Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ymer Çiraku: Libri me poezi “Në meshën e ullinjve” i Arben Iliazit

Ymer Çiraku: Libri me poezi “Në meshën e ullinjve” i Arben Iliazit

Pas disa disa botimeve të viteve më parë të disa librave me poezi, me drama (disa prej të cilave janë vënë në skenë nga trupa të ndryshme tetarore), autori i tyre Arben Iliazi, për një kohë të gjatë nuk u duk sërish me botime të tjera në fushë të krijimtarisë letrare, ndonëse ai dëshmonte për lexuesin e kohës se ishte një talent me të ardhme. Më pas, vijnë vite kur firma e tij ndeshet dendur në shumë shkrime publicistike të gazetave të njohura të kohës, ku ai punoi prej shumë vitesh, disa herë dhe si kryeredaktor. Por në kohët më të fundit, nga pena e tij janë botuar radhazi disa përmbledhje me poezi si “Kuajt qajnë”, dy romane grotesko-satirik “Manekinët”, “Vezullimet e Ferrparajsës”. Në shkrime dhe intervista të tij, ai pohon se ka të përgatitura për botim disa libra të tjerë me poezi e drama.

Përmbledhje më e re me poezi, titullohet me një metaforë të gjetur dhe domethënëse:“Në meshën e ullinjve”. Dihet se në besimin e krishterë, mesha është shërbesa themelore e kishës, ku evokohet në mënyrë ceremoniale sakrifica e Birit të Perëndisë. Që poeti ynë i parë, Pjetër Bogdani, këtu e katër shekuj më parë, do ta skaliste aq mjeshtërisht me metaforë antologjike këtë sakrificë biblike: “Nji bir të vetemë, qi Ama pat për mall…/Se Dvekuni ja kthej…/ Me Diell veshun`, e mbathunë me Hanë”.

Poeti i këtij libri të sapobotuar, arrin që ta transferojë simbolikisht këtë “meshë” me kuptimësi qartazi humaniste, në “katedralen” e heshtur e paqësore të gjelbërimit të ullinjve. Me kurorat e tyre shpaluar drejt lartësive të qiellit. Si lutje e përhirshme, fiksuar ngultazi drejt përmasash e hapësirash kozmike.

Në vend të qirinjve, edhe në këtë “meshë” vargjesh drithëronjëse për nga emocionet që ato ngjallin, nuk mungojnë të ndizen si flakëza të vogla kujtimet e mallshme për fate njerëzish, të cilët, mbeten përherë të endur në shtigjet dhe në udhëkryqet e pafund të jetës. Kjo u sjell atyre sfida e privacione, porse në këtë shtegtim të pandalur, ata shtyhen dhe ndihen se dinë që ta kërkojnë fatin drejt realizimit të endërrës së tyre.  Prandaj jo rastësisht, ndeshen në poezi stilema vargjesh të tilla si p.sh:

“Të isha gur

Do rrija në mur kështjelle

Të isha lule

Do çelja në rrugë rrufeje…”

Prania e dekorit të ullinjve, ndeshur dendur në vargjet e kësaj poezie, nuk mbetet thjesht një peizazh i ardhur prej sentimenteve të vendlindjes joniane të autorit. Përtej një shënjimi, që nuk duhet kuptuar në funksion doemos adresues, prania e ullinjve, herë e drejpërdrejt apo herë e nënkuptuar, përcaktohet si ADN- ja e kësaj poezie. Pikërisht në shpalosjen e frymës së paqtë, që ajo e mbart si mesazhin e saj themelor dhe që synon ta përcjellë natyrshëm për te lexuesi..

Si një poezi që priret të projektojë artistikisht vlerat esenciale të njeriut, ndërkaq, ajo nuk mbetet në caqet e ligjërimeve patetike për shpalosjen e rrugëtimeve të gjata të tij. Brenda gjuhës së poezisë, këtu transmetohen këndvështrime të mprehta konceptuale, ashtu sikundër synojnë poetët, për të qënë njëherazi “magjistarë” të thurrjes së bukurive të fjalës, por edhe përçues të ideve misionare..

Heroi lirik në këtë poezi, është vizatuar në një endje të pandalur në kërkimin e një limani sublim. Që duket se ai nuk e gjen dot kurrë atë. Sado që e kërkon ngultazi, nëpër shumë përpjekje e travaje drobitëse. Dhe kjo, më shumë se trishtim e pezm, duket se i sjell atij ngazëllim dhe forcë për të mos u ndalur së kërkuari atë liman, sa real aq dhe imagjinar për të. Sa të arritshëm, aq dhe për të mos u gjetur dot kurrë. Pra, ai gjithsesi i bindet urdhërit të tij, që të mos ndalet. Ashtu siç nuk ndalen valët e detit për të gdhendur shkëmbinjtë e brigjeve, gjelbërimi vërshues i ullinjve – derdhur etshëm në rrafshina e kodra. Siç nuk ndalet kujtesa e kalvareve të njeriut, për të ndërtuar dhe dashuruar jetën. Dhe këtë shtegtim të pandalur,është gati që ta ‘paguajë’ edhe me plagët e humbjeve.

Mos më prisni në rrugët e rrahura,

ku era shfleton të shkuarën,

pa lënë asnjë shenjë

 vezullimi.

Jam duke shijuar lirinë,

i  llastuar nga humbjet,

që lënë plagë të freskëta

harrimi…

                      (“Mos më prisni”)

Në këtë poezi, është arritur që të shpaloset një botë komplekse dhe jo lineare për nga larmia e motiveve, e gjendjeve dhe e situatave të pasqyruara e të përjetuara. Kjo krijon për pasojë, një panoramë poetike mozaikale, çka i sjell librit strukturë polifonike, ku ndërthurren artistikisht regjistra të larmishëm, nga aspekti shprehës dhe stilistik.

Pikërisht në këtë konceptualitet artistik polifonik të librit, brenda sfondit të metaforës frekuente të “përjetimeve të paqta të ullinjve”, nuk mungojnë edhe momentet, që ata “ullinj të shohin endërra me aroma malli e dhimbjeje…” Këtu nuk synohet që të bëhen traktate historie, morali apo filozofije. Sepse poezia, është e vetmjaftueshme si art i fjalës. Dihet se ajo nuk mund që t`i flasë imediatisht veçse një kohe dhe një hapësire. Do të mbetej kështu mjaft i reduktuar misioni i saj. Pra, poezia nuk mund që të muroset kurrsesi brenda caqeve të atyre “kronikave ditore”. Ato do të ishin korniza tepër të ngushta për hapësirat që poezia zotëron dhe kërkon të depërtojë drejt hapësirave të pafundme dhe të gjithkohshme.

Dhe pastaj kuptohet, që në këto dimensione të epërme letrare, mund që ta gjejnë veten sigurisht edhe ato domene apo dukuri të pjesëshme, apo lokale.

Poezia e A. Iliazit, e krijuar dhe e botuar nëpër disa dekada vitesh, vështruar në arritjet e saj më të mira, tashmë është formatuar si një univers letrar me tipare origjinale, e cila ka fituar një pjekuri të sigurtë. Përgjithësisht, ajo mbetet një poezi e prirjes meditative, ku gërshetohen natyrshëm dhe larmishëm e tashmja me historinë, gëzimi me dhimbjen, e përkohshmja me të shenjtat e përjetshme… Rreth këtyre temave, rimerren një varg motivesh, të cilat, synojnë dhe ia arrijnë që të sjellin në trajtë ciklike, një peizazh poetik sa më të përplotshëm të botës së njeriut, shpesh deri në qasjet më të brendshme e delikate të shpirtit të tij.

 Ujëvarat e begata stilistike, sidomos denduria e metaforave, nuk mbeten qëllim në vetvete, pra, nuk mbeten elemente të një dekori të jashtëm neutral. Ato janë të derdhura organikisht dhe që arrijnë të projektojnë dhe të çlirojnë një energji të fortë emocionale dhe imagjinative për te lexuesi. Janë të ndeshura vargje metaforash vërtet befasuese si: “Me orkidenë e mëngjesit në dorë”, “pikojnë gjelbërimet”, “yje pritjesh”, “buzë të paputhura qielli”, “në brengën time mbiu një qipariz”, “qan një zog i kaltër plot maraz… dhe yjet i ul mbi kafaz” etj. Prania e herëpashershme e një figure stilistike si oksimoroni, që përmes të cilit, luhet poetikisht me të përkundërtat, apo të largëtat në vështrimin formal, arrihet që të krijohen p.sh. tablo të tilla aq prekëse e madje tronditëse si: “Më zuri nata, mike, më zuri nata/ Edhe kur të kisha pranë, nuk të pata…” Këtu projektohet një dashuri e pamatshme dhe e pafundme për nga thellësia dhe zjarrmia e ndjenjave mes të dashuruarve.

Poezia e A. Iliazit shfaqet si një krijimtari që mbart esencialisht atmosferën e jetës së njeriut me një mori pamjesh thelbësore të saj, apo edhe disi të lehta e të parëndësishme, në vështrim të parë. Pra, është një poezi me “reliev” dhe jo e rrafshët, ku ndërthurren një larmi temash, zhanresh, formash e teknikash stilistike, të cilat, zgjojnë jo vetëm kërshëri e befasi estetike, por që krijojnë edhe raporte aktive me lexuesin.

Kjo i ka sjellë kësaj poezie një përjetim leximi, mjaft më të zgjeruar nga aspekti hapësinor e kohor, që ajo zgjon e përcjell, përtej atij teksti real vëllimor.

Exit mobile version