Kreu Letërsi Bibliotekë “Geisha e fjalës së bukur”, poezi nga Neviana Shehi

“Geisha e fjalës së bukur”, poezi nga Neviana Shehi

Neviana Shehi

Geisha e fjalës së bukur

Jeta ime është një dantellë
prej vargjesh,
thurur ditën e takimit me ëndrrën dhe të ëndërruarin.
Nuk jam e paqortueshme, por ndjekëse
e çastit ideal. Po!

Ivasakin e famshme e kam parë veç nga rrëfimet,
por s’më tundon jeta e saj
pëlqej malin Fuxhijama dhe vullkanet e tij.

Natën kur me del gjumi dhe bëhem skllave e pasionit tim për fjalën,
maska e tjetërsimit që vë në fytyrë përhapet vetvetiu në gjithë qenien time.

Në atë çast s’jam më unë,
por ajo që dua unë të jem
loja e territ me dritën.

Lëvizja e shtizave s’është gjë përpara lojës së trilleve të muzës
dhe gishtërinjve të fatit që
krijoj për lirinë time të bardhë.

Lëkurë bute e bukur,
por dhe paksa e trishtë nga ato që s’më pëlqejnë,
sërish eci në rrugicat e heshtura
që më drejtojnë drejtë parajsës.

Si çdo geiko tjetër dhe unë di të përkëdhel,
por më mirë di të vallëzoj me asonacat
valle prej ere dhe fllade pasionesh.

Takimi me te ardhmen
ka ndodhur që në momentet kur i thashë jetës sime:

-ja vlen të të kem.

Kohët ku zhvillohen
aktet e krijimit
janë takimet me djaloshin e brishtë dhe të paparashikueshëm
të avenysë së zhurmshme,
dhe quhet kohë transformimi,
sepse un kam lindur për të qenë e tillë.

Sa e sa herë e kam mbështetur kokën mbi kimonon time
për të ëndërruar të pavdekshmen.

Të gjithë më thonë se zemra ime është prej letre
apo si një takim i shtrenjtë filxhanash çaji.
S’besoj!

Ne momentin e aktit të shkrimit
unë di të shndërrohem në një llavë dhimbje.
Nata për mua është një mbretëreshë
kurse lexuesit balerinë të së bukurës
koreografia misterioze e valles së tyre
është forca për t’i bërë ballë furisë së dritës.

Unë jam geisha e fjalës
së bukur.


HESHTJA E PIANISTES

Shtëpi e braktisur si një guaskë që klith
Zëra vitesh të shkuar dhe një kalendar koncertesh në mur.
Pianistja plakë ka vite që ka shkuar,
në shkallë tashmë veten ngjit
vetëm heshtja dhe ndonjë kufomë kujtimesh
e porsa zgjuar nga letargjia.

Pezhishka gri që endi merimanga e zezë
tashmë është kthyer në një eksponat kufomash
nga të gjitha llojet e insekteve:
miza, mushkonja të vockla dhe të mëdha
flutura të çdo lloji…

Njëra prej tyre, dikur vinte çdo natë
në dhomën time,
Tashmë po prehet këtu, në trupin e harresës.

Mos thirr në krye të shkallës,
më thotë bulkthi rojtar,
përndryshe tastierat e ndryshkura të pianos
do të nisin të luajnë nokturnon e Shopenit
dhe fantazma e pianistes plakë
që shëtit çdo natë dhomë më dhomë,
mund të klithë prej tmerrit dhe…
-pastaj?!

Pastaj insektet do të ringjallen dhe
nokturno mund të shndërrohet në një muzikë vajtimi…

Ndonjëherë është më mirë të dëgjosh këshillën e bulkthave,
-them me vete, sesa të kthehesh në një
personazh thriller nga filmat e Hiçkokut…

Shtëpi e braktisur,
me bar nëpër shkallë,
kufomat e fluturave dhe
një nokturno nga Shopeni
tashmë po hanë njëra-tjetrën.


KISHË E VOGËL NË GJOKSIN TIM

Kur ti ndjen dhimbje mikja ime
një univers i trishtuar
më rëndon përmbi supe
dhe…një dhimbje therëse
më ngacmon vazhdimisht.

S’jam më vetvetja,
por një çast që zvarritet
si qenie pa gjymtyrë.

Më dhemb edhe mua dhe…
pika e lotit sa madhësia e globit
ndahet vete në dy pjesë.

Ç›të bëj për ty mikja ime ?
A do të t’i fal buzëqeshjet e mija
që të të ngrohin disi
për t’u ndjerë pak më mirë
Merri!
Njeriu mund të gjallojë edhe pa buzëqeshje,
por pa miq të vërtetë është vështirë
oh, shumë vështirë.

Që ti të bëhesh mirë, mikja ime
lutjet e mija të pazëshme
ua nis yjeve mbrëmjeve si dhuratë.
(Lutjet e mikes për miken mund të drithërojnë edhe Zotin)
-ndonjëherë më thonë zërat…

Kur sëmuresh ti,
pulsi im zë e rreh vetëm për ty
dhe gjoksi shndërrohet menjëherë
në një kishë të vogël
ku mesha s’mbaron asnjëherë
mikja ime.

Qysh në çastin që u njoha me ty
kam nisur të besoj
në alkiminë e shndërrimit të trupave.


HËNË MBI QYTETIN E DYZET SHENJTORËVE

Gjithmonë më është dukur
se nimfat e detit
e kanë origjinën prej teje.

Përherë kam besuar
se në ADN-në time
ka diçka nga ty,
nga librat e kaltër,
nga sytë enigmë të peshqve,
por edhe nga çdo dritare shtëpie
që më afron dashuri.

Qytet me gjoks malesh,
që sytë lan në det
dhe kurrë nuk dehet
prej bukurive magjike.

E kam parë trupin tënd të drithërohet
nga një e qeshur vajze,
ndoshta edhe ajo mund të ketë qenë
mbesa apo bija e një nimfe
që ka dalë të pushojë
rastësisht në breg.

Po drithërohem
nga flladi i mbrëmjes
dhe ndjej të rrahurat e zemrës sate
sa herë që zbres shkallëve
dhe përqafohem me valët.

Oh, dua të të fus në bebëzën e syrit
e të të ruaj kujtim deri në amshim.

Kujdes syrin, gjithnjë më thotë një zë
që më vjen nga porti i vjetër:
kujdes, se ky është qytet shenjtorësh
dhe i dyzet magjive
që lahen çdo mbrëmje në det.

Kur për herë të parë u putha këtu
me një bukovile
mbeta e dashuruar për jetë.

Dhe sa herë që shikoj
pafundësinë e qiellit të natës,
një nimfë më pëshpërit:
tani drita e hënës do të derdhet
mbi qytetin e dyzet shenjtorëve
që bëjnë magji dashurie.

Exit mobile version