Mbi ujë zbresin me lagë buzët ernat e maleve
N’anë tjetër të lumit barkaxhinjtë ftyrvranët
ndërrojnë drejtimin e lundrave
e bashkë me to edhe anën tuej të përkatësisë.
Ndërkaq fëmijët s’janë të vetëdijshëm,
as njerëzit e tjerë gjithashtu,
se kalimi i lumit kapriçioz
do t’a ndryshojë vërtet anën e tyne të përkatësisë.
Lumi në dukje i pafajshëm asht në gjendje t’i fshehë
udhëtarët e natës që i zuni gjumi
mbi rrjedhën e heshtun të lumit të thellë.
Barkaxhinjtë nuk thonë asgja derisa
me përulsi të ndjeni ngrohtësinë e zjarrit dhe të rakisë.
Ata kapërcyen bregun e lumit
duke lanë aty të moshuemit dhe të pamundunit për të ruejtë vorret
dhe zakonet e vendit të lashtë, historitë dhe muret e nalta,
një kopsht me përrue, plot lule dhe fruta të ambla.
Nëse të dëbojnë edhe prej andej
Ju do të merrni me vete vetëm kangën tuej të padukshme…
Lazër Rrok Lumezi lindi në Shkodër me 2 shkurt 1945. Prindërit, Rrok Lumezi me Filjen, kanë ikur nga Kosova të frikësuar prej partizanëve serb. Lazri lindi në një trap, duke kaluar liqenin e Shkodrës. Menjëherë mbas ardhjes në Shqipëri, të atin e arrestojnë në Tiranë dhe e kthejnë sërish në Kosovë për të bërë 15 vite burg. Pjesa tjetër e familjes më 1948 shkon në Zagreb. Atje Lazri kryen studimet në Drejtësi dhe më pas nisë të punojë në zanatin e të parëve, si argjendar. Më pas ai specializohet në fushën e krijimtarisë së artit të aplikuar dhe stolive artistike, duke krijuar një stil të mëvetsishëm.
Lazër Lumëzi ka botuar deri më tash dy libra dhe po përgatitë të botojë të tretin. Nga libri “Na dva neba”, kemi përzgjedhë poezinë kushtuar Shkodrës.