Pas udhëtimit që bëri në Tepelenë gjatë vitit 1809, kur shkroi për traditat dhe zakonet burrërore të vendasve, për veshjet e bukura, duke pozuar në studion e piktorit Thomas Philips në Londër me kostumin shqiptar, poeti i famshëm i romantizmit anglez George Gordon Byron (1788-1824) ndikoi më shumë në përkapjen e temës shqiptare nga artistë europianë. Vargjet e tij për bijtë e shqipes te Çajld Haroldi, si dhe vlerësimi për veshjet më madhështore, nxitën shumë artistë nga Europa në realizimin e tablove, gravurave dhe krijimeve të tjera. Nisur nga fama e tij e madhe, nga rrezatimi i krijimtarisë dhe figurës së tij me fuqinë e një Prometheu të shekullit XIX, siç e ka quajtur Bjelinski, për shumë autorë apo vepra të veçanta të krijuara gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, Bajroni mund të pagëzohet edhe si frymëzuesi i temës shqiptare në artin botëror.
Nga piktura Bajroni me veshje shqiptare u nxitën shumë artistë tjerë në realizimin e veprave kushtuar shqiptarëve. Sipas vëzhgimeve të studiuesve anglez Christine Kenyon-Jones dhe Geoffrey Bond në ilustrimet e para të veprave të Bajronit, të realizuara nga piktori Thomas Stothard, personazhet paraqiten me veshjet shqiptare si në pikturën e Filipsit1. Po ashtu edhe në shumë tablo nga Delacroix, Colin, Decamps dhe autorë të tjerë të njohur, që u realizuan nën ndikimin e Bajronit, figurat kryesore janë pikturuar me të njëjtën tipologji veshjesh. Gjithë këto piktura, ilustrime e litografi sot mund t’i paraqesim edhe si dëshmi të bukura piktorike që tregojnë se motivet shqiptare të Bajronit përveç Cajld Haroldit, i gjejmë edhe në vepra të tjera si te “Nusja e Abidos” dhe “Gjauri”2.
Në veprat e piktorëve anglezë, francezë, gjermanë dhe të tjerë, gjatë udhëtimeve nëpër trojet shqiptare në shekullin XIX dhe vitet e para të shekullit XX jo vetëm që ndihet qartë ndikimi i poetit rebel e frymëzues, po citohen edhe vargje apo shënime të tij për shqiptarët. Pranë gravurave të C. Woodville-t, ku paraqiten tipa malësorësh, shkruhet se piktori është nxitur nga përshtypja e Bajronit për kostumin e mrekullueshëm shqiptar, me fustanellë e me rrobat e qëndisura me ar dhe armët e lara me flori. Përshkrimi i Bajronit, shkruhet pranë një gravure tjetër, sjell të gjallë përpara mendjes së njeriut që nuk ka shëtitur këtu, kostumin e mrekullueshëm shqiptar. I zbukuruar me këtë madhështi të bardhë, të kuqe dhe të artë, shqiptari të kënaq syrin, njëlloj si në fillim të shekullit kur Bajroni e pa në Jug të vendit3. Gravurat e W. Williams-it me motive nga bregdeti i Jugut shqiptar janë shoqëruar gjithashtu me vargje të shkëputura nga Çajld Haroldi. Artisti ka zgjedhur këndvështrime piktorike sa më të përafërta me përshkrimet e poetit. Gravurën e parë e ka shoqëruar me vargjet: O Shqipëri ku lindi Iskanderi/ Këngë e rinisë, fanar i të urtëve… lejomë të kthej sytë e mi/ Mbi ty o nënë burrash të rreptë 4. Gravurat e tjera shoqërohen me strofat e mëpasshme që i përshtaten peizazhit të pikturuar. Edhe në albumet dhe librat ku u botuan akuarelet, vizatimet dhe litografitë e piktorëve Charles Cockerell, Joseph Cartwright, Poer Beresford, Henry Cook, Edward Lear, Edith Durham dhe çiftit Cora e jean Gordon, përmendet emri dhe vargjet e Bajronit për Shqipërinë.
Nga poeti u ndikuan edhe piktorë të tjerë që nuk mundën të udhëtojnë nëpër viset shqiptare. Ndër të parët e këtij grupimi është kreu i romantizmit francez Delacroix. Në ditarin e tij të datës 11 maj 1824, pikërisht në kohën kur hidhte në telajo tablotë me temë nga Shqipëria dhe Greqia, shkruante se gjatë pikturimit në studio për t’u ndezur i tëri, kujtoj vargje të Bajronit5. Dhe tablotë e tij për shqiptarët, sidomos ato kushtuar Marko Boçarit dhe suljotëve të tjerë, bartin atë fuqi, atë impuls dhe atë dinamizëm që ndihet në vargjet e Bajronit: Kur mirënjohja dhe trimëria i shtyn të derdhin gjakun/ Sulen pa frikë kudo që t’i shpjerë prijsi (shqipërim i F. Nolit). Edhe tablotë e romantikëve të tjerë francezë, Decamps, Scheffer, Gérôme, Colin, ku paraqiten figura shqiptarësh me veshjet tradicionale, janë nën ndikimin e admirimit që ka shprehur më parë Bajroni. Krahas këtyre veprave origjinale, nga disa artistë të njohur europianë janë pikturuar variante të tablosë Bajroni me veshje shqiptare. Nëpërmjet teknikës së gravurës, piktori William Finden stampoi shumë kopje që u përhapën në disa vende të Europës. Disa vjet më pas George Sidney Hunt krijoi dhjetëra litografi me bazë po këtë imazh. Piktori spanjoll Jean Michelle Hoper, i mbështetur në të njëjtën tablo, krijoi një vepër të re, ku ndihet po aq interpretimi i tij. Ndërsa autorë të tjerë, si G. Mützel, të mbështetur te kjo pikturë i kanë dhënë trajtë figurës tipike të shqiptarëve për albumet me kostume nga kombe të ndryshme të Ballkanit. Kështu për disa vjet piktura e Philips-it u shndërrua gati në një ikonë. Numri i veprave të frymëzuara nga Bajroni është akoma më i madh. Po ashtu edhe tablotë që e paraqesin poetin me veshje shqiptare nuk janë vetëm ato që u përmendën. Rreth vitit 1840, italiani Ludovico Lipparini pikturoi Betimin e Bajronit mbi varrin e Marko Boçarit. Midis grupit të madh të personazheve, aty spikat figura e Bajronit që ndrit nga ngjyrat e çelura dhe qëndisjet me ar të kostumit shqiptar. Poeti anglez me kostumin shqiptar është paraqitur në mjaft vepra në mjedise të ndryshme greke. Njëra prej tyre ndodhet në Muzeun Benaki të Athinës. Të tjera tablo gjithashtu dëshmojnë figurativisht faktin e njohur se Bajroni e mbajti të veshur atë kostum gjatë shtegtimeve të tij nëpër Greqi. Në tablonë The dream of Byron (Ëndrra e Bajronit) të piktorit C. L. Eastlake, përveç poetit, me ato veshje janë pikturuar edhe personazhet që e shoqërojnë.
Pas vlerësimeve dhe jetësimeve në art, kostumi shqiptar u bë më i njohur në Angli e nëpër botë. Bajroni e mbajti atë edhe në disa pritje ceremoniale në Londër. Më pas kostumin e veshën figura të tjera të asaj kohe, madje disa prej tyre u pikturuan po nga Philips në të njëjtën studio në Londër. Janë të njohura portretet me veshje shqiptare të kolonelit anglez George Vivian (1770-1845), arkeologut, historianit të artit, politikanit dhe diplomatit të njohur Sir Austen Henry Layard (1817-1894), si dhe biografit dhe shkrimtarit Edward John Trelawny (1792-1881), të tre miq të Bajronit dhe të Shellit. Kohët e fundit janë bërë të njohura edhe disa vepra të tjera ku personazhe të rëndësishëm janë pikturuar me veshjet që përdori poeti. Me interteres të veçantë është tabloja “Lord King mburret me pamjen si Bajroni”. Aty paraqitet Lord William King-Noel duke pozuar me veshje shqiptare, njëlloj si te piktura e Filipsit. Piktura është realizuar në vitin 1835, në kohën kur Lordi King ishte i martuar me Augusta Ada Bajron, vajza e vetme legjitime e Bajronit.
Pas pikturimeve nga Thomas Philips, kostumin e tij të preferuar Bajroni ia dhuroi zonjushës Margaret Mercer, vajzës së kontit Keith, me të cilën ka pasur një korrespondencë të gjatë letrash dashurie. Vajza angleze, e sugjestionuar nga bukuria e kostumit shqiptar, e veshi në ditën e ceremonisë së fejesës së saj. Në vitin 1817 Margaret martohet me kontin Flahault. Vajza e tyre bëhet Markezja e katërt e fisit Lansdowne, pra pjesëtare e familjes së famshme që trashëgonte kompleksin muzeal të quajtur Bowood House & Garden. Kësodore Kostumi Shqiptar i Bajronit është bërë pronë e tyre. Ai qëndron i ekspozuar prej shumë vitesh midis veprave të artit dhe objekteve të tjera të çmuara të Britanisë e të disa vendeve të tjera .
Që nga ajo kohë vizita në Boowod House shoqërohet me emocione për çdo shqiptar. Sapo ngjitesh në katin e dytë të godinës kryesore të muzeut, përballesh me një sipërfaqe të madhe të qelqtë, brenda së cilës është vendosur një manekin me imazhin e Bajronit, veshur me rrobat origjinale, të bardha e të ndritura në ar, që poeti i kishte sjellë nga Shqipëria në vitin 1909. Përveç fytyrës dhe duarve, i gjithë shtati i manekinit është i mbuluar me petka shqiptare. Që nga shalli sipër kokës që varet mbi shpatulla, deri te çorapet; që nga jeleku, fustanella, xhamadani, mëngoret, të gjitha të endura dhe të qëndisura me mjeshtëri nga artizanët shqiptarë të shekullit XVIII. Në murin pas manekinit janë vendosur pjesë të tjera veshjesh shqiptare, si një jelek, një feste, një mbajtëse fishekësh etj. Anash veshjeve ndodhet një pllakë mermeri, ku është gdhendur shënimi shpjegues rreth përbërjes së kostumit, bashkë me të dhënat për kohën kur është marrë nga Shqipëria dhe kur është vendosur në atë muze. Kanë kaluar më shumë se 200 vjet nga dita kur Bajroni e veshi në trupin e vet atë kostum, si shenjë respekti dhe adhurimi për racën trimërore të shqiptarëve. Ndërkohë, është e kuptueshme që thurja, qepja, qëndisja dhe kompletimi i atyre veshjeve, mund të jetë bërë disa vjet para se Bajroni të arrinte në tokën shqiptare. Pra kostumi që ruhet në Boowod House & Gardenështë më se 200-vjeçar. Dhe ruhet në gjendje shumë të mirë, sa të krijohet përshtypja sikur sapo ka dalë nga duart e artizanëve që e kanë endur. Në atë muze ndihesh mirë kur sheh se veshjet shqiptare kanë gjetur një nga ekspozimet më të bukura që u është bërë deri tani nëpër botë.
Midis shumëllojshmërisë së objekteve të dyqanit në Galerinë Kombëtare të Portretit në Londër, imazhi i Bajronit me kostum shqiptar gjendet thuajse në të gjitha variantet; në postera, në kartolina, në kopertina librash, në katalogë, në guida të Galerisë, në kuti lodrash, në medaljone, në kapakët për blloqe, në pulla postare etj. E themeluar në vitin 1856, Galeria Kombëtare e Portreteve ruan një nga koleksionet më të pasura britanike. Midis qindra e mijëra pikturave dhe skulpturave, Bajroni me Kostum Shqiptar është nga më të vyerat e atij koleksioni. Vetë figura e Lord Bajronit, pikturimi me mjeshtëri nga Thomas Philips-i, si dhe bukuria e kostumit shqiptar, përbëjnë tri nga vlerat e çmuara që e kanë shndërruar këtë pikturë në një ikonë të gjithë koleksionit. Prej shumë vjetësh, suveniret e ndryshme me këtë imazh, duke u shpërndarë në të gjithë botën, i bëjnë më të njohura veshjet shqiptare. Ka edhe tablo të tjera nëpër koleksionet e muzeve të ndryshëm ku paraqitet Bajroni me kostum shqiptar, por Galeria Kombëtare e Portreteve në Londër është vendi më i vizitueshëm, ku mund të këqyret dhe admirohet mjeshtëria e artizanëve shqiptarë në realizimin e atij kostumi.
Jehona e veshjeve shqiptare të Bajronit e shumëfishuar edhe në disa qindra ilustrime, litografi, gravura dhe tablo vazhdon të ndjehet edhe në ditët e sotme. Nga autorë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj janë realizuar piktura të reja. Gjatë muajit maj të këtij viti, në përkujtim të 200 vjetorit të ndarjes nga jeta të Bajronit, studentja e dizajnit në Universiteti i Nottinghamit, Phoebe Godsmark stiloi dhe ekspozoi në mjediset e universitetit një variant të kostumit shqiptar mbështetur në pikturën e Thomas Philips të vitit 1813.
BIBLIOGRAFI:
1. ‘Dangerous to Show’: Byron and his Portraits, by Christine Kenyon-Jones and Geoffrey Bond, London, 13th October 2020.
2. Poeti Dhori Qiriazi, nga hulumtimeve që ka bërë gjatë përkthimeve të disa vjershave dhe poemave të Bajronit, ka gjetur shënime të poetit anglez që dëshmojnë lidhje të tjera me botën shqiptare te poema Nusja e Abidos. Shih librin: Xhorxh G. Bajron, Nusja e Abidos, vjersha dhe poema, Globus R., f. 82, 123, Tiranë, 2007.
3. Mayhew, A.: In Albania with the Ghegs, Scribner’s Monthly, vol XXI, f. 377-391, New York, 1881.
4. Sipas botimit të shqipëruar nga Skënder Luarasi Byron, G.: Childe Harold’s Piligrimage 1812-1817), Onufri, f. 48-59, Tiranë, 1999.
5. The Journal of Eugene Delacroix, f. 87, 144, London, 1938.
Kjo kumtesë është mbajtur në konferencën shkencore ndërkombëtare “Bajroni dhe bajronizmi në botën shqiptare”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqiperisë