Gjendja e tij, situate amorfe. As në qiell, as në tokë! Por, edhe të një ndjenje, që të mposht, duke ngulitur në tru mendimin se diçka e vyer të mungon tmerësisht shumë. Të ushqen padëshirë, edhe nëse kryen diçka, e bën për inerci të një rutinë ngulitur thellë në tru. Megjithë sforcon për tu përqëndruar tek rutina e përditshme, fije hidhtake mendimesh përzjenin indet e trurit, duke i kujtuar shkakun e gjëndjes. Nëse bazohej tek ligjet e fizikës, ishte si pluskimi i trupit, në një masë viskoze të lëngët. Kishte boshllëk. Dashur pa dashur, ishte bërë pjesë e jetës. E përditshmërisë së tij. Që duhej ta shihte dhe ta ndiente. Me veprimet, me përkëdheljen nëpër këmbë kur sillej rrotull në dhomë, apo, me të qëndruarit shtrirë në kanape pranë këmbëve të tij, apo, kur i mbështeste putrën e këmbës mbi pëllëmbën e dorës duke pritur kryqëzimin e vështrimeve. Ose, ai t’i fliste një fjalë. Thjesht, ishte bërë pjestar i familjes, i pa fjalë, i pazhurmëshëm. Që kishte hyrë i paftuar në jetën e tyre. Gruaja që grindej në ditët e para të mbritjes në shtëpi. Nuk e duronte praninë e kafshës brenda shtëpisë, por nuk mundi të kundërshtojë vendimin e të birit, që e solli pa i pyetur të dy, burrë e grua, nëse e dëshironin apo jo. E kishte bërë fakt të kryer.
-Do kini me se të mereni, kur të mos jem unë këtu, -foli duke qeshur djali, dhe lëshuar në dyshemenë e dhomës, këlyshin e vogël të një qeni. -Nuk do të keni kohë të ziheni me njëri-tjetrin, -pati vëzhduar. -Se kur ke kohë të lirë me bollëk, të del edhe për tu grindur!
E ndërsa djali ishte larguar për jashtë shtetit, qeni i vogël u bë mëkëmbësi i tij. Kështu, filloi bashkëjetesa me të. Zemërohej dhe shante, kur i prishej gjumi nga këlyshi, kur e tërhiqte për këmbësh, që t’a nxirte jashtë shtëpisë. Kafsha donte të kryente nevojat e veta, të shuroste apo të dhitej, shkurt. E kështu, ditë pas dite, muaj pas muaji, kafshëza duke u endur sa nga një divan tek tjetri, sa tek këmbët ose në krah të tij, apo të gruas, filloi t’a ndiejë praninë e kafshës. Të ndryshonte monotoninë e jetës. Një mbrëmje, duke ndjekur programet e televizorit, vuri re se qeni trembej në gjumë, si qëniet njerëzore. Me siguri shihte edhe ai ëndrra të frikshme. I foli me emrin që i kishte vënë. Toni ishte i butë, sikur i fliste të birit kur ishte vogël. Në mëngjez, përgatiste një tas të madh me ushqim që të ushqehej kohës që ai ishte në punë. Qeni gëzohej kur kthehej. Fërkohej e llastohej pas këmbëve të tij. Në ditët e pushimit, qeni e ndiqte nga pas në shtëpitë e ngelura bosh nga emigrimi i të afërmëve, afër shtëpisë së tij. Ky ishte teritori i vetëm që njihte qeni. Kënaqësinë më të madhe, kafshëza, e provonte kur ai me furçë krihte dhe pastronte leshin në trupin e saj. Zhvendoste trupin përpara tij, që ulej në shkallaren e parë të hyrjes për në shtëpi. Rituali i krehjes ishte i përditshëm kur kthehej nga puna. Qeni sapo dëgjonte fjalët: -Julius, eja të të kreh!, afrohej dhe i ulej përpara, gati për ritualin. Thjesht, kafshëza ishte bërë pjese e jetës, e përditshmërisë rutinë dhe domosdoshmërisë së çasteve të bukura.
Para disa ditësh, mbëriti i biri. Ishin çmallur. Biseduar gjatë. Një mbasdite, i biri kërkoi automjetin të dilte për të pirë një kafe në qytet. Ishte larguar me mjetin, pa u siguruar që qeni, gjendej jashtë derës së hekurt. Ai gjithmonë para se të mbyllte derën dhe largohej, sigurohej nëse kafsha ishte brenda oborrit. Kafsha njihte vetëm oborrin e shtëpisë. Kur zhurma e automjetit u shua, doli në oborr. Kërkoi me sy qenin. I foli. Kapërceu murrin rrethues të shtëpisë, duke thirur fort emrin e kafshës dhe endur në rrugë. Qeni nuk dukej gjëkundi. “Bobo, humbi!” Mërzitja e gllabëroi të gjithin. Po zventitej shpresa dita- ditës, kur në çastet e kthimit në shtëpi, jo që nuk gjente qenin t’i priste rrugën dhe të llastohej nëpër këmbë duke i ngatëruar hapat, por as edhe një gjurmë nga ekzistenca e tij.
Në këtë gjendje po llokoçitej prej disa ditësh, duke harruar mbritjen e shoku në qytet. Tingëllimi i tejzgjatur i telefonit lënë mbi tavolinën e punës, sikur e ftilloi pak. Nuk mundi ta afrojë pranë veshit, kur tingëllima u shua. Atëhere, i mëshoi ai sinjalit thirrës.
-Alo Stef! -shqiptoi, kur dëgjoi gërvishtjen e ndalesës së sinjalit e pas një pause shumë të shkurtër qetësie, po shumë të shkurtër ama,dëgjoi zërin e mikut të tij nga krahu tjetër.
-Po ku je mor miku jem, -foli tjetri.
-Në punë, e ku duhet të jem tjetër!
-Epo, thashë, sepse nuk të gjenden kollaj gjurmët …
-Jo Stefan, jam në punë akoma. Nuk është koha që të lëviz si bredharak nëpër Evropë…
-Epo atëherë, po takohemi?
-Ti ke ardhur këtu?
-Po! Jam tek hoteli përballë punës tande…
-Sa të mbaroj dhe të mar në tel. Takohemi tek kafja përballë teatrit!
-Në rregull!
Pas gjysëm ore, telefonoi shokun. U ulën në një nga bar-kafet e rreshtuara si ushtarët në shikimin rreshtor të mëngjezit, përballë teatrit. Ishte kërkesë e Stefanit. Dëshironte të ishte i gatshëm për castin kur do të fillonte shfaqja, pasi me një komedi të shkruar prej tij, konkuronte trupa e qytetit mikpritës në festivalin e përvitshëm teatror. Megjithëse vështrimi endej sa nga godina e teatrit, tek ai, Stefani e dalloi përhumbjen e shokut.
-Diçka nuk shkon? -e pyeti, pa larguar vështrimin nga dera e teatrit.-Sikur s’të kam këtu, në tavolinë, por në krahun tjetër të skermës së telefonit. Ka ndodhur gjë?
-Si të them, po ja… -u përtyp ai. -Ka humbur qeni!
-Ha,ha! -qeshi shoku shpenguar. -E për këtë më je ngurosur?
Sinjali i telefonit, i dha mundësi të mos përgjigjej Stefanit. Ky, dëgjoi vetëm fjalët” oh,sa mirë!” dhe ndryshim të menjëhershëm të mimikës së fytyrës së bashkëbiseduesit. Nuk e pyeti, e dinte që tjetri do t’i tregonte vetë. Ai rrufiti të gjithë lëngun, gati të ftohtë të kafesë, duke e tundur disa herë filxhanin, sikur të dëshironte të gjerbte edhe pikën e fundit të lëngut të zi. Pastaj ndezi një cigare, mori frymë thellë, aq sa u dallua lëvizja e kraharorit nën këmishën e mbërthyer deri tek kopsa e fundit mbi grykë, dhe, po aq fort e nxori ajrin jashtë.
-Djali e ka gjetur qenin, -pohoi duke vështruar derën e teatrit. Dëshironte të shkonte një çast e më parë në shtëpi, por Stefani do ndihej keq. Do duronte. Po hynin të fundit spektatorë. -Shkojmë,se do të mbyllet dera!
I biri, largohej pas dy ditësh, ndaj u drejtua për në varreza,të ndizte një qiri në varrin e gjyshit, vdekur disa muaj më parë. Afshi përvëlues t’a shkrumbonte frymëmarjen. Javë të tëra me temperatura të larta. Në barin e thatë, rrëshqisnin gjarpërinj. Me çap të matur shkelte barin. Kur në këmbë ndjeu peshën e diçkaje të rëndë, kërceu përpjetë. Shkundi këmbën, sikur të godiste fort një top futbolli dhe përpara iu shfaq qeni. U ul në gjunjë. Kafsha e mjerë, iu struk në prehër. E ngazëllyer, e lumturuar, i lëpinte duart. E vështronte në sy, i shtërngohej prehërit, sikur të kishte frikën e një humbjeje tjetër… Nuk kishte gojë të fliste. E folura e saj, ishin gjestet, tingujt e lehjes. I bëri zë që kafsha ta ndiqte nga pas. Ajo e pafuqitë, u ul në tokë. E mori në krah duke shpejtuar hapat drejt shtëpisë.
Muzgu po terte atë pakëz ndriçimi natyral që agonitej me errësirën, kur, u ul në shkallë, duke lëmuar trupin e qenit. Filloi t’i fliste. Qeni tundi bishtin duke e vështruar. Pastaj mbylli sytë duke mbështetur kokën tek këmbët e tij. Filloi ta përkëdhelë dhe t’i fliste se tani ishte në shtëpi, nuk do të humbte më, se e donte si më parë, se… Mori krëhërin. Kafsha nuk reagoi si herët e tjera, të përdridhte trupin dhe llastohej. Lëvizi plogësht. Ai filloi ta krehë, duke i shqiptuar fjalë të ëmbla. Sikur të kishte pranë një vogëlush. Po të kam xhan o Julius, më mori malli për ty këto ditë, po ty të kam trim…
Mbushi tasin me qumësht. Kafsha njomi gjuhën. Mbështeti kokën midis gjymtyrëve të para duke lëshuar trupin përtokë. Mbase vapa pret oreksin edhe tek kafshët, mendoi. Kafsha mundohej në plogështi të lëvizte trupin, të përkëdhelej të zotit dhe t’i lëpinte duart.Duke mos gjetur shenjë dhune në trupin e tij, me siguri ndonjë gjarpër mund ta kishte pickuar. Do ta çonte tek veterineri në mëngjes. Kafsha e sforcuar mbështeti putrat e para mbi gjunjët e tij, iu afrua fytyrës. Ndjeu njomjen e lëkurës pranë veshit, në faqe, mbi dorë. Kafsha po e lëpinte. Ai e vështronte dhe ajo çuditërisht e vështronte. Nga sytë e saj, rrodhën lotë. Po,po! E dalloi qartë. Kurrë nuk kishte parë të lotonin qentë. Edhe pse kohë më parë në shtëpi kishin patur një qen. Pastaj u mblodh kruspull përtokë. Nuhati ushqimin, pa njomur gjuhën në lëngun e qumshtit. Vetëm mbështeti kokën midis këmbëve të para duke vështruar dhimbshëm nga i zoti.
U ngrit dhe hapi derën e shtëpisë. Kafsha nuk lëvizi.E përcolli me sytë e lëngëzuar. U ligështua. Duke e përkëdhelur i foli se po linte derën hapur, se e priste … Kur drita vërshoi brenda dhomës, lëvizi nga shtrati. Kërkoi me sy qenin. Derën e gjeti si e pati lënë në mbrëmje. Edhe dyert e avllisë ishin të mbyllura. U soll rrotull oborrit. Nga ana e dritares së dhomës ku flinte, poshtë trungut të kumbullës së egër, gjeti kafshën pajetë. Fryrë dhe deformuar tek koka. Nuk përmbajti lotët. E groposi atje ku gjendej trupi i pajetë. I ndezi edhe një qiri.
Tek kafja, priste Stefani. E përshëndeti duke u ulur përballë. Mundohej të fshihte sytë. Edhe kafen e porositi me kokën e përkulur. Ishte ngurosur sa edhe fjalët tingëllonin të thata si kërcitje dhëmbësh.
-Gjithçka mirë? -pyeti Stefani.
-Mirë! -u mundua t’i përgjigjej qetë. E tradhëtuan sytë e njomur. Lëmsh lotësh iu mblodh në grykë, gati t’i mernin frymën.
-Po qeni?
- Na la…Ndëroi jetë…, -uli më tepër kryet drejt filxhanit të kafesë, për të fshehur lotët. Nuk mund të pranonte largimin nga jeta e tij e kafshës në atë mënyrë. E kishte dashur shumë. Por edhe ajo po ashtu. Largimin ajo e parandjeu, ndaj e kishte përshëndetur me ato gjeste në mbrëmjen e shkuar. Ajo i kishte thënë lamtumirë në mënyrën e vet, të pa fjalë…



