Kreu Letërsi Bibliotekë Gi dë Mopasan: Porti (tregim)

Gi dë Mopasan: Porti (tregim)

Përkthyer nga: Orin Maxhari

Lexo më shumë: Orin Maxhari: Rishkrimi i tregimit të Gi dë Mopasanit nga Lev Tolstoi

I.

E nisur nga Havri më 3 Maj 1882, për një udhëtim drejt deteve të Kinës, anija me tre direkë «Notre-Dame-des-Vents»[1], u kthye në portin e Marsejës më 8 Gusht 1886, pas një udhëtimi katërvjeçar. Me të shkarkuar ngarkesën e saj të parë në portin kinez për ku ishte nisur, aty për aty, kishte gjetur një ngarkesë të re për në Buenos-Aires dhe, prej andej, kishte marrë mallra për në Brazil.

Kalimet e tjera, dëmtimet e shumta, riparimet, bunacat që zgjasnin me muaj të tërë, erërat e forta që e nxirrnin nga kursi, me një fjalë, gjithë aksidentet, aventurat dhe fatkeqësitë detare, e kishin mbajtur larg atdheut këtë anije normane me tre direkë, e cila po kthehej në Marsejë me hambarin plot me kuti teneqeje që përmbanin konserva nga Amerika.

Në nisje, përveç kapitenit dhe ndihmësit të tij, në bordin e anijes ndodheshin katërmbëdhjetë marinarë, tetë normanë dhe gjashtë bretonë. Në kthim nuk i kishin mbetur veçse pesë bretonë dhe katër normanë. Njëri prej bretonëve vdiq rrugës, ndërsa katër normanët, të cilët qenë zhdukur në rrethana të ndryshme, ishin zëvendësuar nga dy amerikanë, një zezak dhe një norvegjez, rekrutuar një mbrëmje në një kabare të Singaporit.

Anija e madhe, me velat e mbledhura e litarët të lidhur kryq mbi direkë, e tërhequr nga një rimorkiator marsejez që gulçonte përpara saj, duke u lëkundur mbi mbetjet e dallgëve që qetësia i linte të shuheshin dalëngadalë, kaloi përpara kështjellës së If-it, pastaj rrëzë shkëmbinjve të hirtë të gjirit, të cilët dielli në perëndim i mbulonte me një mjegull të artë, dhe hyri në portin e vjetër, ku qenë rreshtuar krah për krah, si në një supë peshku, në këtë pellg tepër të ngushtë, plot me ujë të ndotur, anije nga e gjithë bota, të mëdha e të vogla, të çdo madhësie, forme dhe pajimi.«Notre-Dame-des-Vents» zuri vendin e saj midis një brigu italian dhe një shkune angleze, të cilat u spostuan për t’i hapur rrugë këtij shoku. Më pas, mbasi u kryen të gjitha formalitetet e doganës dhe të portit, kapiteni lejoi dy të tretat e ekuipazhit të kalonin mbrëmjen jashtë.

Nata kishte rënë. Marseja ishte ndriçuar. Në ngrohtësinë e asaj mbrëmjeje vere, një aromë gatimesh me hudhër lundronte mbi qytetin e zhurmshëm, plot me zëra, rrokullima, përplasje dhe gjallëri jugore.

Sapo e ndienë veten në tokë, dhjetë burrat të cilët deti i kishte rrokullisur për muaj të tërë, nisën të ecnin të druajtur, me pasigurinë e njerëzve që ndiheshin të huaj, dhe ishin çmësuar me jetën në qytet, dy nga dy, në varg.

Ata lëkundeshin teksa ecnin dhe përpiqeshin të orientoheshin duke nuhatur rrugët pranë skelës, të ndezur nga një etje për dashuri që ishte rritur në trupat e tyre gjatë gjashtëdhjetë e gjashtë ditëve të fundit në det. Normanët ecnin në krye, drejtuar nga Selesten Dykloja, një djalosh i bëshëm, i fortë dhe i zgjuar, i cili u printe gjithmonë të tjerëve kur dilnin në tokë. Ai dinte t´i gjente vendet e duhura, si edhe të dilte nga situata kur duhej, për të mos u përzierë në zënkat e shpeshta mes marinarëve në porte. Por edhe sikur të plaste sherri, ai dinte ta mbronte veten.

Për një kohë të gjatë u endën nëpër rrugët e errëta, të cilat si kanale ujërash, zbrisnin drejt detit dhe prej të cilave vinte erë e rëndë bodrumesh. Në fund, Selestini vendosi për një rrugicë të ngushtë, ku mbi dyer digjeshin fenerë të fryrë, në xhamat e mjegullt dhe të ngjyrosur të së cilëve ishin shkruar shifra të mëdha. Nën qemerët e ulët të dyerve rrinin ulur në karrige kashte gra me përparse, të cilat sapo shihnin marinarët, brofnin në këmbë dhe, duke dalë në mes të rrugës, ua zinin udhën e secila përpiqej t´i joshte drejt strofkës së saj.

Ndonjëherë, në fund të ndonjë hyrjeje, hapej befas një derë, e veshur me lëkurë kafe, prej së cilës shfaqej një vajzë e bëshme, pothuajse e zhveshur, kofshët e rënda dhe pulpat e majme të së cilës përvijoheshin habitshëm nën fanellën e saj të bardhë prej pëlhure të trashë pambuku. Fundi i saj i shkurtër dukej si një brez i fryrë, ndërsa mishi i butë i gjoksit, i shpatullave dhe i krahëve të saj binte në sy me ngjyrën rozë, mbi bustin prej kadifeje të zezë, të zbukuruar me shirita të praruar.

– A do të vini, bukurosha? – i thërriste ajo që nga larg. Ndonjëherë dilte vetë me vrap dhe i varej ndonjërit prej marinarëve dhe e tërhiqte me të gjitha forcat drejt derës, ngulitur pas tij si merimanga kur përpiqet të tërheqi një insekt më të rëndë se vetja. Burri, i squllur nga epshi, e kundërshtonte dobët, ndërsa të tjerët ndaleshin e shikonin, të pavendosur nëse duhej të hynin menjëherë apo ta vazhdonin edhe pak këtë shëtitje joshëse. Pastaj, kur gruaja, pas përpjekjesh të mundimshme, ia arrinte ta tërhiqte marinarin drejt hyrjes së saj, dhe e gjithë banda bëhej gati të futej me tërbim, Selestin Dykloja, i cili merrte vesh nga ato shtëpi, thërriste:

– Mos hyr atje Marshand, s´është vendi i duhur.

Atëherë burri, duke iu bindur atij zëri, shkëputej, shokët ribashkoheshin, dhe të gjithë vazhdonin të ecnin më tej, përcjellë nga sharjet e saj të tërbuara, ndërsa gratë e tjera përgjatë rrugicës, të tërhequra nga zhurma, u dilnin përpara nga hyrjet e tyre, dhe u lëshonin me zërat e ngjirur thirrje plot premtime. Kështu vazhdonin, gjithnjë e më të ndezur, mes përkëdheljeve dhe joshjeve që u premtonte kori i grave të dashurisë në pjesën e sipërme të rrugës dhe mallkimeve të ndyra që u drejtonte kori i poshtëm, i vajzave të zhgënjyera. Herë pas here ndeshnin edhe grupe të tjera si ushtarë që trokisnin me mamuzet e çizmeve, marinarë të tjerë, borgjezë të vetmuar dhe shitës dyqanesh. Kështu ata vazhdonin ecjen e tyre gjithnjë e më tej, duke shkelur përmes ujërave të qelbur që rridhnin nga poshtë mureve plot me mish grash.

Më në fund Dykloja vendosi dhe, duke ndaluar përpara një shtëpie e cila e dukej mjaft e hijshme, i futi të gjithë njerëzit e tij brenda.

II.

Festës nuk i mungonte asgjë! Për katër orë, dhjetë marinarët u ngopën me dashuri dhe verë, duke tretur aty rrogën e gjashtë muajve.

Në sallën e madhe të kabares, ata ishin vendosur si të ishin zotër të vendit, dhe shikonin me sy të keq klientët e zakonshëm që uleshin në tryezat e vogla nëpër qoshe, ndërsa njëra prej vajzave që kishte mbetur e lirë, herë veshur si një bebe e madhe, herë si këngëtare de café-concert, vraponte t’u shërbente e pastaj ulej pranë tyre.

Secili prej tyre kishte zgjedhur nga një shoqëruese dhe nuk ndahej prej saj gjatë gjithë mbrëmjes, pse ajo që është e pëlqyeshme për shtresat e ulëta s´parash ndërrohet. U bashkuan tre tavolina dhe, pas pijeve të para, vargu, tani i dyfishuar, me aq gra sa kishte burra, u formua përsëri në shkallë. Mbi shkallët prej druri, katër këmbët e çdo çifti kumbonin gjatë, ndërsa në derën e ngushtë që çonte drejt dhomave futej ai vargan i gjatë të dashuruarish.

Pastaj zbritën për të pirë, u ngjitën më pas përsëri, dhe më vonë zbritën sërish.

Tani, thuajse tapë, ulërinin! Secili, me sytë e skuqur dhe të preferuarën mbi gjunjë, këndonte ose bërtiste, i binte tavolinës me grushte, derdhte verën në fyt, duke lënë të lira bishat brenda tyre. Mes tyre, Selestin Dykloja shtrëngonte pranë vetes një vajzë të bëshme, faqekuqe, të ulur mbi gjurin e tij, dhe e shikonte me zjarr. Ishte më pak i dehur se të tjerët, jo se kishte pirë më pak, por sepse mendjen e kishte ende tek gjëra të tjera dhe, më i butë se shokët, përpiqej të bisedonte. Mendimet i shkonin e i vinin vazhdimisht, pa mundur dot t´i kapte e të gjente saktësisht se çfarë dëshironte të thoshte.

Ai qeshi dhe tha:

– Pra, pra… ke shumë kohë këtu?

– Gjashtë muaj. – u përgjigj vajza.

U duk i kënaqur me të, sikur kjo të ishte një dëshmi e sjelljes së saj të mirë, dhe vazhdoi:

– A të pëlqen kjo jetë?

Ajo ngurroi për një çast, më pas u dorëzua:

– Mësohesh. S’është ndonjë gjë më e shqetësueshme se të tjerat. Më mirë kështu sesa të shërbesh nëpër shtëpi ose të lash rrobat e të tjerëve.

Ai dukej se pajtohej edhe me këtë të vërtetë.

– Ti nuk je nga këndej?

Ajo tundi kokën në shenjë mohimi.

– Je nga larg?

Ajo pohoi, përsëri me kokë.

– Nga je?

Ajo u mendua, si të përpiqej ta kujtonte.

– Nga Pepinjani.

– Ah po. – tha ai, i kënaqur.

– Po ti, marinar je? – e pyeti ajo.

– Po, bukuroshja ime.

– Vjen nga larg?

– Oh po! Kam parë tërë ato vende, porte, gjithçka.

– Besoj se keni rënë rreth e rrotull botës, apo jo?

– Të siguroj, dy herë po të jetë nevoja.

Përsëri ajo dukej sikur hezitonte, si të kërkonte në mendje diçka të harruar, pastaj, me një zë më serioz, e pyeti:

– A keni hasur shumë anije gjatë udhëtimeve tuaja?

– Sigurisht, bukuroshja ime.

– A të ka rastisur ndonjëherë të piqesh me anijen «Notre-Dame-des-Vents»?

Ai qeshi.

– Jo më vonë se javën e kaluar.

– Me të vërtetë? – u zbeh ajo e tëra.

– Po, me të vërtetë.

– Nuk po më gënjen, apo jo?

– Për Zotin! – ngriti dorën ai.

– Po për Selestin Dyklonë, di gjë nëse është ende me të?

Kjo pyetje, përveç habisë që i shkaktoi, e shqetësoi. Donte të dinte më shumë përpara se t’i përgjigjej.

– Ti, e njeh?

Tani edhe ajo u bë dyshuese.

– Oh, jo unë, por është një grua këtu e cila e njeh.

– Një grua e kësaj shtëpie?

– Jo e kësaj shtëpie, por prej këndej afër.

– Në këtë rrugë?

– Jo, në tjetrën.

– Ç´grua është ajo?

– Një grua e thjeshtë, si unë.

– Po për çfarë e do ajo grua?

– Nga ta di unë, mund të jetë nga i njëjti vend me të.

Ata u panë me njëri-tjetrin drejt e në sy, sikur përpiqeshin të zhbironin diçka.

– A mundem ta takoj atë grua? – i tha ai.

– Ç´do t´i thoje?

– Do t´i thoja…do t´i thoja… që kam parë Selestin Dyklonë.

– A ishte mirë ai?

– Porsi unë e ti, edhe ai është shëndosh e mirë.

Ajo heshti për një çast, në përpjekje për të mbledhur sërish mendimet e saj, e më pas vijoi:

– Po «Notre-Dame-des-Vents», për ku po shkon?

– Në Marsejë.

Ajo nuk mundi dot më ta frenonte entuziazmin e saj.

– Vërtet?

– Po, vërtet!

– Ti, e njeh Dyklonë?

– Po, e njoh.

Ajo ngurroi edhe një herë, pastaj nisi të fliste, ngadalë:

– Mirë, shumë mirë!

– Po ti, përse e do?

– Dëgjo, po ta shohësh, thuaji… jo lëre.

Ai vazhdonte ta shikonte atë gjithnjë e më i shqetësuar.

– Ti e njeh atë gjithashtu, apo jo?

– Jo. – tha ajo.

– Atëhere, përse pyet për të?

Ajo mori papritur një vendim. U ngrit, vrapoi te banaku ku rrinte e zonja e lokalit, mori një limon, e ndau dhe shtrydhi lëngun në një gotë. Pastaj e mbushi me ujë dhe, kur u kthye, ia zgjati:

– Pije.

– Përse?

– Që së pari të të dali pija. Më pas do të tregoj.

“Për të pirë verën. Do të flas me ty më vonë.”

Ai e piu dhe fshiu buzët me pjesën e pasme të mëngës.

– U krye, tani po të dëgjoj.

– Së pari, më premto se nuk do t’i tregosh as që më ke parë, e aq më pak çfarë kam për të thënë tani. Duhet të betohesh.

– Betohem. – ngriti dorën ai, tinëzisht.

– Për Zotin?

– Po, për zotin.

– Atëhere, do t´i thuash se i kanë vdekur i ati, e ëma dhe i vëllai, të tre brenda një muaji, nga ethet, në Janar të vitit 1883, tre vite e gjysmë më parë.

Tani ishte ai që ndjeu gjakun t’i vërshonte nëpër trup, dhe për disa çaste qëndroi i ulur aty, aq i tronditur sa nuk gjente dot asnjë fjalë për t´i thënë. Pastaj filloi të kishte dyshime dhe pyeti:

– Je e sigurt.

– Po, jam e sigurt.

– Kush ta ka thënë?

Ajo i vuri duart mbi supe, dhe duke e parë në sy, i tha:

– Betohesh se nuk ke për të treguar?

– Betohem.

– Unë jam motra e tij!

– Fransuazë! – tha ai padashur.

Ajo e shikoi përsëri me vëmendje, pastaj, e pushtuar nga tmerri, murmuriti shumë butë, pothuajse në gojën e tij:

– Oh! Oh! Qenke ti, Selesten?

Ata nuk lëvizën, sytë e tyre u ngërthyen.

Ndërkohë, përreth tyre të tjerët vijonin të ulërisnin. Zhurmat e përplasjes së qelqeve, grushteve dhe takave, përziheshin me poteren e këngëve.

E ndjeu atë pranë vetes, të shtrënguar pas tij, të ngrohtë e të tmerruar, motrën e tij! Pastaj, me një pëshpërimë, nga frika se mos e dëgjonte kush, i foli me një zë aq të ulët sa edhe ajo mezi e dëgjoi:

– Oh Zot, ç´punë të mbarë paskam bërë!

– Nuk ishte faji im, apo jo? – belbëzoi ajo, me sytë e mbushur me lot.

– Pra, ata vërtet kanë vdekur? – tha ai papritur.

– Po.

– Babai, nëna dhe vëllai?

– Po, të tre brenda një muaji, siç të thashë. Mbeta vetëm, pa asgjë tjetër veç rrobave që kisha veshur. U detyrohesha farmacistit e mjekut, ndërsa duhej të paguaja varrimin e të treve. I shlyeva të gjitha duke shitur mobiljet. Kështu që shkova të punoja si shërbëtore për zotin Kasho, e dini, atë të çalin. Isha vetëm pesëmbëdhjetë vjeç në atë kohë, meqenëse ju ikët kur unë nuk isha as katërmbëdhjetë vjeç. Me të bëra një gabim. Jemi shumë budallenj kur jemi të rinj. Pastaj shkova të punoja si shërbëtore për noterin, i cili gjithashtu më korruptoi dhe më rregulloi me një dhomë në Havër. Kjo nuk zgjati aq shumë. Kalova tre ditë pa ngrënë, dhe pastaj, duke mos gjetur punë, shkova në një shtëpi, si shumë të tjera. Edhe unë e kam parë botën, vërtet, sado e ndyrë të jetë! Rouën, Evrë, Lilë, Bordò, Pepinjan, Nisë, dhe tani jam në Marsejë!

Lotët i rridhnin nga sytë dhe nga hunda, duke i lagur faqet dhe duke i rrjedhur në deri në gojë.

– Mendoja se edhe ti kishe vdekur, Selestini gjorë. – vazhdoi ajo.

– Nuk do të të kisha njohur kurrë, ishe kaq e vogël atëherë, kurse tani je kaq e rritur, por si ka mundësi që nuk më njohe ti mua? – tha ai.

Ajo bëri një gjest të dëshpëruar.

– Shoh kaq shumë burra saqë të gjithë më duken njësoj!

Ai vazhdonte ta shikonte në sy, i pushtuar nga një emocion i turbullt dhe aq i fuqishëm, sa i vinte të qante si një fëmijë i rrahur. Ende e mbante në krahë, shtrirë mbi të, me duart e hapura pas shpine, dhe pastaj, ndërsa e shikonte, më në fund e njohu: motrën e vogël të lënë pas me të gjithë ata që i kishte parë të vdisnin ndërsa ai lundronte nëpër det. Atëherë e mori kokën e saj në ato putrat e tij prej marinari dhe nisi ta puthte, siç puth mishi mishin e vet. Dhe më pas dënesa, dënesa prej burri, të ngjashme me ato të një të dehuri, nisën t´i ngjiten në fyt.

– Ja tek je, ja tek je përsëri, Fransuazë, Fransuaza ime e vogël.- belbëzoi ai.

Pastaj, papritur, u ngrit dhe nisi të shante me një zë të tmerrshëm. I ra tavolinës me një grusht aq të fortë, sa gotat u përmbysën e u thyen. Bëri tre hapa, u lëkund, zgjati krahët dhe ra me fytyrë përtokë. U rrotullua në dysheme duke bërtitur, duke e goditur tokën me duar e këmbë dhe duke nxjerrë rënkime aq të dhimbshme, sa dukej sikur po jepte shpirt.

Shokët e tij e shikonin duke qeshur.

– Ky është tapë fare. – tha njëri.

– Vendoseni në shtrat. – tha një tjetër. – Nëse del kanë për ta futur në burg.

Meqë ai kishte para në xhepa, e zonja e lokalit i ofroi një shtrat. Shokët, vetë aq të dehur sa mezi qëndronin në këmbë, e ngjitën nëpër shkallët e ngushta deri në dhomën e gruas që e kishte pritur pak më parë. Ajo qëndroi ulur në një karrige, në këmbët e shtratit të atij fati të mallkuar, duke qarë po aq sa ai, deri në mëngjes.

15 Mars 1889


[1]  Përkthyer nga frëngjishtja: «Zonja jonë e erërave»

Exit mobile version