajzave).

Më vonë babai m’u kthye mua duke më thënë me një ashpërsi që s’e kishte përdorur kurrë, se për asnjë arsye s’duhet të flisja me njerëz të panjohur.

Mamaja kur e mori vesh, për çudi, e mori me të qeshur (e ndjej ende zërin e saj: “Klara, paske pasur sot një kavalier!”) dhe s’thuhet dot se sa e lehtësuar e ndjeva veten.

Jolanda, sigurisht, sillte ndër mend takimet e para me djaloshin e pashëm nga Shqipëria për të cilin, në fillim ajo dinte shumë pak, gati asgjë.

Kur isha fëmijë dhe adoleshente, në disa raste ajo më dukej tepër e rreptë, po në fakt ajo ishte vetëm kërkuese.

Një nga ato raste ishte kur ajo më kërkonte të isha e përpiktë në shkollë. Përpikmërinë ajo e kishte në gjak, sikur të mos ishte italiane, po gjermane. T’i ngjante vallë në këtë pikë gjysh Albertos? Për këtë s’di asgjë (fundja, gjyshi s’ishte vetëm inxhinier, po edhe skenarist, pra, artist dhe dihet mirë se çfarë nami u ka dalë artistëve në këtë pikë).

Ajo që është e sigurt dhe që më ka mbetur në kujtesë janë zgjimet që ajo na bënte çdo mëngjes kur duhet të shkoja në shkollë dhe zëri i saj i ëmbël, po edhe i rreptë, zinte vendin e orës me zile që s’e kishim.

Nga një anë mamaja tregohej e dhëmshur dhe e kujdesshme, madje mund të thuhet se më llastonte (ma sillte në shtrat filxhanin me kafe elbi), nga tjetra më nxiste që të mos vonohesha në shkollë.

Po në përgjithësi fëmijët s’e kanë ndjenjën e kohës, aq më tepër një fëmijë që, si unë, synonte të bëhej poete.

Koha më dukej e mbushur me çaste interesante, që s’kishin pikën e lidhjes me vajtjen në shkollë (të vështruarit në pasqyrë, soditja nga dritarja e luleve, e pemëve apo e ndonjë aeroplani në fluturim e sipër).

Mamaja, në ato çaste bëhej nervoze:

Shpejt, shpejt se iku ora!

Shpejt se do të fillojë mësimi!

Çudi që je aq e qetë!

Si rezultat, shkoja në shkollë gjysëm ore para se të fillonte mësimi (te shkolla “Vasil Shanto” që atëherë ishte gjimnaz, më vonë te “10 korriku”) i lutesha shërbyeses së shkollës që të më linte të futesha në klasë dhe hapja ndonjë libër për të “vrarë” kohën.

Në vitin e fundit të gjimnazit ndërrova stil për deri sa kisha ndërruar edhe shkollën dhe kisha vajtur te “Çajupi” që ishte larg nga shtëpia, kështu që duhej të merrja autobusin.

Tani i bëja të gjitha gjërat me vrap, dilja nga shtëpia pa ngrënë fare mëngjes, me bukën e mbështjellë në gazetë, rendja për të kapur autobusin dhe për t’u futur në mes të turmës së njerëzve.

Po tani ishte fjala për një shkollë që e kisha zgjedhur vetë, prandaj s’duhej të rrezikoja të më qortonin.

Më vonë, kur mora maturën dhe nisa të ndiqja leksionet si studente, ndryshova prapë, kësaj radhe për keq, fillova të vonohesha kastile, për shkak të mendimit të çuditshëm që kisha për lirinë e cila, sipas meje, u takonte, patjetër, studentëve, po këtu nis një kapitull tjetër, edhe i jetës sime, edhe i marrëdhënieve të mia me mamanë, për të cilin duhet folur më gjatë.

Mendimet e mia rebele për lirinë që duhet të kishin studentët të cilët sikur i paraprinë lëvizjes studentore të 1968-ës që do të ndodhte shtatë vjet më vonë dhe, për më tepër në Itali e në Francë, i sollën mamasë disa shqetësime për të cilat tani më vjen shumë keq.

E gjora, mama. Kur fillova të ndjek studimet për letërsi dhe lashë prapa konfliktin me mësuesin e fizikës që donte të më linte në klasë dhe për pak më la pa marrë maturën, kishte shkruar për mua një poezi ku shfaqte shpresën se tani problemet e adoleshencës do të merrnin fund. Ajo s’e dinte që ato probleme sa kishin filluar.

Exit mobile version