Kreu Letërsi Bibliotekë “E lume mes flakësh”, poezi nga Klevisa Bardeli

“E lume mes flakësh”, poezi nga Klevisa Bardeli

“N’hise t’dashunisë “

Po pres n’heshtje e mendueme
Nji fjalë,
Që shkëputet nga goja,
Për me më thanë:
“Kush je ti?”
Që si hije e natës vjen,
Ulesh,
Psherëtin,
E ikën, pa za.
N’iluzione vjen ngadalë,
Tue ra n ‘hise t’ dashunisë,
E tue u endë si nata,
Mes yjesh,
Për me pritë driten.

“E lume mes flakësh”

Dashunia u gdhend
Ndër shpirtra shqimit
N’ prag t’ vuejtjes a t’ lirimit.
Dy t’ rinj kobshëm
Flakërueshëm ndër flakë
Zhgulin heshtat e heshtjes,
T’ imagjinatës e padijes.
Trazojnë dallgët e shpirtit
Tundohen sytë ndër shikime
Ikjes krah i bahet vegimi.
Tingujt e fjalëve këmbehen:
“E bardhë mes territ”
“E lume mes flakësh”.
Nget nji za furishëm,
Përplaset mureve,
Mes lutjeve , mes shikimit
T’duesh edhe njiherë
Si n’ token e mbarimit.

“Me dashtë”

N’kërcime qi ndjekin ritmet e melodisë,
Përshtjellueshëm n’kamb rri, pres n’andrrime,
Tue mendue edhe nji herë si duert e ngrohta
Prekshin sfilitshëm ftyren e akullt.
Me dashtë si dikur kapërcyeshëm vallesh,
Prekshëm deri n’frymë si flladi qi mbushë shpirtin,
Me të ndjekë n’hapa qi puthshëm vijnë pas teje,
N’mendje harlisesh, rropatesh me këqyrë sytë.

“Spektër ngjyrash”

T’mallkuara andrra
Që veç zhgjandrra ishit
Përkulë nën qepalla
Randshëm dritën e diellit
Shihni.
Zhgjandra e andrra
Njiherësh.
Spektër ngjyrash
Larg ksaj drite
Shoh, si kurrë ma parë.
Ndaluni, ndaluni!
M’lini t’kërcej
Mbi duert e ditës!
Përngjasime kohësh,
Rrekje fjalësh,
Heshtje që plas
Mnershëm
Vazot e lumnis.
Sy lotësh
Pikllueshëm
Presin…
E ti, veç flet!
E ato t’shohin
N’qetësi,
Jo, si ma parë.
Ah,tash..
Zemra don
Me përkundë
Veç dashuni.

“Emri i trandofilit”

Tek dimni ecën,
N’ përmbledhoret e kohës
Struket nji shikim.
Nji trandofil i kuq
Shkëmben puthjet
E ngrohta n’frymën
E ngrime.
Mbeten si hije
Pas petaleve
Prekjet e akullta
T’ dimnit.

“N’lule t ‘marsit”

Shpirti gjallnohet n’lule t’marsit,
Shpërthejnë lirikat qi mrenë mbyllë
Si guackë, t’tretun n ‘dallgen e zemres,
Lundrojnë  afër me mendimet.
E për nji çast, zemra s’ pyet…
Kur n’te si yll bjen i pasqyrum,
Portreti yt.
E tok me te si at’her
Kur mëngjeset u bashin nat’
Tu shtrue mbulesat shpirtnore.

“Fërshëllen era”

Kristalet e ngrime ,
Shpërfillen mes natës së errët.
Nji za drithëron
Qetësinë e shpirtit,
Ndalet, troket,
Prek, lë shenjë
E ikën.
Fërshëllen era,
Mes natës,
Yjeve, dritëzës…
Mes zanit…
Mes syve…
Mes puthjeve…
Mes kujtesës.
Ah! Nji çast!
Nji çast të t’i shoh sytë !

“Nata u kris”

Andrroj sy t’ shkëlqyem prej drite
E largëta dritë e fshehun mes yjeve
Bjen si rrufe mes natës së errët
Aty n’ mes t’ zemrës sime.
Rropatet t’dalë e veshun
Si ikonë perëndie,
Plot besim, dashuni e lutje.
Nata u kris!
Yjet lajmëruen ardhjen e dritës.
Dy shikime dashunisë së mbetun
N’heshtje natës i flasin,
Premtime dëgjohen
N’ ikje tek shkasin.

“Pritmë”

M’pshtillet nji lamsh
E sytë driten s’e shohin.
Zemra ngurron me e thanë
Se pranvera ma e tillë
Nuk asht!
Gufon e shkapërdahet
Heshtja…
Nji pritmë mbas veshit ushton..
-“Ndalo! Ndalo m’shiko! “
Drita zemren shpon
E malli befas kthehet.
Gjallnia e kohës
Rrëshqet ndër pamje,
Nji buzëqeshje
Veç, nji!
E mban m’u kthye
Me ftyr ka ti.

“Portreti”

Hana m’ka tregue për zanin tand
M’ka tregue për ty
Qi rrin i heshtun si nata
Tue prit driten e mëngjesit .
M’ka tregue për sytë e tu
Qi shkrumbohen mallshëm
Me pa ftyren e zeshkët
Qi t’vjen vërdallë natën me dritë,
Tue ec randshëm
Mes qetësisë
E tue prishë ekuilibrin
Mes natës që veç
Hesht…
Hana m’ka tregue për mendimet
Qi lshojnë rrjeta
Mbi urën e ndërtueme
Nga ne të dy.
Përmes s’cilës
Kalon madhnueshëm
Lumi…
Tue përmbajtë n’te
Dëshirat, vargjet,
Qi rrjedhin n’krah
Drejt derdhjes,
Tu u bashkue në nji pikë
Ku veç drita e hanës
I ban t’dukshme.

“Melodia e zemrës”

Kndojnë n’heshti zane
Tu kujtue koht e lume
Qi rrnoshin n’sytë tonë.
Varg mbas vargu
Si zogjt qi shtegtojnë n’qiell,
Përplasin flatrat n’liri,
N’mes t’ditës,
Andrrat lshohen si rrjeta
tue ndërlidhë realitetin.
Asgja ma bukur se sot!
Fashitë sytë,
Largue prej t’qenunit
I akullt ,
si n’andrra i lshumun
Prej realitetit.
Melodia e zemrës,
Jehon përmallshëm,
Dëshiron t’jetojë
Vargue sipas tingujve.

Exit mobile version