Nga Mary Good Books, Medium
Përktheu: Jola Tasellari

1. Jane Austen (1775 – 1817)
Jane nuk e kishte privilegjin e privatësisë dhe të qetësisë në jetën e saj krijuese. Ajo jetonte me pjesën tjetër të familjes dhe kishte edhe detyrime shtëpiake, si përgatitja e vakteve dhe shtrimi i tyre. Romanet i shkruante në dhomën e pritjes, por me të ardhur mysafirë, i fshihte menjëherë dorëshkrimet. Në mbrëmje, pas darkës, lexonte para familjes pjesët që kishte shkruar gjatë ditës.

2. Ernest Hemingway (1899 – 1961)
Hemingway zgjohej herët, zakonisht rreth orës 5:30 ose 6:00 të mëngjesit. Ia niste të shkruarit sapo çohej dhe vazhdonte deri në mesditë. Preferonte orët e para të ditës për shkak të qetësisë dhe vetmisë. Nganjëherë shkruante dhe në këmbë. Variantet e para i hidhte me laps mbi fletët e makinës së shkrimi, të vendosura pjerrtas mbi një dërrasë. Kur puna i ecte mirë, e hiqte dërrasën dhe kalonte te makina e shkrimit. Mbante gjithashtu shënim në një tabelë numrin e fjalëve. Kur lodhej duke shkruar letërsi artistike, merrej me korrenspondenca.
“Në atë dhomë vendosa që do të shkruaja një tregim për çdo gjë që njihja. Përpiqesha ta bëja këtë gjatë gjithë kohës që shkruaja, dhe vërtet që ishte një disiplinë e mirë e rigoroze.”

3. F. Scott Fitzgerald (1896 – 1940)
Fitzgerald e kishte të vështirë t’i përmbahej një programi të rregullt. Zakonisht zgjohej rreth orës 11:00 të paradites dhe përpiqej të fillonte të shkruante në orën 17:00, duke punuar me ndërprerje deri në 3:30 të mëngjesit. Shkrimi i vërtetë ndodhte me shpërthime të shkurtra përqendrimi intensiv, gjatë të cilave mund të shkruante 7 000 ose 8 000 fjalë në një seancë të vetme pune. Fitzgerald besonte se mund të shkruante vetëm nëse konsumonte pak alkool. Preferonte xhinin e pastër sepse vepronte shpejt. Më vonë kuptoi se alkooli nuk ndihmonte aq sa mendonte, sidomos gjatë fazës së redaktimit.
“Tërë teorinë time mbi të shkruarit mund ta përmbledh në një fjali: Një autor duhet të shkruajë për rininë e brezit të vet, për kritikët e brezit pasardhës dhe për mësuesit e të gjitha kohërave.”

4. Haruki Murakami (1949 – )
Murakami ka një program të rregullt dhe rigoroz. Zgjohet në orën 4:00 të mëngjesit dhe punon pa ndërprerje për pesë ose gjashtë orë. Pasdite vrapon ose noton, e ndonjëherë i bën të dyja. Kryen punët e përditshme, lexon dhe dëgjon muzikë. Fle në orën 21:00 (Besnik.).
“I përmbahem kësaj rutine çdo ditë, pa ndryshuar asgjë. Vetë përsëritja bëhet gjëja më e rëndësishme; është një formë hipnotizimi. E hipnotizoj veten për të arritur në gjendjen më të thellë mendore.”
Murakami beson se forca fizike është po aq e nevojshme sa ndjeshmëria artistike. Ai është zhvendosur në një zonë rurale, ka lënë duhanin, ka reduktuar alkoolin dhe ndjek një dietë ushqimore me bazë perimet dhe peshkun. Gjithashtu bën vrap çdo ditë, një zakon që e ka ruajtur për më shumë se një çerek shekulli.
“Stili i mirë letrar ndodh në njërën nga dy mënyrat: ose shkrimtari lind me talent, ose është i gatshëm të punojë deri në rraskapitje për ta arritur atë.”

5. Franz Kafka (1883 – 1924)
Kafka kishte një punë zyre të përditshme nga ora 2 deri në 3. Pas kësaj hante drekë deri në 3:30 dhe më pas flinte deri në 7:30. Më vonë ushtronte për dhjetë minuta, dilte për shëtitje vetëm ose me ndonjë shoqërues dhe darkonte me familjen. Fillonte të shkruante në orën 22:30 dhe vazhdonte derisa ndiente se kishte shkruar mjaftueshëm; kjo mund të ndodhte në orën 1, 2, 3, madje ndonjëherë edhe në 6 të mëngjesit. Pastaj ushtrohej sërish fizikisht dhe shkonte të flinte.
“Kam nevojë për vetmi për të shkruar; jo si një eremit, sepse kjo nuk do të ishte mjaftueshëm, por si një i vdekur.”

6. T. S. Eliot (1888 – 1965)
Eliot ishte punonjës administrate, një punë që e mbante në zyrë nga ora 9:15 deri në 17:00, me një orë pushim dreke. Gjatë drekës diskutonte projekte letrare me bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij. Vetëm në mbrëmje arrinte të gjente kohë për të shkruar poezi ose për të fituar të ardhura shtesë nga recensionet dhe kritika letrare.
“Të shkruarit çdo ditë është një mënyrë për ta mbajtur motorin në punë… Pastaj, diçka e mirë mund të lindë prej tij.”

7. Agatha Christie (1890 – 1976)
Ishte pothuajse e pamundur ta shihje Agatha Christie duke shkruar. Edhe pasi kishte botuar më shumë se dhjetë libra, ajo nuk e konsideronte veten një shkrimtare të përmbushur. E shihte veten thjesht si “një grua të martuar”. I pëlqente jeta e zakonshme dhe për këtë arsye shkruante me intervale të shkurtra frymëzimi. Nuk kishte një vend të caktuar ku shkruante. Mund të shkruante kudo ku kishte një tavolinë dhe një makinë shkrimi.
“Subjektet më vijnë në çaste nga më të çuditshmet, kur jam duke ecur në rrugë ose duke parë vitrinën e një dyqani kapelesh… papritur më lind një ide e shkëlqyer.”

8. Umberto Eco (1932 – 2016)
Umberto Eco nuk kishte një program të rregullt, sidomos kur ishte në Milano ose në universitet. Ndonjëherë shkruante nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke u ndalur sa për një sanduiç; herë të tjera nuk kishte fare dëshirë të shkruante gjatë gjithë ditës.
Megjithatë, kur ndodhej në shtëpinë e tij në fshat, aty ku ndërprerjet ishin minimale, mund të ndiqte një rutinë të caktuar: ndizte kompjuterin, kontrollonte postën elektronike, lexonte diçka dhe më pas shkruante deri pasdite vonë. Pastaj shkonte në fshat për ndonjë pije dhe për të lexuar gazetën. Në mbrëmje kthehej në shtëpi, shikonte televizor ose ndonjë DVD deri në orën njëmbëdhjetë dhe më pas shkruante sërish deri në një ose dy të mëngjesit.
“Mendimi se e gjithë përvoja do të humbasë në çastin e vdekjes sime më shkakton dhimbje dhe frikë… Sa humbje e madhe: dekada të tëra duke ndërtuar përvojë, vetëm për ta hedhur tutje… Këtë trishtim e kapërcejmë përmes punës. Për shembull, duke shkruar, pikturuar ose ndërtuar qytete.”

9. Maya Angelou (1928 – 2014)
Angelou arriti të shkruante jo vetëm serinë e saj të vlerësuar autobiografike, por edhe shumë poezi, drama, ligjërata dhe artikuj.
Ajo nuk mund të punonte në shtëpi; preferonte dhoma të vogla hoteli, me vetëm një krevat. Zgjohej rreth orës 5:30 dhe pinte kafe me bashkëshortin në orën 6:00. Shkonte të shkruante rreth orës 7:00 dhe punonte deri në orën 14:00.
Në dhomën e hotelit mbante gjithmonë një fjalor, një Bibël, një pako me letra bixhozi dhe një shishe verë sheri. Tekstin e redaktonte ndërsa shkruante. Nuk pranonte komente nga askush tjetër përveç redaktorit të saj.
“Nuk ka agoni më të madhe sesa të mbash brenda vetes një histori të pathënë.”

10. Truman Capote (1924 – 1984)
Capote zakonisht shkruante katër orë në ditë, më pas e rishikonte tekstin në mbrëmje ose të nesërmen në mëngjes, duke finalizuar dy variante të shkruara me dorë me laps para se të daktilografonte variantin përfundimtar.
Tërë punën e bënte i shtrirë në krevat ose në divan, me cigare dhe kafe pranë. Ndërsa kalonte pasditja, kalonte nga kafeja te çaji me nenexhik, më pas te vera sheri dhe në fund tek martinit. Nuk mund të fillonte ose të përfundonte asgjë të premten. Kishte për zakon të llogariste me mendje numrat që dëgjonte dhe refuzonte të telefononte ose të pranonte një dhomë hoteli nëse shumatorja e shifrave i dukej ters.
“Mendoj se i vetmi person ndaj të cilit një shkrimtar ka detyrim është vetvetja. Nëse ajo që shkruaj nuk përmbush diçka brenda meje, nëse nuk ndiej sinqerisht se është më e mira që mund të bëj, atëherë ndihem tmerrësisht keq.”
Foto kryesore nga Daria Kraplak në Unsplash



