Përktheu nga rusishtja: Kosta Nake
“Ato ditë të largëta në Jude, të cilat më lanë të çalë e të sakatuar për gjithë jetën, ishin periudha më e lumtur e rinisë sime,” – tha një burrë i gjatë dhe i hollë, me fytyrë të zverdhur, me sy kafe të ndritshëm dhe flokë të argjendtë me kaçurrela të bukura i cili ecte me një patericë sepse ajo këmba e majtë nuk i përkulej te gjuri.
*
Atëherë mora pjesë në një ekspeditë të vogël me qëllim që të eksploronim brigjet lindore të Detit të Vdekur, vendet legjendare të Sodomit dhe Gomorrës, qëndrova në Jerusalem duke pritur shokët e mi që ishin vonuar në Konstantinopojë dhe bëja udhëtime te një kamp i beduinëve në rrugën për Xheriko, te sheiku Aid, të cilin ma rekomanduan arkeologët e Jerusalemit dhe që ndërmorën për ekipin gjithçka të nevojshme për ekspeditën tonë dhe që e udhëhoqën personalisht atë.
Herën e parë shkova tek ai të negocioj me shoqëruesin, ditën tjetër ai erdhi vetë me mua në Jerusalem, pastaj fillova të shkoj në kampin e tij i vetëm, bleva një pelë të mrekullueshme vrapimi prej tij dhe shkoja mjaft shpesh…
Ishte pranverë, Judea ishte zhytur në një shkëlqim dielli të gëzueshëm, po më kujtonte kënga e këngëve:
Dimri tashmë ka kaluar,
Lulet sapo kanë mbirë,
Koha për këngë është zgjuar,
O pëllumb sa më vjen mirë
Që zërin tënd e ke bashkuar
Me aromat që pa gdhirë.
Atje, në rrugën për në Xheriko, në shkretëtirën shkëmbore të Judesë, gjithçka, si gjithmonë, ishte e vdekur, e egër, e zhveshur, e verbuar nga vapa dhe rëra. Por edhe atje, në ato ditë pranvere shkëlqimtare, gjithçka më dukej e gëzuar dhe pafundësisht e lumtur: për herë të parë isha në Lindje, pashë një botë krejt të re para meje dhe në këtë botë pashë dikë të jashtëzakonshme: mbesën e Aidit.
Shkretëtira e Judesë është një vend i gjithi i varur drejt luginës së Jordanit, kodrat, kalimet, ndonjëherë të gurta, ndonjëherë me rërë, aty-këtu rritet në vegjetacion i ashpër, i banuar vetëm nga gjarpërinjtë, thëllëzat, heshtja e zhytur në përjetësi. Në dimër, atje, si kudo në Jude, bie shi, fryjnë erëra të akullta; në pranverë, verë, vjeshtë – e njëjta qetësi e rëndë, monotone, por vapë diellore, gjumë diellor.
Në gryka ku gjenden puse, gjurmët e kampeve të beduinëve janë të dukshëm: hiri i zjarreve, gurët e rreshtuar në rrathë ose katrorë ku janë fiksuar çadrat… Kampi ku shkova unë, në të cilin Aidi ishte sheik, u paraqit pamja e mëposhtme: një masë e gjerë ranore midis kodrave dhe në të një kamp i vogël çadrash të bëra prej shajaku të zi, njëngjyrësh, drejtkëndore dhe mjaft të errëta me zezonën e tyre mbi rërën e verdhë.
Duke kaluar, vazhdimisht shikoja pirgje me bajga që digjeshin përpara disa çadrave dhe midis tyre kishte kudo grumbuj me qen, kuaj, mushka, dhi, deri tani nuk po kuptoja si dhe ku ushqeheshin të gjithë këta, shumica fëmijë, gra e burra të zhveshur, të dobët, flokëkaçurrelë, disa të ngjashëm me ciganët, të tjerët me zezakët, edhe pse jo buzëtrashë…
Ishte e çuditshme të shihje sa trashë ishin veshur burrat, pavarësisht vapës: një këmishë kubike deri në gjunjë, një xhaketë pambuku dhe mbi të një veshje e gjatë dhe e rëndë, e gjerë te shpatullat me lesh larush, me vija dyngjyrëshe, bardh’ e zi, në kokë një arafat, një lloj shamije e verdhë me shirita të kuq, e lëshuar mbi supe, e varur edhe në faqe dhe një mbulesë e dyfishtë mbi kokë gjithashtu larush, një pajisje leshi me dy ngjyra.
E gjitha kjo ishte krejt e kundërt me veshjen e grave: shalle kubike hedhur mbi kokë, fytyrëzbuluar, në trup vetëm një këmishë kubike me mëngë të ashpra që zbriste pothuaj deri përdhe. Burrat kishin këpucë të rëndomta me pafta hekuri, gratë barisnin zbathur dhe të gjitha kishin këmbë të mrekullueshme, të shkathëta dhe të djegura nga dielli, si qymyr. Burrat pinin duhan me llulla, gratë po ashtu…
Kur arrita te pika e kampit për herën e dytë, pa shoqërues, më pritën si mik. Çadra e Aidit ishte më e madhja dhe atje gjeta një ansambël të tërë pleqsh beduinë të ulur rreth mureve prej shajaku të zi me dyshemenë që ngrihej në hyrje. Aidi doli jashtë të më takojë, u përkul dhe vuri dorën e djathtë në buzët e veta dhe në ballë.
Duke hyrë në çadër para tij, prita derisa ai u ul në qilim në mes të çadrës, pastaj bëra atë që bëri ai me mua, ajo që duhej gjithmonë: e njëjta përkulje duke vendosur dorën time të djathtë te buzët dhe balli, e bëra disa herë, në përputhje me numrin e të gjithë atyre që ishin ulur, pastaj u ula pranë Aidit dhe, duke u ulur, bëra të njëjtën gjë përsëri, sigurisht ai u përgjigj me të njëjtën mënyrë.
Fola vetëm unë me mikpritësin, shkurt dhe ngadalë: ky ishte zakoni dhe unë nuk isha shumë i përgatitur për të biseduar arabisht në atë kohë, të tjerët pinin duhan dhe rrinin të heshtur. Ndërkaq, prapa çadrës po përgatitej ushqimi për mua dhe mysafirët.
Zakonisht beduinët hanë hibis, mustaqe misri të ziera në qumësht dhije. Por trajtimi special i mysafirit është harufi, një dash i pjekur duke hapur një gropë në rërë dhe duke djegur shtresa bajgash mbi të. Pas saj dashi shoqërohet me kafe, por gjithmonë pa sheqer.
Dhe ja, të gjithë u ulën dhe hëngrën sikur nuk kishte ndodhur asgjë, edhe pse në hijen e tendës së shajakut ishte një zagushi e nxehtë skëterrore dhe ishte thjesht e frikshme të shikoje në dyshemenë e hapur gjerësisht: rëra në largësi vezullonte aq shumë sa dukej sikur do të shkrihej para syve tanë. Sheiku më thoshte në çdo fjalë ‘havaxha’ – im zot, dhe unë i thoja atij shumë i nderuari sheik Bedavi (që do të thotë, biri i shkretëtirës, një beduin.)
Me që ra fjala, e dini si quhet Jordani në arabisht? Shumë thjesht: Sheriat, që do të thotë ‘një vrimë në ujë’. Aidi ishte rreth 50 vjeç, jo i gjatë, kockëmadh, shumë i dobët dhe shumë i fortë; fytyrën e kishte ngjyrë tulle të pjekur, sy të tejdukshëm, gri, depërtues; një mjekër ngjyrë bakri me vija gri, të ashpër, të vogël, të pastër dhe mustaqe të rregullta po ashtu – beduinët gjithmonë i rregullojnë të dyja; i veshur si gjithë të tjerët me këpucë të trasha. Kur ishte me mua në Jerusalem, ai mbante një kamë në brez dhe një pushkë të gjatë në dorë.
Mbesën e tij e pashë atë ditë kur isha ulur në çadrën e tij si ‘mik’: ajo kaloi afër çadrës, me trupin që e mbante drejt, me një teneqe të madhe me ujë mbi kokë, që e mbante me dorën e djathtë. Nuk e di ç’moshë kishte, mendoj se nuk ishte më shumë se tetëmbëdhjetë vjeçe, por më vonë mësova një gjë: ishte martuar katër vjet më parë, dhe po atë vit kishte mbetur vejushë pa fëmijë dhe ishte vendosur te çadra e dajës, duke qenë jetime dhe shumë e varfër.
“Shiko, shiko, Shulamif!” – mendova. (Mbi të gjitha, Shulamithi ishte sigurisht e ngjashme me të: “Vajza të Jerusalemit, unë jam e zezë dhe e bukur.”) Kur e kaloi çadrën, e kthehu kokën lehtë dhe m’i hodhi sytë, ata sy ishin jashtëzakonisht të errët, misteriozë, fytyra e saj pothuaj ish e zezë, buzët lela, të mëdha, atë moment më rrëmbeu me shumicën e tyre…
Sidoqoftë, ajo ishte vetëm! Gjithçka ishte mahnitëse: një dorë e çuditshme, e zhveshur deri te supet, që mbante një bidon teneqeje në kokë, lëvizje të ngadalshme e përdredhëse të trupit nën këmishën e gjatë kuike, gjoks të plotë që e ngrinte këmishën…
Dhe ndodhi që shpejt pas kësaj, e takova në Jerusalem te porta Jaffa. Ajo po ecte nëpër turmë drejt meje dhe këtë herë po mbante diçka të mbështjellë me kanavacë në kokë. Kur më pa, ndaloi. U vërsula drejt saj.
“Më njohe?”
Ajo më goditi lehtë në sup me dorën e majtë që e kishte të lirë dhe qeshi:
“Të njoha, havaxha.”
“Ç’po mban kështu?”
“Kam djathë dhie.”
“Për kë?”
“Për të gjithë.”
“Domethënë shet? Atëherë më sill edhe mua.”
“Ku?”
“Këtu, në hotel. Jetoj te porta Jaffa, një shtëpi e gjatë dhe e ngushtë, e bashkuar me shtëpitë e tjera, por në anën e majtë të atij sheshit të vogël nga i cili del rruga ‘Mbreti David’, një rrugicë e errët, e mbuluar me kanavacë dhe me një qemer guri të lashtë midis zejtarëve dhe dyqaneve.
Pa u tutur ajo më priu drejt shkallës së ngushtë e të pjerrët prej guri të asaj shtëpie, duke u përkulur lehtë prapa, duke tendosur trupin e saj të përdredhur, duke ekspozuar dorën e saj të djathtë e cila mbante rrotën me djathë në kanavacën e vendosur mbi kokën me një shami kubike, kështu që qimet e saj të zeza ishin të dukshme në sqetull.
Te njëra nga kthesat e shkallëve ajo ndaloi: atje poshtë thellë, prapa dritares së ngushtë mund të shihej pishina e lashtë e Profetit Ezekiel, ujin jeshil i të cilit dukej si pus në sheshin e një shtëpie fqinje me mure të fortë me dritare me kangjella, i njëjti ujë në cilin u la Barsafia, gruaja e Uriahut, dhe e gjeti lakuriq mbreti David.
Duke pushuar ajo vështroi jashtë dritares dhe, duke u rrotulluar, më pa me një surprizë gazmore me sytë lozonjarë. Nuk munda t’i rezistoja puthjes së krahut të saj të zhveshur dhe ajo më pa në mënyrë pyetëse: puthja nuk është pjesë e zakoneve të beduinëve.
Duke hyrë në dhomën time, ajo vuri bohçen në tavolinë dhe shtriu pëllëmbën e dorës së djathtë drejt meje. Vendosa disa monedha të vogla në dorë, pastaj, i ndezuar nga eksitimi, nxora dhe i tregova një stërlinë floriri. Ajo e kuptoi dhe uli qerpikët, përkuli kokën e saj si pohim dhe mbuloi sytë me anën e brendshme të bërrylit…
“Kur do të më sjellësh djathë përsëri?” – e pyeta duke e shoqëruar te shkallët gjysmë ore më vonë.
Ajo tundi kokën ëmbëlsisht:
“Nuk është e mundur shpejt.”
Dhe më tregoi pesë gishtat e dorës: pesë ditë.
Dy javë më vonë, kur po largohesha nga Aidi dhe kisha përshkuar goxha rrugë, një krismë ushtoi pas meje dhe plumbi goditi gurin përpara meje me një forcë të tillë saqë filloi të lëshojë tym. E ngrita kalin galop duke u mbledhur mbi shalë, një e shtënë tjetër u përplas dhe diçka më fshikulloi fort nën gjurin e këmbës së majtë. Vazhdova me galop gjithë rrugës deri në Jerusalem duke parë çizmen që po lëshonte gjak si shkumë… Ende sot çuditem si gaboi Aidi dy herë. Vras mendjen se ku e mori vesh që kisha blerë djathë prej mbesës së tij.
1946