Tetori – muaji i letërsisë dhe arteve, i takimeve të shkrimtarëve dhe artistëve me lexuesit dhe artdashësit anembanë atdheut. Nga e kemi huajtuar këtë formë burokratike dhe formale? Më duket se historiku plekset me ndryshimet politike. Në kohën e aleancës së pathyeshme me Bashkimin Sovjetik, shtatori qe shpallur “ muaji i miqësisë” dhe anembanë vendit zhvilloheshin aktivitete të larmishme artistike me recitime, këngë, muzikë. Pas prerjes së marrëdhënievet diplomatike me Bashkimin Sovjetik, e humbi kuptimin, përmbajtjen dhe qëllimin, prandaj u zëvendësua me muajin e letërsisë dhe arteve. Më vonë, Kryesia e Lidhjes e spostoi në tetor që të përkonte me ditëlindjen e udhëheqësit dhe të mos dubloheshin aktivitetet me diten e poezisë (16 tetorin). Lidhja e konsideron aktivitetin më të rëndësishëm të vitit, si bashkëbisedim midis artistëve dhe masës së lexuesve dhe dëgjuesve, prandaj parapërgatitej duke hartuar lista ekipesh me shkrimtarë, piktorë, aktorë, rrethet ku do të shkojnë dhe datat. Në fund të shtatorit, te salla e madhe e Lidhjes, organizohet ceremonia e hapjes se muajit festiv. Kryetari mban fjalën e rastit për detyrat aktuale, pastaj Sekretari shpall përbërjen e ekipeve. Të krisurat e para të programit nisin që aty, për shkak se mjaft artistë duan të këmbejnë destinacionin, ekipin, ose datat. Ngjasin edhe gjëra komike. Disa nga kolegët tanë më të shkathët e më të paturshëm, menjëherë pas mbledhjes shkojnë te llogaria e Lidhjes, tërheqin paradhënien për shpenzime udhëtimi e dieta dhe pastaj vrapin e lënë te rostiçeritë e Tiranës, ku vazhdojnë festën me të ngrëna e të pira, duke ngritur shëndete për njëri tjetrin e për Lidhjen. Po t’u teprojnë para, i vazhdojnē davetet edhe ditët e tjera. Gjithkush mund të pyesë ku e si do t’i gjejnë të hollat për të mbuluar shpenzimet e vajtjes në rrethet e caktuara? Zakonisht kjo kategori nuk shkon për takime letrare as në rrethet e largëta, as në të afërtat, madje as në shkollat e kryeqytetit. Për ta muaji i letërsisë është më i dashur se u jep mundësi të zhvatin të ardhura suplementare. Pas tre-katër muajsh llogaria e Lidhjes i thërret të shlyejnë paradhënien. Atëhere prej tyre dëgjohen zakonisht replika komike. Biletat e udhëtimit i “kanë humbur”, fatura hoteli s’ kanë, se gjasme “harruan t’i merrnin”, ose fjetën nëpër miqtë e tyre, etj. Sidoqoftë muaji i letërsisë u krijon mundësi anëtarëve të Lidhjes të vizitojnë rrethet që nuk i kanë parë, të pushojnë disa ditë larg kryeqytetit të shkojnë nëpër qytetet ku kanë familjet e tyre, ose punë personale.
Sivjet, sapo mbaroi ceremonia e hapjes së muajit të letërsisë dhe arteve, Lame Çekani m’u afrua dhe më pyeti nëse doja të shkoja me të në Lunxhëri. Lamen e njihja prej kohësh si autor tregimesh dhe gazetar të shtypit ushtarak. E pranova ftesën pa u mëdyshur asnjë çast se nuk më pëlqente as përbërja e ekipit, as rrethi ku më kishte caktuar Lidhja.
Nëndor 1982.



