Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Manjola Nasi

Poezi nga Manjola Nasi

VDEKJE MBASDITE

Kur erdha, vdekja kishte kohë që kishte ardhur
me erë borziloku mbi pragun me gëlqere.

Ti si gjithmonë pranë vatrës këmbëkryq.

E gjithë jeta në dy pëllëmbë rripë,
ku zogjtë zihen në gracka
dhe kecat lëpijnë kripë.

Shtatshkurtër, sy të mëdhenj gri.
Duar që dinin botën përmendësh.
Raki dhe qumësht dhe bukë e mirë shtëpie.

Kaq pak fjalë në kokën plot përgjigje.
Këngë të mërmëritura, buzëqeshje të rralla,
aq sa gazi të bënte të huaj.

Ka ardhur koha të të pyes:
A kishe ëndrra? A shpresove më shumë?
I prite ndonjëherë hapësirat
nga ku yt atë solli aq rrëfime?

Si vdiset pa parë oqean? Si krasitet një rrënjë hardhie?
Si mbyllen sytë kur ke vite që flet me belbëzime fëmije?

Shtëpia jote është mes yjesh.
Dhe vesa dhe mjegulla, dhe era e tokës në mëngjes
nuk kanë më asnjë kuptim.
Vetëm dritë dhe ajër.

A mund të ëndërrosh dhe pastaj të ikësh?
A bën të shpresosh dhe pastaj të heshtësh?

Fjalët mbeten mënjanë, si xhama të thyer.
Përralla të vjetra dhe pamje thëngjijsh që regëtijnë.
Nën trarë, nata bie.

SHTËPIA

Gurët që rrëshqitën nga faqja e malit
i mblodhën prindërit e mi një ditë
dhe me ta ngritën një shtëpi.

Marsi na gëzonte me ngjyra të ndezura.
Në dritare mbanim zymbyla blu në një gotë.

Të dielave flinim deri vonë,
sa na zgjonin aromat e gatimeve.
Vera qe e ëmbël dhe gjithë dritë.
Ne luanim në oborr
duke vrapuar me të qeshura mes pemëve me fruta.

Por dimrat qenë të ftohtë deri në palcë.
Tinguj dëborërash të largëta,
si kujtime gurësh,
jehonin pa pushim në gjithë dhomat,
fare të pashqetësuar
nga zjarret tona.

TË VËRTETAT

Një ditë na tregoi për një vend ku
njerëzit nuk duan të vdesin;
vetëm jetojnë, sa velen, sa zdërhallen
dhe kur dalin,
i hekurosin rrudhat palë-palë,
i fusin kockat në ndonjë rrobë a ndonjë trastë,
duke lënë jashtë, kur i kanë, vetëm dhëmbët.
Vazhdojnë sa bëhen si eshkë,
të vrazhdë, të ashpër, të tharë
dhe nganjëherë e harrojnë veten oborreve
i zë dielli shumë dhe marrin zjarr.

Një ditë tjetër na tregoi
për një vend ku e kanë tmerr të vrasin mendjen,
të lodhin kokën, të shtrydhin trutë,
të rrahin mendime:
mëdyshjet i zgjidhin me një monedhë kokë a pil,
vendimet i marrin me “kujt i bie dhjeta”
dhe nëse dikujt i vjen pa dashje ndonjë grimë ideje,
zë hidhet duke thirrur për ta larguar.
Në cepa rrugësh vënë dordolecë,
mbi pragje mbajnë potkonj e brirë
dhe muret e qytetit janë të trashë e koracorë si luspa.
Po prapëseprapë, nganjëherë
mendimet e gjejnë shtegun për të hyrë
brenda kafkës së ndonjë fatkeqi
dhe atij i mbetet të bëjë ç’të mundet
që ta fshehë
se s’do të ikin më
gjersa të vdesë.

Njëherë na tregoi për një vend tjetër
ku njerëzit s’pranojnë të harrojnë;
kështu, trupat dhe gjenet mbajnë mend
jo vetëm gjer te gjyshërit, po gjithë
brezat, të gjitha kohërat
tej qyteteve, gjahut të hershëm e shpellave.
Kur lindin fëmijë në atë vend
njerëzit i mblidhen rrotull dhe thonë:
oh, ky paska lëkurë të tejdukshme
si në kohët kur peshkonim në fjorde
dhe kishte pak diell, e s’e ushqenim dot ngjyrën;
ky na kujton kohën kur toka ishte llum e baltë
dhe trupat tanë u shkurtuan dhe u forcuan në orizore.
Po sa vështirë është për ta nganjëherë
kur rrathët e së ligës së dikurshme
e lëkundin pellgun aq fort
sa në breg kërcejnë skelete.
Një ditë e gjetëm buzë rruge,
kishte pirë
dhe na tregoi për një vend
ku njerëzit fusin në stomak gjithë botën
i dinë të gjitha dhe ato që s’dinë i mësojnë
dhe pasi i mësojnë, i rishikojnë, i përsërisin,
prapë e prapë, si lutje me tespihe
i rrotullojnë në kokë, ua thonë me zë të lartë të tjerëve
ndoshta me qëllim që të kuptojnë
si i bëhet, kur në mendje shtrohet frika,
për shembull, tha, që do të vdesësh a s’do të vdesësh,
ose frika se diçkaje s’i ikën dot,
ose frika e përballjes me një humbje pa kthim,
vetëm për fajin tënd,
vetëm se s’e kuptove që atë fytyrë
(jo edhe shumë të bukur, po me atë dritën në sy)
ti e doje tej frymës
dhe tani s’e ke më.

SHENJA

Ajo rrojti gjatë
e për pasojë
kaloi gjërat që kalohen kur jeton.

Sigurisht, ato që na ndodhin
s’janë për të gjithë në të njëjtën formë
a kohë.

Për shembull, ca nga ne e humbin
egoizmin shumë herët.
Ca vdesin vonë, ende pa pasur rast.
Ca nga ne e shesin brendinë me gjithë membranë.
Ca i mbajnë fort ca copa për ditë të vështirë.

Rasti i saj nuk ishte jashtë mase i veçantë.
Ishte pak a shumë si shumë të tjerë.

Në të vërtetë të gjithë kemi mure e caqe.
Në një pikë filli i palëkundjes këputet.
E vërteta është që ka vetëm shkallë.
Jo-ja është breshka në paradoksin e Zenonit.
Mund të udhëtojmë drejt saj pa fund, po s’do ta kapim.

Ta themi kështu:
ajo jetoi shumë gjatë
dhe në të
jeta pati plot kohë të linte shenjë.

Exit mobile version