Kreu Letërsi Bibliotekë Istref Haxhillari: Akuarel (tregim)

Istref Haxhillari: Akuarel (tregim)

Istref Haxhillari

Klientët e përhershëm të barit me emrin e çuditshëm “Lantenso”, sodisnin me nge rrëshqitjen e kohës. Në atë vakt qarkullimi mpakej, ditës i merreshin këmbët, qyteti kridhej në heshtje. Qetësinë e prishte zhurma gërvishtëse e karrigeve me këmbët të shtrembëruara dhe shpinoret të grisura. Ndonëse i freskët e i bollshëm, nuk mbahej pastër, frekuentohej nga njerëz dosido, kryesisht xhepzbrazur.

Lalo Koçiu bojalli me shprehje të vazhdueshme habie në fytyrën e ndryshkur nga vitet dhe pija ulej afër dritares ta shihte gruaja kur kalonte rrugës përbri. Dy gota përballë njëra-tjetrës jepnin përshtypjen se priste dikë që nuk vinte kurrë.

Në tavolinën ngjitur një burrë rreth të gjashtëdhjetave dhe miku i tij porositën pulën e pjekur, ndarë në dy gjysma, kanën me verë të kuqe, shishen e ujit pa gaz. Më i riu, kuqalash dhe energjik me flokë të rralluar, nxitoi nga dyqanet në anën tjetër të rrugës, bleu limona dhe mollë. Tjetri nuk pinte alkool, punë presioni gjaku a diçka e tillë. Pati botuar një roman dhe dy vëllime me proza të shkurtra, po klientët e kafenesë nuk e vrisnin mendjen për kësi punësh. Thjesht e dinin se bënte libra, qe shkrimtar.

 -Pa lëng, – u ankua teksa rrekej ta shtrydhte limonin në gotën mbushur përgjysmë me ujë. Qëlloi i fortë, i fishkur.

 -Limonët e vjetër janë pa lëng, – i tha, – të rinjtë duan kohë të piqen.

Ky qe poet, thurte vargje moderne, që pëlqeheshin nga lexuesit e rrallë. Pati fituar dy çmime në një revistë të përjavshme të Tiranës, po këtë e dinin vetëm ata të dy. E dinte dhe Lalo Koçiu, që lexonte rregullisht gazetat. Në të vërtetë vetëm sa u hidhte një sy titujve te libraria e Dritës, përballë Pallatit të Kulturës.

Pronari-kamerier solli porosinë me pamje prej muratori kur mban tulla. Nga veshja e zhubrosura, këpucët, lëvizjet e ngathëta nuk dukej i atij zanati. Buzëqeshja e ngrirë në skajet e buzëve i ngjante një cohe zbërdhulur nga koha.

Ndonëse porositnin të njëjtën meny, gjithnjë harronte diçka.

– S’ka djathë ? – shpotiti shkrimtari.

– Ta marrë dreqi! – u kthye solli pjatën e vogël me djathë të prerë në feta të holla.

Në cep të rrugës u duk gruaja e Lalo Koçiut. Si padashur hodhi sytë, pa të shoqin, i erdhi zemra në vend. Ai ngriti kokën, i bëri shenjë të ikte.

Pastaj i ra tavolinës me pëllëmbë.

– Dy të tjera, – thirri.

– U bënë shumë, ja gruaja të kërkoi, – i tha pronari.

– Ajo ka punën e saj, unë timen, ti tënden.

Vuri njërën gotë para, tjetrën në qoshen e përballtë.

– Tani, – tha shkrimtari.

– Jo, shpejt, – kundërshtoi tjetri.

Lalo Koçiu vështroi gotën përkarshi, mërmëriti diçka, priti.

Gota s’donte t’ia dinte.

– E fundit po të them, – ngriti zërin, – kurrë s’ma bëre qejfin!

 Ajo nuk jepej.

– Më beso, nuk të gënjej më.

– Do t’i lutet edhe dy herë, – shpresoi poeti.

– E fundit, – i tha Lalo Koçiu gotës, – nuk të flas më.

U mendua pak, ngriti të tijën, çukiti gotën e pabindur, piu çerekun. Pa nga rruga, ku u duk si gjithnjë në atë orë, Mane budallai. I gjatë, i dobët, i palarë, rripin e pantallonave shtrënguar deri në fund, sikur donte të vetë mbytej. Shpërfilli Lalo Koçiun, i erdhi rrotull tavolinës së shkrimtarëve.

– Ej, shok! – iu drejtua shkrimtarit.

Turbull e dinte, binin kushërinj.

Sapo i vunë në duar pjatën me pjesët e mbetura të pulës, bukën e panisur, gotën me verë, i përlau shpejt e shpejt në këmbë, piu verën, filloi sërish ritin e ecejakeve. Lalo Koçiu rrotullonte kokën sipas trajektores së tij.

U lodh, hodhi sytë nga rruga.

Një vajzë e shëndoshë, gjysmë zbuluar tërhoqi vëmendjen e klientëve. Poeti i ra me bërryl mikut të tij.

– Ç’ ka, – i tha ai me sytë mbi femrën dërdënge.

– U plake!

– Jo aq sa pandeh.

Vajza ndjeu vështrimet, drejtoi trupin, eci serbes, pa kthyer kokën. Vithet e kërcyera lëkundeshin nën ritmin e hapit, rripi i kanotierës lidhur për mesi i përkëdhelte të ndenjurat.

– Jo keq, – mërmëriti shkrimtari.

– Të pasmet i ke dobësi, – i tha poeti, – punë moshe!

– E vërtetë, pa këtë të fundit.

Mosha ishte pika e tij e dobët.

Stivat e pllakave majolike të Uruç Asamenit mbi trotuar pengonin lëvizjen e njerëzve, kalimtarët detyroheshin të ecnin në radhë njëri pas tjetrit.

– Bashkia nuk punon mirë, – u tha Lalo Koçiu fqinjëve, – trotuaret janë mjedise publike.

– Uruç Asameni di ta vërtitë, – tha shkrimtari.

– Paguan nën dorë, – shtoi poeti.

Medituan një copë herë rreth korrupsionit që gërryente themelet e shtetit, pastaj Lalo Koçiu iu kthye gotës.

– Përse mendohesh? Nuk e shikon se u vonova? E pe gruan?

Në anën tjetër të tavolinës heshtje.

– Me fund, – ngriti zërin.

Piu të tijën, u ngrit zbrazi tjetrën më një të kthyer, e la në vendin e mëparshëm, fshiu tërë lezet buzët, thirri kamerierin.

– Edhe nga një, – porositi, – asaj mbushja me majë, ka bërë hile sot.

Kamerieri qeshi nën buzë, ia mbushi siç porositi. Vodka u derdh, skicoi një si hartë të lagësht mbi mbulesë.

– U deh, – tha shkrimtari.

– Përditë njëlloj, si nuk u lodh.

– Ndoshta kujton brengat e vjetra.

– Punon?

– S’më duket të punojë gjëkund.

– Nga i gjen paratë?

– Ka dy djem jashtë.

– Meze nuk merr kurrë.

– Pi me lezet, nuk bën sherr, paguan.

– Do ta ketë një hall, – pranoi poeti.

– Gruan e dëgjon, – tha shkrimtari.

Lalo Koçiu grindej me gotën e pabindur, i binte tavolinës. Ajo lëkundej pak. Pas porosisë së pestë nisi t’i hante germat, lëvizjet u plogështuan.

Gota lëkundej më pak.

– Po më dëgjove këtë radhë e mbyllim, – i tha.

Heshtje.

– Fol, vetëm me shenja mezi të kuptoj.

Dialogu hyri në fazën finale. Mezi i nxirrte fjalët, rrokëzonte.

Gota karshi nuk lëvizte vendit.

Shkrimtari iu qas në tavolinës së tij.

– Më pëlqen, – tha.

Zakonisht i pashoqërueshëm, vëzhgues i vëmendshëm e i largët, kërshëria nuk e la.

– Çfarë të pëlqen?

– Si e pi vodkën.

– Mua s’më pëlqen fare.

– Ç’ thua? Pse?

– Përherë humbas, fiton ajo.

– Gota?

– Jo, mendja. Kam qejf të më lërë këtu, të ikë, po nuk e bën asnjëherë.

U ngrit. Te dera e priste gruaja e merakosur.

Gusht 2025

Exit mobile version