NË RAFTE JANË LIBRAT
në rafte janë librat ngjeshur e shtypur te njëri -tjetri prej ngushticës
asnjëherë nuk ua krijova komoditetin që duhej, ndonëse një pjesë janë nobelistë dhe të tjerët klasikë me art absolut
për këtë vuaj, se shoh shekspirin si shtyp me shpatulla të fuqishme prej herkuli turgenievin fin
dhe mopasani heq e vuan prej ushtarit të mirë shvejk
kërkon ndihmë ivan bunini nga brutaliteti i vrazhdtë prej muzhiku të kont Tolstoit
që shkruante romane aq të mëdha, të cilët shiten me një dollar te strand
dhe shumë xhentëllmenë të tjerë që më kanë mësuar të shkruaj
shiten me peni
s’kam para të ngrejë një infermieri që t’iu mjekojë plagët
dhe dielli i zverdh dhe hëna si requiem iu jep ngjyrën e meitëve
dhe një sallon bukurie sikur të ngre, kapakët t’ua bëj të bukur, fletëve t’iu jap një krehje të re
rri dhe vështroj librat më të mirë që më kanë mbetur
dhe dëshpërohem për ata që janë sakrifikuar me një pendim galileu
sa shumë kam hequr për vend, për raftet që s’nxinin as modianon
dhe më vjen të ngrej një stacion policie
për çehovin
që dy herë ma kanë vjedhur
ç’them!
më mirë t’i dorëzoj në bibliotekën e lagjes për brezat e ardhshëm të pensionistëve
po fara e lexuesve mund të shuhet krejt
dhe librat mund të jenë bërë ajër kibernetik
jam gati të heq dorë nga librat
dhe në raftet e zbrazur të vë servisin prej kristali që trashëgova nga babai
me 99 pjata të thella, 99 pjata të cekëta, katër pjatanca, dy supjera, 99 lugë, 99 piruj, 99 thika
të gjitha të lyera me platin
një ditë do të përdoren për mortin tim.
GRUAJA ME OMBRELLË TË VERDHË
në lagjen time në forest hills
kinezë të vjetër nga tajvani
dhe hong kongu ka
jetojne këtu
që kur u shkëputën nga kina
po ata trupa të imët
të hollë si shkopinj
që vërtiten në ca shtëpi borgjeze me hieroglife
është dhe një cupkëz
prej peneli
që ngjyhet në vesë
e hollë e gjatë
po kaq hamgjitëse
sa do t’ia propozoja klod monesë
kur të hidhte irisët blu në ujë
të mos harronte
mbi urë të kalonte ajo me një ombrellë të verdhë
konfuci prandaj ishte kaq i urtë
me këtë vajzë sigurisht është takuar
dhe i është lidhur gjuha
prej saj është zbutur
nga dashnor i prapë
është kthyer në at predikues
dhe unë e prisha
i thashë se ishte kaq e bukur
sa isha gati të këmbeja kombësine time
me murin e madh kinez
natyrisht s’më kuptoi
dhe qeshi
i lashë takim
u gajas si një majmunkë me atë turiçkë të lezetshme
s’jam vajzë
jam e martuar
kam dy fëmijë në kolegj
ajo vesë?
s’tregojnë femrat kineze
bjeri murit me kokë
i thashë vetes
prej bukurisë
dhe konfuci u bë moralist
klod mone s’pikturoi femra mbi urë
prej kinezkës si vesë
eh, ç’vete!
në forest hills ndodhi kjo
fajin e kanë tajvani dhe hong kongu që u ndanë nga kina
të rrinin atje ku ishin
te muri i madh do të shëtiste tani me ombrellë të verdhë
dhe s’do të bënte me zemër
një poet të lajthitur
u pa puna
edhe sikur vetëm ta shoh është gjë e madhe
veç i lutem
të më qeshë
me atë turiçkë të lezetshme
BLANA NËN SY
blana nën sy, duart t’u holluan, të dolën damarët blu në të gjelbër
s’më vjen më të puth atë lëkurë të rreshkur
se je pa vëmendje
kështu të bëri jeta që kaluam
e ke prej lodhjes, e dashur
të humbi dhe ajo ndjeshmëri e freskët
ajo intuitë e hollë për të përkthyer heshtjen
themi kaq shumë fjalë për dashurinë po s’na shkojnë
të dua në gojën tonë me dhëmbë të vënë
lind si një foshnjë e vdekur
e mjerë të kujtosh rininë në kohën e barnave
në mes të një përqafimi për gëzimet e fëmijëve
të dëgjosh zërin e mjekut për analizat që s’na kanë dalë mirë
dhe ne e fshehim
s’u tregojmë fëmijëve të vërtetën se dhe ata janë bërë të pavëmendshëm
përditë ndiejmë ndarjen tonë
ti e lidhur me ta fort e më fort, e padurueshme në manierat e tua
unë larguar
ikur dhe prej brinjëve të mia
ikur dhe prej brinjëve të hijes që m’u shkurtua
i vetëdijshëm eci drejt një fundi të heshtur
më janë bërë drurët me ndjenjë
dheu ku shkel
me sentiment të hollë foletë me zogj
kumi i oqeanit ku kaloj në perendim të diellit me fytyrë nga ujërat
guaskat e hapura si trupa të braktisur
prej shpirtrave
NATËS DUA T’I HAPEM
natës dua t’i hapem
natës
për vilarët e jargavanëve gurkali që varen në kangjelat e oborreve
për ujërat e cekëta që formohen nga vesa në rrafshinën me bar të gjatë
për zogjtë që flenë me sqepat e fshehur në pupla
dhe për cergën e merimangës ku hija ime është kapur
ashtu në terr i shoh të gjitha dhe s’i shoh tamam
si hija që lëshon era mbi ujë
ajo m’u shfaq dhe një herë
për këtë natës dua t’i hapem
dhe t’i lutem
për një puthje në gjumë
të më tregojë si të hyj në ëndërr
dhe pa e zgjuar
buzët t’ia vë mbi buzë
ajo m’u shfaq dhe një herë prej ëndrrës
dhe më bëri të lumtur
natë, falemnderit!
dita s’ma var
ditën ajo bën dashuri me një tjetër
natë, kam frikë se zgjohet dhe thërret e trembur
vjen policia dhe më vë hekurat
është në ëndërr, prej ëndrrës vjen
shfrytëzo rastin, poet!
prandaj e dua natën
asaj i hapem për çdo gjë
dashuritë më të mëdha
dhe poezitë më të bukura
natën i kam bërë
dita është për milionerët
nata për të varfërit dhe poetët
KUR TI SËMURESH UNË BËHEM SI I ÇMENDUR
kur ti sëmuresh unë bëhem si i çmendur
atëherë të dashuroj edhe më shumë
shndërrohem në një fetar të bindur
jam gati të ngarkoj mbi shpinë njëmijë ikona
t’i lutem shën mërisë së virgjër
më gjunjë
jezu krishtit t’i pergjerohem me lot në sy
besoj dhe te drurët
po të më thonë se ata janë shpirtra të shenjtë
dhe jam gati ikonat t’i thyej
në qoftë se nuk bëjnë gjë për ty
respektoj si i krisur oraret e ilaçeve
si atëherë kur te vija në takim
dhe mjeku mjekërosh që më çmend;
nuk po ia gjejmë dot shkakun
më duket si një xhelat
unë dua dashuri dhe nga kasapi
vuaj dhe jam gati të ngarkoj si kalë
temperaturën tënde të lartë
dhe prej një fluture pres një shenjë
dhe prej një zogu në dritare
dhe prej diellit kur më hedh flori në dysheme
dhe prej hënës kur më bën krejt blu
se dritë nuk ndez
që ti të mos shqetësohesh në gjumë
supersticioz, mistik, bestyt
le të më quajnë
madje dhe të rrjedhur
s’dua t’ia dijë ç’mendojnë për mua
jepjani nobelin, po të doni
dhe një idioti
mjafton që ty të zbresë temperatura
DETI
deti vjen gjer lart te sytë e tu
pastaj zbret poshtë te gjinjtë me një kafshim prej shkume
pastaj shkon poshtë e më poshtë dhe bën vizatime surreale prej uji
në mes të kofshëve
që hapen si gërshërë dhe presin detin përgjysmë
duke lënë një shteg të ngushtë për hënën
ah, deti, deti
i mallkuari
që të merr
dhe unë pres natën që do të fshehë në sqetullën me flatër
era e njelmët, parfumet e forta, zhaurima e valës në kum
klithmat e shpendëve që s’duken dhe që dalngadalë shuhen
sirenat e anijeve larg dhe hëna që përsëritet në të gjitha dallgët
dhe lind miliona të tjera me gaz të shfrenuar
dhe qepallat e tua që mbyllen dhe unë që mbetem vetëm
qepallat e tua që bëhen blu, fare blu
dhe deti dhe deti që humbet brenda
rreh vala e suvala në mishin tënd të freskët
ia dëgjoj tingëllimen prej argjendi
tani po të merr organet
të parën zemrën duke vënë komandë dhe mbi ëndrrat
ah, unë i mjeri që s’të mbroj dot as në gjumë
tani i bëj roje agsholit dhe pres të zbardhë dita
nga qepallat e tua të dalë deti
deti i mallkuar
RRIMË SHTRIRË
rrimë shtrirë dhe nga bulevardi poshtë dritares vjen zhurma e makinave
te majë e gishtit tënd të madh qëndron hëna
sikur do ta tërheqë këmbën në qiell
të shkelë mbi vesën që bie
njëri thumb i gjirit është në gojën time
të dy lakuriq të ngjyer me mbrëmje
përpiqemi të vëme në gjumë heshtjen
do zemra e dehur nga poezia
po s’do mishi
gijotina e revolucionit francez ngrihet përsëri
i pritet koka mbrëmjes
siç e kemi zënë
do t’i pritet koka dhe agimit
RA VAN GOGU
eh, nëna ime
e mira nëna ime e bekuar
kur erdhi në Amerikë
pa më pyetur mua
hoqi nga dhoma e pritjes van gogun
korbat në arën me grurë
( ç’ështe kjo gjë e shpifur, landush?! )
dhe vuri portretin e babait të vdekur në mur.
ne s’pipëtimë,
ne s’u ndjemë,
megjithëse van gogu kishte rënë.
–Portreti nga Ina Lajthia