Kreu Letërsi Bibliotekë Fatbardh Amursi: Nderi kalorësiak i poetit (poemë)

Fatbardh Amursi: Nderi kalorësiak i poetit (poemë)

“Lasgush Poradeci i hedh dorashkën ministrit të arsimit dhe e fton në duel.”

Nga kronikat e kohës

I
I neveritur nga oborrtarët,
që lëpinin zgjedhën,
që e rrëzonin lisin duke e fërkuar,
Poeti,
e ktheu pegasin në kalë beteje
dhe niset të gjejë kreshnikët në shpellë,
të dorëzohej kalorës në log të burrave.
I thoshin: mos ndiq rrugët e braktisura,
bëhu kalë karroce,
fol me dorashka,
ha bukën e përulësisë,
Por, ai kish bindjen se pa nderin kalorsiak
s’pronoheshe në tempullin e poezisë.
Perënditë po e braktisnin malin Tomor,
Abaz Aliu lë gjurmën e kalit në shkëmb
dhe merr arratin,
Mos tek kreshnikët po bujtnin apostujt,
për të shpëtuar nga bjerrja njeriun?!
Mbyllja e Mujit dhe Halilit në shpellë
gjoja nga frikë e armëve të zjarrit,
sikurse burrat e shtetit strehohen në bunkerë atomikë,
rezultoi një alibi.
U mënjanuan,
sikurse duhej të bënte çdo mbret
pa shkuar në gijotinë,
çdo Çaushesk pa shkuar në togën e pushkatimit.
Profetët zgjedhin shpellat përherë
për të kryer ritin e shenjtë të meditimit.
U tërhoqën burrat e dheut sapo ra fisnikëria,
jo si dezertor,
hapën rrugën në vend të bllokimit,
Ndaj askush s’u thotë: shpellarë,
të deklasuar,
demode,
Për nderin e panjollosur të kalorësit,
kemi nevojë të gjithë ne.
Muji alias Vrana Konti,
Halili si Oso Kuka,
Njëri me xhaketë allafrenga
tjetri me poture allaturka.
Prej asaj kohe
shiheshe nga festja,
nga nishanet lloj-lloj,
Njeri vëlla do vinte kapelen me yll
dhe tjetri qylafin me zhgabonjë.
Si u bë njëshi kult,
kur idhujt u shembën për tokë
dhe gradat ranë nga supet,
si gjethet në vjeshtë?
Ëndrra industriale e poetëve
u hakërrua nga ëndrra mashtruese e oborrtarëve
me distiktivët në xhaketë.
I plotfuqishëm
bëhet zabiti që mbante kobure
dhe të vinte në arrest,
Poeti i dorëzuar kalorës
si Hamleti merr përsipër
që botën të ndreqë.
Veç shpellave
maleve iu shtuan tunele,
trashe dhe galeri,
Kohë pas kohe tinëz
po ngrihej nën të një mbretëri.
Që nis nga hadi antik,
ku Karonti me monedha ari
trafikonte të vdekurit
dhe çelsat e portës i mbante Akili,
Tani tek sekretet e shtetit futen pa teklif
me ca kode mafioze
që s’i zbërthen as orakulli.
Dikur për të zbritur në ferr,
Danten e shoqëroi Virgjili,
Në botën e nëndheshme
s’futesh dot,
nëse s’ke dhënë prova krimi.
Të pushtetshmit sundonjnë me direktiva,
porosi,
preferenca,
duke mos patur të njëjtat njësi matëse me poetin.
Njëra palë nxiste fantazinë
ndërsa tjetra ndrydhte vullnetin.
Nën rrogoz,
nën banak,
nëntekst,
nënshtrim,
Spektakli me saze në sheshe
një inskenim manekinash
të dala nga vitrinat për ajrim.
Poeti s’bën kompromis me djallin
të bëhet pjesë e fasadës,
të lyejë me varak një të dalë boje,
Edhe nëse shpellën e kreshnikëve
me qelinë kollaj mund të ndërrohej.
1
Inxhinieri me rapit
shënon në hartë zonat e reja minerare
eh, sa i pasur atdheu,
Statujat antike që zbuloheshin,
dukej sikur ndërronin vend
me fatkeqin që zinte dheu.
Nëntoka po sfidonte
qiellin e mbetur pa zot.
Kujdo mund t’i lejohej kthimi në troje
veç mbretit Zog.
Një mbret pa mbretëri,
por jo pa oborrtarë,
i ndjekur nga shpurra,
I duhej poetit të ishte kalorës
dhe kur rrugët e moralit i gjente të bllokuara.
2
Kapoja me stilograf të mbushur me bojë kine
shënon në bllok kalendarin e mbledhjeve
dhe librin e poetit e dërgon për karton,
I dyshuar se midis rreshtave qafiri
ide të huaja kontrabandon.
Pret t’i shpërblehen shërbesat,
ndaj sukseset e fakirëve
ia njeh vetes për stoli,
Nëse të tjerët zbrisnin thellësive
ai ngjitej lart e më lart gjer në qeveri.
3
Me laps të kuq
shoku me rroba doku
konspektonte veprat e madhorit
dhe me to kapte rrufjanët në gabime,
Duke ngritur leqe,
kurthe,
gjithë arsenalin që i duhej një intrige.
Zgavrat e minierës i shëmbëllenin vigjilentit
me strofkën,
ku fshihej armiku i radhës,
Mjafton të shihte një fosile peshku,
dhe t’i fanitej një dinozaur.
Asnjëherë suksesi s’ishte i yti,
ku hisja më e madhe i takonte ofiqarit,
babaxhanit me dorën në qafë,
I cili me një “në saj të partisë”
i përlante të gjitha beneficet
si një xhambaz.
Dështuan shkrimtarët e artistët
sa herë e bënin llapaqenin personazh,
si të gdhendje një statujë në dru të kalbur,
Si mund të vishej me ar,
ai, që e ktheu në mallkim baltën?
4
Shefi i kuadrit me laps kopjetiv
arshivon dosjet,
thesarin e tij enigmatik me insinuata diabolike,
Një dosje si minë me sahat
ia kurdisën poetit
me dëshmimtarë të rremë e letra anonime.
Arti,
i vetmi thesar i poetit kalorësiak,
ushqyer me vesë e nektar,
Ja që ëmbëlsia e vargjeve
i dukej kastës
zeher e farmak?!
Për çdo çast mund ta zinte dheu,
a shpërthim i gazit në minierë
ta asfiksonte,
Në çdo zgavër të hapur i dukej atij,
sikur Mujin a Halilin do takonte.
Por, një vashë me bluzë të bardhë
veç plagëve
shëronte dhe lëndime shpirti,
Nëse bashkë me mineralin
eksportohej dhe floriri,
me arin pa zot ajo pasuroi jetën gri,
Kështu që një i dënuar
po i kishte të gjitha atributet
e të qënit zotëri.
S’u tut ajo nga kërcënimet e drejtorit,
as nga këshillimet e sekretarit,
as nga paralajmërimet e shefit.
S’ishte e lehtë të dashuroje atë,
që urrehej prej shtetit!
Si në baladë poeti e rrëmbeu
duke ushtruar të qënit kalorës,
Ishte pasioni,
që, i krahasuar me oborrtarët,
bënte të dukej ai kolos.
Ata që i merrnin të gjitha
për shkak të rangut,
të qënit nomenklaturë,
birbo a pinjollë që kishin akses,
Me gjasa poeti u hodhi dorashkën
u vodhi kismetin,
u hyri në pjesë.
Harronin se kalorësit
i bëjnë betejat për një lypës
e jo më për një princeshë!
5
Lapsi me gomë i shefit të llogarisë
mbulonte krizën me shifra optimiste,
sikurse fshihen sot rrudhat me filtër,
Mund të gjeje varre mbretërish ilir,
por jo se ku dergjej një kryeministër?
Frymëzuesi i galerive
tuneleve,
bunkerëve,
mbeti pa varr.
Mos ish kjo një arsye,
që Muji dhe Halili u mbyllën në shpellë
pa dëshmimtarë?
Nëntoka
po quhej botë e nëndheshme
me arkivat futur në bodrume,
floririn e shtetit strehuar në Krrabë,
Në tunele fshiheshin nëndetëse
sikurse dhe avionë luftarakë.
II
Diktatura ra
duke ngritur shatërvane në çdo qytet,
Demokracia erdhi
duke qëlluar me gurë xhamat transparent
dhe duke riparuar halet
me pllaka majalike e mermerë,
Pavarësisht parfumeve,
jetës po i mungonte aroma
dhe ngado bie erë.
Në dekorin e qytetit ku shkruheshin parrullat
bëhen reklama pa hesap,
Më shumë nga fanar i kuq
tërheq një semafor.
Kompanitë e imazhit s’e kanë për zor,
që horrin ta prezantojnë të përkor,
Vrasësi me pagesë
më i frikshëm nga ilegalët e luftës,
për motive të dobta
vret pa zhurmë me selinciator,
Në ekrane fshihen provat e krimit
sikurse parat e vjedhura
në parajsa fiskale e ofshor.
Me eshtrat e Skënderbeut
ushtarët turq bënë hajmali,
si e si të shpëtonin gjallë nga lufta,
Me copat e bronzit të shtatores së Enver Hoxhës
mos po bëhen gjë nuska?!
Rëndom me gurët e kështjellave
ngrihen hamame,
qumështi i zanave
kthehet në miell të bardhë,
Dhe shtojzavallet e lënë nderin
të droguara në një pap.
Koha që poeti kujtoi
se ishte e tija
ia rrëmbyen oborrtarët me letra të falsifikuara,
Mos duhej të futej dhe ai në shpellë
si idhtar i kreshnikëve të dështuar?
1
Kapoja shan regjimin ku bëri karierë
në vend të paketës me filtër pi puro,
barakën e kantierit e ndërron me një kioskë,
Bëri si bëri me stilin e vjetër
e zuri prapë një post.
Regjimin që instaloi brutalisht
po ia ngec derdimenëve,
fakirëve që s’iu nda balta,
Ky që ua përvetësoi flamujt e fitoreve
dhe gjoksin e mbushi me dekorata?!
2
Sekretari,
flak kostumin prej doku dhe vesh xhinset,
Kush tjetër me artin e mashtrimit
trafikoi influencë?
Si çdo demode,
dhe ai e fsheh skadencën,
sikurse u fshihet mallrave në supermaket.
3
Shefi i kuadrit vazhdon të shantazhojë me dosjet
me sekretet që i përdor si magjistar,
Duke gjetur mënyrën të mbahet
po aq i rëndësishëm si më parë.
4
Inxhinieri në mërgim
ka fobi tunelet
smogu e zë si ta zërë qymyri,
Vuan dhe një vrasje ndërgjegjie
që, iu shmang poetit,
jo se i ndruhej eprorëve,
biografinë e kish ku e ku më të pasur,
Por se vasha zgjodhi poetin
dhe jo atë për të dashur.
5
Shefi i llogarisë
që fshehu krizën,
me t’u shpallur falimenti
bëhet pronar me vendim gjykate.
Lapsi i tij me gomë
me “penën e artë” të poetit nis të tallej.
Kujt nuk i eci jeta,
duke bërë llogari
duke futur çdo gjë në laps,
Këtyre u ndrit shansi
sa herë që vendi bie në kolaps.
E dallojnë yllin e karvanit,
u rroftë minatorëve llamba me karbit,
Fundja austronomët me llogari
Zbuluan dhe ndonjë yll të ri?!
6
Nëntokën
oborrtarët e kthyen në botë të nëndheshme,
shpirtërorët evakuohen lart në qiell,
duke i lënë varret bosh.
Ndaj Mujin dhe Halilin
është e kot t’i kërkosh.
Kur turma shkatërron muzetë
dhe statujat i rrëzon nga piedestalet,
Madje dhe më ordineri
s’e ka për gjë me Kadarenë të matet?!
Një vend që s’i hiqte dylbit nga qafa,
nga lupa,
që gdhihej e ngrysej me busullë në dorë,
Tani ka për hobi syrin magjik,
parajsat fiskale,
dhe kasafortë.
Me minakërkuese kërkonin ar
të tjerë vidhnin ikona,
objekte arkeologjike me vlerë.
Mujin e duan për badigard
dhe Halilin për roje nderi,
Ndërsa i forti i lagjes i do
për punonjës seksi.
Oborrtarët u bënë bosët e botës së nëndheshme
vulgu vazhdon të plaçkisë atdheun,
kalorsiaku i padëshirueshëm si atëherë dhe tani,
Kalin e betejës e ktheu në pegas
duke krijuar një univers të ri,
I përngjashëm me shpellën
ku u mbyllën Muji dhe Halili.

Nju Jork 2025

Portreti nga Ina Lajthia

Exit mobile version