Nga Anila Dedaj
Vepra është e para që çel rrugëtimin e ekspozitës Kolë Idromeno në retrospektivë, të kuruar nga Erzen Shkololli, dhe pasohet nga një pikturë që artisti shumëdimensional i dedikoi së shoqes.
Portreti i Jozefinës është realizuar kur ajo ishte në të gjashtëdhjetat e saj, ndërsa gjatë jetës, siç studiuesja Eleni Laperi rrëfen, ai do të realizonte disa fotografi të saj. “Idromeno u martua në moshën 24-vjeçare, por jo me atë vajzë që zgjodhi që në fillim. Nga kujtimet e miqve mësojmë se ai donte fort një vajzë shkodrane, që ndoshta e kishte njohur që kur kishte qenë foshnjë e lidhur në djep. Madje, Kola thuri edhe një këngë për të”, – shprehet Laperi duke zbuluar kështu dy nga pasionet e artistit, fotografinë dhe muzikën. Drejtuesi i Galerisë rrëfen se Kolë Idromeno, fill pas kthimit nga Venecia ku mësoi teknikën e pikturës së vajit në Kanavacë, u bë pjesëtar i bandës së qytetit. Kolë Idromeno në retrospektivë na njeh përmes rrëfimit të Laperit me një detaj interesant lidhur me pikturat e tij. Edhe pse Motra Tone përmendet si i pari portret në pikturë i Idromenos, në fakt, është Portreti i Mat Kodhelit, mikut të tij të fëmijërisë, që daton dy vjet më herët, më 1881. “Megjithatë, Motra Tone do ta mbajë gjithnjë vendin e nderit si portreti i parë i pikturës realiste shqiptare, pasi ishte përpjekja e parë e Idromenos për të provuar se mund të bënte një vepër serioze në pikturë”, – shpjegon Laperi.
Sipas studiueses, Motra Tone është një nga portretet më të realizuara shqiptare, pasi përmbledh në portretin e një gruaje atë që dinë dhe duan shqiptarët për gruan, fisin dhe familjen. Vepra e Kolë Idromenos, shpesh e mbështetur në fotografi, vjen edhe si dëshmi historike. Piktura e Ernest Çobës, që vuajti torturat e diktaturës gjer në eliminim të mistershëm të tij, e sjell klerikun në moshë të hershme. Kompozimi me bazë fotografinë ndihet edhe te Dasma shkodrane, ku Laperi evidenton mungesën e lëvizjeve, pasi figurat mbajnë një qëndrim statik. Tabloja sjell momentin që nusja del nga shtëpia. Një dasmë tipike katolike, sipas studiues, ku lëvizja ndihet vetëm te shikimet e personazheve. Ciklin e fotografive të piktorit që vendosi themelin e pikturës moderne në vendin tonë e mbyllin tablotë-porosi nga kisha. Laperi rrëfen se piktori këtë punë e përjetoi me një entuziazëm të lartë, madje përfshiu edhe miqtë e tij që e ndihmuan duke pozuar në fotografi. “Bëri një punë serioze përgatitore me studime, skica, foto, që kanë mbërritur deri në ditët tona”, – pohon ajo. Te Marrëveshja e papërshtatshme, studiuesja shpjegon gjurmët e para të nudos në pikturën shqiptare, ndërsa Dy rrugët, sipas saj, është tabloja ku Idromeno çliroi pikturën e tij.
“Dy rrugët është një kompozim që tregon se si Kola e ka pasqyruar parajsën dhe ferrin, të cilin e realizoi atje ku është ngritur Kalaja e Rozafës”. Ndërsa tonet e qeta të së kaltrës pushtojnë parajsën, ferri duket se mbart një gjallëri më të madhe. Laperi shpjegon se porta e ferrit në këtë tablo mbart simbolikën e Portës së Lartë të Stambollit. Po në këtë portë, artisti paraqet figurën e Edit Durham, e cila vizitoi Shkodrën më 1909. “Ferri i shqiptarëve është Porta e Lartë, është ky mesazhi që jep te kjo pikturë”, – shpjegon studiuesja. Pjesë të kësaj tabloje Idromeno ka bërë edhe veten. I ulur me një violinë në dorë, ai është i rrethuar nga muzikantët. “Bëhet fjalë për një violinë që nuk lejohej nga kisha, pasi thuhej se muzikën e saj ua kishte mësuar djalli”, – tregon Laperi. Ekspozita Kolë Idromeno në retrospektivë, krahas pikturës, në katin e dytë të Galerisë sjell një seri fotosh të artistit të përzgjedhura nga studiuesi Zef Paci, ndërsa Afërdita Onuzi u kujdes për këndin e etnografisë, duke sjellë magjinë e kostumeve popullore.