Kreu Letërsi Shënime mbi libra Diana Kristo: Roli i huazimeve në formësimin e gjuhës dhe kulturës moderne...

Diana Kristo: Roli i huazimeve në formësimin e gjuhës dhe kulturës moderne shqiptare

Huazimi përbën një nga mekanizmat themelorë të zhvillimit të gjuhëve natyrore. Asnjë gjuhë nuk zhvillohet në izolim; kontaktet politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore ndërmjet popujve sjellin vazhdimisht shkëmbime gjuhësore, të cilat pasqyrohen kryesisht në pasurimin e fjalorit. Përmes huazimeve, gjuhët emërtojnë sende, dukuri dhe koncepte të reja, plotësojnë nevoja komunikimi dhe përshtaten me ndryshimet e vazhdueshme të jetës shoqërore. Për këtë arsye, huazimi nuk konsiderohet një shenjë varësie gjuhësore, por një proces i natyrshëm që shoqëron evolucionin e çdo gjuhe.

Sipas burimeve të hershme të mendimit gjuhësor, kjo dukuri ishte vërejtur qysh në Antikitet. Marcus Terentius Varros ishte i pari që trajtoi çështje themelore të gramatikës dhe të etimologjisë së latinishtes në veprën De Lingua Latina, ku vuri në dukje se gjuhët përvetësojnë fjalë nga njëra-tjetra, dhe se edhe latinishtja ishte pasuruar me elemente të mara nga popujt fqinj, veçanërisht nga greqishtja. Kuintiliani gjithashtu e konsideronte huazimin një proces të natyrshëm të zhvillimit dhe pasurimit gjuhësor. Më vonë, Dante Alighieri, në traktatin De vulgari eloquentia (Mbi ligjërimin në gjuhën popullore), vuri re se gjuhët vernakulare janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe zhvillohen edhe nën ndikimin e kohës, të hapësirës dhe të kontakteve me bashkësi të tjera gjuhësore.

Studimi shkencor i huazimeve mori formë të mirëfilltë gjatë shekullit XIX, me lindjen e gjuhësisë historiko-krahasuese. Studiuesit filluan të dallonin më qartë fjalët e trashëguara nga ato të huazuara dhe të shqyrtonin rolin e kontakteve ndërgjuhësore në evolucionin e gjuhëve. Kjo qasje hapi rrugën për studimin sistematik të mekanizmave të huazimit, të përshtatjes fonetike, morfologjike e semantike si dhe të integrimit të elementeve të huaja në sistemin e gjuhës pritëse.

Një rol themelor në zhvillimin e kësaj fushe pati Hugo Schuchardt, i cili argumentoi se kontaktet dhe ndërthurrjet ndërmjet gjuhëve përbëjnë një nga forcat kryesore të ndryshimit gjuhësor, duke kundërshtuar pikëpamjen se evolucioni i gjuhëve shpjegohet vetëm nëpërmjet trashëgimisë së tyre gjenetike. Për këtë arsye, ai konsiderohet gjerësisht një nga themeluesit e gjuhësisë së kontakteve.

Studimi i huazimeve u zhvillua më tej nga Leonard Bloomfieldi, Einar Haugeni dhe Uriel Weinreichu. Bloomfieldi trajtoi llojet kryesore të huazimit në veprën Language (1933), ndërsa Haugeni, në studimin The Analysis of Linguistic Borrowing (1950), propozoi një klasifikim që përfshinte huazimet e drejtpërdrejta, format e përziera, kalket dhe huazimet semantike. Me veprën Languages in Contact (1953), Weinreichu hodhi bazat e gjuhësisë moderne të kontakteve, duke e trajtuar dukurinë nga këndvështrimi strukturor, psikologjik dhe shoqëror.

Punimet e këtyre studiuesve e zgjeruan trajtimin e huazimeve përtej analizës etimologjike, duke përfshirë edhe mekanizmat, kushtet dhe pasojat e kontakteve ndërgjuhësore. Ato treguan se huazimet nuk janë dukuri të rastësishme, por dëshmi të rëndësishme për historinë e marrëdhënieve dhe të ndikimeve të ndërsjella ndërmjet gjuhëve dhe kulturave.

Këto qasje teorike gjetën zbatim edhe në albanologji, ku studimi i huazimeve leksikore u bë një nga drejtimet kryesore të kërkimeve mbi historinë e shqipes. Themelet e etimologjisë shkencore shqiptare u hodhën nga Gustav Meyeri, i cili, në veprën Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, 1891), analizoi sistematikisht prejardhjen e një pjese të madhe të leksikut të shqipes dhe përcaktoi burimet kryesore të shumë huazimeve. Megjithëse disa prej përfundimeve të tij u rishikuan nga studimet e mëvonshme, vepra mbetet një pikënisje themelore për kërkimet etimologjike të shqipes.

Mbi këtë bazë, Norbert Jokl, një nga figurat themelore të albanologjisë moderne, e zhvilloi më tej kërkimin etimologjik përmes veprës Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen (Studime gjuhësore dhe historiko-kulturore në fushën e shqipes, 1923) dhe një vargu studimesh historiko-gjuhësore, ku saktësoi prejardhjen e shumë njësive leksikore, thelloi studimin e huazimeve dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje dhe e vendosi etimologjinë shqiptare mbi baza më të qëndrueshme historike e krahasuese.

Këtë traditë e ngriti në një nivel të ri Eqrem Çabej me veprën shumëvëllimëshe Studime etimologjike në fushë të shqipes. Ai analizoi prejardhjen dhe kronologjinë e elementeve leksikore, si dhe rrugët e depërtimit të huazimeve në gjuhën shqipe, duke treguar se shtresat e ndryshme të leksikut pasqyrojnë periudhat e njëpasnjëshme të kontakteve të shqiptarëve me popujt fqinj dhe me qytetërimet e tjera.

Kjo traditë kërkimore u pasurua më tej nga Shaban Demiraj, Kolec Topalli e gjuhëtarë të tjerë. Në studimin Gjuhësi ballkanike (1994), Shaban Demiraj thekson se jo çdo ngjashmëri ndërmjet gjuhëve të Ballkanit është domosdoshmërisht rezultat i huazimit ose i ndikimit të një gjuhe mbi tjetrën, prandaj dhe gjatë shqyrtimit diakronik të çdo ballkanizmi nuk duhet përjashtuar edhe mundësia e zhvillimit paralel (sinkronik) të tipareve të përbashkëta, si pasojë e kushteve të ngjashme historike e kulturore. Ndërkaq Kolec Topalli, në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe (2017), rivlerësoi dhe saktësoi prejardhjen, kronologjinë dhe rrugët e depërtimit të një numri të madh huazimesh. Veprat e këtyre studiuesve përbëjnë sot pika themelore referimi për kërkimet mbi historinë e leksikut të shqipes.

Huazimet pasqyrojnë historinë kulturore të një populli dhe marrëdhëniet e tij me qytetërime të ndryshme. Edhe pasurimi i leksikut të shqipes është rezultat i një procesi të gjatë, gjatë të cilit natyra dhe intensiteti i ndikimeve kanë ndryshuar sipas rrethanave historike, politike, ekonomike, fetare dhe kulturore. Këto ndikime kanë krijuar shtresa kronologjike të dallueshme, të cilat dëshmojnë njëkohësisht zhvillimin e gjuhës dhe kontaktet e shqiptarëve me botën mesdhetare, ballkanike dhe evropiane. Aftësia për t’i përvetësuar dhe përshtatur elementet e huaja sipas sistemit të vet e ka ndihmuar shqipen të zgjerojë leksikun dhe mundësitë e saj shprehëse, duke e bërë atë një gjuhë të pasur, funksionale dhe të aftë për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërisë bashkëkohore.

Në vijim do të paraqitet, në mënyrë divulgative dhe të kuptueshme për një rreth më të gjerë lexuesish, ndikimi që kanë ushtruar, sipas rendit kronologjik, greqishtja, latinishtja, gjuhët sllave, turqishtja osmane, italishtja, frëngjishtja, rusishtja dhe anglishtja në pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe.

Ndikimi i greqishtes

Kontaktet ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve përbëjnë një nga marrëdhëniet më të hershme dhe të vazhdueshme në historinë e Ballkanit. Duke analizuar huazimet greke në shqipe, Eqrem Çabei thekson se marrëdhëniet ndërmjet dy popujve shtrihen në një periudhë shumë të gjatë historike, e cila “shkon që prej kohëve prehistorike e gjer sot e kësaj dite… Një gjë mbetet e sigurt: shqiptarët dhe grekët kanë më se 3000 vjet që janë fqinj në këtë pjesë të Evropës. Dhe shqipja ka pasur lidhje të paprera e intensive me greqishten, lidhje që rrjedhin nga afërsia gjeografike dhe nga marrëdhëniet midis dy popujve”.

Për pasojë, gjuha shqipe përvetësoi një numër të konsiderueshëm fjalësh që lidhen me jetën fetare, administratën, kulturën dhe, në periudha më të vona, me terminologjinë shkencore e arsimore. Studiuesit dallojnë tri shtresa kryesore të ndikimit grek në shqipe: (1) huazimet e hershme nga greqishtja e lashtë, (2) huazimet nga greqishtja bizantine dhe mesjetare, dhe (3)huazimet e reja ose fjalët me origjinë greke që kanë hyrë në shqipe nëpërmjet gjuhëve të tjera evropiane.

Shtresa e hershme

Shtresa më e hershme e ndikimit grek lidhet me marrëdhëniet e ilirëve me botën helene, veçanërisht me kolonitë e themeluara përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, si Apolonia, Buthroti, Dyrrahu dhe Oriku. Të dhënat arkeologjike e historike dëshmojnë shkëmbime të zhvilluara tregtare dhe kulturore, të cilat lanë gjurmë edhe në gjuhë. Kësaj periudhe i përkasin kryesisht emërtime bimësh dhe prodhimesh bujqësore, si presh, lakër, qershi dhe pjepër, si dhe veglash pune, si drapër dhe mokër. Të përshtatura fonetikisht dhe, në disa raste, semantikisht gjatë shekujve, këto fjalë dëshmojnë shkëmbimin e mallrave, të teknikave të prodhimit dhe të përvojave të jetës së përditshme.

Prania e institucioneve dhe e praktikave kulturore helene në këto koloni lejon të mendohet se në trevat ilire mund të ketë qarkulluar edhe një terminologji e lidhur me teatrin, letërsinë dhe jetën intelektuale. Megjithatë, mungojnë provat gjuhësore që fjalët e sotme shqipe teatër, komedi dhe tragjedi të konsiderohen vazhdime të drejtpërdrejta të huazimeve të Antikitetit. Ato shpjegohen më bindshëm si terma ndërkombëtarë të hyrë në periudha të mëvonshme përmes latinishtes ose gjuhëve moderne evropiane. Mundësia e ekzistencës së një shtrese më të hershme, tashmë të zhdukur, mbetet një hipotezë historike, e cila meriton shqyrtim të mëtejshëm në dritën e të dhënave historike, arkeologjike dhe etimologjike.

Shtresa bizantine

Sipas Eqrem Çabejt, “Bizanti, i cili ka bashkuar në vetvete në një tërësi të pandarë helenizmin me krishterimin e me botën orientale, ka ushtruar një ndikim të njëllojtë mbi popujt e Gadishullit Ballkanik në fushën social-ekonomike, kulturore e fetare” (Studime Gjuhësore Vol. III, Botim i Rilindjes, Prishtinë, 1976). Në këtë kuadër duhet parë edhe ndikimi i greqishtes bizantine mbi shqipen. Kjo shtresë lidhet ngushtë me përhapjen e krishterimit lindor, organizimin e Kishës Ortodokse dhe veprimtarinë kulturore e administrative të Perandorisë Bizantine. Gjatë Mesjetës, greqishtja bizantine u bë një nga gjuhët kryesore të liturgjisë, administratës kishtare dhe kulturës së shkruar, duke ushtruar një ndikim të ndjeshëm në pasurimin e leksikut të shqipes.

Me sferën kulturore dhe fetare bizantine lidhen terma si episkop, ikonë, manastir, mitropolit dhe parajsë, si dhe disa ndërtime të krijuara sipas modeleve greke, ndër të cilat përmenden vë kurorë dhe ujë i bekuar. Një pjesë e kësaj terminologjie ka hyrë drejtpërdrejt nga greqishtja mesjetare, ndërsa fjalë të tjera me prejardhje të fundit greke mund të jenë ndërmjetësuar nga latinishtja ose të jenë përvetësuar si terma diturorë në periudha më të vona. Prandaj, fjalë si ungjill, engjëll, murg dhe pagëzim nuk duhen paraqitur pa dallim si huazime të drejtpërdrejta bizantine, ndonëse i përkasin terminologjisë së krishterë dhe lidhen historikisht me të njëjtin univers kulturor.

Gjatë përdorimit shumëshekullor, shumë prej këtyre fjalëve iu përshtatën sistemit fonetik dhe morfologjik të shqipes dhe u bënë pjesë e qëndrueshme e leksikut të saj. Prania e tyre dëshmon ndikimin kulturor, fetar dhe shpirtëror që ushtroi qytetërimi bizantin në trevat shqiptare, si edhe lidhjet e vazhdueshme të shqiptarëve me botën lindore të krishterë.

Huazimet e reja

Një shtresë e tretë përbëhet nga fjalë me origjinë greke që kanë hyrë në shqipe jo nga kontaktet e drejtpërdrejta me greqishten, por kryesisht nëpërmjet latinishtes dhe gjuhëve moderne evropiane, veçanërisht italishtes, frëngjishtes anglishtes dhe, në raste më të kufizuara, gjermanishtes. Ato u përvetësuan kryesisht gjatë shekujve XIX dhe XX, krahas zhvillimit të arsimit, të shkencës dhe të institucioneve moderne.

Kësaj shtrese i përkasin terma të filozofisë, të shkencave shoqërore dhe të shkencave të natyrës, si filozofi, demokraci, matematikë, gjeografi, histori, biologji, teknologji, astronomi, telefon, mikroskop dhe enciklopedi. Disa prej tyre janë fjalë të greqishtes së lashtë, ndërsa të tjera janë krijime ndërkombëtare më të vona, të formuara me tema dhe elemente fjalëformuese greke.

 

Të shumtë janë edhe termat e mjekësisë dhe të disiplinave të lidhura me të, si anatomi, diagnozë, terapi, epidemi, farmaci, psikologji, neurologji, kardiologji, ortopedi, fiziologji, patologji, pediatri dhe kirurgji. Nëpërmjet përdorimit të gjerë në arsimin dhe në ligjërimin profesional, këto fjalë janë integruar në sistemin leksikor dhe gramatikor të shqipes. 

Në tërësi, ndikimi i greqishtes përbën një nga shtresat më të hershme dhe më të qëndrueshme të pasurimit historik e terminologjik të shqipes.

Romanizimi i Ballkanit dhe ndikimi i latinishtes (shek. II p.e.s. – VI e.s.)

Një nga periudhat më vendimtare në historinë e gjuhës shqipe lidhet me romanizimin e Ballkanit gjatë sundimit të Perandorisë Romake. Kontakti i pandërprerë për rreth tetë shekuj me latinishten ushtroi një ndikim të thellë në zhvillimin e proto-shqipes dhe të shqipes së hershme, duke lënë gjurmë jo vetëm në leksik e në frazeologji, por edhe në zhvillimin fonetik,  ndërtimin morfologjik e sintaksor, në strukturën e përgjithshme të gjuhës. Ky proces shënon një nga etapat themelore në formimin e shqipes si gjuhë më vete brenda familjes indoevropiane.

Ndryshe nga shtresat e mëvonshme të huazimeve, ndikimi i latinishtes nuk u kufizua në përvetësimin e disa fjalëve të veçuara. Ai u zhvillua në kuadrin e një shndërrimi të gjerë politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor, që solli mënyra të reja organizimi dhe koncepte të reja në administratë, drejtësi, jetën qytetare, tregti dhe, më vonë, në përhapjen e krishterimit. Për rrjedhojë, një pjesë e konsiderueshme e fjalorit me prejardhje latine u integrua në sistemin e shqipes dhe u bë pjesë e pandashme e saj.

Studimet e Eqrem Çabejt, Shaban Demirajt, Norbert Joklit, Eric Hampit dhe të albanologëve të tjerë kanë treguar se elementi latin përbën një nga shtresat më të hershme, më të gjera dhe më të integruara të huazimeve historike në shqipe. Sipas inventarëve të ndryshëm etimologjikë, në gjuhën shqipe dallohen të paktën rreth 600 leksema bazë, që lidhen me etimone latine, pa përfshirë fjalët e formuara më pas prej tyre me mjetet fjalëformuese të shqipes. Numri i tyre, shtrirja në fusha të ndryshme të jetës dhe integrimi i thellë fonetik e gramatikor dëshmojnë hershmërinë dhe intensitetin e kontakteve të folësve të protoshqipes me botën romake.

Pavarësisht nga kohëzgjatja dhe thellësia e këtij ndikimi, shqipja nuk u romanizua plotësisht dhe nuk u shndërrua në një gjuhë romane. Ajo ruajti tiparet e veta themelore, ndërsa elementet latine i përvetësoi dhe i përshtati sipas ligjeve të zhvillimit të saj të brendshëm. Këtë e tregojnë shndërrime të tilla si lat. amicus → shq. mik, inimicus → armik, civitas → qytet, lex, legis → ligj, scribere → shkruaj dhe cantare → këndoj. Për gjuhëtarët, këto fjalë kanë vlerën e dokumenteve historike, sepse ndryshimet fonetike që kanë pësuar ndihmojnë në përcaktimin e kohës së huazimit dhe në rindërtimin e fazave të hershme të shqipes, për të cilat mungojnë burimet e shkruara.

Ndër huazimet më të hershme dhe më të qëndrueshme nga latinishtja bëjnë pjesë shumë fjalë të jetës së përditshme, lidhur me trupin e njeriut, familjen, banesën, veglat, marrëdhëniet shoqërore dhe ndarjen e kohës. Në këtë grup hyjnë fjalë si kokë, faqe, fytyrë, shëndet, mik, armik, prind, njerk, kunat, mashkull, femër, mjek, armë, luftë, shkallë, mur, verë, pranverë, mars, prill, maj, gusht, e martë, e mërkurë, e shtunë. Përdorimi i vazhdueshëm dhe integrimi i plotë i tyre tregojnë se ato janë bërë pjesë e fondit themelor të shqipes.

Romanizimi ndikoi edhe në terminologjinë e administrimit, të së drejtës dhe të jetës publike. Fjalë si ligj, dëshmoj dhe kuvend pasqyrojnë depërtimin e koncepteve që lidheshin me organizimin juridik dhe administrativ romak. Ndërkaq, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare sollën fjalë si monedhë, arkë, peshë dhe port, të lidhura me qarkullimin monetar, matjen, transportin dhe ruajtjen e mallrave.

Një vend të rëndësishëm zë terminologjia e krishterë me burim latin. Në këtë grup përfshihen fjalë si prift, djall, mëkat, meshë, altar, apostull, psalm dhe pagëzim. Disa prej tyre kanë prejardhje të fundit greke, por mendohet se kanë hyrë në shqipe nëpërmjet latinishtes kishtare. Tiparet e tyre fonetike dëshmojnë për një përvetësim të hershëm, përpara ndarjes së plotë ndërmjet traditës së krishterë perëndimore dhe asaj lindore në trevat shqiptare.

Ndikimi latin vërehet gjithashtu në fushën e shkrimit, të arsimit dhe kulturës, siç dëshmojnë fjalë të tilla si letër, libër, shkollë, shkruaj dhe këndoj. Kjo shtresë duhet dalluar nga terminologjia ndërkombëtare me bazë greke ose latine, si gramatikë, bibliotekë dhe filozofi, e cila u përvetësua nga shqipja në periudha shumë më të vona nëpërmjet gjuhëve moderne evropiane.

Integrimi i huazimeve latine shihet jo vetëm në përshtatjen e tyre fonetike dhe gramatikore, por edhe në aftësinë për të krijuar familje të reja fjalësh brenda shqipes. Nga shkruaj janë formuar shkrim, shkrimtar, i shkruar dhe rishkruaj; nga ligj, fjalët ligjor, ligjshmëri, ligjvënës dhe ligjëroj; ndërsa nga mjek, format mjekoj, mjekim dhe mjekësi. Në këtë mënyrë, elementet e marra nga latinishtja nuk mbetën një shtresë e jashtme e fjalorit, por u bënë prodhuese dhe morën pjesë në zhvillimin e mëtejshëm të shqipes.

Ndikimi i gjuhëve sllave

Kontaktet e shqiptarëve me popujt sllavë nisën pas vendosjes së tyre në Gadishullin Ballkanik, rreth shekujve VI–VII, dhe vijuan me intensitet të ndryshëm gjatë Mesjetës e në periudhat e mëvonshme. Fqinjësia, bashkëjetesa dhe marrëdhëniet ekonomike e shoqërore krijuan kushte për shkëmbime të vazhdueshme gjuhësore e kulturore. Siç shkruan Eqrem Çabej, “elementi sllav përfshin sfera të ndryshme të veprimtarisë së njeriut, si fushën e kulturës materiale, ashtu dhe atë të jetës sociale e juridike” (Studime gjuhësore, Vëll. III).

Për qëllimet e këtij shkrimi, ndikimet e ardhura nga serbishtja, maqedonishtja, bullgarishtja dhe gjuhë të tjera të afërta përmblidhen nën emërtimin e përgjithshëm gjuhët sllave, pa u ndalur në përcaktimin e gjuhës dhënëse për çdo fjalë. Gjurmët e këtyre kontakteve ruhen më qartë në leksik dhe në toponimi, por shfaqen edhe në disa të folme krahinore dhe në traditat folklorike.

Huazimet sllave përfshijnë fusha të ndryshme të kulturës materiale dhe të organizimit shoqëror, veçanërisht bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, zejet, banesën, veglat e punës, florën dhe faunën. Kësaj shtrese i përkasin fjalë si oborr, kosh, kosë, lopatë, kovë, kyç, çekan, grazhd, stan, kastravec, nevojë, gjobë, zakon dhe krahinë. Shumë prej tyre janë përhapur në mbarë shqipen dhe përdoren sot pa u perceptuar si fjalë të huaja. Ato janë përshtatur me sistemin fonetik e gramatikor të gjuhës dhe kanë krijuar edhe fjalë të reja, si zakonshëm, zakonisht, i pazakontë, nevojtar dhe i nevojshëm. Kjo aftësi fjalëformuese tregon se huazimet nuk kanë mbetur elemente të jashtme, por janë bërë pjesë vepruese e shqipes.

Në krahinat ku kontaktet me gjuhët sllave kanë qenë më të dendura, veçanërisht në Kosovë dhe në viset kufitare, ndeshen edhe huazime më të vona dhe me përdorim kryesisht krahinor, si vozit dhe vullkanizer. Çabej vëren se aty shfaqen edhe ndikime të kufizuara në strukturën gramatikore. Të tilla janë si ai do të shkon në vend të ai do të shkojë, dhe jam shkue në vend të kam shkue. Shtrirja jo e njëtrajtshme e këtyre fjalëve tregon se ndikimi sllav nuk ka qenë i njëjtë në të gjithë hapësirën shqiptare, por ka ndryshuar sipas periudhës historike, afërsisë gjeografike dhe shkallës së dygjuhësisë. Ndikimet e mundshme gramatikore në të folmet kufitare kërkojnë, megjithatë, një analizë më të kujdesshme, sepse ngjashmëritë strukturore mund të jenë edhe dukuri të përbashkëta ballkanike dhe jo domosdoshmërisht huazime nga një gjuhë e vetme.

Një dëshmi veçanërisht e dukshme e kontakteve mesjetare ruhet në toponimi. Toponimet me prejardhje sllave nuk kufizohen vetëm në viset kufitare, por ndeshen në pjesë të ndryshme të hapësirës shqiptare. Disa janë ruajtur në trajta relativisht të hershme, ndërsa të tjera janë përshtatur fonetikisht dhe morfologjikisht në shqipe. Në trojet shqiptare gjenden shumë emra vendbanimesh, krahinash, lumenjsh, malesh, fushash dhe njësish të tjera gjeografike me prejardhje sllave. Në këtë shtresë përfshihen emra si Pogradec, Novoselë, Zadrimë, Dibër, Çermenikë, Drin, Mat, Shkumbin, Zagori, Leskovik, si edhe një varg toponimesh të formuara me prapashtesa sllave, ndër të cilat dallohen -ovë Mavrovë, -icë Lepenicë, dhe -inë Smokthinë.

Megjithatë, prejardhja sllave e një toponimi nuk dëshmon vetvetiu për përkatësinë etnike të vazhdueshme të popullsisë së një vendi. Emrat gjeografikë mund të jenë krijuar, përkthyer, përshtatur ose trashëguar në rrethana dhe periudha të ndryshme historike.

Kontaktet shqiptaro-sllave kanë lënë gjurmë edhe në fjalorin e besimeve popullore, ku ndeshen emërtime figurash të botës së mbinatyrshme, si vampir dhe gogol. Megjithatë, fjalë dhe figura të tilla kanë qarkulluar gjerësisht në të gjithë Ballkanin dhe rruga e saktë e përhapjes së tyre nuk mund të përcaktohet gjithmonë me siguri.

Afritë shfaqen gjithashtu në balada, legjenda dhe këngë epike. Motivi i murimit, i mishëruar në traditën shqiptare nga legjenda e Rozafës, ndeshet në forma të ndryshme edhe te popuj të tjerë të Ballkanit. Po kështu, motivi i të vdekurit që ngrihet nga varri për të përmbushur fjalën e dhënë, i njohur në baladën e Kostandinit dhe Doruntinës, gjendet edhe në tradita të tjera ballkanike. Në zonat veriore dhe kufitare vërehen afri ndërmjet këngëve epike shqiptare dhe atyre të sllavëve të jugut, sidomos në motivet e dyluftimit, rrëmbimit, shpëtimit dhe trimërisë së heroit.

Fjalët, motivet dhe figurat folklorike kanë qarkulluar në të dyja drejtimet, duke u ripunuar sipas botëkuptimit dhe traditës artistike të secilit popull. Ndikimi sllav në shqipe, pra, nuk përfaqëson një shtresë të vetme dhe të njëtrajtshme, por historinë e një bashkëjetese të gjatë, gjurmët e së cilës ruhen në fjalorin e përditshëm, në hartën gjeografike dhe në kujtesën folklorike të shqiptarëve.

Ndikimi i osmanishtes dhe gjuhëve orientale (shek. XV–XIX)

Me vendosjen e sundimit osman në Ballkan, shqiptarët u përfshinë për më shumë se katër shekuj në një hapësirë të re politike, ekonomike dhe kulturore, krejt të ndryshme nga ajo bizantino-latine. Ky ndryshim u pasqyrua qartë edhe në gjuhë. Institucionet shtetërore, administrata, ushtria, organizimi i qyteteve, sistemi fiskal, zejtaria, tregtia dhe një pjesë e jetës fetare funksiononin brenda strukturave të Perandorisë Osmane, duke sjellë në shqipe një shtresë të gjerë huazimesh.

Me vendosjen e sundimit osman në Ballkan, shqiptarët u përfshinë për më shumë se katër shekuj në një hapësirë të re politike, ekonomike dhe kulturore, krejt të ndryshme nga ajo bizantino-latine. Ky ndryshim u pasqyrua qartë edhe në gjuhë. Institucionet shtetërore, administrata, ushtria, organizimi i qyteteve, sistemi fiskal, zejtaria, tregtia dhe një pjesë e jetës fetare funksiononin brenda strukturave të Perandorisë Osmane, duke sjellë në shqipe një shtresë të gjerë huazimesh.

Gjuha përçuese e këtij ndikimi ishte turqishtja osmane por fjalori i saj përmbante, krahas elementeve turke, edhe një numër të madh fjalësh arabe dhe perse. Arabishtja kishte ndikuar veçanërisht në terminologjinë fetare, juridike dhe administrative, ndërsa persishtja në letërsi, kulturë dhe jetën qytetare. Për këtë arsye, shumë fjalë që hynë në shqipe gjatë sundimit osman janë me burim arab ose pers, ndonëse u përvetësuan nëpërmjet turqishtes osmane.

Termi turqizma përdoret shpesh në kuptim të gjerë për të gjithë këtë fond. Nga pikëpamja etimologjike, megjithatë, është më e saktë të dallohen fjalët me prejardhje turke nga ato me burim arab ose pers që u ndërmjetësuan nga turqishtja osmane. Pavarësisht prejardhjes së ndryshme, këto huazime formojnë një shtresë të përbashkët historike, të lidhur me periudhën osmane dhe me ndryshimet politike, shoqërore e kulturore që përjetoi shoqëria shqiptare.

Administrata osmane solli një terminologji të gjerë politike, juridike dhe ushtarake. Fjalë si bej, pashë, kajmekam, sanxhak, vezir, mytesarif, defter dhe ferman emërtonin funksione, njësi territoriale, dokumente dhe institucione të Perandorisë. Pas përfundimit të sundimit osman, realitetet që ato shënonin u zhdukën ose u zëvendësuan; për rrjedhojë, shumica e këtyre fjalëve sot ndeshen kryesisht në veprat historike dhe letrare. Ato kanë fituar kështu jo vetëm vlerë emërtuese, por edhe ngjyrim të dallueshëm historik.

Zhvillimi i qyteteve, i tregtisë dhe zejeve solli edhe përvetësimin e një numri të madh termash ekonomikë e zejtarë. Fjalë si pazar, bakall, dyqan, qese, borxh, hesap dhe hallall u bënë pjesë e fjalorit të përditshëm. Shumë prej tyre përdoren ende në shqipen standarde, ndërsa të tjera ruhen kryesisht në ligjërimin bisedor ose në të folmet krahinore.

Ndikimi i turqishtes osmane është veçanërisht i dukshëm në fjalorin e kulturës materiale dhe të jetës shtëpiake. Fjalë si çorap, jastëk, jorgan, filxhan, ibrik, tepsi dhe kazan emërtojnë sende të përdorimit të përditshëm, ndërsa byrek, bakllava, kajmak, bozë dhe kafe lidhen me traditat ushqimore dhe gatimin. Megjithatë, gatimet që ato emërtojnë u zhvilluan e u përhapën në një mjedis të gjerë kulturor, ku ndërthureshin traditat turkike, perse, arabe, bizantine dhe ballkanike. Shumë prej këtyre fjalëve janë bërë aq të zakonshme, saqë sot nuk perceptohen më si huazime. Prania e tyre tregon se ndikimi osman nuk u kufizua në institucionet shtetërore, por depërtoi edhe në jetën private, në kuzhinë, në veshje, në pajisjet e shtëpisë dhe në zakonet e mikpritjes.

Përhapja e Islamit solli në shqipe një shtresë të gjerë fjalësh që lidhen me besimin, institucionet fetare dhe arsimin tradicional. Sipas Çabejt, “besimi i ri i dha shkas të fortë edhe përhapjes së turqishtes e të huazimeve turke në këto anë”. Kësaj fushe i përkasin fjalë si xhami, hoxhë, imam, myfti, namaz, abdes, bajram, vakëf dhe medrese. Disa prej tyre përdoren ende në jetën fetare, ndërsa të tjera shfaqen kryesisht në kontekste historike ose kulturore.

Ndikimi i turqishtes osmane u shtri edhe në frazeologji dhe në sistemin fjalëformues të shqipes. Shprehje si e bëri hallall, pa hesap, e ka zënë meraku, i doli nami, i bëri namin, pa zarar,  u bënë pjesë e ligjërimit bisedor, e folklorit dhe letërsisë popullore. Shumë prej tyre vazhdojnë të përdoren me ngjyrime emocionale, ironike, stilistike ose krahinore.

Mjaft huazime orientale shërbyen si bazë për krijimin e fjalëve të reja. Disa u ndërthurën me elemente të shqipes, si hallemadh dhe halleshumë, ndërsa të tjera u formuan me prapashtesa të ardhura nëpërmjet turqishtes osmane, si borxhli dhe hallexhi. Këto formime tregojnë se temat dhe prapashtesat e huazuara u përfshinë në mekanizmat fjalëformues të shqipes dhe fituan përdorim të pavarur.

Megjithatë, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare dhe veçanërisht pas krijimit të shtetit shqiptar, u shfaq një prirje e qëllimshme për të zëvendësuar një pjesë të huazimeve osmane me fjalë burimore shqipe, me terma ndërkombëtarë me prejardhje greko-latine, ose huazime nga gjuhë të tjera. Kjo prirje u forcua gjatë shekullit XX, si pjesë e përpjekjeve për pastrimin, standardizimin dhe modernizimin e gjuhës letrare. Si rezultat, një numër i konsiderueshëm turqizmash që lidhen me administratën osmane, jetën juridike dhe institucionet e kohës dolën gradualisht nga përdorimi ose mbetën të kufizuara në kontekste historike, krahinore apo stilistike. Një pjesë tjetër, sidomos ajo që lidhet me jetën e përditshme, u integrua plotësisht dhe vazhdon të jetë aktive në shqipen e sotme.

Ndikimi i italishtes

Afërsia gjeografike dhe marrëdhëniet shumë shekullore me qytetet italiane, veçanërisht me Republikën e Venedikut, krijuan kushte të favorshme për ndikimin e italishtes në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ky ndikim lidhet me kontaktet më të hershme të shqipes me latinishten dhe përbën, në një kuptim më të gjerë, vazhdimësi të pranisë romano-latine. Ai nisi në Mesjetë, u fuqizua gjatë Rilindjes Evropiane dhe vijoi në kohët moderne, duke formuar një nga shtresat më të rëndësishme të leksikut të shqipes.

Gjatë regjimit komunist, megjithëse marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë ishin të kufizuara, lidhjet kulturore të shqiptarëve me botën italiane nuk u ndërprenë. Radioja dhe sidomos transmetimet televizive italiane, të ndjekura shpesh fshehurazi — brezat më të vjetër i kujtojnë mirë “kanoçet” e përdorura për të kapur sinjalin — u shndërruan për shumë familje në një dritare drejt Evropës Perëndimore. Përmes tyre, shqiptarët u njohën me zhvillimet bashkëkohore në muzikë, kinema, teatër, art, modë, sport, shkencë dhe politikë.

Pas viteve 1990, hapja e Shqipërisë dhe emigracioni masiv drejt Italisë i intensifikuan këto marrëdhënie. Bashkëpunimi në arsim e shkencë, përkthimet letrare, mediat, turizmi dhe shkëmbimet ekonomike e tregtare e forcuan më tej praninë e italishtes në jetën shqiptare. Njohja e saj u përhap gjerësisht, sidomos te brezat e rinj dhe në familjet e emigrantëve, duke e bërë italishten një nga gjuhët e huaja më të njohura në Shqipëri.

Gjurmët më të dukshme të këtij ndikimi vërehen në leksik. Nga italishtja ose përmes saj kanë hyrë fjalë që lidhen me administratën, ekonominë, financat, tregtinë, detarinë, arkitekturën, artin, muzikën dhe jetën qytetare, si bankë, faturë, firmë, studio, operë, koncert, violinë, piano, pilot, makinë, trafik, valutë, valixhe, adresë, apartament dhe vitrinë.

Gjatë dekadave të fundit janë përhapur terma të rinj sidomos në biznes, turizëm dhe gastronomi. Në përdorim ndeshen fjalë e togfjalësha si autostradë, rezidencë, agjenci imobiliare, espresso, kapuçino, pica, pasta, parmixhano dhe karpaço. Një pjesë e tyre është përshtatur plotësisht me sistemin fonetik, morfologjik dhe drejtshkrimor të shqipes, ndërsa të tjera ruajnë ende tipare të gjuhës burimore. Italishtja ka shërbyer gjithashtu si gjuhë ndërmjetëse për hyrjen e një pjese të terminologjisë ndërkombëtare.

Ndikimi italian nuk është kufizuar vetëm në fjalor. Përkthimet letrare dhe kontaktet e vazhdueshme kulturore kanë ndihmuar në pasurimin e mjeteve shprehëse, të prozës artistike dhe të publicistikës shqipe, pa sjellë ndryshime të qenësishme në strukturën gramatikore të gjuhës.

Ndikimi i frëngjishtes

Gjatë shekujve XVIII–XX, frëngjishtja fitoi prestigj të veçantë në Evropë si gjuhë e diplomacisë, e kulturës dhe e mendimit shkencor. Ndikimi i saj në shqipe u përcoll kryesisht përmes arsimit, letërsisë, përkthimeve, administratës dhe marrëdhënieve kulturore me Evropën Perëndimore.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajti Rilindja Kombëtare Shqiptare. Shumë rilindës, intelektualë dhe diplomatë shqiptarë u arsimuan në shkolla frankofone ose u njohën me kulturën franceze gjatë qëndrimit të tyre në Evropë. Në këtë mënyrë, ata ndihmuan në përhapjen e terminologjisë moderne politike, juridike, shkencore dhe kulturore. Edhe gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, modeli francez ndikoi në organizimin e arsimit, të administratës dhe të institucioneve shqiptare.

Një kontribut të veçantë dha Liceu Kombëtar i Korçës, i themeluar më 1917 sipas modelit arsimor francez. Për disa dekada, ai ishte një nga qendrat kryesore të arsimit frankofon në Shqipëri dhe përgatiti një pjesë të rëndësishme të elitës intelektuale, administrative dhe politike të vendit. Mësimdhënia në frëngjisht dhe përdorimi i teksteve franceze i njohën nxënësit me terminologjinë e shkencës, filozofisë, letërsisë, historisë dhe administratës. Më pas, kjo terminologji u përhap në arsimin shqiptar, në administratën shtetërore, në publicistikë dhe në përkthimet letrare e shkencore.

Ndikimi i frëngjishtes është veçanërisht i dukshëm në gjuhën e diplomacisë dhe të administratës. Në këtë fushë ndeshen terma si protokoll, ambasadë, ambasador, konsull, delegacion, negociatë, kabinet, byro, komunikatë dhe memorandum. Shumë prej tyre i përkasin terminologjisë ndërkombëtare dhe mund të kenë hyrë në shqipe drejtpërdrejt nga frëngjishtja ose nëpërmjet gjuhëve të tjera evropiane.

Prania e saj vërehet edhe në art, letërsi, teatër dhe kinema, me terma si kinema, regji, regjisor, dekor, ansambël, repertor, premierë, debutim, avangardë, siluetë, fejton, ese dhe atelie. Me kulturën dhe terminologjinë franceze lidhet edhe përhapja e emërtimeve të rrymave artistike e letrare, si iluminizëm, romantizëm, realizëm, natyralizëm, simbolizëm, impresionizëm, modernizëm dhe surrealizëm. Këto koncepte u bënë pjesë e gjuhës së kritikës, të publicistikës dhe të studimeve shqiptare.

Në fushën e modës, kozmetikës dhe gastronomisë u përhapën fjalë si modë, parfum, makijazh, siluetë, manekin, butik, bizhuteri, meny dhe restorant. Këto huazime pasqyrojnë prestigjin që gëzonte kultura franceze dhe rolin e frëngjishtes në përhapjen e terminologjisë moderne evropiane.

Përtej leksikut, letërsia dhe mendimi francez ndikuan në formimin e shijeve estetike, në zhvillimin e kritikës letrare e artistike, të publicistikës dhe të kulturës moderne shqiptare. Ndërsa italishtja pati një prani më të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme dhe në kulturën popullore, frëngjishtja u shqua kryesisht si gjuhë e arsimit, diplomacisë dhe elitës intelektuale. Huazimet nga italishtja dhe frëngjishtja dhanë një ndihmesë të rëndësishme në modernizimin e leksikut të shqipes. Nëpërmjet tyre u emërtuan institucione, profesione, shpikje, rryma artistike dhe koncepte politike të lidhura me zhvillimet e reja të shoqërisë shqiptare. Me kalimin e kohës, shumë prej këtyre fjalëve u integruan në sistemin fonetik, gramatikor dhe drejtshkrimor të shqipes, duke u bërë pjesë e fondit të saj aktiv. Në këtë kuptim, ndikimi i italishtes dhe i frëngjishtes ndihmoi në evropianizimin e leksikut të shqipes dhe në zgjerimin e mundësive të saj shprehëse.

Ndikimi i rusishtes

Ndikimi i rusishtes në gjuhën shqipe lidhet kryesisht me periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht me vitet 1948–1961, kur Shqipëria vendosi marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore me Bashkimin Sovjetik. Gjatë kësaj kohe, qindra studentë shqiptarë u arsimuan në universitetet sovjetike, ndërsa nga rusishtja u përkthyen tekste shkollore e universitare, vepra shkencore, teknike dhe letrare. Këto kontakte sollën përhapjen e termave dhe të koncepteve që lidheshin me organizimin socialist të shtetit, politikën, ekonominë, shkencën dhe teknologjinë.

Për shkak të kohëzgjatjes relativisht të shkurtër dhe të karakterit kryesisht institucional të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, ndikimi i rusishtes, ndryshe nga ai i latinishtes, turqishtes osmane ose italishtes, nuk solli ndryshime të rëndësishme në strukturën fonetike dhe gramatikore të shqipes. Gjurmët e tij u shfaqën kryesisht në leksik dhe në ligjërimin politik, ideologjik, shkencor e teknik. Në studimin e këtij ndikimi është e rëndësishme të dallohen huazimet me prejardhje të mirëfilltë ruse nga termat ndërkombëtarë që u përhapën nëpërmjet rusishtes.

Përmes rusishtes u përhap ose u konsolidua terminologjia e ndërtimit të shtetit socialist dhe organizimit politik të shoqërisë së asaj kohe, si kolkoz, sovkoz, hozrashot, stahanovist, bolshevik, komsomol, sovjet, Komintern, agjitprop, aparatçik dhe politbyro,. U përhapën gjithashtu terma dhe formula të diskursit marksist-leninist, si centralizëm demokratik, diktaturë e proletariatit, luftë e klasave, internacionalizëm proletar, Byroja Politike, armik i popullit dhe kulti i individit. Në këtë kontekst, edhe fjala nomenklaturë mori kuptimin e posaçëm të hierarkisë së funksionarëve të partisë dhe të shtetit.

Në fushën e ekonomisë dhe të organizimit të punës u përdorën gjerësisht shprehje si kolektivizim, ekonomi e planifikuar, fermë shtetërore, kooperativë bujqësore, plan pesëvjeçar, brigadë socialiste dhe emulacion socialist. Ndërkaq, formulime si njeriu i ri, realizëm socialist, edukim ideopolitik, ndërgjegje socialiste, dhe moral komunist shprehnin synimin për formimin e individit dhe të kulturës sipas idealeve të sistemit.

Terma si socializëm, komunizëm, industrializim, kolektivizim, mekanizim, elektrifikim, kooperativë, kombinat, planifikim dhe specializim nuk janë me origjinë ruse, por përdorimi i tyre në shqipe u zgjerua dhe u konsolidua përmes përkthimeve të literaturës sovjetike dhe diskursit politik të kohës. E njëjta gjë vlen për terma shkencorë e teknikë si atom, molekulë, reaktor, turbinë, transformator dhe traktor, të cilët i përkasin terminologjisë ndërkombëtare me bazë kryesisht greke ose latine. Në këto raste, rusishtja shërbeu si kanal ndërmjetës dhe jo si burim etimologjik.

Sistemi arsimor dhe botues luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e këtij ndikimi. Përkthimi i teksteve të matematikës, fizikës, kimisë, inxhinierisë, bujqësisë, mjekësisë dhe filozofisë ndihmoi në përpunimin dhe njësimin e terminologjisë shkencore e teknike në shqip. Nga mjedisi shkencor sovjetik u përhapën edhe terma si sputnik dhe kozmonaut, të lidhur me kërkimet hapësinore, si dhe miçurinizëm e jarovizim, lidhur me biologjinë, gjenetikën dhe agronominë.

Një ndikim të dukshëm kulturor ushtruan përkthimet e letërsisë ruse. Veprat e Aleksandër Pushkinit, Leon Tolstoit, Fjodor Dostojevskit, Anton Çehovit, Ivan Turgenievit dhe Maksim Gorkit u botuan dhe u lexuan gjerësisht në shqip. Përballja me gjuhën dhe stilin e këtyre autorëve i nxiti përkthyesit shqiptarë të kërkonin zgjidhje të reja në rrëfim, dialog dhe përshkrim psikologjik, duke pasuruar praktikën përkthimore dhe mjetet shprehëse të shqipes letrare.

Bashkëpunimi me Bashkimin Sovjetik ndikoi edhe në zhvillimin e kinematografisë shqiptare. Kinostudioja “Shqipëria e Re”, e themeluar më 1952 me ndihmën sovjetike, u bë qendra e prodhimit të filmave, dokumentarëve dhe kronikave shqiptare. Ky bashkëpunim ndihmoi në formimin e kineastëve dhe të teknikëve, si dhe në përvetësimin e metodave të reja të prodhimit filmik. Një nga frytet e para të tij ishte filmi shqiptaro-sovjetik Skënderbeu. Në këtë mënyrë, ndikimi sovjetik u shtri përtej leksikut dhe përkthimit, duke prekur edhe organizimin institucional, formimin profesional dhe zhvillimin teknik e artistik të kinematografisë shqiptare.

Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike më 1961, ndikimi i drejtpërdrejtë i rusishtes u dobësua ndjeshëm. Shqipëria u orientua më pas politikisht dhe ekonomikisht drejt Kinës, ndërsa pas vitit 1990 anglishtja u bë burimi kryesor i terminologjisë së re shkencore, teknologjike dhe ekonomike. Megjithatë, rusizmat dhe modelet terminologjike të përhapura gjatë bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik mbeten dëshmi e një etape të veçantë në historinë politike, arsimore, shkencore dhe kulturore të Shqipërisë.

Ndikimi i anglishtes

Në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, anglishtja u bë burimi kryesor i huazimeve të reja në gjuhën shqipe. Ky ndikim lidhet me globalizimin, zhvillimin e teknologjisë së informacionit, përhapjen e internetit, ekonominë e tregut, shkencën, arsimin, emigracionin dhe kulturën ndërkombëtare. Ndryshe nga shtresat më të hershme të huazimeve, ndikimi i anglishtes është një proces ende në zhvillim, i cili sjell vazhdimisht terma, kuptime dhe modele të reja shprehëse.

Shumë fjalë angleze janë përvetësuar pa ndryshime ose me përshtatje të vogla fonetike dhe drejtshkrimore. Në teknologji dhe komunikimin digjital përdoren gjerësisht terma si internet, blog, podkast, server, softuer, smartfon, laptop, skaner, printer, monitor, link, ueb, aplikacion, çip, Wi-Fi, online, streaming, emoji dhe hashtag. Për shkak të shpejtësisë së zhvillimeve teknologjike, këto fjalë hyjnë shpesh në përdorim përpara se të krijohet ose të përhapet një barasvlerës i qëndrueshëm në shqip.

Në ekonomi dhe në botën e biznesit janë përhapur fjalë si marketing, menaxher, menaxhim, startup, biznes, brend, sponsor, tender, audit, lidership, bord, staf, partneritet dhe frilancer. Disa prej tyre janë me prejardhje më të hershme latine ose franceze, por përdorimi dhe kuptimet e tyre bashkëkohore janë përhapur në shqip kryesisht nën ndikimin e anglishtes.

Prania e anglishtes është e dukshme edhe në media, reklamë, muzikë, sport dhe kulturën rinore. Fjalë si show, reality show, hit, klip, DJ, rep, rok, pop, fan, trajner, rekord, ekip, gol, derbi dhe fair play janë bërë pjesë e komunikimit të përditshëm. Në rrjetet sociale përdoren gjithashtu influencer, follower, story, reel, like, selfie, post, chat, live dhe fake news, shpesh krahas formave shqipe ose pa ndonjë përshtatje drejtshkrimore.

Një pjesë e fjalëve angleze është përshtatur sipas sistemit fonetik dhe morfologjik të shqipes. Kështu, computer është bërë kompjuter, scanner është përshtatur si skaner, software si softuer dhe podcast si podkast. Nga tema të huazuara janë krijuar edhe folje e emra sipas rregullave të shqipes, si menaxhoj, menaxhim, skanoj, printoj, formatoj, klikoj, postoj, programoj dhe programues. Kjo dëshmon aftësinë e shqipes për t’i integruar elementet e huaja në sistemin e saj gramatikor dhe fjalëformues.

Megjithatë, përshtatja nuk është gjithmonë e njëtrajtshme. Në përdorim ndeshen njëkohësisht forma të huaja dhe të shqipëruara, si scanner/skaner, software/softuer, podcast/podkast dhe online/në internet. Kjo luhatje është karakteristike për huazimet e reja, norma e të cilave nuk është konsoliduar ende plotësisht.

Ndikimi i anglishtes nuk shfaqet vetëm nëpërmjet huazimeve të drejtpërdrejta. Në shumë raste, shqipja ka krijuar terma duke përkthyer elementet përbërëse të shprehjeve angleze. Shembuj të tillë janë rrjet social (social network), faqe interneti (webpage/website), fjalëkalim (password), shfletues (browser), motor kërkimi (search engine), postë elektronike (electronic mail), inteligjencë artificiale (artificial intelligence), mësim në distancë (distance learning), punoj nga shtëpia (work from home) dhe ruajtje në renë kompjuterike (cloud storage). Këto krijime tregojnë aftësinë e shqipes për të emërtuar realitete të reja me mjetet e veta.

Në raste të tjera, nën ndikimin e anglishtes, fjalë që ekzistonin më parë në shqip kanë fituar kuptime ose përdorime të reja. Terma ndërkombëtarë si platformë, profil, aplikacion, rrjet, virus, dritare dhe adresë përdoren sot edhe në kuptime informatike. Në këto raste nuk kemi domosdoshmërisht huazimin e një fjale të re, por zgjerimin kuptimor të një fjale ekzistuese.

Anglishtja është bërë gjithashtu gjuha kryesore e komunikimit shkencor ndërkombëtar. Përmes artikujve, konferencave, teksteve universitare dhe bashkëpunimeve akademike, në shqipe kanë hyrë terma të shumtë nga informatika, mjekësia, ekonomia, biologjia dhe inxhinieria. Shprehje si big data, machine learning, deep learning, blockchain, startup, know-how dhe open source përdoren shpesh në trajtën angleze, megjithëse për disa prej tyre ekzistojnë forma shqipe, si të dhëna masive, të nxënit makinerik, zinxhir blloqesh, njohuri praktike dhe kod me burim të hapur.

Në arsimin e lartë është shtuar përdorimi i literaturës në anglisht, ndërsa disa programe studimi zhvillohen pjesërisht ose plotësisht në këtë gjuhë. Kjo ka lehtësuar qarkullimin e dijes dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, por ka krijuar edhe vështirësi në zhvillimin dhe njësimin e terminologjisë shkencore shqipe.

Anglishtja ushtron ndikim të fortë edhe në gjuhën e medias, politikës dhe administratës. Në ligjërimin publik përdoren shpesh fjalë si implementoj, targetoj, adresoj, aksesoj, suportoj, draft, feedback, update, deadline, task, workshop dhe event, edhe kur shqipja ofron barasvlerës të qartë: zbatoj, synoj, trajtoj, përdor ose hyj, mbështes, projekt, vlerësim ose përgjigje, përditësim, afat, detyrë, seminar dhe veprimtari.

Ky përdorim nuk buron gjithmonë nga nevoja për të emërtuar koncepte të reja. Ndonjëherë ai lidhet me prestigjin e anglishtes dhe me dëshirën e folësve, sidomos në media, politikë dhe biznes, për t’u paraqitur si modernë, të arsimuar ose të lidhur me mjedisin ndërkombëtar. Kur përdoren pa nevojë, këto fjalë mund ta bëjnë ligjërimin më pak të qartë dhe të shmangin fjalë shqipe të sakta e të kuptueshme.

Në gjuhën e medias, reklamës, përkthimeve dhe komunikimit digjital vërehen edhe ndërtime të ndikuara nga anglishtja. Përkthimi fjalë për fjalë mund të prodhojë togfjalësha që nuk përputhen plotësisht me natyrën e shqipes. Po kështu, përdorimi i shpeshtë i emrave në vend të foljeve dhe fjalitë e shkurtra sipas modelit publicitar anglez kanë ndikuar në stilin e komunikimit publik.

Një dukuri tjetër është ndërthurja e shqipes me anglishten brenda së njëjtës fjali, veçanërisht në komunikimin e të rinjve dhe në mjediset profesionale: ta bëjmë update, më dërgo linkun, kemi një meeting, bëj download dokumentin ose më jep feedback. Kjo dukuri pasqyron kontaktin e vazhdueshëm të folësve me anglishten, por, kur përdoret pa nevojë, mund të kufizojë përdorimin aktiv të fjalëve shqipe.

Përballë hyrjes së vazhdueshme të anglicizmave, gjuhëtarët, institucionet shkencore, universitetet dhe specialistët e fushave të ndryshme përpiqen të përpunojnë dhe të njësojnë terminologjinë shqipe. Nëpërmjet fjalorëve terminologjikë, teksteve normative dhe botimeve shkencore rekomandohen forma shqipe për terma të teknologjisë, shkencës dhe komunikimit. Megjithatë, shpejtësia me të cilën krijohen dhe përhapen konceptet e reja e vështirëson standardizimin e menjëhershëm të tyre.

Ndikimi gjithnjë e më i madh i anglishtes po shndërrohet në një sfidë për shqipen, veçanërisht kur fjalët e huaja përdoren pa nevojë në vend të fjalëve shqipe ekzistuese. Përdorimi i pakontrolluar i anglicizmave në media, politikë, administratë, biznes dhe komunikimin e përditshëm mund të dobësojë përdorimin aktiv të një pjese të leksikut vendës, ta bëjë ligjërimin më pak të kuptueshëm dhe të krijojë vështirësi komunikimi ndërmjet brezave ose grupeve të ndryshme shoqërore. Prandaj, sfida nuk qëndron në kundërshtimin e çdo huazimi, por në dallimin ndërmjet termave që emërtojnë realitete vërtet të reja dhe atyre që zëvendësojnë pa arsye fjalë të sakta e të rrënjosura në shqip.

Në këtë kuptim, ndikimi i anglishtes përfaqëson jo vetëm fazën më të re të zhvillimit të leksikut të shqipes, por edhe një sfidë për ruajtjen e qartësisë dhe të individualitetit të saj. Përvetësimi i termave të domosdoshëm duhet të shoqërohet me përshtatjen e tyre sipas rregullave të shqipes, me krijimin e barasvlerësve të përshtatshëm dhe me përdorimin e përgjegjshëm të gjuhës në arsim, media, administratë dhe jetën publike. Në këtë mënyrë, shqipja mund t’u përgjigjet zhvillimeve të reja, duke ruajtur njëkohësisht fondin e saj leksikor dhe veçoritë që përbëjnë identitetin e saj.

Në përfundim, huazimet nga gjuhë dhe kultura të ndryshme përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe të zhvillimit të shqipes. Ato pasqyrojnë kontaktet shumë­shekullore të shqiptarëve me popujt e tjerë dhe kanë ndihmuar në pasurimin e leksikut, në zgjerimin e mundësive shprehëse dhe në emërtimin e realiteteve të reja. Shqipja i ka përvetësuar dhe përshtatur këto elemente sipas natyrës së saj, duke ruajtur vazhdimësinë dhe individualitetin gjuhësor. Sot, përballë ndikimeve të reja, veçanërisht atyre të anglishtes, sfida qëndron në ruajtjen e një ekuilibri ndërmjet hapjes ndaj zhvillimeve bashkëkohore dhe mbrojtjes së pasurisë së vetë gjuhës shqipe.

Exit mobile version