fasha jo vizive e dritës
(flakadan dhe tehë të zhveshur)
sot u zgjova në orën e shtrigave
‘zhyta territ t’qullur
nga të qeshurat e tyre t’gëzuara
kalakiç qenë hypur
nga një e nga dy
kometash bishtëgacash të sapopahitura
kalaqafë
mbajtur kular
secila
mantelin metal-lëngët
të dyshimeve papirusiane
ashtu rrëshqasin
botëve prej prushi të njelmët
psherëtimash shpirt-kohëta në unaza saturjane
nga sytë shkrepëtima u rrjedhin dhe
nga flokët
currila ngopëse e vazhda
të bardha-të bardha si qumësht yjesh
rigon hijeshia feminile e hënës.
ora e shtrigave ndjell gjahtarë prej guri
zbuten për pak të shtrijnë haqet dhe harqet
shtrënguar e tendosur
si tela të kurdisur betimesh
nga ku luajnë atë muzikë të gëzuar fërshëllimash
tinguj lëngët prafullimash
e nisin vallet e çakërdisura që natën
përvëlojnë flakë
natën e presin katrorë-katrorë
cohë të zezë
për shami të trisht-shungulluar beqarësh
pa azhur
pa trajtë
pa thekë e frëngëllim gjilpërash për qendisje
stolisur vetëm temina të qeshurash gëzimtare
shkëndija tringëllitëse
e betime të marrosura vezulluese.
taborë gjallnish në tabanin pluhurartë të natës.
orë shtrigash. 13 mars. vit zgripjesh
përpara se të vijë një Frida
vetmi e dekompozuar
sirenat fashiteshin së bashku me të imagjinuarin e sëmurë
që duhet të kishte brenda barkut të vet makina uturitëse
dhe asaj sepse i erdh të bënte sërish lutjen
e hutuar të darkës
të vetmen që dinte.
s’kish dyshim që kish nisur t’i ngjante
aq shumë së ëmës sa për pak i dukej
se do të fillonin t’i ngatërronin
ashtu siç çapiteshin të dyja të zbathura
me hapa që dridhen si gjethurina mendimesh
udhëve të përhumbjes e rrudhave mbi heshtje
që i pëshpërisnin ligësisht pasqyrat
e gjysmëndriçuara nga qepena frymëmarrëse.
e dinte
ishin shtuar të gjitha mëritë
që kur qe kthyer në shtëpinë mure-turbullt
ku ishte betuar “sikur ç’të bëhej”
… se s’do kthehej
kurrë më të jetonte
shenjat mes njëra-tjetrës së kukullave
këmbë-varur mbi oxhakun e mermertë
mërmërima e tyre teksa vazhdonin
t’i ngulnin vështrimin despotik me sytë e dylltë
ngjitës
e kishin fajin.
dhe e ëma
që vazhdonte të mos ia linte t’i prekte
edhe pas tri vjetësh e ca e vdekur.
Ishujt e padukshëm tej kohës
-vegime-
tej e tej
tretjes së imazhit
rrëkëllimit të një pasqyrimi që drithëron i turbullt
breg-jetës së një bote tjetër
dallgët e një deti fitimtar molekulash ajrore
nxjerrin frymë-mbytura në rërën e bregut
kupola ‘gjysmë-mbyllura
ombrellash të xhelta shkëlqim-mbrujtura
si kandil të venitur deti
Fjalët e Frymorëve
vijnë këtu pas vibrimit të tyre artikuluar kordave zanore
si gdhendje tigëlluese e formave të mendimit
pas jetës mes njerëzve.
janë tinguj udhëtarë
bërthama koralesh gjigante ishujkrijuese
që s’u mbollën dot
e pa rezonanca tanimë
zë-brishtërisht të fjetura
prehen frymë-krijuarat
në parajsën e perëndisë së thërrmuar
fëmijë të së ardhmes ende pa lindur
fytyr’diellta
iu ushqejnë të heshtur qumësht të kaltër
buzëqeshje vëmendjeje
që kurrë s’u qe dhënë
ëndrrat për t’ua ringjallur
apo vetminë e lëngatët më të durueshme për t’ua bërë.
surrealizëm premtues
e pritën tek kapaku i pasëm i librit
të fërkuara mbi azhurin e bardhë
germa
të shpejt-shkruara
plumbi të ashkëlt patosi
një poezi varur nxitimit
dhe një tingëllim tik-taku panoramik.
simbole zvarranikësh të lashtë hyjnor
thua se ndjekur
nga kronometër sprinti qerthullues
bisht-kapërdirë infinitit…
nuk e mbante mend as që i kishte shkruar
ato vargje
jo më që i kishte lënë aty
të avullta
…të gjallnonin ligësht…
territ
ju kujtua edhe një herë filozofia e gurosur
e asaj vajze shkëmbore
në bebzën e frymëmyrrrjes
të dëshpërohesh është luks..!
ajo poezi ai libër ato hije të
shtrembërshkruara
që pikonin mbi yllth-jetën e saj të lukstë…
2025
diku/r
gjyshi e ndizte ditën me shkrepjen e shkëndijtë
për të ndezur zjarrin e vatrës – qe
mirëmëngjesi i tij bujar
dhe detyra e përjetshme që
nuk ia la askujt ta bënte
deri në fund të frymës
caktuar vetes që nga ai i largëti çast jetëshkrues
kullës së tyre kur
e shoqja
vëglëueshe gishta-mardhur
kishte mbërritur
me gjeqin e vellos hutuar si lotëz ere
syve të tij të zmadhuar mahnitjes
gjyshja
çelte aromashumë
prafullimën e kandilëve
ndizte një për të ikurit
një për Zotin e një për të zotin
të gjente gurët e strallit me pak dritë
kur të ngrihej të ndizte zjarr
pastaj shtrihej sërish symbyllur
që ai ta komandonte
ngreu moj e uruar! flaka po djeg
shtruar në vatër!
ajo lojë e përjetshme pa gjetur kurrë mpakje
filluar përpara se dielli të shkrepte
të tijën njësi matëse për kohën
qe më i sakti kampion dashurie
nuk donte laborator të vërente
strukturën kristalore të lidhjes së xeherorëve
veç pak butësi drite
flakëron për tjetrin
përtej bebëzave
ftohtësisë së terrtë të sapozgjimit.
9 nëntor 2025
poezitë lirike fillojnë që me cicërimat e para të mëngjesit
(trekëndësh i Paskalit)
“specialistë nga qendra” ishin fjalët
e mbylljes së telefonatës
para se të vinte përsëri celularin në xhepin e këmishës.
Ke, thamë, leje për pesticidet,
ee?! – tha
prapë polici që s’dinte ku të vinte duart.
Kam,
kam. Po ma sjell vëllai. – tha
prapë pronari i parcelës që uli kokën sërithi e
sërithi u duk më i vogël se ç’ishte.
trupat e pajetë të zogjve shtriheshin kryesisht në
fundin e parcelës dhe gjithë rrëpirën gëmushore bimë-dendur
në vazhdim
përhitur nga qafë të varura fluturakësh sy-fikur.
Domethënë as të vegjëlit s’i shpëtojmë dot?
specialisti i ardhur ndjeu
sikur kori ‘klithmave u dyfishua
nga folezat e fshehura kaçubeve
që prisnin më kot ushqimin e premtuar instiktit.
Janë të gjithë një-dy ditësh. Pas disa
orësh do ngordhin
nuk ushqehen dot pa mëmat. –
dhe brenda mendjes së tij
nuk mund të mos mbytej në një skenë-lëngie
që regjizonte përpikmërisht pareshtur
edhe pse donte aq shumë të ndalte
ku shpezët përplaseshin të ngordhur mbi të
e mbi tërë të tjerët
i gjakosnin
si profeci prehistorike tjerrë mjegullës
ndërsa kolona zanore e “So
you want to write
a fugue”* të oshtijë solemnisht gjelbërishtes së mallkuar.
“So you want to write a fugue” (“Pra, ti dashke të shkruash një fugë” nga Glenn Gould (1932-’82)
*fuga – pjesë muzikore e shkruar trajtë polifonike që karakterizohet nga një frazë muzikore.



