Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Komedianët korçarë, rikthimi i një tradite

Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Komedianët korçarë, rikthimi i një tradite

Mbi botimin “Themeluesit korçarë të komedisë shqipe”*

Humori si formë kritike dhe emancipimi kulturor

Ribotimi i veprave të themeluesve të komedisë korçare përfaqëson një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme në historiografinë e letërsisë dramatike shqiptare. Ky vëllim është akt rivlerësimi kritik e kulturor, që rikthen në qarkullim autorë si Kristo Floqi, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Dhori Koti dhe Ilo Mitkë-Qafëzezi, të cilët, megjithëse hodhën themelet e komedisë shqiptare në fillimshekullin XX, për dekada mbetën jashtë kanonit letrar për arsye kryesisht jashtestetike. Riaktivizimi i kësaj tradite pasuron kujtesën letrare dhe forcon identitetin kulturor, duke e vendosur komedinë korçare në një rrafsh të ri të studimit akademik dhe të qarkullimit publik. Për më tepër, botimi i rikthen këto tekste në përdorim aktiv, duke u shërbyer studentëve, studiuesve dhe regjisorëve si burim i vlefshëm për kërkim dhe interpretim skenik.

Themeluesit korçarë të komedisë shqipe shquhet për përmasat e tij filologjike dhe arkivore, duke risjellë tekste të vështira për t’u gjetur nga studentët dhe studiuesit, shpesh të dëmtuara nga kalimi i kohës. Pajisja e tyre me aparate kritike të strukturuara për çdo autor dhe vepër e shndërron përmbledhjen në një burim orientues për studimet e ardhshme mbi teatrin dhe komedinë shqiptare, veçanërisht atë korçare. Redaktimi, shënimet shpjeguese dhe vëzhgimet kritike krijojnë një urë komunikimi midis tekstit historik dhe lexuesit bashkëkohor, duke ruajtur autenticitetin gjuhësor e stilistik të veprave.

Botimi dëshmon se komedia korçare e hershme ishte një formë e angazhuar e shprehjes artistike, e aftë të artikulonte kritika të mprehta shoqërore e morale. Humori, ironia dhe satira shfaqen si mjete për të demaskuar hipokrizinë, materializmin, ryshfetin dhe përplasjen midis traditës, që duhej ruajtur, dhe së resë, që duhej përqafuar. Këto komedi i bashkon funksioni klasik i zhanrit: imitimi kritik i realitetit përmes së qeshurës, ashtu siç thekson Aristoteli te Poetika.  Vlera e tyre qëndron edhe në aktualitetin e mesazheve: konfliktet që trajtojnë – mashtrimi, etja për para, kriza morale e individit, përplasja e dukjes me thelbin – mbeten të gjithkohshme. Kjo i bën komeditë, nga njëra anë, objekte studimi historik, dhe nga ana tjetër, materiale për lexim, vënie në skenë apo dhe analiza kritike. Humori dhe satira, si mjete të zbulesës morale, kontribuojnë në ndërgjegjësimin qytetar dhe në pasurimin e kujtesës kulturore.

Ky botim kontribuon në forcimin e vetëdijes për trashëgiminë dramatike shqiptare, duke e vendosur komedinë në një raport të barabartë me zhanret më të studiuara të traditës letrare. Përfshirja e veprave që trajtojnë çështje të gjuhës, identitetit dhe ndikimeve të huaja e afirmon rolin e komedisë si mjet emancipimi dhe qëndrese kulturore. Njëkohësisht, ky vëllim përfaqëson një model bashkëkohor të ndërthurjes së kërkimit shkencor me botimin kritik, duke prodhuar rezultate të prekshme si në auditorët universitarë, ashtu edhe për lexuesin e gjerë.

Mbështetja institucionale dhe përfshirja e studiuesve dhe studentëve në procesin kërkimor e shndërrojnë këtë projekt në një model funksional bashkëpunimi midis universitetit dhe institucioneve shtetërore[1]. Botimi nuk synon thjesht rikthimin e së shkuarës, por rishkrimin e vetëdijshëm të historisë së komedisë shqiptare, duke ftuar artistët, studiuesit dhe lexuesit të rishikojnë rolin e humorit dhe satirës në formimin e mendimit kritik dhe kulturës letrare. Kjo dëshmon se e qeshura, është larg të qenët një formë e lehtë arti, por ajo mbetet një nga mënyrat më serioze për të kuptuar shoqërinë dhe vetveten.

Një projekt me rëndësi kombëtare: vlera dhe kontributi shkencor

Botimi kushtuar themeluesve të komedisë korçare përbën një përpjekje të rëndësishme në fushën e studimeve letrare, jo vetëm për nga lënda e ofruar, por edhe për nga qasja metodologjike dhe kritike që ndjek. Vlera e tij konsiston në faktin se e trajton komedinë shqiptare jo si zhanër periferik, por si diskurs estetik dhe shoqëror themelor në ndërtimin e modernitetit kulturor shqiptar. Në rang kombëtar, botimi kontribuon në rishikimin e historisë së letërsisë shqiptare, duke rikthyer në vëmendje autorë dhe vepra që për dhjetëvjeçarë kanë qenë të përjashtuar nga kanoni letrar për arsye ideologjike, politike ose edhe për shkak të neglizhencës akademike. Ribotimi i teksteve origjinale, i shoqëruar me aparat kritik, i jep studimeve shqiptare një bazë të qëndrueshme dokumentare dhe interpretative, duke plotësuar boshllëqe të ndjeshme në historiografinë e dramës dhe teatrit shqiptar. Në raport me qendra të tjera kulturore, botimi shërben si mjet rikujtese kulturore dhe identitare, duke ndihmuar në rivendosjen e lidhjeve midis krijimtarisë letrare, realiteteve sociale vendore dhe zhvillimeve historike, duke nxitur një ndërgjegjësim të ri mbi rolin e qyteteve në formimin e traditës dramatike shqiptare. Në këtë pikë, projekti e tejkaloi funksionin akademik, duke u shndërruar edhe në akt kulture.

Hartuesit e Themeluesit korçarë të komedisë shqipe janë profesorët e Universitetit “Fan S. Noli” Korçë, Jonela Spaho dhe Eris Rusi, pa harruar edhe kontributin e prof. Ilir Shytës në përgatitjen e aparateve kritike. Korniza teorike dhe kritike e shfrytëzuar i vendos veprat dramatike në raport me kontekstin historik, shoqëror dhe ideor të kohës. Leximi i komedisë si mjet emancipimi dhe ndërgjegjësimi qytetar thekson përmasën didaktike dhe qytetare të këtij zhanri në vendin tonë. Analiza strukturore e zhanrit komik, duke u përqendruar në ndërtimin e intrigës, karaktereve dhe situatave komike, si dhe në mekanizmat e humorit, ironisë dhe satirës, e bën botimin të vlefshëm për studiuesit dhe studentët e letërsisë, por edhe për profesionistët e teatrit, duke ndihmuar në kuptimin e komedisë shqiptare si formë artistike me rregulla dhe traditë të konsoliduar.

Arti dramatik në Shqipëri ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndriçimin e realitetit shoqëror dhe politik, shpesh duke shërbyer si ndërgjegjësim për vetëdijen kombëtare. Ndaj, botimi në fjalë sjell një perspektivë historiko-letrare dhe filologjike, duke u ndalur në çështjet e gjuhës, variantet tekstuale, kontekstin e botimit dhe qarkullimin e veprave. Hartuesit janë përkujdesur në besnikërinë ndaj teksteve dhe gjuhës së kohës, duke mundësuar që ky vëllim të mos jetë thjesht rishtypje e teksteve origjinale, por ruajtje e trashëgimisë letrare.

Struktura e botimit dhe parimet editoriale

Një nga aspektet bazë të këtij botimi lidhet me strukturën, e cila ndërthur tekstin letrar me analizën kritike dhe aparatin shpjegues. Përmbledhja është ndërtuar mbi parimin e paraqitjes së veprave në formën e tyre më autentike të mundshme, duke ruajtur integritetin tekstor dhe duke i shoqëruar ato me ndërhyrje të kujdesshme – për shembull, rastet e komedive të botuara para Kongresit të Alfabetit (1908) me “alfabetin e Stambollit” janë sjellë në alfabetin e unifikuar shqip, si dhe është ndërhyrë vetëm aty ku kërkohet sqarim filologjik, gjuhësor ose kontekstual. Kjo qasje e bën botimin të përdorshëm për lexuesin e gjerë dhe të besueshëm si burim studimor.

Ruajtja e veprave origjinale përbën një nga kontributet më të rëndësishme të këtij projekti, duke dëshmuar përkujdesjen filologjike të hartuesve. Tekstet janë ribotuar duke respektuar variantet e para të botimit, gjuhën e kohës, trajtat dialektore dhe veçoritë ortografike, të cilat përbëjnë dëshmi të rëndësishme për historinë e gjuhës dhe të shkrimit shqip. Në vend që të standardizohen apo modernizohen artificialisht, këto veçori ruhen dhe shpjegohen përmes shënimeve kritike, duke e kthyer botimin në një formë të “restaurimit letrar”. Një qasje e ngjashme përdoret edhe në botimet filologjike ndërkombëtare, siç është rasti, për shembull, i ribotimit kritik të veprave të William Shakespeare nga The Oxford Shakespeare, ku tekstet origjinale ruhen dhe shpjegohen përmes aparatit kritik, duke mundësuar një studim historik dhe gjuhësor të detajuar, pa humbur autenticitetin. Ky parim editorial shërben si model për ribotimin e këtyre komedive shqipe, ku ruajtja e variantit origjinal lejon një lexim historik dhe gjuhësor të thelluar, ndërsa ndërhyrjet përfshijnë vetëm përafrimin grafemik, kur është i nevojshëm, për lehtësi leximi dhe përdorimi.

Struktura e botimit e organizon lëndën në rrjedhë koherente historiko-letrare, ku secili autor dhe secila vepër vendosen në marrëdhënie me zhvillimin e zhanrit dhe me kontekstin kulturor të kohës. Kjo qasje e bën librin njëkohësisht antologji, botim kritik dhe tekst orientues për studime të mëtejshme, duke garantuar që trashëgimia e komedisë shqiptare ruhet dhe rishkruhet me përgjegjshmëri shkencore. Një parim themelor që udhëheq botimin është ndërhyrja e kujdesshme në tekstet origjinale; ndërhyrje që synon lehtësimin e lexueshmërisë, duke ruajtur plotësisht strukturën sintaksore, leksikun, trajtat dialektore dhe veçoritë stilistike të autorëve. Botimi ruan me rigorozitet vlerën dokumentare dhe estetike të teksteve burimore.

Përzgjedhja e titujve në këtë botim synon të përfaqësojë tipologjinë dhe funksionin kritik të komedisë korçare, duke përzgjedhur për secilin autor vepra që shfaqin vlerat artistike dhe rolin e tyre në formimin e traditës komike kombëtare. Përfshirja e Reklamë e blofë[2] e Kristo Floqit, e cila u vu në skenë nga studentët e Universitetit “Fan S. Noli”, shërben si rast paradigmatik i satirës shoqërore dhe i ndërtimit të intrigës komike, për të pasqyruar problematikat morale dhe shoqërore të kohës. Teksti dramatik ka funksion të dyfishtë: tekstual dhe skenik/performativ. Për autorë të tjerë, si Mihal Grameno, Foqion Postoli, Dhori Koti dhe Ilo MitkëQafëzezi, janë përzgjedhur vepra që dëshmojnë funksionin kritik të zhanrit, lidhjen e tyre me çështjet e identitetit kombëtar dhe ruajtjen e gjuhës amtare, po dhe rolin e komedisë në proceset e emancipimit shoqëror. Çdo përzgjedhje shoqërohet me hyrje analitike që e lidhin strukturën dramatike dhe mekanizmat e humorit me ndikimet shoqërore dhe historike; dokumentimi performativ dhe transparenca filologjike janë kushtet metodologjike për t’u siguruar që botimi të shërbejë si mjet i besueshëm kërkimor dhe pedagogjik.

Hartuesit theksojnë se komeditë e Kristo Floqit, Foqion Postolit, Dhori Kotit, Ilo Mitkë Qafëzezit dhe Mihal Gramenos përfaqësojnë tipologji të ndryshme të funksionit komik, duke e vendosur komedinë si pasqyrë morale dhe si mjet emancipimi shoqëror:

Kristo Floqi, me komeditë e tij njëaktëshe (Reklamë e blofë, Akraballëket, Ministri kandidat), përfaqëson tipologjinë e satirës qytetare, të ngjeshur dhe të drejtpërdrejtë. Këto komedi trajtojnë dukurinë e mashtrimit, korrupsionit dhe ambicies politike, duke e bërë komedinë pasqyrën morale të shoqërisë. Përmes dialogut të shpejtë dhe situatave orvatëse e të kota në dukje, lexuesi dhe publiku njihet me realitetin e përditshmërisë dhe me “njeriun e vogël”, të vendosur përballë mekanizmave të mashtrimit dhe burokracisë, duke e shndërruar humorin në kritikë të mprehtë shoqërore.

Foqion Postoli, me Martesa e një avokati dhe Vllazni e interesë përfaqëson një tipologji të veçantë të komedisë morale dhe shoqërore, ku marrëdhëniet familjare dhe interesat e ngushta shfaqen si terren i hipokrizisë dhe materializmit. Figura e avokatit, e cila në parim duhet të mishëronte drejtësinë dhe ndërmjetësimin shoqëror, shfaqet e shpërfytyruar nga interesat vetjake dhe nga ambicia, duke e vendosur individin në konflikt të drejtpërdrejtë me normat shoqërore. Këto komedi pasqyrojnë tensionet e jetës së përditshme, ku humori shërben si mjet për të zbuluar kontradiktat morale dhe për të nxitur ndërgjegjësimin e shoqërisë.

Një element i rëndësishëm për të kuptuar funksionin emancipues të komedisë është edhe censura. Në Shqipëri, sidomos gjatë periudhave të mëvonshme, censura politike dhe ideologjike e detyroi humorin të përdorte alegorinë, nënkuptimin dhe ironinë e fshehtë për të shmangur ndëshkimin. Kjo e bëri komedinë më të rafinuar, por edhe më të rrezikshme për autorët. Në rastin e Postolit, temat e hipokrizisë dhe materializmit mund të lexohen si kritika të fshehta ndaj shformimeve të shoqërisë së kohës, të cilat, në një kontekst të mëvonshëm, do të duhej të maskoheshin edhe më shumë për shkak të mbikëqyrjes totalitare. Ndryshe nga vendet fqinje, si Italia, ku satira politike pas Luftës së Dytë Botërore gëzonte liri më të plotë, komedia shqiptare shpesh duhej të mbijetonte përmes figurave tipike dhe mesazheve të mirëkoduara.

Me Dhori Kotin kemi një zhvillim të ri: zgjerimin e strukturës dramatike. Luloja me dy akte shënon zhvillimin e karaktereve dhe situatave më të ndërlikuara, duke dëshmuar kalimin nga komedia e shkurtër satirike drejt një forme më të plotë, ku humori ndërtohej mbi tensionet e jetës shoqërore dhe marrëdhëniet ndërvetjake.

Me Ilo Mitkë-Qafëzezin kemi një tjetër moment kyç në zhvillimin e komedisë shqiptare: kalimin drejt komedisë së karaktereve. Komedia Dhaskal Gjoka në katër akte ndërton një figurë tipike – dhaskalin – që mbart konfiktin e kohës midis dijes, traditës dhe së resë. Kjo figurë shndërrohet në simbol të debatit kulturor dhe shoqëror të fillimshekullit XX, ku komedia shërben si mjet për të artikuluar mëdyshjet mes përqafimit të së resë dhe ruajtjes së traditës. Ndryshe nga komeditë e shkurtra satirike, Dhaskal Gjoka ka një strukturë më të gjerë, që lejon zhvillimin e karaktereve dhe situatave në shfaqje më të plotë.

Me Mihal Gramenon kemi rastin kur komedia shqiptare merr funksion të dyfishtë: politik dhe identitar. Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe (pjesë kombëtare në vjershë me tre pamje, ngjarë në Korçë më 1886) përbën një akt të vetëdijshëm kulturor dhe politik. Ajo pasqyron problematikat e kohës për ruajtjen e gjuhës amtare dhe afirmimin e identitetit kombëtar, duke e shndërruar komedinë në mjet të qëndresës kulturore dhe identitare. Humori nuk shërben thjesht për të argëtuar, por për të përcjellë mesazhe të qarta dhe të forta – mbrojtjen e gjuhës amë si themelin e identitetit kombëtar. Figurat dhe karakteret komike, së bashku me situatat në të cilat vendosen, mbartin simbolikë politike, duke parashtruar marrëdhëniet e pushtetit, konfliktet shoqërore dhe tensionet ideologjike të kohës.

Komeditë e përzgjedhura dëshmojnë jo vetëm për një proces tipologjik, por krijojnë edhe një rrjetë funksionesh të humorit dhe të ironisë, ku secila vepër përfaqëson një mënyrë të veçantë të përdorimit të së qeshurës si mjet kritik. Satira qytetare e Kristo Floqit demaskon mashtrimin dhe korrupsionin, komeditë morale të Foqion Postolit nxjerrin në pah hipokrizinë familjare dhe materializmin, Dhori Koti i jep jetë zhvillimit të karaktereve, Ilo Mitkë-Qafëzezi ndërton figura tipike që mbartin konfiktet kulturore, ndërsa Mihal Grameno e shndërron komedinë në akt politik e identitar. Ky zinxhir funksionesh tregon se humori dhe ironia shndërrohen në mjete të ndërgjegjes kulturore që pasqyrojnë mëdyshjet e kohës dhe nxisin emancipimin shoqëror.

Tradita që krijon një botim i tillë dhe horizontet për studime të mëtejshme

Një element që meriton interes të veçantë është fakti se ky botim nuk përfaqëson vetëm një rezultat kërkimor, por krijon një traditë – model metodologjik – për trajtimin e trashëgimisë letrare shqiptare. Për herë të parë, një korpus tekstesh dramatike të periudhës së hershme trajtohen sipas një metodologjie editoriale të unifikuar, ku të njëjtat kritere filologjike, gjuhësore dhe kritike zbatohen për çdo autor dhe çdo vepër. Rëndësia e kësaj qasjeje qëndron në faktin se kultura jonë letrare ka vuajtur jo vetëm nga mungesa e teksteve, por edhe nga mungesa e një metode të qëndrueshme për trajtimin e tyre, boshllëk që ky botim e adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në zhvillimin e studimeve letrare shqiptare është ndier nevoja për krijimin e një tradite të tillë për trajtimin e teksteve të trashëgimisë. Kjo përmbledhje arrin të balancojë dy nivele, që zakonisht trajtohen veçmas: tekstin burimor dhe interpretimin, përmes analizës kritike, kontekstualizimit historik dhe leximit bashkëkohor. Përveçse rikthen në vëmendje tekste dhe autorë të para një shekulli, ky botim formon një traditë editoriale që garanton koherencë metodologjike, duke balancuar tekstin burimor me interpretimin kritik, ai krijon një standard të ri për mënyrën se si duhet trajtuar trashëgimia letrare qytetare.

Ky botim hap horizonte të reja studimore dhe krijon hapësira për kërkime të mëtejshme. Tekstet e ribotuara, së bashku me aparatin kritik që i shoqëron, ofrojnë mundësi për analiza krahasuese dhe ndërdisiplinore, duke e lidhur letërsinë me zhvillimet historike, shoqërore, politike dhe gjuhësore, sidomos në formësimin e normës. Njëkohësisht, botimi nxit studime mbi receptimin e veprave dramatike dhe historinë e vënies së tyre në skenë, duke u shndërruar në burim referues për programet universitare dhe në mjet didaktik për studentët e gjuhë-letërsisë, teatrit ose studimeve kulturore, po dhe në stimul për rikthimin e këtyre veprave në praktikën skenike bashkëkohore. Përtej vlerës dokumentare, botimi krijon një bazë të qëndrueshme për studime ndërdisiplinore, ku komedia shqiptare mund të analizohet në raport me historinë e ideve, sociologjinë e kulturës dhe teoritë e humorit. Ribotimi i teksteve të hershme hap mundësi për krahasime me traditat ballkanike dhe evropiane, duke e vendosur komedinë shqiptare në një rrjet më të gjerë kulturor.

Një tjetër horizont i rëndësishëm është përkthimi i këtyre veprave në gjuhë të huaja, çka do të mundësonte njohjen e tyre jashtë vendit dhe integrimin e komedisë shqiptare në diskursin ndërkombëtar mbi satirën dhe humorin si forma të ndërgjegjes shoqërore. Pra, një botim i tillë mund të rijetësojë projekte të tjera, pse jo edhe bashkëpunime rajonale ose dhe mbarëkombëtare mbi historinë e humorit dhe satirës, duke përbërë një arritje afatgjatë në kulturën dhe letërsinë shqipe, çka dëshmon se komedia, është larg të qenët një zhanër “i lehtë” dhe mbetet një nga format më serioze të ndërgjegjes kulturore dhe shoqërore të kohës.

________________

* Shih: Themeluesit korçarë të komedisë shqipe, përmbledh. Jonela Spaho, Eris Rusi; aparati kritik: Jonela Spaho, Eris Rusi, Ilir Shyra; red. Jorina Kryeziu. Botim i mbështetur nga Universiteti “Fan S. Noli” Korçë. Tiranë: Ada,2025, 519 faqe. Përmban: Kristo Floqi: Reklamë e blofë: komedi me një akt, Akraballëket: komedi me një akt, Ministri kanditat: komedi me një akt; Foqion Postoli: Martesa e një avokati: komedi me një akt, Vllazni e interesë: komedi me një akt; Dhori Koti: Luloja: komedi me dy akte; Ilo Mitkë-Qafëzezi: Dhaskal Gjoka: komedi me katër akte; Mihal Grameno: Mallkimi i gjuhës shqipe: pjesë kombiare në vjershë me 3 pamje ngjarë në Korçë më 1886.


[1]  Ky projekt u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), duke dëshmuar angazhimin për kërkimin shkencor dhe inovacionin, si dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, edukimin kritik dhe afirmimin e identitetit kombëtar.

[2]  Shfaqja Reklamë e blofë u vu në skenë në dhjetor të vitit 2025 në Amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe u interpretua nga studentët e Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë. Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Themeluesit e komedisë shqiptare nën dritën e kërkimit shkencor, botimit dhe artit skenik”.

Exit mobile version