Kreu Letërsi Bibliotekë Fatma Jasimi: Si tepër erë kanelle vjen (tregim)

Fatma Jasimi: Si tepër erë kanelle vjen (tregim)

Aroma e kanellës kishte veshur çdo cep të rrugicës ku ndodhej kafeneja që kisha hapur një vit më parë. Era e butë e vjeshtës e ndihmonte të flladitej tej e përtej. Ajo kishte mundur edhe erën e trëndafilave të fundit të verës. Kaq ishte. Vjeshta kishte fituar. Ishte 1 shtator, dita kur bota fillonte të merrte frymë, e bashkë me botën edhe unë, fëmija që ajo s’e ka dashur kurrë, një fëmijë vjeshte, fëmija më kryeneç.

Në tavolinën përpara meje, i njëjti djalë që dje kishte ardhur me një vajzë, sot, ishte aty me dikë tjetër. Ndoshta më të bukur se ajo e djeshmja, ndoshta më pak të zgjuar se ajo, tjetra. Por një gjë ishte e sigurt dhe e kisha parë me sytë e mi. Të dyja pëlqenin salepin me kanellë, dhe me sa duket, edhe këtë bukuroshin bredharak. Ishte ai moment kur në kokën time, kanella u bë e tepërt. Çdo gjë u bë e tepërt.

Ja, këtu unë e kam të vështirë të ndjek rregullat e botës. Unë jam e zonja e kafenesë, njëkohësisht ajo që përgatit çajin, kekun, salepin dhe ajo që e shërben… Unë nuk duhet të merrem me llafe. Nesër ndoshta ky djalosh do të më sjellë një vajzë të tretë. Pse, keq është për mua? Në të vërtetë, dua të shkoj t’i hedh një salep në kokë. Por më kanë thënë se për të bërë para dhe për t’ia dalë në jetë nuk veprohet kështu dhe se duhet të kujdesem të shoh interesat e mia. Sa i zgjuar duhet të ketë qenë ai që ma ka thënë këtë gjë?

Tryeza tjetër kishte kërkuar një çaj me fruta pylli, e në topthat e ajrit që ngriheshin përpjetë, unë po mundohesha të shquaja se çfarë forme kishte turpi. Po turpi, nuk ka formë, as aromë, as fytyrë. Nuk e di se edhe sa do të më mbante goja, por duhet të shkoja t’ia thosha zonjushës përballë për të vërtetën. Kush ishte e vërteta? Po ajo, a ka një fytyrë, që ne mund ta njohim?

Dëgjoja djaloshin tek i thoshte se e donte shumë, se ndihej mirë me të, se ajo ishte e bukur, njësoj si asaj dje. Djalin që dje po e përgëzoja për fjalët që po ia thoshte një vajze, sot po e përçmoj sepse po ia thotë kësaj tjetrës. Fjalët po, paskan fytyrë, dhe jo çdo fytyrë është e bukur.

Epo, mjaft, thashë me vete. Do shkoj t’ia them.

Dhe ia thashë, aty, përballë tij, dhe ia hodha salepin me kanellë që kisha në dorë, në kokë.

– Unë i di të gjitha, – më tha vajza duke më parë drejt e në sy.

– Unë e di, por ne jemi në një marrëdhënie të hapur dhe nuk e kemi problem. Ai mund të dalë me kë të dojë. Ju qenkeni me probleme në kokë, zonjë. Në çfarë shekulli jetoni?

Dhe të dy, me inat, u ngritën nga tavolina dhe ikën. Çfarë fytyre kishte e vërteta?

Nuk e di, por dikush më kishte thënë se këto gjëra nuk ta shpëtojnë jetën. Kishte të drejtë, por unë nuk i shpëtoja dot fatit tim, të qenurit fëmija kryeneç i botës. A nuk po vjen ca si tepër era kanellë?

Exit mobile version