Kreu Letërsi Bibliotekë Muç Xhepa: Mjellma (tregim)

Muç Xhepa: Mjellma (tregim)

Muç Xhepa

Muzikë e pasur, e thellë, flet me vete dhe ndjek lëvizjet e mjellmave. E vetme në shtëpi, me prindërit vajtur në Tiranë, dëgjon e përhumbur jotokësoren, valsin që të ndal zemrën: “Liqenin e Mjellmave”. Çajkovskin. Dashurinë e dënuar të princit Zigfrid dhe princeshës Odeta. Nga dritarja e ballkonit nis të futet nata. Ah, sikur bashkë me të… I lagen sytë.

Paradite doli ta shihte e ta ftonte në shtëpi. Ide e krisur. Dhe, kur te shkallët e bibliotekës së qytetit e takoi…

– Të kisha në mendje, – i tha princi i ëndrrave.

– Përse…? – belbëzoi.

– Të dua.

E thënë ashtu, hapur, drejt, e drithëroi. Krijoi efektin e kundërt.

– Jo, jo, nuk të besoj.

Bëri të largohej. Këmbët s’iu bindën.

– Si mund të ta prish… magjinë që të kanë… mburojën?

E zuri nga dora. Tingujt e ëmbël të harpës, në fundin e aktit të parë, ia shtojnë mendimet, imazhet, ndjesitë… Tema “Fluturimi i Mjellmave” – Zigfridi që shkon t’i gjuajë. Por ato shndërrohen në njerëzore. Odeta. Grua e re, e bukur. I shpjegon se ajo dhe shoqet e saj janë kthyer në mjellma prej baronit të lig, Fon Rothbart. Ndërron vend. Shkon pranë dritares. Mbështet kokën te xhami. Melodia, dritëhijet e harmonive të ngritura me shpërthim, si një mjellmë që përpiqet të fluturojë lart… Yjet, akordi minor, i ngjallin trishtim.

– S’kam dashuruar kurrë më parë.

– Dua kohë të mendohem.

– Do të të jem besnik.

Ngriti kokën dhe e vështroi thellë në sy.

– Tërë jetën.

– Jo, jo. Më duhet të shkoj.

Instinkti i parë… mbrojtja. Nga kush? Për të kishte dalë. U largua duke mos i ndier këmbët. Lot të nxehtë i rrjedhin prej telave që dridhen e basëve që heshtin…

Akti i dytë.

Zigfridi, pranë liqenit, ndjek vallet e mjellmave. Të paharrueshmen “Vallja e mjellmave të reja”. Muzikë e shkëlqyer, instrumentim i mrekullueshëm, thotë me vete dhe fshin lotët me dorë. Lë dritaren të hapur, që ta ndjekë nga afër si shpaloset ngjarja, që i ngjan aq shumë dramës së saj. Fon Rothbart zë në kurth Odetën, për të bërë Zigfridin të marrë Odilen, një të ngjashme me Odetën.

Ndërsa violina solo ndihmon të realizohet plani i Fon Rothbartit. Asaj i prek plagën e ngrohtë:

“S’kam dashuruar kurrë më parë. Do të të jem besnik, tërë jetën.”

Merr frymë ngadalë, me zhurmë. Trishtim. Ja dhe pritja madhështore në pallat. Princi duhet të zgjedhë gruan. Një fanfarë lajmëron ardhjen e dy të ftuarave. Princi vallëzon me njërën dhe i kërkon dorën për martesë. Por ajo nuk është Odeta.

Gruaja misterioze është vajza e të ligut Fon Rothbart, Odilja. Odeta është dëshmitare e skenës. Vonë, tepër vonë, Zigfridi kupton gabimin që ka bërë. E ndjek Odetën te liqeni dhe i lutet ta falë. Ajo i thotë se e fal, por asgjë s’mund ta ndryshojë faktin se ai e theu zotimin. Ata vendosin të vdesin së bashku dhe hidhen në liqen.

Gëlltit lotët. Shtrihet në shtrat, mbyll sytë dhe ëndërron skenën “Apoteozë” — Zigfridin dhe Odetën të takohen sërish në një jetë tjetër, të përtejme. Të përjetshmen.

Dhe, duke zbuluar dualitetin e natyrës së vet — gëzimin dhe shpresën, frikën dhe dëshpërimin — e merr gjumi.

Exit mobile version