E priti agun në ballkon.
Vetem dy orë pas asaj qetësie madhështore
do të nderej dita mbi panjat e venitura, tymnajën
dhe gënjeshtrat e domosdoshme.
Mban me vete kurajën dhe zhgërryhet në të tashmen.
Nuk ankohet.
Gjallërohet me pak.
Si zemrat e mëdha.
Fle me një gri ëngjëllore nëpër shpirt.
Si dikush që e ka për detyrë të vuajë.
Rrallë e më rrallë i del një lot.
Nga historia e dhimbjes.
I moleps ditët dhe njerëzit me harenë, hovin shthurës
e të ndërkryer të të premteve.
Flet me pasion të tejdukshëm,
gazep të bërë zap e ngazëllim mallëngjyes.
Duket sikur nxjerr ajër xhungle nga thellësia e gjoksit.
Pushton me erosin superior të fustanit jakëmbyllur.
Është,
di të jetë më e madhe se çdo gjë që i ka ndodhur.
Të dëgjon me mendjen gjetkë.
Të shpërfill, si imazhin e një aksidenti të largët.
E paplagosshme të prek dorën me butësi jasemini.
Injoranca entuziaste,
tamburët dekorativë,
deliri i sinqertë
i peshqve në akuarium,
kaushet e hideve bërë me veprën e Hermann Hesse,
foshnja lënë me kakë të ngrohtë deri në kurriz,
nga e ëma tik-tokse,
ose ndryshe momente të agonisë së kulluar në Vendin tim….