Kreu Letërsi Shënime mbi libra Enver S. Morina: Sërish vjen gushti dhe drama e Ana Magdalena Bach-ut

Enver S. Morina: Sërish vjen gushti dhe drama e Ana Magdalena Bach-ut

Romani “Shihemi në gusht” i kolumbianit Gabriel García Márquez është botuar në shumë vende të botës me 6 mars 2024. Edhe në shqip të cilin e përktheu nga origjinali Mira Meksi. Protagonistja Ana Magdalena Bach-u e viziton ishullin me 16 gusht në të cilin vend ndodh befasia e pritshme dhe e pashmangshme. Një “alibi” e cila sikur do të ngërthen edhe nënën në përngjasim…


E tëra mund të ndodh në gusht, mund të thotë shumica apo Dikushi. Përherë është muaji i nxehtë, por jo ditët më të gjata se të korrikut. Me shkrimtarin, mund të shihemi në gusht. Mund të jetë nga muajt më të gjatë. Po, po më i gjati, sepse ka 31 ditë. Apriori është redaktori që na përgatit për lexim të një teksti. “Puna e një redaktori nuk është që të ndryshojë një libër, por që ta bëjë më të fortë me atë që ndodhën në faqe.”, shkruan Cristóbal Pera në shkurt 2023. 

A lexohet në gusht? Vapë që ka përfshirë edhe zonat më të thella kontinentale. “…përballë një deti në flakë.” (faqe 13). Zjarri ka zbritur në bregun e detit. Në rrëfimin e Márquez shëmbëllen vet ai.

Situata e papritur dhe vetmia e Ana Magdalena Bach-ut

Ndërgjegjësimi i situatës, në kërkim të çastit të pamëshirshëm të kënaqësisë portretizohet në vetën e tretë: “…ajo e vëzhgonte pa mëshirë.” (f. 23)

Epilogu i një takimi të paparashikuar vjen me bindjen e lehtësimit njerëzor.

“-Më në fund, -tha ajo pa mëshirë,- diçka që nuk ka lidhje me nderin.” (f. 30)

Fortësia me delikatesë. Përvoja për të bërë të lumtur një grua. Po nderi?

Është roman i situatës i cili është ndërtuar nga një përvojë e vështirë për ta shfaqur. Si një vegim i çastit të tëra takimet e Ana Magdalena Bach-ut pas leximit “të parë” sikur i vishën nënës së saj. Bashkëngjizja e saj me “skeletin e nënës”, siç thotë autori “e pa veten identike”, është paradigma e një akti të tërë që civilizimi ia ka mveshur procesit të lindjes dhe vdekjes në pafundësi variantesh përjetimi. Në takimin “e parë” te Ana Magdalena Bach-ut, dhe sipas bisedës me Atë, ishte frymëzim, është nder gërshetuar me dilemën e kënaqësisë.

-Ishte frymëzim, -tha ajo.

-Ku vjen nga një grua si ju, – tha ai, – është nder.

-Ah, – e shpotiti ajo, – Nuk ishte kënaqësi?” (f. 28-29)

 E gjitha “pa mëshirë”. Konsideroj se rrëfimi mjeshtëror i dyzimit të brezave, të fenomenit hyjnor të aktit qëndron në artin e shkrimtarit G. G. Márquez-it. Një natë në vit, nga mosha 49 vjeçare deri në të 50-tën vjen tek lexuesi gjendja shpirtërore e një familje të tërë e cila pa asnjë “mungesë” trashëgimie hyn “pa mëshirë” në zonën e flaktë të përjetimit, si një virgjëri e përgatitur me shekuj.

Roman apo gjashtë tregime dhe mësim nga pësimi i Ana Magdalena Bach-ut

Tregimi i parë, pjesa e parë e ka përfundimin. Ka intrigë, ka mesazh, ka fundin e mbështjellë me të gjitha anët e vijëzimit dhe rrjedhën e një tregimi të plotë. Prandaj lexuesi vë dilemën e zhanrit rrëfimtar. Roman a gjashtë tregime që kanë të bëjnë me një temë delikate e cila thjeshtësohet në një përditësim të nevojshëm për takim.

Një lexim të shkëputur tregimi a pjesët nga njëri tjetri. Nëse Márquez e ka botuar pjesën e parë si tregim në vete a tregimin e parë të librit që në vitin 1999 pse mos ta rilexojmë 6 tregime që mund të bëjnë një roman apo një roman në të cilin ngërthehen, bashkëjetojnë 6 rrëfime?!

Një çast, një natë jo për të ndryshuar botën, por vetëm veten. Pësimi do bëhet mësim? “… iu deshën ditë më radhë për t’u bërë e ndërgjegjshme se ndryshimet nuk qenë të botës, por të asaj vetë, se përherë kish kaluar nëpër jetë pa e vështruar dhe vetëm atë vit kur u kthye nga ishulli nisi ta shihte me sytë e mësimit nga pësimi.” (f. 37) Të kujtosh është të ndryshosh. Vijimësia nuk e përballon dot. Dyzimi ndodh në fund. Identifikimi pasqyror me nënën.

Damka “e tradhtisë” e të bërit të lumtur nga dikush tjetër si akt i dytë: “… atë vit, kur ishte kthyer nga ishulli, pati përshtypjen se mbante në ballë një damkë që të gjithë meshkujt e shihnin dhe që  s’mund të kalonte pa u vënë re nga dikush që e donte aq shumë dhe të cilin ajo e donte më shumë se këdo.” (f. 48) pas të parit të mësimit nga pësimi. Vizita e fundit në ishull e kishte ndryshuar. Përveç thithjes së duhanit ajo “muaj me radhë mbeti në vend me leximin e Antologjia e letërsisë fantastike nga Borges-i, Bioy Casares-i dhe Silvia Ocampo-s.” (f. 49).

“Zhvoshja erotike” dhe protagonistja e rolit të saj e Ana Magdalena Bach-ut

Në pjesën e tretë mësojmë për udhëtimet e Anas në ishull. I treti me radhë. Po udhëtimi i dytë? “Ai i vitit të dytë kishte një modernizëm mbytës që përfundonte si moralizim mesjetar.” (f. 70). Në pjesën e tretë për vitin e dytë!

Përgatitje për ankth. Një fjali e thjeshtë. Gruaja kërkon. Gruaja ndizet flakë edhe në vaskë.  “E lumtur, mori në telefon të shoqin dhe i briti të vërtetën:

-Nuk e imagjinoni dot sa shumë më mungon.” (f. 55)

Një faqe, një krahasim “horizontal”. “… e zhveshi nga rrobat një për një, me majën e gishtërinjve dhe pothuaj pa e prekur, sikur të zhvoshte fletët e qepës.” Po të ishte zhvoshje e fletëve të kollomoqit (misrit) do ishte maestrale. Do ishte në këmbë.

Procesi kinematografik (“me mjeshtërinë e një regjisori”) kthehet krahasim në rrethin vicioz të diskursit të rrëfimit. Mjeshtëria e afrisë dhe protagonizmi i përvojës së përjetimit. “Ajo u fut në lojë, jo si vetvetja, por si protagonistja e rolit të saj.” (f. 62)

Përherë në tekst mund të nënkuptojmë se shëmbëllimet e ngjarjeve, identikiti (identikiti-përkthim i Mira Meksit) i personazheve ka përngjasime nëpër vende. Përherë veprat në prozë janë rrëfime fragmentare që përbëjnë një tërësi. Sa herë kam lexuar Márquez-in kam gjetur përftime analogjike me Ballkanin dhe hapësirën shqiptare. Sikur Markez shkroi për traditën dhe ritet shqiptare në bisedën mes Ana Magdalena Bach-ut dhe doktor Aquiles Coronado-s:

“-Çfarë tmerri, -tha ai, -Tani takohemi vetëm nëpër dasma dhe varrime.” (f. 68) Kjo është duke ndodhur tek ne paslufte e në veçanti pas pandemisë. Takimet po mungojnë edhe në promovime librash të rinj!

Dy aventura në “ndjekje” dhe mirazhi i Ana Magdalena Bach-ut

Personazhi kryesor tashmë ka hyrë në vorbullën e provës së kënaqësisë “tjetër” dhe me Tjetrin.

Aventura e parë– rastësi fatlume të cilën e zgjodhi vetë, shkoj dëm nga shija e keqe e njëzet dollarëve…

Aventura e dytë-ishte e zgjedhura, shpërthim zjarr e flakë kënaqësie e mbinatyrshme…

“… ishte i lumtur vetëm kur bënte dashuri me të shoqen në errësirë duke menduar për Ana Magdalena Bach-un.” (f. 74) Më mijëra raste mund të këtë. Po t’i ngjanin fëmijët aktit të dashurisë, sa e sa do ti ngjanin të tjerëve!? Sa realitet shëmbëllimi vepra e Márquez-it.

Fajësia, mospendimi dhe tejkalimi i një “tradhtie” bashkëshortore tregohet me gjuhën e figurshme letrare përmes njësisë së frazeologjisë dhe fajësisë përmbyllëse:

Megjithatë, ngase zërat këmbëngulnin, i la pataten e nxehtë në duar me një formulë vdekjeprurëse:

-Po dëgjova gjë për ty, është faji yt.” (f. 79)

Shëmbëllim:

Porse në orën e së vërtetës i hëngri ato që kish thënë:

-Nëse të them jo, jam i sigurt që s’ke për ta besuar, -tha ai, -dhe nëse të them po, nuk ke për ta duruar…” (f. 81)

Shëmbëllimet e afria mes nënës dhe Ana Magdalena Bach-ut

Rrjedha e rrëfimit, sipas edhe moshës së pjekurisë filloj të “bije”. Dita e përvitshme në kërkim të takimit. Vizita e Anës tek varri i së ëmës në ishull tashmë ka marr përmasa dramatike. “Intrigat” dhe të dhënat tjera pasiononte të së ëmës tregojnë për një dashuri përtej përjetimit të vetvetes. Është autori ai që rrëfen dhe e vë personazhin në dilemat e zgjedhjes së karakterit dhe veprimeve që e tejkalojnë imagjinatën, por që në realitet ato ndodhin në përmasa të papara, të paparashikuara. Ana e vë veten tej dhe bashkëdyzohej me të ëmën: “Gjykoi se arsyeja e së ëmës mund të ishte e njëjtë me të sajën dhe u çudit nga ngjashmëria. Nuk e ndjeu veten të trishtuar, por të gjallëruar nga zbulesa se mrekullia e jetës së saj ishte të vazhdonte atë të mamasë së vdekur.” (f. 112)

I tërë libri pa fjalë të urta, pa sentenca po me një thellësi përshkrimi. Rrëfimi márquez-ian e tejkalon jetën reale, futet lehtazi në mbretërinë e pafundme të vdekjes për të shquar e veçuar dhe për të përshkruar portretin autobiografik shpirtëror të Ana Magdalena Bach-ut përmes krahasimit imagjinar, veprës, dashurisë së Nënës. “Roja dhe varrosësi që pajtoi e zhvarrosën arkivolin dhe e hapën pa mëshirë me mjeshtërinë e një magjistari panairi. Atëherë Ana Magdalena e pa veten në një arkë të hapur si në një pasqyrë sa një shtat njeriu, me buzëqeshjen të ngrirë dhe me krahët kryq mbi kraharor. E pa veten identike dhe në po atë moshë që kishte atë ditë, me vellon dhe kurorën me të cilat ishte martuar, diademën me smeraldet e kuqe dhe unazat e martesës, siç e kishte rregulluar e ëma me frymën e saj të fundit. Jo vetëm e pa siç kish qenë në jetë, me të njëjtin trishtim të pangushëllueshëm, por edhe e ndjeu se ajo po shihte nga vdekja, e dashur dhe vajtuar prej saj, gjersa trupi i shpërbë në vetë pluhurin e tij të fundmë dhe mbeti vetëm skeleti i ngrënë që varrosësit e pastruan nga pluhuri me një fshesë dhe vendosën pa keqardhje në një thes eshtrash.” (f. 119)

Femra ishte ajo idealja e përkryer e kuptimit të dashurisë.

Femra qoftë edhe përmes vdekjes ringritët për të na dhënë kumtin e jetës së të tjerëve të gjallë, mesazhin se “është e vetmja që e kish kuptuar kur vendosi që ta varrosnin në ishull.”

16 gushti nëpër vite dhe dyzimi mitik i Ana Magdalena Bach-ut

Përjetësia e një përfundimi të plotë e final tregohet përmes monologut të dialogut, mes Anas dhe Domenicos, “të fshehtat e tyre” që i shpalos nuri i një të vdekure qëmoti, eshtrat e të cilës tashmë po i bashkohen edhe mishi i vajzës Ana.

Oh sa ditë e lumtur që lexuesi ka vetëm një 16 gusht dhe ai në Ditën e premte, një skelet rrëfim për t’i ngjarë 16 gushtit të Ana Magdalena Bach-ut dhe një pyetje për përgjigje në ditarët e paktë të tyre: Po me 16 gusht 2024 në vitin e botimit “të pautorizuar” nga autori të romanit “të shkurtër” a të gjashtë tregimeve me personazhen Ana Magdalena Bach-u ku gjendet lexuesi?!

Në romanin e shkurtër “Shihemi në gusht” erotika i ka lënë vendin pa bujë dramatikes. Nuk është kjo përplasje, përkundrazi autori sikur e ve duelin në shtrirje të përhershme që nga gjeneza: “Tradhtia” e gruas ndaj burrit dhe anasjelltas apo e të dyve njëkohësisht duke e ruajtur të balsamosur në pafundësi.

Përpëlitjet e fundit të një shkrimtari buzë greminës, në të cilin pafundësi tashmë janë edhe gati të gjithë fituesit e Nobelit për Letërsi, përmes kujtesës në shuarje vjen bëftë tek lexuesi në një çast përvjetori. Të shpeshtën e herëve janë ngatërruar në kohën e ngjarjes me intrigën e diskursit të leximit. Për shembull pse duhet lexuar romani i Ismail Kadaresë “Prilli i thyer” në stinën e pranverës? Njësia e kohës në romanin e Márquez është paradigma dhe rekonstruksioni i thelluar i harresës. Është çasti i vdekjes së nënës. Në kujtim të saj. Dhe ndodh dashuria duke mos e tradhtuar as veten në zonën e nderit.

Gara e personazhes kryesore për ta gjetur Atë “të parin” tashmë është i njohur në leximin e parë. Është shkrimtari që ndërmjetëson që të shihemi në gusht për të na dhënë një nga perlat më magjike të rrëfimit me dy fjali, gërshetim mes ekzistencës dhe kujtesës kur “Ana Magdalena e pa veten në një arkë të hapur si në një pasqyrë sa një shtat njeriu, me buzëqeshjen të ngrirë dhe me krahët kryq mbi kraharor. E pa veten identike dhe në po atë moshë që kishte atë ditë, me vellon dhe kurorën me të cilat ishte martuar, diademën me smeraldet e kuqe dhe unazat e martesës, siç kishte rregulluar e ëma me frymën e saj të fundit.” (f. 119)

Rileximi i romanit të Markezit rëndohet dhe njëkohësisht lehtësohet sa herë i kthehemi alibive të personazheve Ana Karenina, Zonja Bovari a vet çastin e Anhela Vikariojas tek “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” kur shpjegohet se “i ati , Ponso Vikario, ishte një argjendar i varfër që e kishte humbur të pamat duke punuar ditë e natë filigrane ari për të ruajtur nderin e familjes.” (faqe 26 te “Kronika…”)

Në “Fjalorin e kritikës moderne” ka vepra që “mund të krijohen e përdoren me durim dhe ndjenjë shpikjeje për vetëshprehjen individuale.” Dhe pikarritja “një trajtim më i përdorshëm i origjinave të kënaqësisë, është analizimi i përvojës, ku nganjëherë dëshirat tona janë konfirmuar, e herë tjetër janë surprizuar prej tekstit…” (“Fjalor i kritikës moderne”, përgatiti Durim Taçe, faqe 142, Tiranë, 2000)

Për perlën në prozë, të fundit “Shihemi në gusht” të shkrimtarit Gabriel García Márquez, apriori “i pakryer” amaneti i autori nga pasardhësit, bijtë Rodrigo dhe Gonzalo García Barcha, kanë shkruar si për asnjë roman tjetër të njohur në letërsinë botërore për shkak të datës së botimit. Edhe ribotimet në të ardhmen duhet bërë po në atë datë dhe me tirazh 365 copë sa ka ditë nga marsi te marsi tjetër, nga gushti në gushtin tjetër?!

Për lexuesit: sërish vjen gushti.

Prishtinë, gusht 2024

Exit mobile version