Kreu Letërsi Bibliotekë “Rruga e qumështit”, tregim nga Flurans Ilia

“Rruga e qumështit”, tregim nga Flurans Ilia

Sapo u kthye nga shkolla në mesditë ndër të parat sende që i zuri syri në korridor ishte bidoni i boshatisur i qumështit. E priste për t’u rimbushur. Kjo do të thotë, përpara se të filloj dhe studioj matematikën, që e kishte provim ditën e nesërme, do t’i duhej të shkonte së pari në fshat – për të siguruar qumështin!

Kishte disa muaj që fshatarëve reforma e Ramiz Alias u kishte dhënë të drejtën për të mbajtur një lopë në shtëpi. Ndaj çdo dy-tre ditë shkonte në një fshat ngjitur me qytetin, te një familje që i lidhnin veçse lidhje të ngushta Qumështore

Historia e radhëve të gjata nëpër qytete ishte drejt fundit. Ndërmarrjet shtetërore ushqimore duke shkuar drejt falimentimit nuk i plotësonin më kërkesat e qytetarëve. Kështu me bidonin e lidhur në timonin e biçikletës ai përshkonte qytetin e nëpër rrugë periferike u drejtohej fushave të djerra gjersa mbërrinte në fshatin Dyshnik, për të blerë qumështin e fshatarëve. Kishte kohë që e bënte këtë. Kishte kaluar gjysmën e fëmijërisë së tij nëpër radha, sepse vëllai tij i madh kishte një vajzë të vogël. I takonte pikërisht atij si shkollar dhe i pa punë që të kryente këtë detyrë kundrejt familjes dhe mbesës së tij që e donte aq shumë. Pra si më i vogli i shtëpisë – bidoni i qumështit ishte pjesa e pandarë e ditëve të tij. Ishte një rob. Thjesht një ushtar NË SHËRBIM TË QUMËSHTIT. SIGURIMI I QUMËSHTIT NË FAMILJE ishte misioni që duhej kryer pa as më të voglin kundërshtim. I dinte të gjitha rrugët më të shkurtëra PËR TË MBËRRITUR GJER TEK QUMËSHTI.

Por sot i duhej të nxitonte për arsye të forta. Së pari e gjithë familja kishte shkuar në maternitet ku priste lindjen e fëmijës së dytë të vëllait. Ngaqë kishte rënë shumë shi dhe pritej nga çasti në çast t’ja rifillonte përsëri, ai pedalonte me sa fuqi që kishte që të mbaronte punë sa më shpejt. I shtytur për më tepër edhe prej atij provimi të mallkuar të matematikës që ç’është e vërteta e urrente sepse asnjëherë nuk kishte qenë një nxënës shembullor në përllogaritje matematikore.

Në hyrje të Dyshnikut pikat e para të trembura të shiut filluan. Gjysmë i lagur u fut nën strehën e portës ku në plevicën kashtore bri së cilës një lopë e madhe me cica të fryra qëndronte në oborrin e shtëpisë. Tek-tuk pula qafërrjepura hidheshin mbi gardhe me kakarritje rraskapitëse për t’u futur nën strehë.

– Mirë se erdhe djalë, qenke lagur nga shiu. Eja brenda të marrësh  një të tharë, – e ftoi e zonja e shtëpisë, një amvisë me gjinj si Junona kur lindi Kashtën e Kumtrit.

– Jo zonja Sheqere – i tha me droje – dua të kthehem pa më zënë rrebeshi.

Sheqerja, gruaja me mollëzat e faqeve si një qepë e kuqe Korçe, e tërhoqi brenda dhe filloi të mbushte bidonin me qumësht nga kusia prej ku sapo e kishte vluar. Asnjëherë nuk i kishte numëruar saktësisht tufën e madh të fëmijëve të Sheqeres, të cilët hynin e dilnin nga të gjitha vrimat e gardheve të shtëpisë, duke e bërë gjithnjë lëmsh numërimin e tij. Ishte i bindur se ajo amvisë kishte ushqyer me ato gjinjtë e saj universal një ushtri me kalamaj. Ajo grua të krijonte idenë fikse sikur mbante amësinë e të gjiiithë atij fshati. Madje të të gjiiithë asaj krahine, e më tej …

Njëri prej fëmijëve, një sybardhë që i lëpinte shpesh qurret me gjuhë, sa herë që ai vinte në fshat nuk ia shkulte sytë biçikletës së tij. I kishte thënë se, kur të rritej do ta blinte një të tillë. Shpesh në kohë të thata ja linte ndonjë xhiro dyrrotëshen aty tek qendra e fshatit përkarshi zyrave në kapitullim e sipër të kryesisë. Me mburrje sybardhi nga krenaria për ta parë shokët e vet i hiqte duart nga timoni dhe lëshonte thirrje hareje nëpër qiellin e hasdisur. Sapo e shihte ndërsa vinte për të blerë qumësht, “syçka” ndihej i lumturuar dhe nuk i shqitej pa ja kërkuar një xhiro biçikletën. Por, sot nuk e  pa rreth-e-qark. Sybardhi ishte i sëmurë. I platitur në shtrat marroku digjej nën temperaturë. E pa nga porta gjysmë e hapur e kuzhinës të mbështjellë me një batanije ngjyrë bërsi me cepa të grisur. Ia bëri me dorë. “Syçka” instinktivisht bëri të ngrihej, por u step një çast. Brenda syve bardhosh regëtinin thëngjij të padukshme përvëlues.

Pasi e vendosi se duhej të shkonte, i dha përshëndetjet e përzemërta Sheqeres dhe fëmijëve të saj. Menjëherë rrëmbeu timonin e biçikletës në krahun e djathtë të së cilit e lidhi fortë bidonin e mbushur me qumësht.

Shkreptima frikësuese përshkonin qiellin duke zbritur horizonteve të arave djerrë. Pas tyre, bubullinte me aq forcë, sa me timonin e salduar fortë ndër duar, turravrapthi u lëshua drejt rrugës plot baltë, ujë dhe gurë, që lidhte Dyshnikun me rrugën ndërqytetare. Ishin gati dy-tri kilometra për të përshkuar gjersa të mbërrinte në asfalt. Timoni i dridhej ndër duar dhe rrotat rrëshqisnin nëpër baltë. Pedalonte në krahun e djathtë, bri të cilit rridhte një kanal, Kushova. Një përrua që vinte shpesh në kohë shtrëngate, dhe përmbytte arat buzë fshatit dhe rrugën e vetme ndërlidhëse. Ballin e kishte të lagur nga stërkalat e shiut tamburitës që i përplasej plot ngulm mbi fytyrë si pikëçuditëse të panumërta. Duart i dridheshin së bashku me bubullimat zullumqare që përshkonin hapësirën e dëgjimit duke ardhur prej së largu drejt e mbi veshët e tij mbi biçikletë. Anasjelltas, zhurmat shpërndaheshin prej timpaneve të shurdhët turravrapthi, drejt arave ku nuk shihje shpirt njeriu.

Një vetëtimë si një shpatë vringëllonjëse verbëtare u lëshua prej qiellit mu përpara tij. E kuptoi se ideja për tu rikthyer me aq ngut kishte qenë e gabuar dhe jo e matur mirë. Duhet të kishte dëgjuar fjalët e Sheqeres. Por nga ana tjetër në vetvete ushqente disiplinë ushtari. Ishte i vetëdijshëm për detyrën që i takonte. Se mos dinte të bënte diçka tjetër më mirë? Radhët e stërzgjatura të qumështit kishin edukuar brenda tij kokëfortësinë e goditjes së murit me kokë. Në ditë të mira dhe të këqija. Për më tepër në një ditë si kjo. Një krijesë e re po vinte në familjen e tyre. E për më tepër për shkak të atij provimi të matematikës që ia mbyste përllogaritjen kohore të pasdites. Nxitohej. Në këtë kohë kur ky përrua i mallkuar kishte dalë prej shtrati dhe rruga, kanali, fusha, ishin bërë njësh, njëtrajtësuar në një sipërfaqe ujore të përbaltur paanësisht ku nuk mund të dalloje dhe përcaktoje kufij ndarës.

Ndodhej gati-gati në mesin e udhës, kur duke mos dalluar ku ishte rruga dhe ku fillonte kanali, rrota e parë po e tradhtonte duke e drejtuar rrëshqitshëm drejt përroit. Ndjeu rrjedhën e fortë të ujit në gjoks. Paniku erdhi dhe depërtoi së bashku me mornicat në trupin e lagur. Por ajo që e habiste djaloshin ishte dora e pabindur instinktive që vazhdonte si e çmendur të mbante të shtrënguar timonin së bashku me bidonin e qumështit. Biçikleta po i ikte nga kontrolli dhe drejt rrjedhës shtyhej më poshtë, më tej, më në humbëtirë. Dora e majtë, si një sfurk përmbledhës i kishte ngulur gishtat thellë mureve të kanalit drejt rrugës, ndërsa e djathta kokëforte nuk e lëshonte për asnjë çast atë çka mbante të shtrënguar për jetë-a-vdekje.

– Oh përrua i mallkuar! Ta dhjefsha shtratin! – Ishin të parat fjalë që i dolën nga shpirti në formë kuje.

Klithi:

– Ndihmë! Ndihmë!…

Ndjeu këmbët që i rrëshqisnin vend e pa vend duke mos krijuar bazamentin e nevojshëm për t’u ngritur. Po ndiente se e kishte davanë të humbur. Rryma po e gllabëronte në gjirin e vet. Por duart nuk pushonin së kryeri punën e tyre. Gjersa një sfurk … Një sfurk u zgjat përpara syve të tmerruar të djalit. Nuk ishte dora e tij e majtë e shndërruar në sfurk. Por një sfurk i vërtetë. Plot shpresë klithi i gëzuar në ekstazë:

– Sindozot o Zot, o zot …

Një sfurk përballë gjoksit të tij, dhe fjalët e tjetrit nga sipër, me çizmet e zhytura në ujë, mu në buzë të përroit, teksa i fliste nga lart duke ia ndërprerë fjalinë përgjysmë:

– Jepi djalo! Kapu fort biro!

Zëri i tjetrit i zbritur si prej Kashtës së Kumtrit, ishte i magjishëm. I kapur me dorën e majtë pas sfurkut dhe zërit shpresë-dhënës, djaloshi ngrihesh më lartë. Dora e djathtë nuk e lëshonte për asnjë çast timonin.

– Lëshoje biçikletën more djalë. Lere dreqin të shkojë në esfel! – dëgjohej plot dert zëri i lodhur i fshatarit. Gulçonte me të gjitha forcat, me mish e me shpirt, për ta  ringritur.

– Jo… Nuk… nuk e lëshoj xhaxho. Kam… kam qumështin aty…

– Lere more të hëngërt e mira qumështin dhe shpëto kokën! – gati-gati i ulëriu tjetri, duke turfulluar nën shi.

Por, ishte e kotë. Si të kishte qenë një pjesë e pandarë biçikleta, djali, dhe bidoni i qumështit të përlyer me baltë, dolën në sipërfaqe buzë rrugës.

I përndritur në të qeshura dhe mornica, djali e përqafoi plakun i cili e ndihmoi duke e hedhur mbi qerren e vet me të cilën dolën gjer në rrugën e asfaltuar. Duke u dridhur më tej pedalonte pareshtur në rrethinat e qytetit ku shiu kishte pushuar dhe një ajër i lagësht e kishte mbështjellë pasditen gjer në muret e banesës ku banonte. E lëshoi bidonin në dyshemenë e korridorit. Nga brenda dhomës zëri i të tjerëve e pushtoi sakaq:

– Po ç’u bëre, more djalë se na bëre merak! Nusja lindi çupë sot!

– U bëra me vajzë përsëri vëllaçko!

– Unë kam një kukull. Motra, ime e vogël…

– … … …

– Ç’ka ngjarë?!

– Asgjë, … – u tha me zë të qetë – rrëshqita në një gropë kur po vija. Por, jam mirë. Mos u bëni merak.

Pa rënë në sy u drejtua drejt banjës. I futi thellë përfund koshit me rroba të palara veshjet e tij të lagura dhe të lerosura me baltë. I fshehu këpucët poshtë raftit. Pastroi sa mundi biçikletën dhe bidonin përpara se ta kuptonin se çfarë i kishte ngjarë atë ditë dhe filloi të shpëlante flokët, ballin, sytë.

Symbyllur t’u fanit fytyra e plakut mjekërbardhë …

I sapo lindur, sikur në këtë kohë, ardhja tënde në këtë botë kishte përkuar matematkeqësisht me largimin e atit tënd, i cili e kishte humbur jetën në një aksident fatal. Që prej asaj kohe nga dhimbja nënës tënde i ishte prerë qumështi.

Emri i fshatit Dyshnik shpërbëhej numerikisht në 2shnik duke prodhuar kështu matematkeqësisht toponimin e dyzimit tënd metafizik të farëzuar nën vorbullën e përroit Kushova, i cili mundet të kishte kush(t)uar jetën.

Kishte qenë e thënë ngjarja e kësaj dite apo ishte thjesht rastësi kjo nuk të interesonte aspak, përgjersa e KISHE SIGURUAR QUMËSHTIN E SHEQERTË NË SHTËPI. Sot ka ardhur një filiz i ri në familjen tuaj.

Të gjithë juve që i keni sytë e mbyllura në këto çaste, a ju kujtohet vështrimi i sybardhit që digjej atje në fshat nën temperaturë? Sapo t’i hapni syçkat tuaja që, rendin pas germave si fëmijët pas lojërave, jam i sigurt që do pohoni në heshtje duke tundur kokën ndërsa më pyesni:

– Po. E pastaj?

– E pastaj? Ç’ë e pastaj? Nuk di ç’të them. Fundi i fundit, që të jem i sinqertë, nuk kuptoj më tepër për t’ju dhënë shpjegime. Jam një djalosh ende i parritur. Një fëmijë që i ka munguar qumështi.

Shpesh më vjen keq për veten që jam duke e goditur me kokë murin e së panjohurës. Dhe ‹‹Murit nuk i bihet me kokë!››. Por ku i dihet, ndoshta një ditë mundet të shfaqet ndonjë rreze e kuptimshme përtej tij. Dhe ju njëherësh keni për ta miratuar së bashku me mua idenë se ekziston gjithmonë jo pa vend shprehja ‹‹Ndoshta një ditë››. Ndoshta. Ka për të qenë ndonjë e tillë ditë, e ngjashme edhe për ju, përgjatë udhëtimit që domosdoshmërisht kalon këndej nga Rruga e Qumështit.

Exit mobile version