Kreu Arte pamore Irakli Koçollari: Bashkim Ahmeti dhe ekspozita e tij “Male, re dhe plisa...

Irakli Koçollari: Bashkim Ahmeti dhe ekspozita e tij “Male, re dhe plisa të bardhë”

Ai është një udhëtar i pandalshëm, përherë në fluturim, në rrugëtim apo në lundrim. Por, për ku drejtohet rrugëtimi i artit të Bashkim Ahmetit?

Duket që destinacionin e tij e thonë tre fjalë mirseardhëse të kësaj ekspozite; “Male, re dhe plisa”, që janë simbolet dhe shpirti i këtij vendi që mirpret piktorin nga një shtegëtim fort i largët.

Të gjitha imazhet mbi tablot e piktorit gjirokastrit duket sikur janë të një lloj ëngjëlli që kërkon të arrijë nga distanca marramëndëse drejt një vendi të vogël ballkanik, mbi peisazhet e tij të ashpëra, me gryka, hone, shtigje të mahnitshëm dhe fusha të dlira – Shqipërisë.

Cuditërisht, këtë udhëtim, mes penelatave të ashpra dhe të ndjera, Bashkim Ahmeti e gjen të nisë që në kohët homerike. Është udhëtari mitik Odiseja, që shfaqet në njërën nga tablot me të njëjtin emër. Heroi i njohur i Homerit, të duket së është vetë Bashkim Ahmeti, i cili paraqitet i lidhur në direkun e anijes së tij, ndërsa në qiejt e ngarkuar shfaqen ata që e thërrasin, e ftojnë dhe e joshin… Por, cuditërisht, ata që e miklojnë dhe e dhe i luten të vijë nuk janë as Circet, as Kalipsotë dhe as Sirenat që e magjepsnin me këngët e tyre… 

Ata janë njerëzit e atdheut të tij….ato krijesa joshëse janë burra me qeleshe, plisa, me fustanella dhe gra me xhubleta. Ata janë banorët e njohur dhe të panjohur, miq të vjetër, të haruar por edhe të rinj, të qytetit ku  kaloi fëmijërinë … të shtigjeve ku e coi fati i jetës, në Tiranë, Shkodër, Dibër, Tepelenëe, Elbasan, Korcë e gjetkë.

Dhe ai, “Odiseja” – Bashkim Ahmeti, përpiqet me mundim, të këpusë litarët e largësisë për të mbritur në “Itakën” me emrin “Atdhe”, në ato vënde të origjinës që e kanë magjepsur, mallëngjyer, përlotur dhe gëzuar, në ato anë që janë bërë pjesë e ëndrave, mallit, imagjinatës dhe sigurisht e krijimtaisë së tij mbreslënëse. “Odiseja” – Bashkim Ahmeti përpiqet përmes një koloriti të ndezur dhe një idividualiteti unik krijues të mbrijë tek ato krijesa njerëzore që mbajnë plisa në kokën e tyre, miq, shokë, kolegë, të njohur dhe të panjohur që janë pjesë e pandarë e botës dhe jetës së tij

Në këtë ekspozitë “udhëtimi i Odisesë” – Bashkim Ahmetit, duket qartë se ka një destinacion të vecantë. Shtigjet e thërrasin  të mbrijë në një qytet të gurtë, për t’ja dedikuar tërë frymëzimin e tij, vendit që e lindi dhe e rriti, banorëve të mëncur, punëtorë dhe të urtë gjirokastritë, qytetit unik në llojin e tij, Gjirokastrës me kalldrëme (kadërdhëme), sofate, harkada, qemerë, rrugica të punuara në gur si të ishin qilima të dalë nga avëlmëndi i zonjave të rënda… Madje punimet e tij janë ngjitur sipër, mbi kalanë e gurtë, në “bashin” e asaj anijeje që kqyr e menduar tërë peisazhin përreth, horizontet dhe rrugëkalimet prej shumë shekujsh nëpër histori. 

Veprat e kësaj ekspozite të cojnë mes maleve shqiptare që herë shfaqen si zonja fisnike me veshjet e tyre të ralla, të qëndisura dhe punuara në ar dhe herë si burra të ashpër hirendë që mbajnë plisa mbi krye, fustanella apo tirqe.

Mes tablove të kësaj ekspozite gjenden edhe “Arbëreshet” e bukura, të punuara me një ndjeshmëri dhe elegancë të përkorë. Ato vijnë të kapura dorë për dore dhe pranë njëra tjetër tërë nur dhe mall si për të na thënë se janë edhe ato aty mes nesh, madje edhe në atë skenë koncertore të kalasë së Gjirokastrës, ku herë, herë është dëgjuar zëri dhe kënga e tyre.

Malli i madh i autorit për vendin ndjehet qartë në tërë imazhet e tablove të kësja ekspozite. Ai mall e dhimbje e con Bashkim Ahmetin, përmes penelatave të tij nga “Karaburuni”, në “Ardenicë”, nga “Burrat në luftë” tek kortezhi i plisave hijerëndë “Në mort”. Edhe vetë piktori dallohet diku në një qoshe, të nje tabloje që na ofron imazhin e qytetit të gurtë, si për tu thënë vizitorëve të ekspozitës dhe gjithë të tjerëve se – ai ka qënë dhe do të jetë përherë në udhëtimin e pandalur, drejt këtij qyteti që habit këdo, si pjellë dhe qytetar i denjë.

E, si për të thënë se këto male, re dhe plisa të bardhë janë pulsi i shpirtit të tij,  megjithëse kalvari i rrugëtimeve të fatit e ka shpënë piktorin gjer përtej Atlantikut, në zëmrët e atij qytetërimi të cuditshëm, të mahnitshëm, marramëndës që quhet Nju Jork, në Manhatën, cuditërisht edhe aty mes “Madison avenue” Bashkim Ahmeti sheh qeleshet, plisat, simbolet e tij identitare. Edhe atje përtej, “male dhe dete kaptuar”, sytë e tij mes asaj bote të zhurmëshme, mes përzjerjes së etnive të shumta, gjuhëve të njohura dhe të panjohura, mes figurave të botës së madhe të artit, ekranit, shkencës dhe politikës, piktori dallon copëza simbolesh të atdheut të tij. Në këtë botë globale, “në pikturat e Bashkim Ahmetit – ka thënë Ismail Kadareja, së bashku me lirinë janë gjithashtu fëmijëria dhe krijesa mitologjike e një prej popujve më të lashtë të Europës.” 

Sigurisht, kjo ekspozitë është vetëm një copë e artit të këtij gjirokastriti të palodhur, që punon dhe krijon veprat e tij unik të telajos, që sjell e sjell për ti lënë Atdheut të tij vlera që jo përherë krijohen. Ato me siguri do të mbeten dhe jenë pjesë e fondit të kujtesës së vendit tonë, pjesë e papërsëritëshme e artit të penelit, që i thotë shumë të tashmes dhe do ti thonë shumë breznive në ardhmëri.

 Tiranë 25 Maj 2026

Exit mobile version