Kreu Letërsi Shënime mbi libra Floresha Dado: Si e lexoj unë romanin “Parisi vret” të Mira Meksit?

Floresha Dado: Si e lexoj unë romanin “Parisi vret” të Mira Meksit?

Kam përshtypjen se leximi im nuk është shumë pranë leximeve që kam parë në shtypin e kohës. I vlerësuar si romani më i mirë i vitit, vepra e Mira Meksit, natyrshëm, tërhoqi vemendjen e disa kritikëve… Por, ne të gjithë njohim specifikën e letërsisë së vërtetë, e cila konfirmon parimin artistik se  ky lexim nuk merr fund asnjëherë, madje ai përmban në vetvete korrigjimin, përmbysjen, rikuptimin e veprës… Nëse është pranuar se figurat e ndërtuara në vepër marrin kuptim vetëm nëpërmjet leximit, se lexuesi është ai që i jep jetë veprës, se nëpërmjet leximit një tekst ndërtohet si tekst letrar, etj., atëhere interpretimet nuk janë unike, çka lidhet me mënyrën e perceptimit ideor dhe zbërthimit të shtresës së brendshme kuptimore. Të lexosh është punë deshifrimi. Leximi romanor i nënshtrohet parimit të përshtatshmërisë : nevoja për të kuptuar, instikti ‘interpretativ’ janë të pranishme te çdo lexues.. Ndonjëherë, mbas një subjekti, në dukje të drejtpërdrejtë, të thjeshtë, fshihet një nëntekst më i ndërlikur… Shkrimtari, duke shpikur një situatë ‘reale’, kodon një realitet imagjinar ku, mbas veprimit të dukshëm, të drejtpërdrejtë,  duhet të ndiqen lëvizjet e brendshme kuptimore të botës artistike të veprës. Përcaktimi i raportit midis ‘reales’ dhe nëntekstit filozofik është qasja thelbësore në krijimtarinë e M.Meksit. Në këtë raport qëndron edhe vlera kryesore e romanit të saj të fundit.

Nëse interpretimi i disa shkrimeve, për këtë vepër, është përqendruar në intrigën e përndjekjes djallëzore, të fshehtë, në rrezikun nga diktatura që shoqëron shkrimtarin, ky nuk është boshti kuptimor thelbësor, nuk është interpretim i mjaftueshëm, sepse këtë temë e kanë trajtuar disa shkrimtarë në dhjetëvjeçarët e fundit. Romani “Parisi vret”, shkon përtej kësaj qasjeje ! Sipas leximit tim, në romanin “Parisi vret”, ka dy boshte kuptimore themelore që formësojnë origjinalitetin dhe pikëvështrimin e shkrimtares Mira Meksi, tashmë me shumë përvojë krijuese. Nuk janë çështje anësore, apo thjesht ‘intriguese’, por dekodim mbi kuptimin e vërtetë të romanit.

Boshti i parë

Ç’është kjo ide e ‘rimishërimit’ që mbërthen mundimshëm Martin Gjergjin, në çdo moment të shpirtit të tij në Paris, në dy udhëtimet e fundit ? Cila është filozofia e romanit ?  Thjesht vizita e shkrimtarit në Paris, përpjekjet e diktaturës për ta hetuar e zhdukur, raportet dashurore me personazhet femra (Ana, Luiza dhe Julinda) ? Ta shohësh romanin “Parisi vret” vetëm në raportin : shkrimtari dhe përndjekja nga diktatura, episode dashurore me personazhet femra, në të vërtetë e zvogëlon atë, zbeh thelbin kuptimor të tij. Në konceptimin filozofik rimishërimi është një parim themelor i feve indiane, por edhe i disa feve antike apo dhe moderne, që ka në themel besimin e kalimit të shpirtit nga një trup në tjetrin, se pas vdekjes çdo qënie njerëzore rilind, rimishërohet, vazhdon të jetojë, përmes një procesi të ndërlikuar ekzistencial. Është një proces që nënkuptonin çlirimin shpirtëror, rilindjen në një trup tjetër. E ka Mira këtë besim fetar e filozofik, apo jo, kjo nuk ka fare rëndësi, por në planin artistik ajo mbështet këtë parim filozofik, këtë dëshirë përvëluese të shkrimtarit (që sigurisht është pasojë e përndjekjes nga pushteti) për t’u zhdukur, shuar dhe për të rilindur në trupin e një ‘gruaje të lirë në një vend të lirë’, ku ‘dhe ajri që thithnin ishte i lirë’, jashtë ndjekjes tinëzare të shërbimit sekret komunist. Dialogu me Luizën zbulon për herë të parë këtë synim gati hyjnor :  Shpirtërisht ti je këtu, Martin-i thotë Luiza- E kam fjalën që vepra jote gallon këtu e lirë. Gjej një mënyrë për  ta sjellës trupin përgjithmonë këtu….- Po, iu përgjigj ai duke qeshur sërish. -me siguri një ditë do rimishërohem në këtë vend. – Ndoshta, më saktë, do rilindësh në botën e lirë, e mbylli bisedën ajo…(f.36)

Autorja ka realizuar në mënyrë origjinale dilemën e personazhit, i cili e ndjen se tashmë “transmigrimi i shpirtit” kish ndodhur në gjallje të tij, ndërsa lënda, trupi kish mbetur atje ku përndiqej nga policia e fshehtë. Personazhi përjeton dramën e brendshme se “ishte e pamundur që lëndërisht të kalonte përgjithmonë në botën e lirë, duke ekzistuar njëkohshëm edhe në  burgun e madh që ishte vendi i tij.” Dhe drama shpirtërore ishte se “tërë ato vite ishte përpjekur pikërisht për të sjellë lëndën e tij përgjithmonë në botën e lirë. Kjo kuintesencë që kishte përbërje palce dhe truri, siç e kishin përcaktuar mistikët, ishte boshti i botës, ishte fara e tij…” (f.38) . Duhej të vdiste, pra, që të ringjallej në botën e lirë. Kjo është ëndrra e tij ? Në mënyrë metaforike, përmes ëndrrës dhe halucinacionit, shkrimtari Martin Gjergji ndjen se vdekja e Luizës ishte : “të më presin udhën drejt botës së epërme…” , se kupa e artë pritëse e farës së tij, që do ta ndihte të kalontë lëndësisht në botën e epërme, në botën e lirë, nuk ekzistonte më. Pra raportet e Martinit me Luizën, më pas edhe me Julindën, nuk duhen parë thjesht si një marrëdhënie dashurie, por si filozofi e dëshirës gërryese për të ikur nga realiteti përndjekës dhe për t’u rimishërtuar në një botë të lirë. Është po aq alegorike përqasja e gjendjes ëndërr të personazhit me legjendën e Doruntinës, e konceptuar jo si filozofia e besës, por si besëshkelje (në intrigën që u imponohet nga sigurimi i shtetit të dy personazheve të dashuruar ndaj njeri tjetrit ).  Dështimi, për herë të dytë, i rimishërimit (vdekja/zhdukja edhe e Julindës),..i kalimit shpirt e trup në botën e epërme, është drama e thellë e personazhit, të cilin Mira Meksi e ka konceptuar jo thjesht me skena të përndjekjes, por në filozofinë e ringjalljes në një trup tjetër, që i përket një bote tjetër.  “Transmigrimi i shpirtit, mërmëriti, kish ndodhur në gjallje të tij. Me sa duket mund të ndodhë vetëm në shpirtin e një krijuesi. Po lënda, trupi si mund të kalonte këtej, duke qenë andej për të gënjyer policinë e fshehtë të rregjimit të Tiranës ?….një pjesë e mirë e ndënndërgjegjes së tij u ndriçua mjaftueshëm qëMartin Gjergji tyë kuptonte se se tërë ato vite ishte përpjekur pikërisht për të sjellë lëndën e tij përgjithmonëbotën e lirë. Ky do të ishte një lloj rimishërimi modern, kalimi i kuintesencës lëndorë të një të gjallibotën e epërme, në botën e lirë. Kjo kuintesencë që kishte përbërje palce dhe truri, siç e kishin përcaktuar mistikët, ishte boshti i botës, ishte fara e tij…” (f.38)”

Kështu, drama e personazhit është më e thellë se ç’duket, sepse e kupton që rimishërimi për së gjalli nuk pranohej (siç bëhej në ujrat e pagëzimit ; duhej të vdiste që të ringjallej në botën e lirë. Përballë këtij parimi, autorja ngre idenë se forca e vetme që mund ta realizonte këtë rimishërim prej së gjalli, ishte dashuria! Pooor, asgjë nuk mund të ndodhë, sepse dhe dashuria, që mund ta shpëtonte, ishte e ndaluar, ishte porosia fatale për të vrarë përfundimisht shpirtin e tij. Të dashurat e personazhit vriten ose detyrohen të zhduken…Dashuria , që do t’i siguronte kapërximin mitik në një botë tjetër, është tragjike dhe dërrmon ëndrrën e tij. Në këtë plan romani  “Parisin vret” ka një kuptim më të thellë filozofik, se sa raporti me diktaturën. Është raporti me jetë-vdekjen, për t’iu kthyer një jete tjetër. Pamundësia, drama shpirtërore, i japin romanit një qasje dhe origjinalitet, ku në themel është jo thjesht përndjekja e shkrimtarit nga rregjimi diktatorial, por drama e   dëshirës mbinjerëzore për t’u rishfaqur edhe një herë në jetë, në një botë tjetër, të lirë. Në këtë kuptim mendoj se në themel të shtresës kuptimore të romanit “Parisin vret” është jo thjesht diktatura, që ka shumë fytyra, jo thjesht rreziqet e shkrimtarit në atë rregjim, por filozofia e transformimit në një trup të ri, në një botë të re. Kjo është një filozofi që ka brenda vuajtje, dëshirë, sakrifikim dhe dështim ! Në këtë kuptim mund të them se autorja temën e diktaturës e vështron në një aspekt më të thellë, më filozofik, ekzistencial. (Ashtu sikurse në themel të romanit Diktatori në kryq nuk është thjesht figura e diktatorit shqiptar, por një filozofi më universale, makthi për ringjallje për të qenë sundimtar i pavdekshëm…)

Ndikimi estetik i figurës së Martin Gjergjit (i cili lehtësisht identifikohet nga lexuesi me shkrimtarin tonë bashkëkohës më të madh, çka nuk ka rëndësi parësore) përcaktohet nga lidhjet e vendosura, nga sinteza, nga marrëdhëniet e funksioneve subjektivo-vlerësuese dhe objektivo-përshkruese, nga intensiteti i tyre, nga kundërvënia, dashuria e disfata…Siç e thashë, vlera e veprës qëndron jo thjesht në episodet interesante të subjektit, por  në filozofinë metaforike  të rimishërimit, që realizohet përmes kalimit të konvencionit artistik të romanit në diçka jokonvencionale, që i jep lexuesit zbulimin e vërtetë të kuptimit, duke vendosur atë në procesin e perceptimit të brendshëm të hallkave që i japin kuptimshmëri të përgjithshme. Nëse vepra nuk do të kishte një proces të tillë ajo do  pushonte së qëni vepër arti dhe burim interesi estetik të veçantë…“Parisi vret” e kapërxen në mënyrë të natyrshme këtë rrezik dhe fton lexuesin të zbulojë filozofinë e brendshme të personazhit. Për të kuptuar vlerën e veçantë që ka në këtë roman  konceptimi i figurës-personazh nga kjo autore, mund të kujtojmë se në një pjesë të mirë të veprave të saj boshtin e strukturës së brendshme kuptimore e përbën filozofia ekzistenciale.

Boshti i dytë : linja e familjes së Muzakajve

Është specifikë e krijimtarisë së Mira Meksit që, në disa romane, (Diktatori në kryq, Puthja e Amazonës ) shkojnë paralelisht dy linja subjekti, që, në lexim të sipërfaqshëm, duket sikur nuk kanë ndonjë lidhje me njëra tjetrën,. Njëra linjë është më reale, e drejtpërdrejtë, tjetra më pranë imagjinatës, trillimit alegorik…Këtë dukuri lexuesi mund ta ndjejë edhe në romanin “Parisi vret”, duke mos u përqëndruar në kuptimin filozofik të përqasjes. Mund të ndodhë, në këtë roman, që njëra linjë, ajo e familjes së Muzakajve, të lexohet thjesht me kureshtje, të duket interesante dhe kaq…Një lexim i tillë e ngushton strukturën e brendshme kuptimore, cënon tërësinë, sepse procesi i leximi të një vepre nga kritiku letrar nuk është thjesht dëfrim, kalim kohe, por ‘zbulim’ shpirtëror, mendim i papritur, kuptim i thelbit filozofik të çdo personazhi, raporti, mjedisi etj. Në lexim të parë linja e familjes së vjetër  historike të muzakajve është shumë tërheqëse, por ç’kuptim ka në strukturën e jashtme dhe të brendshme të romanit ? Ç’lidhje ka me filozofinë themelore të veprësë ? Mund të them se, në përshtypjen time, Mira ka një tërheqje apasionante ndaj historisë së vjetër të shqiptarëve, si ndaj vjetërsisë së gjuhës, ashtu dhe ndaj figurave të shquara të historisë shqiptare. Historia e familjes së muzakajve, e paraqitur me origjinë nga Gjergj Kastrioti, sigurisht nuk është një trillim kapriçoz, por tezë e gjetur në ndonjë shkrim apo vepër që vjen nga periudha e mesjetës së vonë, apo dhe nga kërkimet arkivore, bibliografike të kësaj autoreje, që ka tërheqje të veçantë për legjendat,  kuriozitetet historike e kulturore të vendit të saj. Po pse zhvillohet kjo linjë në këtë roman ? Paralelizmi ‘i çuditshëm’ midis dy linjave (shkrimtari në Paris… dhe misioni i detyruar i Julindës) shpreh, në thelbin e vet një dramë tjetër që shkaktoi diktatura shqiptare..”rruga për në kryeqytetin e botës ishte udha e mundimshme e kryqit mbi shpinën e saj ”. Presioni i sigurimit të shtetit për ta rekrutuar Julindën, pasardhëse e një familjeje të shquar të historisë shqiptare, në përndjekjen e shkrimtarit Martin Gjergji, është po aq drithërues, fyes, poshtërim, degradim i madhështisë së familjeve të mëdha…Drama e vajzës është akoma më tronditëse se situata e personazhit kryesor. Kjo dramë i kapërxen kufijtë e individit për të përvijuar dramën e një populli. Në stilin e Mira Meksit ëndërra, haluçinacioni luajnë shpesh një rol të spikatur, që ndodh kur drama shpirtërore është përtejnjerëzore. Dhe, në këtë aspekt, metafora e shkodimit të letrës disa shekullore drejtuar Skënderbeut, kur një histori e fshehtë dashurie i jep ngjyrë tjetër personit historik, mbajtja e fshehtë, vështirësia e zbërthimit të dokumentit të lashtë… në aspektin filozofik i jep frymëmarrje më të gjerë boshtit themelor të romanit. Alegoria e përqasjes midis dy linjave  përmban në vetvete misterin që rrethon njeriun, përndjekjen e fatit që ia organizojnë të tjerë, përdhunimin e lirisë së individit…

Në përfytyrimin krijues të autores në fund të veprës mësohet se është arritur, « të shkodohej një tekst i kyçur me kodin djallëzor »… Pritjet për shkodime vazhdojnë në historinë e Shqipërisë sikurse dhe në historitë e shoqërive të hershme diktatoriale. Simboli i ‘shkodimit’ të « një teksti të kyçur me kodin djallëzor » i përcjell lexuesit filozofinë e fshehjes të së vërtetës, ose të pabesisë, ose të sekretit që i jep çdo veprimi…Paralelizmi alegorik midis ‘zhdukjes’ së personazhit, Julindës, dhe shkodimit të letrës së shekullit XVIII, rikthen në vemendjen e lexuesit të sotëm se historia kërkon shkodim të të fshehtave, pabesive, intrigave që veprojnë mbi fatin e individit. Raportet Martin-Ana, Martin-Luiza, Martin-Julinda nuk janë thjesht marrëdhënie dashurie, por shkodimi i një raporti ekzistencial, që ngrihet mbi të fshehtën dhe pabesinë. Dy episodet në mbyllje të romanit, nga një anë shfaqja e mistershme e Julindës që nuk paska vdekur ( !), nga ana tjetër realizimi, më në fund, i shkodimit të letrës së papës të shekullit XV, që fshihte një mesazh dhe fakt të panjohur, formojnë paralelen alegorike të  shkodimit : sekretet, përndjekjen në plan djallëzor dhe dokumente të fshehtë në planin historik, si dukuri që shoqërojnë njerëzimin gjatë gjithë historisë së tij.

Përplasja e madhe e dy boshteve : përndjekja e fshehtë e shkrimtarit Martin Gjergji nga diktatura, që mbart rrezikun e jetës së tij, dhe drama e Julindës së pafuqishme përballë hakmarrjes së sigurimit të shtetit, bëjnë që kufijtë e romanit  “Parisi vret” të kenë shtrirje dhe kuptim më të gjerë, përtej subjektit që thur gjithë rrëfimin, sado interesant dhe tërheës të jetë ai.

Raporti midis reales dhe strukturës kuptimore

A duhen lexuar situatat e veprës si reale ?

Romani “Parisi vret” të tërheq, në lexim të parë, si ndërtim situatash, ngjarjesh të një kohe dhe hapësire reale, që brezi im e ka jetuar qartazi, por, mbas kësaj ‘konkretësie reale’ sfida e leximit tonë është kuptimi i brendshëm i këtij realiteti artistik. Kjo na risjell në mëndje parimin krijues se figura artistike-personazh e shkrimtarit Martin Gjergji, ndonëse lexuesi e identifikon lehtazi me person real, nuk është thjesht riprodhim i tij, formë e tij, por një zhvillim artistik. Të shijosh zhvillimin e intrigës, subjektin, raportet midis personazheve, pa depërtuar në thelbin e këtij raporti, do të thotë që vepra nuk është lexuar !  Kur themi se kuptojmë romanin,  kjo do të thotë se kemi zbuluar një marrëdhënie të qartë midis këtyre dy botëve: botës reale dhe botës trilluese, prandaj thelbi dhe vlera e kësaj vepre është sfida midis reales, që  është e fuqishme, e drejtpërdrejtë, dhe nënkuptimit, filozofisë së saj. Raporti midis dimensioneve të realitetit shqiptar, në pragvitet e shembjes së diktaturës,  dhe atyre të romanit përcakton atë që mund të quhet “densiteti referencial” i tekstit ; në këtë raport konvencioni është kategori e rëndësishme e njohjes artistike, që përcakton marrëdhënien e brendshme dhe të mprehtë midis ngjarjeve të romanit dhe strukturës së brendshme kuptimore të tij.

Ka një lëvizje të jashtëzakonshme në vorbullën e mendimeve të Martin Gjergjit, një dilemë që shpartallon çdo ndjenjë e qetësi… Pas brendësisë së figurës ndjejmë diçka më shumë se ç’shprehet në mendimet apo dhe në veprimet e drejtpërdrejta. Rrimodelimi  në një person-figurë, i një personi real të ditëve tona, e bën të veçantë këtë raport, duke e vënë lexuesin në një sfidë shumë më të fuqishme se ç’ndodh në vepra të tjera të letërsisë dhe të po kësaj autoreje, ku trillimi i personazheve është thelbësor dhe më i sofistikuar.  Rreziku qëndron te realja, e cila është e fuqishme, e prekshme dhe imponuese në kuptimin e drejtpërdrejtë.  Ajo sikur është e rrethuar nga një sferë e ndërmjetme–asociative që zgjeron mundësitë e saj… Pikërisht në këtë sferë ngjizet, zhvillohet dhe zbulohet një formë e tillë komplekse e konvencionit artistik si nënteksti i mendimt të figurës, që  shprehet drejtpërdrejtë në një mënyrë paksa të ‘paqartë’ (të rimishërohet!). Por kjo lind përtej caqeve të figurës, si konkluzion i thelbësor në ndërgjegjen dhe përfytyrimin tonë, gjatë leximit të veprës. Nëse është thënë se çdo figurë-personazh është unitet origjinal i objektives dhe subjektives, i së përgjithshmes dhe të veçantës, bazën e brendshme konkrete të së cilës e përbën konvencioni artistik, atëherë mendoj se një aspekt thelbësor i romanit është kaluar paksa përciptazi: është qasja që nuk lidhet thjesht me kuriozitetin e rrjedhës së subjektit, por më thellë, me filozofinë e romanit “Parisi vret”. G.Lukac thoshte se nuk ka rëndësi nëse synimi në veprën e artit është vizatimi i së tërës së shoqërisë ose vetëm i një ngjarjeje të izoluar artificialisht; synimi do të jetë, gjithësesi, të vizatojë pafundësinë intensive të subjektit. Kjo do të thotë se shkrimtarja kur synon të krijojë faktorë ‘realë’ të realitetit shqiptar, apo dhe francez,  që lidhen me perceptimin e personazhit, realizon idenë ekzistenciale, universale të dëshirës për një jetë të lirë, në një botë të lirë, në një dashuri të lirë.

* * *

Romani i Mira Meksit  konfirmon thelbin e letërsisë së mirë, se ka rëndësi jo çfarë është e vërtetë por çfarë është fiksion. Me këtë kuptojmë se figura artistike-personazh e Martin Gjergjit, nuk është thjesht riprodhim i jetës (personi i njohur real), formë e saj, por një pafundësi artistike, e pashtershme, si rezultat i pashtershmërisë së vetë letërsisë. Leximi i romanit, si i çdo teksti letrar, e ve kritikun përballë sfidës thelbësore që provokon letërsia : të depërtojë në strukturën e brendshme kuptimore, për të nxjerrë atë që është e ndryshme nga vepra të tjera, ku trajtohet e njejta temë, për të depërtuar në sistemin filozofik të procesit krijues të autorit.

Ndryshe nga prirja ime e zakonshme për të interpretuar poetikën e ndërtimit artistik të një vepre letrare, pra edhe për “Parisi vret”,  ku mund të flitej për format rrëfimtare, raportin me mitologjinë, detajin e figurëzimit të personazheve, mjeshtërinë e vizatimit të mjedisit, shfrytëzimin me një masë të përkorë të ëndërrës dhe halucinacionit, pasurinë ligjërimore (si një nga vlerat më të çmuara të stilit krijues të M.Meksit), përjetimet e brendshme të pashprehura, referimin në histori, etj. : këtë herë u përqëndrova në interpretimin e dy boshteve themelore kuptimore të romanit “Parisin vret”, për të zbuluar vlerën thelbësore të saj: filozofinë që përcjell te lexuesi. Mund të mos jeni dakort me interpretimet e mia ? Edhe mund të ndodhë, sepse, në fund të fundit, çdo lexues ka qasjen dhe kuptimin e vet (por deri aty ku interpretimi mos të varfërojë kuptimet e strukturës së brendshme kuptimore).

Exit mobile version