Kreu Letërsi Bibliotekë In memoriam: Myftar Gjana

In memoriam: Myftar Gjana

Pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta në moshën 59 vjeçare poeti, përkthyesi dhe botuesi i veprës së Arshi Pipës, Myftar Gjana. Ai lindi më 10 maj 1960 në qytetin e Peshkopisë ndërsa gjimnazin e kreu në qytetin e Kukësit në vitin 1978. U diplomua inxhinier ndërtimi në Tiranë më 1991.
Nga viti 1991-1992 ka qenë kryeredaktor i gazetës “Kosova”, ndërsa në vitet 1992-1996 ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme si drejtor i Drejtorisë së Shtypit. Në vitet 1993-1994 kreu Akademinë Mesdhetare të Studimeve Diplomatike në Maltë, ku fitoi edhe gradën “Master në Diplomaci”. Në vitet 1996-1997 ka punuar në Kuvendin Popullor në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Informacionit dhe Dokumentacionit. Në vitet 2000-2001 ka punuar si administrator në Bibliotekën Kombëtare.
Nga libri i tij “Njeriu në sferë” (Onufri,2012) po ribotojmë disa nga poezitë.

Një pikë vese

Mbi kurrizin e dorës tënde të bardhë-
Një pikë e madhe vese
Ra nuk di se nga.

T’i hetova sytë e mëdhenj, të blertë,
Ballin prej alabastre-
As lot, as vesë djerse.

Dritaret ishin të mbyllura,
Tavani dhe muret ngjyrëokër heshtnin.
Enigma ecte me putrat e lehta mbi parket,
Ndërsa tej perdeve të rënda, të varura shndriste
Mesnata, si një trëndafil i zi, ngjyrë mat
Mbi dëborën e dhjetorit.

Ne të dy shihnin pikën e madhe të vesës,
Të rënë s’di nga ku,
Të mbirë s’di se qysh,
Mbi shpinën e dorës tënde të bardhë,
Brenda një dhome hoteli në qytetin e lashtë
Me shumë xhami dhe kisha mesjetare,
Dhe lexonim me zë antik psalmet e Davidit,
Dhe pikërisht Këngën e Këngëve…
Ndërsa lumi Drini i Bardhë zhaurinte nën dëborë

Vegim

U zhyta thellë në det dhe pashë fytyrën tënde.
Frymë harrova të marr për shumë kohë.
Ti tërhiqeshe drejt koraleve,
Unë vija drejt teje;
Vetëm valsin e peshqve dëgjoja përreth
Dhe tingujt blu pranë algave.

U zhyta thellë në det gjersa…
Fytyra jote m’u zhduk sakaq.
Një zë dëgjova nga bregu të vinte;
Eja, i dashur, po të pres
Dhe dola nga ferri i bukur i ujit
I shushatur nga tmerri i vdekjes.

Atje nën diell, e vetmuar,
Ti buzëqeshje dhe zgjasje duart drejt meje,
Notova drejt teje i lodhur,
Si një varkë pa direk,
Që kërkon bregun e humbur nga stuhia.

Duke të soditur ty

Tërë portat e shqisave hapen për ty.
Të gjitha poret zgjerojnë sytë si macja në errësirë.

E ndjej si më mësyn një duhmë drite,
E përbërë nga petale dhe hithra,
Me gjemba dhe rrënjë të thara,
Apo si një peshk luspartë me pikla të kuqe,
Që hidhet nën diell për të dëshmuar se mban në bark
Rubinin e çmuar që hodhi në det përrallëtari.

E dëgjoj zërin tënd si një curril ujëvare në veshë,
Sytë i mbyll për të dëgjuar kërcimin e dhive të egra,
Që thyejnë këmbët në shkëmbin e pritjes,
Dënesën e supeve të tua shestoj si më gjarpëron nëpër deje
Dhe mendoj se përqafimi yt ka udhëtuar,
Si gamile në shkretëtirën e padurimit.

E nuhas lëkurën tënde të bardhë, ku lulëzon
Bari i zi rrënqethës.Gjethet rozë dhe manushaqe-qilim persian i pashtruar,
Aromën dehëse të mandragorës nëpër shtigjet përthithëse,
Dhe pahu i vdekjes më josh si polemi i prillit,
Tërheq luzmën e bletëve për ta kthyer në nektar fërgëllues.

Flokët e tu si re e zezë i prek me mollëza
Dhe shpuploj panterën e diellit që më djeg poshtë vetes,
Me gishtërinj endem nëpër luginat dhe kodrat e vreshtave,
Gjersa kokrrat e rrushit të më plasin ndër dhëmbë,
Si kokërrima e palcës sime bojëhiri nëpër unazat e kurrizit.

Më në fund me buzë dhe gjuhë shijoj zjarrin dhe ujin
E përvëluar të gojës tënde. Magma bymehet
Dhe brinjët zmadhon brenda meje. Shpërthen
Llava dhe hiri nga fundi në kreshtë. Atje
Poshtë kodrës Vezuv sërish Pompei mbulohet nga hiri
Për t’u zgjuar nga hapat e arkeologëve të ardhshëm,
Për t’u ringjallur nga fjalët e fëmijëve
Që lexojnë me zë hieroglifet e dashurisë sonë.

Meditim larg pyllit

Ne të dy jemi si dy drurë të lëmuar
Në këtë korrik frymëpaktë.
Nëse do të gjendemi në mal
Pranë ujrave dhe gjetheve,
Nën vështrimine ketrit dhe dhelprave,
Tek shohin si manjakë afrimin tonë,
Nëse ata fëmijë jetimë të faunës
Fshihen mes degëve dhe shkurreve,
Duke fërkuar putrat nga bubullima e parë
E shiut në prag të qetësisë.

Nëse ata të kënaqur, me gëzim prej ketri e dhelpre
Na shohin pas blerimit se si qullemi nën shi,
Pa strehë endacake mbi krye,
Dy drurët ende të palagur do të fërkohen
Nga duart e zotit pagan
Sa për të ndezur një zjarr të vogël,
Me pak tym të kaltër, fjollak,
Me pak avull trupash të ngrohtë
Apo jo!?

Na duhet pak kohë

Vetëm pak kohë na duhet, aq pak…
Larg zhurmave dhe pluhurit, larg
Shikimeve të lerosura, larg
Gojëve çapëlyese, larg ajrit të ndotur
Nga djersa e epshit të kauçuktë,

Aq pak sa të hapim sytë pa neveri,
Për të parë pemët dhe barin, ujërat dhe zogjtë,
Aq pak sa të heqim dyllin e Odiseut
Nga veshët e lodhur së dëgjuari këngë arkaike.
Sa për të ndjerë një cicërimë zogu në degë,
Frymëmarrjen e bimëve dhe të agimit,
Për të nuhatur erën e myshkut dhe të tokës,
Për të prekur sakaq ajrin e ndrojtur
Nga dyndja e njerëzve.

Vetëm pak kohë na duhet, e mira ime
Diku atje, ku s’ndihet
Kutërbimi i mushkërive të sëmura,
Të përziera me kundërmime epshi,
Të rrimë larg dykëmbëshve veshëmëdhenj
Me gojëshpella të hapura prej mishi.

Aq pak kohë na duhet sa vetmia
Të na vizitojë pa frikë,
Të na përkëdhelë qetësisht
Me duart e saj të padukshme
Në lëkurë, në flokë e në eshtra,
Aq sa të ndjejmë orën e gjakut tonë
Të rrahë me të njëjtin ritëm
Dhe të harrojmë se jemi dy vetë.

Ditën e Shën Valentinit

Prej acidi klorhidrik ishte
Trishtimi yt i egër,
Brejtës i tëmthave prej hekuri.
Në rrugën me baltë e shi
Ti ecje pas gjurmëve të mia,
Zhyteshe në pellgje
Me një llapashitje yjesh,
Të fshehur në kafkën tënde.

Dorën largove nga vetja një çast
Dhe prekja ime mbeti në ajër
Saora e fyer,
Pastaj u rrëzua si një xham i thyer
Mbi kalldrëmin guackor
Të krenarisë së kujtimeve.

Ditën e Shën Valentinit,
Si dy të huaj darkuam
Pranë një ujëvare të sajuar.
Jashtë binte shi me shtamba,
Ndërsa në retinat tona shfaqeshin
Breshëritë e vështrimeve
Të pendimit tonë të pafaj.

Kënga e Sinagogës

Në sinagogën e vjetër ti hyre
Pa trokitur aspak;
Gjithë virgjëreshat dhe vejushat
Ikën sakaq nga altari, të trembura
Nga buzëqeshja jote me kordele të zezë.

Si një gazelë
Çapite brenda altarit të drunjtë;
Poshtë nesh u hap një humnerë.
Kokën në sup ma vure
Për të mos ndjerë përplasjen e rënies.

Binim ngadalë të dy,
Sikur ngjiteshim përpjetë,
Në kollonën e zezë të kohës pamë
Një vorbull blu me safirë të blertë.

U afruam pa e ditur se si,
Një zog sqepverdhë na përgëzoi
Me një cicërimë në vesh;
-“Mirëseardhët në Elizeun e vetmisë
Pa jehonat e kujtesës,
Sheolin e latë atje tej,
Me gjithë vejushat gjizbuluara,
Me gjithë hamshorët kokëulur.
Ja buka dhe vera e kuqe mbi trungun e prerë,
Ja, sterra me ujë të ftohtë-
Shelbimi i parathënë nga zogu sqepverdhë
Larg shkrumbit të Sodomës dhe Gomorrës”.

Era vizaton portretin e zogjve

Një hap, dy hapa, tre hapa,
Gjethet bien nga pemët,
Siç bien vargjet nga koka ime
Në letrën e pashkruar,
Të bardhë.

Era vizaton portretin e zogjve
Në qiellin e bruzët,
Në qiellin si kanavacë e vjetër, e bojatisur
Nga një piktor i vdekur
I verës së shekullit tjetër.

Një hap, dy hapa…çapitem
Me imazhin tënd brenda vetes;
Statujë e bardhë mermeri e lëmuar
Me prekjet e buzëve të mia.

Ç’kohë ishte, ç’kohë do të vijë,
Ndërsa era vizaton portretin e zogjve
Në qiellin ku flejnë bubullimat?

Një hap, dy,…mijëra hapa të panumëruar.
Ja një aguliçe e bardhë, një vjollcë e tharë
Për herbariumin tënd të kujtimeve;
Pak myshk heq nga plisat e tharë
Dhe shtrihem në shpinë duke dëgjuar
Të njëtën muzikë që ti thith me veshë
Këtë orë ngjyrë manushaqe.

Dhe era vizaton portretin e zogjve diku… në qiell.

Çelësat e natës kanë humbur që në mëngjes
Apo ndoshta i harrova në çantën tënde.
Dhe do të vij në mbrëmje, kur ti të kesh hapur
Dyert e natës, kur bulkthi i padukshëm
Të këndojë, kur zogjtë e vizatuar nga era
Të kthehen në yje regëtues
Që dridhen në ethe nga puthjet.

Ëndrra për një shtëpizë në fshat

Do ta ndërtojmë një shtëpizë të vogël
Vetëm me gurë dhe drurë,
Me çati tjegullash të kuqe-mat,
Si plloça dielli të pjekur,
Me dyer të padukshme dhe dritare
Të fshehura nga gjethet;
Ajo herë do të ngjajë si kishëz e paqes,
Herë si kolibe e hirushes
Mes pyllit të përrallave.

Aty do të mblidhen miqtë tanë të bukur,
Mizat e dheut dhe zogjtë,
Karafilat dhe manushaqet e brishta,
Shegët e skuqura nga turpi në degë,
Duke fshehur fytyrën nga dashuria e diellit.
Dhe në ajër do të ndehen aromat e befta,
Duke tringëlluar si zilkat e muzgut
Muzikën e luajtur dikur
Me pëshpërimat tona netëve të thërmuara
Nga fjalët në intervalin midis puthjeve.

Do ta ndërtojmë një shtëpizë në fshat
Atje mes dy vargmaleve,
Buzë atij lumit të kthjellët gurëlëmuar.
Ti mos u trishto për kohën,
Për rrëkezën e saj që ikën vjedhurazi
Para pragut të pritjes sonë.

Se shtëpiza është aty…ja hapi sytë;
Tek figurinat prej balte në atelienë tënde,
Tek telajot ku fqinjërojnë
Bluja e Zogut të fatit, e kuqja e ikonës së humbur,
Kripa e detit të shkuar dhe e blerta e ullirtë
Në sqep të pëllumbit.

Ujërat u tërhoqën më në fund,
Eja të zbresim nga arka e Noes.

Exit mobile version