Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ballsor Hoxha: Fëmija i brendshëm – pajtimi i poetes

Ballsor Hoxha: Fëmija i brendshëm – pajtimi i poetes

“S’e paskëshim ditur bukurinë tonë”, Ardita Jatru

Blu e thellë vetmia/ sy fëmijësh që shtiren sikur flenë/ e nga balli u buçet drita

Kjo hyrje e përmbledhjes së Jatrusë në bukurinë e saj sikur krijon një takim të pritur me padurim me poezinë e saj, ndërmjet lexuesit dhe autores, takim që në vete përmban, “blunë e thellë të vetmisë” e që në lexim vjen si blu e fëmijërisë së një dhembjeje të thellë, tej të zakonshmes, por që del vetëm ndan bukurisë së thellë po ashtu, të veçantë, dhe të pranishme në at që poetizohet këtu.

Blu e cila, është vetmia e poetes, dhe në të njëjtën kohë është fëmija i brendshëm, vetë fëmijëria, blu/vetmi/fëmijë i brendshëm që në të njëjtën kohë simbolizon një qetësi poetike me të cilën përballet autorja shpesh në poezitë e saj (si Pajtim), por e cila është aq e ndërthurur me tërësinë e jetës dhe përjetimit të saj, sa që, më nuk ka dallim kush është kush.

Në të vërtetë, duke iu referuar këtij parateksti, këtij takimi, në kontrastin që ajo përmban, që krijon ndërmjet vetmisë si “blu e thellë” dhe të “dritës që buçet” paradoksin e vetmisë së ngujuar diku, diku ku nuk arrin poetja përpos shpirtërisht, e ku e njëjta ka vullnetin e saj, të dalë aty ku zgjohet poetikja dhe aty ku lind, në të vërtetë poetikja.

Aq më shumë, brenda vetmisë shfaqet gjurma e kohës së ndaluar – fëmijëria – që, ndërsa ne e marrim kohën për rrjedhë, ajo në të vërtetë, në poezinë e Arditës, koha e saj duke pas qenë e mbetur në fëmijërinë e saj të ndaluar, tanimë është e ndalur pikërisht në shenjën/vragën e njeriut, dhe jo që rikthehet, jo që ri-mocionohet, ri-rrjedhë, por mbetet aty, pikërisht në fëmijëri.

Në këtë përmbledhje të Ardita Jatru me secilën poezi të veçantë, e që të mbanë në “zbulime” tërë kohën, të poetikës së saj, ndërthurur me psikën dhe ndërdijen e saj, sikur në një hulli shtjellimi të përpjekjes së aktuales së poetes me fenomenin përballë, vlon jo vetëm pasioni i saj por gjithashtu edhe këta sy fëmijësh nga bluja e thellë, që, për të bukurën e kësaj përmbledhjeje, janë në secilën poezi të saj.

Shtresa e saj e parë gjithnjë duke qenë reflektimi i saj me dhe për veten, kudo dhe si në pasqyrë, si në poezinë tejet të arrirë “Kam patur kohë të mendoj gjatë”. Kjo është komike, ironike dhe filozofike në të njëjtën kohë,  një gjetje tejet interesante, ndërsa njeriu gjithnjë në historinë e njerëzimit ka pasur për ankth mungesën e kohës së “mjaftueshme”. Poetja në këtë e matë kohën, e jo koha atë, poetja luan me kohën ndërsa ajo është kriza dhe ankthi i njerëzimit, poetja e jep në përmasë kohën, derisa ajo është, si që thonë, dijetarët, e paskajë. Sikur koha është një mbulesë e saj, në vetminë e saj, dhe në këtë ajo “me sytë e fëmijës brenda saj, të hapur gjithsesi, sheh rruzullin në – personifikim – të refleksionit të saj,  të paqenë, të ndodhur, të huaj, të panjohur, por edhe të Pajtuar”. Në të vërtetë tërë përmbledhja “S’e paskëshim ditur sa të bukur ishim” ka një dinamikë të lojës me Pajtimin, jo vetëm me veten e kohën e shkuar, por edhe me kohën e mbetur, Pajtimin me të humburën, të pandodhurën, gjithashtu.

Pastaj shfaqet dhe shtresa (perspektiva) e të ‘luajturit’ më zjarrin aq guximshëm dhe aq me mjeshtëri, e që është shpërfaqja e mungesës, fëmijërisë dhe shtresave të saj. Por kjo në të vërtetë është me dy kahe, në poezinë e saj: në njërën anë është fëmijëria që nxjerrë kokën në çdo gjë, dhe në çdo hap të poetes, pa mundësi të fshehjes së saj duke personifikuar veten në çdo shikim të poetes; dhe në anën tjetër, që është shtjellimi i dhembjes së fëmijërisë së paqenë, të pandodhur, por që poetja e – personifikon – në vjeshtë, në dhembje, në atdheun e munguar etj, që ka filluar si pleqëri sipas poetes, por që ndryshe do të mund ta njihnim si durim, apo Pajtim, dhe ta quajmë me kusht filozofia e Jatrusë. Gjë që kur e lexojmë, apo shijojmë, nuk është dhe aq fëmijërore dhe jo dhe aq e magjishme, apo që duhet bërë të magjishme për të mashtruar këtë vetmi në kohën e tashme. Në të vërtetë këtu është dinamika e lojës së fëmijës brenda saj, që luan me poeten, duke reflektuar botën ne vete, dhe veten në botën, gjë që është pikërisht – mungesa – e të pandodhurës, fëmijërisë së pandodhur, me të cilën edhe ushqehet poezia e Jatrusë, por edhe reflektohet.

Në poezinë “Xhaketë e kopsitur gjer në fyt”, në strofën e parë, është kujtim, jo më fëmijëri që nxjerrë kokën për të parë botën, nëse është ende aty, dhe në këtë kujtim lexojmë:

Njerëzit i mendoja se ishin një xhaketë e kopsitur gjer në fyt.

Më dukej ajo veshje njëfarë integriteti i pathyeshëm.

Asgjë jashtë vetes.

Mbytu brenda teje, më këshillonte nëna.

U gatova me kapak të mbyllur”.

Ndoshta duhet pyetur pas kësaj strofe të kësaj poezie, ku buçet ajo dritë në sytë e “fëmijës” në vetminë e saj ndërsa duhet “mbytur në vete” me porosi jo nga dikush tjetër përpos vetë nëna? Ndoshta, duhet thënë se nuk buçet gjithherë, dhe duhet vazhduar “mbytjen në vete”, apo ndoshta si që vazhdon po e njëjta poezi, është një përballje dhe përleshje me dhembjen e kësaj jete, që të lë me cep të “shqyer të buzës”.  Por, sigurisht kjo është vetë fëmijëria e saj, që mbytet në veten e tiranizuar, sikur i tërë kolektivi, i cili po ashtu duhet mbytur në “vete”. Më tutje kjo këshillë “Mbytu brenda teje” është një këshillë që zgjedhë ndërmjet dy të këqijave të paikshme, ndërmjet dy ferreve, dhe dy përjetimeve, ku “ajo jashtë vetes” është përtej mbytjes. Dhe aq më shumë ky fëmijë, në tërë çudinë e të mbijetuarit, “brenda vetes” tërë këtë kohë flet, jeton dhe përjeton botën, e cila nuk kishte ndodhur për atë, dhe aq më shumë kishte munguar.

Pastaj gjemë dhe një shtresë tjetër në poezinë e Jatrusë, që është një përpjekje për filozofi personale mi jetën dhe qeniesimin. Si që është poezia e parë “M’u desh të luftoja një herë për drejtësi

…kjo botë ka gjëra më të tmerrshme, që s’i ngre dot as me dy krahë…

Në këtë shtresë, personifikimi, si mekanizëm i shtrirjes së brumit poetik, dhe përmbledhjes së tij, luftohet, luftohet ndërmjet arsyes dhe zemrës me gjithë plagët si humbja e njërit krahë, dhe edhe bisedohet me të vdekurit, u dërgohet, dhe pritet të merren letra nga ta, gjë që është shenjë e, prapë, mungesës, qoftë të mungesës së një jete të prerë në mes ndërmjet fëmijërisë dhe aktualitetit. Dhe si në çdo luftë gjymtyrët humben, gjymtyrët mungojnë, dhe ato edhe krijojnë mall, jo për heroizmin e luftës, por një pajtim (që është ndoshta boshti i tërë përmbledhjes, Pajtimi me veten, dhe me botën, të mbetur kështu si është) me këtë përpjekje, të vetes, dhe shfaqjes së fëmijës në mes buçitjes së dritës dhe thellësive blu.

Gjë që më tutje në poezinë vijuese këtu, që është ndoshta edhe nga më të bukurat, por edhe në një mënyrë, tejet e kujdesshme për fëmijën e tronditur nga shfaqja pikërisht e saj, kësaj fëmije, në botën aktuale!

“Mall i habitur mbi degë – “Eci ndanë lumit dhe shoh/ fytyrën e përkryer të vjeshtës si fëmijë/ sypraruar, të ulur në tokë/ dhe mendoj veten/ ka raste kur nuk ndihem e sigurt/ për dashurinë tënde/ për trishtimin tim të lindur/ për shpirtin e të vdekurve – a më ndiejnë/ për asgjë// Jam kaq e brishtë// …/ Sa e vockël zemra e atij që merr masat e trupit// Të thotë: krahun e majtë e ke më të gjatë/ dhe shpatullën më të gjerë nga armëmbajtja//…”

Arsyeja e ndaljes në këtë poezi është se ka një mënyrë krejtësisht unike të trajtimit të vjeshtës – personifikimit – të saj nga syri infantil, e që është në disa ngjarje, kështu duke filluar më një bukuri të rrallë poetike, “shoh fytyrën e përkryer të vjeshtës si fëmijë, sypraruar ulur në tokë” gjë që në të vërtetë është tejet e çuditshme (dhe atë në tërë përmbledhjen), duke qenë se poezia konvencionale kur e personifikon me fëmijëri natyrën ajo e merr për shembull pranverën apo verën, gjallërinë e diellin etj. Por Jatru na udhërrëfen tutje në këtë përjetim të saj, duke shkruar “… dhe mendoj veten: ka raste kur ndihem e sigurt, për dashurinë tënde, për trishtimin tim të lindur… për asgjë. Jam kaq e brishtë.” Sigurisht ka shumë mënyra si mund të lexohet kjo pjesë, por unë do të zgjedhë atë që ka të bëjë me – takimin – e saj autorial, me atë të jetës gjatë fëmijërisë së saj me vdekjen e kudondodhshme, dhe të afërt, në afërsi të fëmijës që ishte Jatru. Por, si është kjo, të shohim të personifikuar “vjeshtën aq bukur në fëmijë”, e pastaj të “dëgjojmë veten në pyetje kaq të thella, kaq filozofike dhe të paskajë, por që mbajnë tërë tmerrin e kësaj fëmijërie të përjetuar. Kjo është një prej gjetjeve më të bukura dhe më të thella, që edhe është e shpeshtë në poezinë e Jatrusë, si përballje me veten, gjatë tërë kohës, përballje me “të qenit e sigurt për asgjë”.

Pastaj në pjesën e dytë të zgjedhur të po kësaj poezie, ne (apo vetëm unë si lexues) mbetem në infantilen e këtij përjetimi, “zemra e vockël e atij që merr masat e trupit… krahun e majtë e ke më të gjatë, dhe shpatullën më të gjerë…”, në tërë ndërdijen e kësaj poezie jemi sikur fëmijët që luajnë edhe rrobaqepësin, dhe aq më shumë janë dëshmitarë të tërë asaj që ne e fshehim, si të rritur, e që është vetë bota e zhveshur prej sajesave tona.

Në poezinë “Deri atëherë mendoja” – “Deri atëherë, mendoja/ se dhimbja nuk ndërron shtëpi/ gjersa një ditë/ vëllai më mësoi si shpërngulet dhimbja/ në një tjetër vend// …/Tani rrëshqet e fyer shpirtërisht/ në një tjetër qoshk/ dhe mbulon kokën me kuvertë/ e qan nën zë//

Dhembja është banore me certifikatë në atdheun e saj, dhembja me strehë e shtëpi, ndoshta në këtë është dhembje që ka rrënjët, që ka habitatin, dhe atdheun e saj, e në këtë poetja i ndërron vendbanim, e shpërngulë, dhe ajo si një krijesë, edhe si që njihet në termet ndërkombëtare të psikologjisë – uncunny – (e çuditshme, e pazakoshme) që bëhet një e njohur e panjohur në vendin e vetë, apo kur e njohura shndërrohet në të panjohur, apo si në rastin e kësaj poezie ajo “fyhet shpirtërisht… dhe mbulon kokën me kuvertë, e qan nën zë”.

Ka aq shumë shtresa në poezitë e kësaj përmbledhje, që megjithatë, qëndrojnë, krijojnë qëndrueshmërinë e tyre në jetën e Jatrusë, por në të cilat sikur zënë strehë, vdesin e lindin, sezone, ngjarje, pjesë të jetës, e dhembje aq më shumë, dhe që shndërrohen sikur “vjeshta” që merr frymë përmes poetes,pra shndërrohen pikërisht në vjeshtë “Erëmojnë mushkëritë e vjeshtës nga goja ime.” (Poezia – Myk dhe limon)

Pjesa e dytë – Cikli i dytë

Ndonjëherë as pema nuk i duron dot rrënjët e saj. Ndonjëherë dhe ajo humbet arsyen”.

Në udhërrëfimin për në ciklin e dytë, të fundit të përmbledhjes së saj me poezi, Ardita Jatru, shprehë dhe shpallë konfliktin që bartë, në vete, në rrënjët, në të kaluarën, në lidhjen e kësaj të kaluare dhe në premtimin që jep kjo e kaluar, vetë përhumbjen e arsyes. Në të vërtetë kjo, përhumbja e arsyes, është parathënë edhe në ciklin e parë, në përsëritjen e tragjedisë së përhumbjes së arsyes, vetë dhe të personazheve që sillen në këtë univers të saj. Ajo më herët në ciklin e parë poetizon për kokët e “humbura”, si në këto vargje: “Vetëm pacientët e spitalit të rehabilitimit nuk flenë… të rreshtuar futen një nga një në raketë për të fluturuar në një kokë më të bukur”. (Spitali i rehabilitimit). Por do të pyeteshim, ku është ajo kokë e bukur, ku flenë, ku jeton, ku gjallëron, e pse i duhet një raketë, apo në të vërtetë nuk ka më vend në këtë botë, e tëra është në “rehabilitim në spital”.

Në këtë konflikt, apo paradoksalisht, Pajtim, Ardita prapë i kthehet Atdheut, prapë i kthehet vjeshtës, dhe asaj që rezonojnë këto të dyja bashkë, me fëmijën brenda saj, duke personifikuar të tërën: “Thellë në stomak e ndjej/ atdheun e vjeshtës:/ ka ulur trarët// Nuk e di në e mendoj/ a më mendon ajo// Ç’ka ngjarë/ ka gjasë ta kem harruar/ ose harruar jam prej saj vetvetiu// Zbraz kokën e mbushur me jetë të vogla/ të qeshura të mjegullta në formën e këpucës ia behin// Më është rritur këmba, nuk më hyn në asnjë kujtim// (Poezia – Atdheu i vjeshtës)

Prapë vjeshta në poezinë e Jatrusë, prapë rënia dhe ulja dhe qëndrueshmëria në pyetje, në dyshim, në dilemë. Por, është ambiguitet kush kë e mendon, kush kë e reflekton, e kaluara e poetes në atdhe, apo poetja në aktualen e saj të kaluarën, dhe më nuk ka vend për kujtime, vazhdimisht duhet mbajtur, mirëmbajtur jetën aktuale, për të mbajtur të gjallë, të pranishme jetën, nga e kaluara. Por Poetja e pranon, (prapë Pajtimi) se “ka gjasë ta kem harruar”. Pastaj më tutje në këtë temë, kemi vargjet aq të bukura të Arditës, që e bëjnë aq të dashur këtë dhembje të saj “Gjithnjë zgjedh të blej në dimër atdheun e të shkuarës” (poezia – Hurma në çantë)

Pastaj në poezinë ndër më të bukurat e kësaj përmbledhjeje gjejmë një strofë si “U rrëzova nga fotografia dje// gjeti mami sot poshtë krevatit/ vendosi prapë fotografi e më tha duke qarë nga gëzimi/ Mos luaj më kukafshehtas, se bëhem merak!//”, që do të thotë, ndoshta poetja jeton, apo aq më shumë përjeton në dy habitate, duke aktruar në jetën e përditshme dhe duke përjetuar në të kaluarën, e saj, në atdheun e saj. Gjë që është aq e ndjeshme, sa që bashkon dy prani, dy kontekste dhe dy universe në një ndodhi, është aq e ndjeshme, sikur që ndodhë në përjetimin infantil, pa një kornizë të të mundshmes, pa një kornizë të realitetit kornizues. Mirëpo, Pajtimi, megjithatë ndodhë për poeten, dhe diku kah fundi arrin ai në vargjet si ky “Më pëlqen kjo gjendje/Unë dhe unë//” (poezia – Në Zgrip të harresës).

Në përgjithësi, janë dy shënjime që e bartin poezinë e Ardita Jatrusë, – mungesa – që në teori thuhet se është universale për njeriun, dhe aq më shumë që në poezinë e Ardita Jatrusë mishërohet në shenja si atdheu, dhembja e personifikuar, vetmia, reflektimi i vetes në botë dhe aq më shumë është fëmija i brendshëm, i ruajtur, i mbrojtur, dhe i rritur me mundim, në thellësitë “blu” dhe me sytë hapur të këtij fëmije të brendshëm.

Aq më shumë po kjo e bën atë, një poezi tejet të veçantë, e cila vazhdimisht është në përpjekje të takimit të fëmijës së humbur, fëmijës së gjetur, dhe fëmijës së brendshëm që jetoi “mbytjen në vete” e tash përpiqet të shpëtojë poeten nga “rënia në rutinën e paqes”, në rutinën e gjërave që e rrënojnë pikërisht këtë dhembje që poetja e ka kaluar në diçka tejet të bukur. Është luftë, është dinamikë dhe është mungesë që ngjallë dëshirën për të konfirmuar, jo vetëm veten, por edhe poezinë, është edhe poezi për të ruajtur poezinë vetë, për të çmuar, qeniesimin, përmes poezisë.

Exit mobile version