Kreu Intervista Prof. Bavjola Gami Shatro: Përderisa letërsia shkruhet, jeton dhe përcjell, studimit i...

Prof. Bavjola Gami Shatro: Përderisa letërsia shkruhet, jeton dhe përcjell, studimit i duhet të mbajë ritmin

A.D.: Shtëpia botuese Lexington Books në SHBA ka botuar sëfundmi monografinë tuaj Studime rreth vetëdijes së humbjes në letërsinë bashkëkohore shqipe; Zëra që kthehen nga humnera. Bashkë me përgëzimet për librin e ri, desha t’ju pyes nëse mund të tregoni pak më tepër mbi rolin e tij në njohjen ndërkombëtare të letërsisë sonë.

B.G.Sh.:Sa të domosdoshme besoni se janë studimet për letërsinë bashkëkohore shqipe në gjuhë të ndryshme?

Mendoj se janë shumë të nevojshme, madje të domosdoshme. Asnjë letërsi nuk zhvillohet më vete dhe për vete. Letërsia e një vendi është një realitet kompleks në plan gjuhësor, kulturor, social, politik, filozofik etj. Ajo ndikohet dhe ndikon kohën dhe mjedisin në të cilin shkruhet dhe lexohet, në kuptimin më të gjerë të fjalëve ndikim dhe mjedis.

Mendoj se ka disa mënyra sesi bëhet e njohur një letërsi përtej hapësirës së vet gjuhësore, por ndër më të rëndësishmet janë përmes veprës dhe studimeve mbi veprën. Pra përmes përkthimit të veprës letrare dhe studimeve në gjuhë të huaj. Mungesa ose pamjaftueshmëria e tyre sjell pasoja në procesin letrar. Kështu e shoh unë studimin e letërsisë shqipe në gjuhë të tjera. Natyrisht, kjo nuk nënkupton aspak sasi, pra çfarëdo botimi, në çfarëdo organ dhe me çfarëdo cilësie. Në fakt është saktësisht e kundërta. Në optikën time, rigoroziteti akademik nuk funksionon me logjikën: rëndësi ka përpjekja, është letërsi e vogël, në gjuhë jo të përhapur etj. Pohime të tilla nuk i konsideroj në nivelin e pranueshëm të të qenit gabim, qoftë edhe sa për t’i kundërshtuar. Rëndësi ka dhënia e një rezultati të matshëm dhe real, si dhe rruga e ndjekur për të mbërritur në atë rezultat. Nuk ka letërsi të vogël, ka pikëpamje dhe mendje të vogla. Nëse aktualisht studimi letrar nuk merr pjesë në mënyrë cilësore edhe në komunikimin e gjerë akademik të fushës në plan ndërkombëtar, ai nuk i ka shërbyer vërtet studimit të letërsisë si art dhe as letërsisë përkatëse, në rastin tonë, letërsisë shqipe.

A.D.: Cilat qasje teorike keni ndjekur në hartimin e kësaj monografie?

B.G.Sh.: Qasjet teorike lidhen me tezën dhe me specifikat e autorëve dhe teksteve konkrete.  Në rastin e kësaj monografie, studimi bëhet në kontekstin e metodologjisë kualitative, me qasje krahasuese, duke përfshirë jo thjesht autorë të ndryshëm, por disa zhanre letrare dhe thuajse-letrare (qysh këtu lind nevoja për saktësim teorik dhe kjo sigurisht që nuk është mundur të realizohet në këtë intervistë) si epistolari, ditari, memuari, shënimet autobiografike etj. Metodat janë zbatuar duke mbajtur parasysh se nevojitet një punë e imët me tekstin, por edhe një trajtim bindës dhe i detajuar i kontekstit në plan social, kulturor, politik etj. Zbatohet gjerësisht close reading, por edhe metodat hermeneutike, biografike, kulturore etj.

A.D.: Sa kohë keni punuar me temën bazë të monografisë? Si do ta përshkruanit punën për përgatitjen e saj?

B.G.Sh.: Ideja për monografinë si të tillë lindi 8 vjet më parë, por puna me autorët ka nisur shumë më herët. Në vitet 2009-2010 pata nisur të punoja me ditarin e Bedi Pipës dhe referova për të në dy konferenca në hapësirën shqiptare, si edhe botova shkrime. Isha e bindur që do t’i rikthehesha atij libri, por në një përmasë dhe nivel tjetër. Ndërkaq në vitin 2018 referova për memuarin e Musine Kokalarit në një simpozium të organizuar në UAMD dhe më tej ai referat u zgjerua për botim dhe doli në revistën Filologjia të Universitetit të Prishtinës – rreth 5 vjet më parë.  Pothuaj në të njëjtën kohë referova në Universiteitn e Montanës në SHBA, në konferencën Bienale të studimeve për gjuhët dhe letërsitë e Evropës Juglindore, duke prezantuar një studim krahasues mes jetëshkrimit të Bedi Pipës, Kokalarit, dhe Çomos. Aty trajtova mekanizmat e kujtesës dhe mjetet shprehëse në librat e tyre. Ky ishte momenti kur projekti mori trajtat e para dhe në të hyri vepra e Çomos, një libër që më kishte lënë një mbresë të tillë saqë më detyroi të prisja me durim kohën e duhur për ta studiuar. Nëntitulli i monografisë i bën jehonë drejtpërdrejt titullit të librit të saj botuar nga Onufri, Dritë që vjen nga humnera.

Duke qenë këtu, ju lutem më lejoni t’u them falemnderit botuesve Onufri, Toena, Neraida dhe Botimeve Fjala. Për arsye të standardeve të botuesit në SHBA nevojitej miratim i posaçëm prej tyre që unë të citoja dhe të përktheja në anglisht atë volum aq të madh të teksteve origjinale. Nuk do kisha arritur t’i jepja këtë formë monografisë pa mundësinë që më krijuan këta botues. U jam mirënjohëse. Natyrisht, kjo vlen edhe për botuesin italian të memuarit të Musinesë, Viella. Në rastin e saj, më duhej ta përktheja gjerësisht memuarin nga origjinali italisht në gjuhën angleze.

Sa i takon poezisë dhe trajtimit të vetëdijes së humbjes në të, ky zhanër mbetet epiqendra e interesit tim studimor. Dy poetët e zgjedhur janë shumë të rëndësishëm.  Puna me ta është thellim i mëtejmë dhe me metoda të tjera, i një botimi të realizuar në 2016 në Angli nga shtëpia botuese Cambridge Scholars Publishing. Për ta përmbledhur, puna me këtë monografi ishte përmbushja e një detyrimi moral që kam ndjerë ndaj kësaj krijimtarie dhe ndaj letërsisë shqipe, si studiuese dhe si shqiptare.

A.D.: Ekziton një perceptim se autorët e së njëjtës periudhë kanë karakteristika të ngjashme që i bëjnë të jenë të përafërt në stil… E keni vërejtur këtë gjatë punës suaj dhe a del si rezultat në përfundimet e arritura?

B.G.Sh.: Ngjashmëritë janë të mundura. Megjithatë nuk është përherë kështu.  Këto vlejnë edhe për autorët në këtë studim. Pipa dhe Çomo kanë një afri që nuk mund të mos bëjë përshtypje. Disa elemente të stilit, tekstit, tematikës, ndjeshmërisë, tonit etj. i afrojnë ato, madje deri diku edhe me Kokalarin. Ndërkaq, autoret kanë dallime të rëndësishme. Megjithatë teoritë mbi zhanret e jetëshkrimit vendosin pika komunikimi shumë domethënëse mes tyre, pikërisht në raport me nënzhanret në fjalë. Në këtë libër jam rrekur të shoh pikën ku lifewriting afrohet dhe ku realisht ndahet me poezinë në krijimtarinë e të njëjtit autor dhe në kontekstin e procesit letrar.

Ndërkaq, mes Arapit dhe Podrimjes dallimet janë të mprehta, megjithatë topika e humbjes dhe meditimi mbi të realizohen në nivele sipërore tek secili duke shtrirë reflektimin në disa sfera njëherësh. Të dy u japin zë dy jetëve të humbura, të pakuptuara (vëllait dhe birit) dhe përmes tyre universalizojnë fate njerëzore, realitetet etnike etj.

Në veprat e zgjedhura nga këta pesë autorë, trajtohen problematika si: uni, trupi (the corporeal) me materialitetin dhe simbolikën e tij, vdekja, liria, trauma, identiteti, vuajtja, subjektiviteti, shkrimi, kujtesa, mbijetesa, koha, vlerat morale, e shkuara, mekanizmat dhe politikat e kujtesës etj. Secili prej këtyre autorëve e përjetoi, ose e mishëroi dhe shkroi për humbjen në mënyrë të përveçme, duke krijuar një prizëm të tillë të leximit dhe të studimit të veprës që vendos edhe letërsinë shqipe bashkëkohore në komunikim të drejtpërdrejtë dhe shumëplanësh me letërsinë botërore dhe me zhvillimet studimore e teorike përkatëse.

Secili në një mënyrë të ndryshme, këta autorë sfidojnë diçka: kohën, leximin, pritshmëritë, strukturat ekzistuese historiografike e letrare dhe ngrenë pikëpyetje për problematika të rëndësishme studimore në plan disiplinar dhe ndëdisiplinar.

Po ashtu, secili në një mënyrë të ndryshme, ata përfaqësojnë ose zëra të heshtur që humbën për dekada dhe që kthehen nga humnera për të na folur përsëri, duke na nxitur të kujtojmë dhe të përqendrohemi në dëshminë e tyre, ose zëra që “u janë dhënë hua” atyre që nuk mund të flasin më për veten e tyre, duke u dhënë, kështu, atyre diçka më shumë sesa një mundësi për t’u kujtuar; më tepër një shans për të ardhur përsëri në jetë dhe këtë herë, për të mbetur në jetë përmes dëshmisë së tyre për natyrën e qenies, mbijetesën individuale, kombëtare, njerëzore dhe për të qenit tonë më së pari qenie morale. 

Të pestë këta autorë i bashkon diçka thelbësore në konceptimin dhe trajtësimin e humbjes si koncept, vetëdije, përvojë, narrativë dhe realitet poetik. Në mënyra të ndryshme dhe unike për secilin autor, ata kulmojnë në formulimin e një dëshmie në kuptimin teorik të termit dhe me ngarkesën e madhe studimore dhe etike që ka sot ai në kontekstin e studimeve humane. Në këtë kuptim, jam përpjekur të ndërveproj në mënyrë konstante me studime në fushën e letërsisë, filozofisë, studimeve kulturore etj.

A.D.: Cila është struktura e monografisë? Përmbajtja e saj a vendoset sipas një kriteri kronologjik apo metodologjik?

B.G.Sh.: Libri është konceptuar në dy pjesë. Pjesa e parë e tij përqendrohet në veprën e tri autoreve në letërsinë shqipe, fatet tragjike të të cilave, qoftë si individë, qoftë si autore, vështirë se gjejnë të ngjashëm: Musine Kokalari, Bedi Pipa, dhe Drita Çomo.

Fati i këtyre autoreve më duket një shëmbëlltyrë e fatit të letërsisë shqipe dhe të vetë Shqipërisë në komunizëm, duke personifikuar humbjen si privim dhe mohim në plan intelektual, krijues, e jetësor. Prandaj studimi i veprës së tyre i kontribuon letërsisë dhe kulturës shqiptare në tërësi, sikurse ndihmon të identifikohen urat e komunikimit me letërsitë e tjera, duke hedhur dritë mbi një mori çështjesh studimore në disa disiplina njëherësh dhe në një shtrirje të konsiderueshme kohore dhe hapësinore. Kapitulli i parë titullohet The (Un)Silenced Voice of a Woman Writer; Her Memoir La mia vita universitaria and Her Epistolary[1] dhe  i kushtohet Musine Kokalarit. Ai është variant i zgjeruar i artikullit gjatë të botuar dy vite me parë në revistën Mediterranean Studies nga Penn Sate University Press (SHBA). Kapitulli është i ndarë në 3 nënkapituj, njëri prej të cilëve ka 5 nënpjesë..

Kapitulli II Voicing Silence and Exploring the Self; The Intimate Diary by Bedi Pipa studion veprën e Bedi Pipës. Kapitulli përbëhet nga gjashtë pjesë. Duke qenë një tekst heterogjen dhe i pasur, ditari analizohet duke u fokusuar në problematikat teorike, psikologjike dhe etike që prek. Bedi Pipa i drejtohet vetes si një entitet moral dhe teorik në të njëjtën kohë, duke theksuar shtresat filozofike të tekstit. Humbja në rastin e saj nuk lidhet vetëm me vdekjen e saj tragjike në një moshë shumë të re dhe dramat e rënda të familjes Pipa në komunizëm, por edhe me mosnjohjen për dekada të tëra të këndvështrimit të saj dhënë përmes analizave dhe meditimeve që synojnë njohuri dhe zbërthim me optikë empirike, ndërsa jetonte në kohë të paqarta e të pasigurta politikisht dhe me kufizime të shumta në plan kulturor e social.

Kapitulli i tretë i kushtohet veprës së Drita Çomos dhe titullohet: Vowed to Loss, Voice Regained; Light That Comes from the Abyss by Drita Çomo. Ai përbëhet nga gjashtë nënkapituj dhe analizon ditarin  e saj duke patur parasysh teoritë bashkëkohore të studimit të këtij zhanri dhe origjinalitetin e tekstit të Çomos, mënyrën si koncepton të tashmen, veten, jetën, të përditshmen, dhimbjet njerëzore e familjare, sëmundjen dhe praninë e nënkuptuar të vdekjes, mënyrën e vetëcensurimit dhe mjetet retorike të tekstit etj. Ky kapitull bën po ashtu një analizë të hollësishme të poezisë së saj duke evidentuar tematikat, mjetet stilistike, ndikimet, shkallën e përpunimit të vargut, vetëdijen e saj letrare në kushtet dhe në shkallën në të cilat u formua, dhe specifikat e krijimtarisë së saj në kontekstin e poezisë shqipe të kohës, me të cilin ajo kishte raport vetën një-drejtimësh, përmes leximit. Kapitulli trajton vlerën e këtij libri edhe në raport me mekanizmat e kujtesës dhe specifikën e tij duke patur parasysh rrethanat që çuan në persekutimin e saj dhe të familjes.

Pjesa e dytë e monografisë i kushtohet përjashtimisht poezisë bashkëkohore shqipe dhe titullohet: Loss in Contemporary Albanian Poetry: Death, Memory, and Grief. Këtu analizohet vepra e dy poetëve të shquar Fatos Arapi dhe Ali Podrimja. Analiza përqendrohet në tematikën e vdekjes, kujtesës, gjuhës, heshtjes, vuajtjes, mbijetesës dhe vlerave morale, duke trajtuar mënyrën se si gërshetohet personalja me kolektiven, biografikja me historiken, kur individi përjeton dhe jeton me vetëdijen e humbjes së madhe si morale, ashtu edhe fizike. Secili poet mediton mbi këto çështje në mënyra të ndryshme sa u përket konceptimeve, stilit dhe teknikave poetike, prandaj kapitujt ofrojnë analiza të hollësishme të imazheve poetike, figuracionit, tonit dhe strukturës së vëllimeve në fjalë.

Kapitulli i parë i kushtohet poezisë së Fatos Arapit: On the Threshold of the Dark: The Impossibility of Loss and The Poetry of Fatos Arapi. Ai analizon imazhet komplekse të humbjes dhe brengës, traumës dhe ndërthurjet e zërave në poezi, duke pasur parasysh se vëllimi është konceptuar pothuaj si një epistolar, një grup letrash në vargje dërguar vëllait të humbur të poetit në jetën e përtejme. Analizohet perspektiva e poetit për kolapsin moral të shoqërisë ndërthurur me kuptimin e unit lirik për zhgënjimin, pabesinë, shpresën, lirinë, njeriun, atdheun, jetën dhe dinjitetin. Kështu, kapitulli përpunon konceptin e të pamundurës, të paarritshmes dhe të pakthyeshmërisë, të cilat ndërsa kanë një bazë shumë komplekse teorike, janë qendrore për të kuptuar veten dhe gjendjen njerëzore në poezinë e Arapit të pas viteve ’90. Në këtë mënyrë, poezia jashtëzakonisht personale e Arapit bëhet një meditim modern mbi kaosin moral dhe udhëkryqin e një shoqërie të tërë. Poezitë analizohen duke iu referuar studimeve në fushën e miteve, simboleve dhe filozofisë sidomos në studimet rreth etikës. 

Kapitulli V i monografisë titullohet: The Awareness of Loss and the Grieving Path of a Poet Father toward the (Im)mortal Son The Volume Lum Lumi by Ali Podrimja. Ai analizon konceptin e humbjes dhe brengës në vëllimin poetik Lum Lumi të poetit Ali Podrimja. Tragjedia personale u bë mënyra e Podrimjes për të medituar mbi humbjen katastrofike të etnisë shqiptare në histori dhe për fatin dramatik të shqiptarëve në Kosovë nën terrorin politik antishqiptar. Megjithatë, simbolika e tij e pasur dhe stili kompleks në një sërë nivelesh zhbiron fatin e racës njerëzore në tërësi, ndërsa poeti mediton për dinjitetin e qenies njerëzore, për atë çka mbetet sublime, për domethënien e jetës së njeriut dhe për përgjegjësitë që kemi si qenie morale ndaj vetes, ndaj njeriut në tërësi dhe ndaj etnisë.

Në këtë kapitull analizohet mënyra se si humbja dhe e pathëna (the unsaid) – si realitet gjuhësor, letrar dhe filozofik – lidhen me përvojat traumatike të unit lirik dhe se si pikëllimi shërbeu si mjet për të kuptuar dhe shprehur dimensionin e humbjes, por edhe për të mbrojtur nga harresa dhe tjetërsimi atë çka përfaqëson Lumi. Reflektimet mbi vdekjen, kujtesën, dashurinë, kohën, dhe mbijetesën, së bashku me gjuhën, simbolet, tonin, strukturën dhe imazhet poetike janë problematika qëndrore në këtë analizë. Kapitulli ofron edhe një trajtim të poezisë shqipe në Kosovë në kohën e botimit të parë të vëllimit dhe vendin e Podrimjes në atë kontekst, si edhe në poezinë shqipe në tërësi.

A.D.: Po në gjuhën shqipe, e mendoni të nevojshme praninë e këtij libri? Keni në plan, tash së shpejti apo më vonë, ta përktheni?

B.G.Sh.: Nëse do të nisesha nga njohja ime për letërsinë shqipe dhe studimet në letërsinë botërore aktualisht, do të thosha se do duhej të kishte shumë më tepër libra të tillë të botuar jashtë vendit. Ndërsa nëse flasim për përkthim në shqip, mendoj se duhet mbajtur parasysh që të lexuarit e literaturës në anglisht është diçka e zakonshme për shumë studiues, madje edhe për studentët në nivelin master e lart, dhe këta janë pjesë qëndrore e audiencës së një libri të tillë.

Nga ana tjetër, natyrisht që ai mund të përkthehet, por jo nga unë. Jam munduar vetëm një herë të përktheja punën time dhe përfundova duke nxjerrë një tekst të ri. Monografia është konceptuar për studiuesin e huaj, gjithë aparati konceptual, terminologjik, teorik, strukturor, referencial etj.mban parasysh atë audiencë dhe kjo është thelbësore. Shikoni si vjen qoftë edhe vetëm titulli i monografisë në shqip; çfarë ndodh me termat essay, voice, loss etj. E njëjta gjë vlen, pa shkuar më tutje, për titujt e pjesëve, kapitujve dhe nënkapitujve, të cilët bazohen në materien e gjuhës angleze dhe mbi mundësitë që krijon ajo gjuhë, disa herë edhe në planin grafik. Nuk do të dija si të veproja me to, ndoshta aq më shumë në rastin e librit tim.

A.D.: Mes të tjerash, në shënimin e saj për librin, Agata Fijalkowski shkruan se subjekti i librit rezonon me botën bashkëkohore dhe çështje e pyetje që e shqetësojnë atë. Kjo më nxiti të mendoj nëse letërsia jonë i përgjigjet dilemave universale dhe a ja del t’i universalizojë tiparet shqiptare në një tekst… Ju si mendoni?

B.G.Sh.: Nëse do të kisha dyshuar ndonjëherë në ekzistencën e një potenciali të tillë tek letërsia shqipe, nuk do të investoja 15 vjet në punë kërkimore pothuaj ekskluzivisht  jashtë vendit për letërsinë shqipe. Nuk kam as më të voglin dyshim se letërsia shqipe ka gjithë sa i duhet për të qenë e dallueshme ndërkombëtarisht. Nëse studimi letrar nuk e beson ose nuk arrin ta dëshmojë këtë, problemi qëndron tek studimi letrar dhe jo tek letërsia shqipe. 

A.D.: Aktualisht, ju jeni profesoreshë e ftuar në Universitetin e Misisipit, SHBA. Duke qenë se monografia që ju ka angazhuar për kaq kohë, tani është botuar, a po punoni me diçka tjetër?

B.G.Sh.: Nuk është e mundur të ndalosh së punuari. Të jesh në Oksfordin e Folknerit, dhe të një trashëgimie të tillë kulturore do të thotë të jesh në kushtet ideale për të punuar. Nga ana tjetër Universiteti i Misisipit është universitet R1 (Doctoral Universities – Very high research activity), prandaj pritshmëritë janë shumë të larta. 

Megjithatë, tek letërsia, për mua bashkohen pasioni, profesioni dhe misioni, prandaj do vijoja të punoja në çfarëdo mjedisi. Veçse këtu ka rendiment shumë më të lartë dhe aq pak stres të kotë e krejtësisht të shmangshëm.

Në pranverën e vitit 2025 do të dalë në një revistë shumë të njohur në SHBA për studimet ballkanike i pari studim për një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë në Kosovë. Jam e gëzuar që pasi ai është përkthyer mjaft mirë në anglisht disa vite më parë, tani munda të realizoj një objektiv të hershëm timin, një studim të zgjeruar për poezinë e tij në këtë mjedis akademik.

Kam edhe një projekt tjetër në duar, përsëri për letërsinë bashkëkohore.

Përderisa letërsia shkruhet, jeton dhe përcjell, studimit i duhet të mbajë ritmin. Mendoni se mund të ketë një alternative tjetër në këtë mes?

Oksford, MS, 28 gusht, 2024

Prof. Asoc. Dr. Bavjola Shatro është pedagoge e Letërsisë së sotme shqipe dhe e Letërsisë së huaj të shekullit XX në Universitetin Aleksandër Moisiu. Ajo është presidente e South East European Studies Association në SHBA.

Ajo ka një përvojë 18 vjeçare në botën akademike duke qenë pedagoge e ftuar dhe kërkuese shkencore në fushën e studimeve letrare në disa universitete në Europë dhe në SHBA, si: University of Salamanca (Spanjë), Penn State University (SHBA), Abo Akademi University (Finlandë), Universita’ di Pavia (Itali), University of Turku (Finlandë) dhe së fundmi në University of Mississippi, Oxford (SHBA).

Ajo është autore e tri monografive shkencore për letërsinë botuar në Tiranë, dhe e një monografie shkencore botuar në Britaninë e Madhe nga Cambridge Scholars Publishing në 2016. Ajo është bashkautore e tri veprave studimore botuar në Tiranë dhe ka kontribuar me kapituj në Enciklopedinë e qytetërimeve botuar nga Bloomsbury ne 2022, dhe në 9 vëllime me studime të zgjedhura, nga të cilat një është botuar në Tiranë dhe tetë në Europë nga botues si Brill, Bloomsbury, CSP etj.

Ajo është bashkëredaktore shkencore e dy vëllimeve studimore, njëri mbi letërsinë angleze dhe amerikane botuar në Britani(2015) dhe një vëllimi mbi memuaristikën e grave të mbijetuara nga burgjet komuniste në Bllokun Lindor, botuar në Rumani në 2023.

Prof. Shatro është autore e 40 artikujve shkencorë të botuar jashtë vendit nga universitete si Penn State University, University of Illinoi-Champagne, University of Mississippi dhe botues të njohur si Brill, Bloomsbury etj., si edhe e disa artikujve botuar në revistat shkencore të Universitetit të Prishtinës, Institutit Abanologjik në Pristinë, dhe buletineve në Universitetin Luigj Gurakuqi dhe Aleksandër Xhuvani. Ajo ka kontribuar me dhjetra shkrime në periodikët letrarë në Shqipëri, Kosovë dhe ndër Arbëreshët e Italisë. Puna e saj është prezantuar në 43 konferenca organizuar nga institute kërkimore dhe universitete në Europë dhe SHBA.

Ajo është recensente e përherëshme për shtypin universitar në SHBA si në: Syracuse University Press, Penn State University Press etj. dhe për revista shkencore të instituteve kërkimore në SHBA, Britani, Poloni, Sllovaki, Kroaci, Maltë, Itali etj.


[1]  Për arsye të konotacionit dhe vlerës terminologjike që kanë fjalë të caktuara në shqip, përkthimi i titujve mund të çojë në humbje të kuptimit dhe madje në moskuptim. Si rrjedhim, të gjithë titujt janë lënë në original. Nëse shihet e arsyeshme mund të prifrazohen pasi përkthimi do të mbartë rrezikshmërinë e shprehur më sipër. Kjo është pasojë e faktit që libri është shkruar në anglisht për stuiuesit anglishtfolës.

Exit mobile version