Kreu Letërsi Botime të reja Erald Kapri: Ribotohet libri “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945” – Kontribut i...

Erald Kapri: Ribotohet libri “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945” – Kontribut i çmuar i historianit Uran Butka

Botimi i ri voluminoz “Lufta civile në Shqipëri” është fryt i hulumtimit dhe trajtimit shkencor të dokumenteve nga arkivat e Shqipërisë, Kosovës, Anglisë, Italisë, Jugosllavisë, Gjermanisë etj, për Luftën e Dytë Botërore që dhe hedhin dritë e vërtetojnë kuadrin e luftës civile në Shqipëri (1943-1945), një luftë e brendshme, e organizuar dhe e armatosur ndërmjet forcave politike e luftarake, përfshirë edhe masat popullore që i mbështesnin ato, një luftë me pasoja tragjike e shkatërrimtare, jo vetëm për atë kohë.

 Qysh në krye autori bën të qartë dallimin midis luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë e gjermanë, pra Luftës Antifashiste (1939-1944) dhe Luftës Civile ndërmjet shqiptarëve (1943-1945), që është objekt i këtij studimi.

Lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë e gjermanë ishte një luftë patriotike, një luftë e drejtë, që i shërbeu çlirimit te vendit dhe kauzës së përbashkët kundërfashiste e liridashëse të popujve përgjatë Luftës II Botërore. Në këtë luftë kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmësuar gjithë faktorët antifashistë: Lëvizja Nacionalçlirimtare, Balli Kombëtar, Legaliteti, Krerët e Veriut, Lëvizjet e pavarura të Gani Kryeziut, Muharrem Bajraktarit, Ramë Mujës, Mehmet Ali Bajraktarit dhe të aktorëve të tjerë.

Ndërsa Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, është një pjesë e saj luftës antifashiste, siç është pjesë edhe lufta e faktorëve të tjerë. Autori çmon luftën e partizanëve kundër pushtuesve dhe dëshmorët e rënë, ashtu siç vlerëson edhe luftën e ballistëve, legalistëve dhe luftëtarëve të tjerë antifashistë, si edhe dëshmorët e tyre.

 Por, përpjekja për ta paraqitur Luftën NÇ në të kaluarën por edhe sot si luftën e vetme të shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë, është një tendenciozitet politik, një spekulim e përvetësim historik nga ana e udhëheqësisë komuniste dhe e historiografisë së saj, për të marrë e mbajtur pushtetin monist, për të mitizuar Luftën Nacionalçlirimtare dhe Enver Hoxhën, si dhe për përfitime politike.

 Lufta Nacionalçlirimtare ishte krahu i armatosur i Partisë Komuniste dhe realisht, por edhe ligjërisht, nuk mund të ishte apo të konsiderohet si lëvizje e armatosur e gjithë shqiptarëve.

Aq më tepër që Lufta nacionalçlirimtare nga një luftë kundër pushtuesve, u tjetërsua në vitet 1943-1945 kryesisht në luftë të përgjakshme për pushtet dhe komunizëm, luftë kundër kundërshtarëve politikë, madje edhe kundër atyre patriotëve që luftonin realisht kundër gjermanëve për një Shqipëri të lirë, demokratike e perëndimore. Një luftë NÇ që në fund solli në fuqi regjimin stalinist dhe e vendosi Shqipërinë në Perandorinë komuniste te Lindjes.

 E.Hoxha e ngriti dhe e lartësoi kultin e tij dhe të Luftës Nacionalçlirimtare, si lufta e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë, që të monopolizonte luftën, rrjedhimisht edhe për pushtetin e vetëm absolut të tij dhe të PKSH, si edhe për të mbuluar apo mohuar krimet e luftës civile, të urdhëruar nga ai vetë dhe të nxitur e mbështetur nga tutorët komunistë rusë e jugosllavë.

 Edhe historiografia komuniste u përpoq për gjysmë shekulli dhe vijon edhe sot ti trajtojë në mënyrë të njëanshme e të falsifikuar ngjarjet dhe personazhet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri për qëllime politike e ideologjoke.

 Luftën kundër Ballit Kombëtar, mandej edhe Legalitetit dhe faktoreve te tjerë e nisi PKSH menjëherë pas prishjes së kuvendit të Mukjes. E.Hoxha urdhëron “Me forcë dhe me armë ta marrim në dorë pushtetin. Ballin duhet ta likujdojmë pa mëshirë nga çdo anë qoftë”.

 Udhëheqësit e LNÇ E.Hoxha, M. Shehu, Koci Xoxe, Hysni Kapo, Dali Ndreu, Shefqet Peçi etj ishin terroristë dhe e futën frymën dhe praktikat terroriste në Luftën NÇ për zhdukjen pa mëshirë të kundërshtarëve politikë dhe ideologjikë.

 Mid’hat Frashëri, në emër të Ballit Kombëtar, bënte apel për të ndalur luftën civile dhe për t’u bashkuar si vëllezër në luftën kundër pushtuesve fashistë: Sot është koha për një FRONT të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut gjënë më të shtrenjtë që kish : jetën. Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir për atdhenë. Me qindra të tjerë kaluan mbi gjurmët e gjakut të dëshmorve dhe vaditën me gjakun e zëmrës së tyre këtë tokë arbërore ….Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalë ve që na lanë të parët tanë: JA VDEKJE, JA LIRI ! JEMI VËLLEZËR, S’NA NDAJNË DOT ! »

 Shkaku kryesor i Luftës Civile ishte çështja e pushtetit. Frika se pushteti mund të ndahej me forcat e tjera politike, apo mund të merrej prej tyre me zgjedhje të lira pas luftës, e çoi PKSH dhe E.Hoxhën në atë qëndrim arbitrar dhe në atë akt antidemokratik, që kishte për qëllim marrjen e pushtetit me forcën e armëve, sipas teorisë marksiste-leniniste, duke eliminuar faktorët e tjerë politikë, gjë që i çelte rrugën pushtetit totalitar dhe instalimit të diktaturës në Shqipëri. Ndërhyrja dhe roli luftënxitës i emisarëve të PKJ, për interesat e tyre hegjemoniste dhe shovinistendikuan në tjetërsimin e Luftës Antifashiste në Shqipëri në një luftë civile

 Mandej në këtë luftë u detyruan të përfshiheshin edhe Balli Kombëtar e lëvizjet e tjera të asaj kohe, si edhe pjesa më e madhe e popullsisë.

 Kjo luftë është evidentuar dhe dokumentuar gjerësisht në këtë libër me akte, dokumente e prova shkresore në 1555 referenca arkivore. Pjesa dërmuese e dokumenteve janë urdhra, qarkore, komunikata, raporte, fjalime, kronika, urdhër-operacione, letra, trakte, radiograme, telegrame, ditarë etj. të vetë drejtuesve kryesorë të Luftës NÇ (komandantë e komisarë) si edhe raportime të shtabeve të korparmatave, divizioneve, brigadave e batalioneve të Ushtrisë NÇ, të shkruara me dorën e tyre drejtpërdrejt në zjarrin e luftës civile, që ruhen në Arkivin Qëndror të Shqipërisë, Arkivin e Forcave të Armatosura, Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe në muzeumet qendrore e lokale, të cilat përbëjnë lëndën e parë të këtij botimi dhe që nuk mund të rrëzohen apo të tjetërsohen. ….Gjithashtu, është trajtuar e dokumentuar edhe nxitja dhe veprimtaria antishqiptare e politikës jugosllave dhe e agjentëve të saj në Shqipëri si Miladin Popoviç, Dushan Mugosha etj për shpalljen e shpërthimin e Luftes civile në Shqipëri dhe tërheqjen e saj pas qerres jugosllave.

 Luftën civile në Shqipëri e kanë pohuar dhe raportuar thuajse të gjithë oficerët britanikë, që kanë vepruar në atë kohë lufte në Shqipëri. si B.Maklen, J. Emery, D. Smajl, P.Kemp, T.Simkoks, G.Sejmor, A,Hibbert, A Nikols, majori Oliver, Gjenerali Dejvis etj, që janë trajtuar gjerësisht edhe në librin tim “Sekretet e Luftës”.

Në botimin e Butkës “Lufta Civile në Shqipëri” janë trajtuar me profesionalizëm dhe paanshmërisht ngjarje e protagonistë të luftës civile në të gjitha krahinat, madje edhe ne fshatrat e Shqipërisë, që nga Vermoshi e deri në Konispol, madje edhe në tevat shqiptare jashtë kufijve, sepse kjo luftë përfshiu gjithë hapësirën shqiptare, por ishte veçanërisht e përgjakshme në krahinat me dominancë nacionaliste si Vlora, Mallkastra, Gjirokastra, Kolonja, Korça, Devolli, Pogradeci, Dibra, Mati, Mirdita, Shkodra, Luma, Malësia e Gjakovës etj dhe që kulmoi në Malësinë e Madhe dhe Kelmend.

 Lufta civile nisi menjëherë gjerësisht pas vendimmarrjes në Konferencën e Labinotit 4- 9 shtator 1943 dhe qarkores së Enver Hoxhës te 9 shtatorit për luftë të armatosur kundër Ballit Kombëtar. E pranon edhe historiani Paskal Milo, kur thotë ” Letrat e Enver Hoxhës dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se PKSH ishte nismëtarja e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar”. Britaniku Julian Emery, konstatonte- “Enver Hoxha i kishte sulmuar ballistët në mënyrë që të mos ndante me rivalët trofeun e pushtetit politik. Kjo luftë civile nuk kishte asnjë lidhje me Luftën për çlirimin kombëtar, të cilën të dyja palët e kishin nisur ta ndiqnin në fillim. Ishte për të ardhur keq që Lufta Civile kishte marrë përparësi mbi luftën për çlirim ”.

Midhat Frashëri që u përpoq me gjithë mënyrat ta ndalonte Luftën Civile, shkruante ”Me luftën Civile komunistët filluan terrorin më të keq që ishte njohur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë”

 Ndërsa E.Hoxha deklaronte – “Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse në luftën për asgjësimin e Abas Kupit, do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të”. Pra i quante armiq edhe ata misionarë britanike, që ndihmësonin luftën antifashiste, por kundërshtonin luftën civile mes shqiptareve, të shkaktuar nga komunistët.

Përgjatë Luftës civile 1943-1945 janë realizuar luftime frontale dhe partizane mes komunisteve dhe nacionalisteve, masakra kolektive dhe mijëra vrasje politike të paligjshme, pushkatim i robërve të luftës, pushkatim i njerëzve të pafajshëm, tortura fizike, djegie shtëpish dhe fshatrash të tërë, konfiskim i paligjshëm i pasurive të tundshme e të tjera, pra krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Autori sjell para lexuesve dokumente për një luftë civile në tërë Shqipërinë, duke nxjerrë shkaktarët dhe pasojat tragjike të saj. Mjafton të përmendim masakrën e Devollit 8 shtator 1943, menjëherë pas Konferencës së Labinotit 4-8 shtator 1943 që e shpalli zyrtarisht luftën civile, ku u masakruan pabesisht, u therrën me thika dhe u vranë nga komunistët gjashtë nacionalistë të shquar: mes tyre edhe kosovari Zija Gashi. Dr.Kasimatin e prenë me thikë në fyt duke i thënë: “Hajt tani, folë edhe një herë për Shqipërinë etnike.”

 Ne luftën e Dukatit 30 nëntor 1943 që zgjati 14 orë, Brigata I S e mori urdhërin nga Dushan Mugosha “për me e shkelë tue përdorë zjarrin ma e tmerrshëm Dukatin nacionalist” U vranë qindra vetë nga të dy anët, u plagosën edhe disa gra, viktima të luftës civile. Ne këtë betejë frontale mori pjesë edhe batalioni italian Antonio Gramshi, që qëlloi me artileri fshatin, mandej sumuan partizanët. Dua te theksoj se jo vetem te Brig I por thuajse në gjithë brigadat partizane kishte kontigjente të ish-ushtrisë fashiste italiane te dorëzuar e të bashkuar me Ushtrinë NÇ, të cilët morën pjesë në gjithë luftimet kundër nacionalisteve shqiptarë dhe që u bënë një faktor të fitores së komunisteve në luftën civile.

 Pas luftës ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve në afërsi të Lushnjës, në fshatin Golem, më 21 tetor 1943, ku u vranë 127 vetë, Mehmet Shehu pushkatoi pa gjyq 85 nacionalistë shqiptarë të vetëdorëzuar, që s’ishin tjetër veçse fshatarë të pafajshëm nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese. Rol luajti në këtë masakër edhe D.Mugosha, zv Komisar I Br.I.

Urdhërin për operacionin ushtarak në Starovë e Pogradec e kishte dhënë E. Hoxha qysh më 21 mars 1944. Ai i ishte drejtuar komisarit të shtabit të Brigadës I S, Tuk Jakovës – “Goditja dhe marrja e Pogradecit dhe Starovës. Sikundër që e dini, Starova ka qenë dhe është qendra e reaksionarëve të fëlliqur të qarkut të Korçës…Me një fjalë, Starova është një një çerdhe e ndytë të cilën ne duhet ta godasim rëndë dhe ta zhdukim. Ngaana tjetër, Starova është dera e çetave të Ballit… Për me sulmue Starovën e me veprue duke kap bejlerët dhe djeg shtëpitë e tyre, është patjetër e nevojshme dhe goditja e Pogradecit, ku, përveç suksesit politik që mund të kemi, mund të furnizojmë me veshmbathje dhe me ushqime forcat e Brigadës…”

 Përfundimi tragjik i luftës kunder popullsisë se Starovës me 400 shtëpi, : “Tani, me përjashtim të 5 shtëpive që ishin me ne, te tjerat i dogjëm. Nuk ka më Starovë!”-raportonte shtabi i Brigades I S. A mund te thuhet më, që Lufta Nacionalçlirimtare ishte luftë e gjithë shqiptarëve, një luftë për çlirim, kur në Starovë e Pogradec nuk kishte asnjë gjerman, dhe kur në Starovë komunistët dogjën 395 shtëpi te fshatarëve dhe lanë pa djegur vetëm 5 shtëpi që ishin me LNÇ?!

Në Tiranë nga nga data 28 tetor-16 nëntor 1944, u arrestuan dhe u vranë nga terroristët komunistë qindra qytetarë, jo komunistë: pronarë, tregtarë, intelektualë, që kishin studiuar në Perëndim, botues, qytetarë të theshtë, ushtarakë të karierës etj, pa asnjë vendim gjyqësor, vetëm me listat e zeza partiake. Qëllimi ishte që çlirimi i kryeqytetit të mos i gjente të gjallë.

Masakra ndaj popullsisë së pafajshme janë ato të realizuara nga Brigada V me komandant Shefqet Peçin në Shqipërinë e jugut, të Veriut dhe në trojet shqiptare përtej kufijve politikë. Në Lumë ai pushkatoi 22 lumjanë krejt të pafajshëm, ndërsa vrau në gjithë krahinën malësorë, me motivin e hakmarrjes ngaqë mbështetnin Muharrem Bajraktarin, kur ky luftonte kundër gjermanëve.

Në Martanesh, në Mehmet Shehu urdhëroi pushkatimin pa gjyq të 22 fshatarëve, një nga çdo shtëpi, tok me kryeplakun e fshatit, për hakmarrje pse atje u vra një partizan. Raporti 1/22. Në Fushë-Aliaj të Dibrës brigadat partizane dogjën tërësisht shtëpitë dhe vranë popullsinë e pafajshme si hakmarrje ndaj Halil Alisë. Në Mat bënë masakra kundër legalisteve të Abas Kupit, për të cilin E. Hoxha kishte angazhuar Brigadën e Dytë partizane për ta vrarë. Ai urdhëronte “ Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse në luftën për asgjësimin e Abaz Kupit do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të”

 Lufta civile në qarkun e Shkodrës dhe veçanërisht në Malësisë së Madhe ishte mësymja me e madhe dhe me absurde e forcave ushtarake nacionalçlirimtare, dhjetor 1944- mars 1945, kur kishte mbaruar lufta kundër pushtuesve, s’kishte këmbë gjermani në Malësinë e Madhe dhe Ushtria NÇ u soll atje si ushtri pushtuese, duke kryer edhe krime lufte dhe kundër njerëzimit. Malësia e Madhe iu përgjigj me kushtrimin për të mbrojtur jetën, trojet dhe fenë, siç shprehet prijësi Prek Cali. Korparmata III, Divizioni I me qendër në Shkodër me brigadat I, XXIII dhe XXIV, Divizioni VIII me brigadat XVII, XVIII dhe XXVII, Brigada IV, dy batalione të Brig, XI dhe brigadat e Mbrojtjes bënë mësymje ushtarake dhe masakra në këtë krahinë me tradita të njohura patriotike e liridashëse. Vetëm nga Brigada I u vranë si “mish për top” gjithsej 39 partizanë, bij nënash shqiptare, (14 prej tyre në betejën e Tamarës). Madje Brigada I, për të nënshtruar Kelmendin doli matanë kufirit në Jugosllavi dhe prej andej sulmoi në mes te dëborës së janarit 1945 malësorët që mbronin vatrat e tyre. Malësia e Madhe humbi 137 bij të saj trima të devotshëm. U burgosën 345 burra dhe u internuan 41 familje të shpallura reaksionare kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, Beratit. Malësia u vesh me petkun e zisë. Një lufte civile me pasoja te rënda humbje jete, dënime kolektive politike e sociale.

Në këtë botim është trajtuar ndihmesa e misionarëve dhe oficerëve britanikë në mbështetje të luftës antifashiste, roli i tyre pozitiv, por edhe politikat dilematike dhe shpesh të gabuara të qeverisë britanike, që furnizonte me armë e stërlina komunistet dhe me këto armë komunistët godisnin e vrisnin nacionalistët gjate gjithë periudhës se luftës civile, duke kontribuar kështu edhe ne fitoren e këtyre. Komandanti britanik Uilson i Mesdheut i drejtohet E. Hoxhës “ Më duhet t”ju vë në dukje se armët dhe furnizimet që ju dërgojmë, janë të destinuara vetëm për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t” përdorni këto armë për të vrarë dhe likujduar bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike

 Udhëheqësit komunistë të LNÇ përpiqeshin ta justifikonin dhe ta intensifikonin luftën kundër nacionalistëve me akuzën e kolaboracionizmit, që ishte një mashtrim diabolik jugosllavo-shqiptar. Në këtë vepër është trajtuar me objektivitet tema e kolaboracionizmit gjate Luftës se Dyte në Shqipëri, paraqitur ne mënyrë tendendioye dhe të manipuluar nga politika dhe historiografia komuniste. Midhat Frashëri nuk ka bashkëpunuar as me italianët as me gjermanët gjatë luftës, nuk ka asnjë dokument bashkëpunimi apo kontakti te tij me ta. Vetë fakti që aleatët anglo-amerikanë e zgjodhën Midhat Frashërin si kryetar të Komitetit ” Shqipëri e Lirë” në emigracion më 1949, si figurë e shquar kombëtare, antifashiste, e pastër politikisht dhe properëndimore,është domethënës. Ai nuk pranoi të bashkohej e të bashkëpunonte me ata krerë, që kishin bashkëpunuar me pushtuesit dhe kishin njolla e faje kundrejt atdheut. Ky qëndrim zbulohet qartazi në letërkëmbimin e viteve 1947-1949, veçanërisht ne letrën dërguar Abaz Kupit- “

U themelue Komitetit “Shqipnija e Lirë”, i cili përfaqëson të gjithë ata shqiptarë, që duen me pa në Shqipni nji qeveri demokratike, e cila do t’i sigurojë popullit shqiptar të gjitha liritë politike dhe të drejtat njerëzore që i janë mohue. Një komitet i përbashkët do t`ishte një vegël e çueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni edhe ju se kondita e parë e një organi, që do të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë i formuar prej njerëzish mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër Atdheut? Duhet të kemi parasysh se kundërshtarët e Shqipërisë do të kërkojnë të përfitojnë nga të tilla shkake, për të luftuar të drejtat tona kombëtare. Nga ana tjetër, duhet të mejtojmë mirë efektin katrastofal që do të ketë pranë shqiptarvet, që kanë vuajtur dhe janë dërmuar gjatë këtyre vjetëve të fundit. Qysh mund të paraqitemi përpara opinionit publik krahpërkrah si bashkëpunëtorë me njerëz, mbi supet e të cilëve rëndojnë ngjarje të shëmtuara, që e bënë Shqipërinë një shkretinë, duke përfunduar në gjendjen e sotshme”

Por historiani Uran Butka thekson se elementë te veçantë të organizatës së Ballit Kombëtar, për arsye të mbrojtjes nga terrorizmi komunist, si Kadri Cakrani etj., kanë bashkëpunuar me gjermanët, ashtu siç kanë bashkëpunuar me gjermanët edhe elementë të NÇlirimtares si Gjin Marku etj në kompromisin e Beratit, të Kuçovës etj., pa përmendur këtu kolaboracionizmin e hapur të komunistëve shqiptarë me komunistët jugosllavë në Shqipëri e Kosovë.

 Sipas Butkës, teza komuniste e kolaboracionizmit bije plotësisht po të sjellim edhe faktet që komunistët luftuan e asgjësuan dhe nacionalistët patriotë të paangazhuar në parti politike si Muharrem Bajraktari, Mehmet Ali Bajraktari apo Lëvizja Kryeziu, që luftonin kundër gjermanëve.

 Të gjithë ata që u vranë në këtë luftë civile janë viktima te saj, por fatkeqësisht gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist madje edhe sot, mjaft nga viktimat e Nacionalçrimtares u shpallen dhe u nderuan si dëshmore e heronj si Zonja Çurre, Myslizm Shyri, Fejyi Bolena, e shume të tjerë, që u vranë në luftën e shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ndërsa viktimat nga ana e nacionalisteve dhe banorëve te pafajshem jane trajtuar si reaksionare, kriminele, kolaboracionistë, edhe kutr jane vrarë nga pushtuesit italianë e gjermanë si Jashar Cakrani, Selfo Hekali, Mustafa Dervishi, Skender Muço, Yzeir Ismaili, apo të vrarë nga serbet si tiranasi Hamit Troplini, apo Marie Shllaku në Kosovë etj

 Tjetër falsifikim i luftës së Dytë Botërore ne Shqipëri, por edhe i Luftës civile, është edhe numri i dëshmorëve te Nacionalçlirimtares, që është propaganduar me pompë nga politika dhe historiografia komuniste në 28.000, ndërsa e vërteta qëndron krejt ndryshe, sipas hulumtimeve të deritanishme. Sipas studiuesit Dr Teodor Kareco, ish funksionar i PP, por studiues objektiv i luftës, numri i dëshmorëve partizanë te vrare nga Gjermanët është 1514 vetë, nga gjermano-ballistet 275, nga italianet 207 nga nacionalistet 1067, te vdekur 310 etj gjithsej 3442 vetë. Kjo shifër është e përafërt me atë që shënohet edhe në Fjalorin enciklopedik, ribotim i vitit 2009 për 2397 dëshmorë gjithsej, sipas statusit te Dëshmorit te Atdheut.

Historia e Popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e trevat e tjera shqiptare, duhet rishkruar mbi bazën e dokumenteve dhe me një interpretim shkencor bashkëkohor.

 Historiani Uran Butka, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim, konkludon në librin e tij-“Lufta Civile është ana e panjohur, pjesa vetëvrasëse e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Duhet ta nxjerrim nga heshtja, ta njohim e të reflektojmë ndaj saj, duke kapërcyer mosmarrëveshjen, mitet e rreme dhe urrejtjen, shfaqjet e reminishencat e frikshme që rrezaton ende ajo luftë; duhet të çlirohemi nga pengjet e tabutë e së shkuarës, deformimin e historisë, për të kuptuar më mirë gjendjen tonë të sotme dhe për t’i bërë ballë si qytetarë plotësisht të lirë e me vetëdije të qartë të nesërmes. Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftërat e vazhdueshme, traumat e mënxyrat që kanë përjetuar, por edhe nga mashtrimi i madh gjysmëshekullor dhe leximi i keq i historisë, i cili vazhdon edhe sot, kanë nevojë më së shumti për të vërtetën”.

Exit mobile version