Kreu Letërsi Bibliotekë “Drita brenda nesh”, poezi nga Preng Maca

“Drita brenda nesh”, poezi nga Preng Maca

drita brenda nesh

kjo ditë
e plogësht, si një disk
gri, e palexueshme
refren i përditshëm gjërash të përsëritshme,
e aq më shumë, të mërzitshme.

vetëm ti e ke në dorë atë rreze të beftë
ndryshon diçka në atë disk gri,
e bën të ndriçojë!

at’botë e kuptueshme është
fakti, që përveç të tjerave ,
gjendet një dritë brenda nesh
të cilën shpesh, pa dashje
ia dhurojmë krejt rastësisht,
njeriut, që gjithë jetën,
nëpër ëndrra zë e na shfaqet!


këngë e hershme

Të preka me dorën që dridhej
ishe plagë e ngrohtë heroit të rënë
zemra si një zog hidhej,
mbi fjalë binte dritë e argjendë!

përgjova nën këtë dritë magjike
lulen dhe pyllin
një mal, një lumë një zog
diellin dhe hënën
agimin, kur ia zinte natës yjet rob.

të takova tek një baladë e vjetër
e në sytë e trembur të një vajze!

mendova, sekretin tim s’duhet ta dinte njeri,
të fshehur dashurinë time e lashë
në një fletore të shtrenjtë
brenda valixhes së drunjtë, në shtëpi.

kaluan shumë kohë
nuk ndahesha nga ti, poezi
ditët ishin ura afrimi me ty!

kam qarë ndonjë mbrëmje,
kur vetminë tek sytë e tuaj,
më ngjau se e pashë!
kur jam zgjuar në mëngjes,
kemi qenë prapë bashkë


kënga

kur ulem ta shkruaj këngën
besoj se asht e imja,
kur e mbaroj këngën
e shoh se jam i asaj!


krijesë

gjatë ditës gjer në mbrëmje
një djall që më pushton nga brenda
copë copë më bën,
si i vdekur gjendem.

pastaj, kur zgjohem të nesërmen
i ngjaj Zotit,
me copat e tepruara
e rikrijoj veten.


Mitrovicë

në rritjen e tyre të natyrshme
pemët i zgjerojnë degët
nga veriu,
priren drejt veriut gjithë gjelbërim.
nëse unë ngjaj me një pemë
Mitrovicë…je veriu im!


stuhia

stuhia filloi.
qiejve, retë e egërsuara,
mes vetetimave dhe gjëmimeve,
pyllit iu hakërryen
në pyll ndodhi gjithçka!
pishat u përkulën gjer në tokë
dhe jetuan,
por lisat,
ah lisat!
… u thyen!


nesër(?)

nesër do të vij,
nesër më prit,
kjo gjë do të ndodhë nesër!
do të jetë më e bukur jeta nesër!
nesër do të jemi të lumtur!…
çdo ditë jetojmë të sotmen e vështirë
e ti qesh e më thua: “nesër, nesër, nesër…”
e kam menduar këtë fjalë qëkur ;
“a thua nesër do të thotë kurrë?”


çifteli

unë jam një çifteli
tingëlloj,
kur ti më merr në dorë

bëhem e gjallë,
dridhem
e nxjerr një zë
e mue bash at’ botë
më shohin të gjithë

po ç’faj kam unë
që në të jetuarin tim
duhet patjetër të dridhem
bashkë me kangën!?

o këngëtar…
jam në dorën tande!


delja nënë

(baladë)

Na kishte bariu një dele të urtë
syri, si njeri i vështronte
bënte çdo vit nga një qingj të butë
por asnjë nuk jetonte

shtatë qingja të bardhë, si bora i lindi
asnjë nuk u rrit në vathë
çdo vit ja kalbte nën dhe, pylli
mes lisash të lartë

blegërinte delja nga dhimbja, blegërinte
“si nuk jetoj as dhe një qingj!?”
bariu gjuhën e saj nuk e dinte
dhimbjen jo se jo, natyrisht

tha se ajo, s’qe nënë e mirë
të vegjlit nuk i donte aspak…
thikën në fyt i vuri një ditë
po nuk rrodhi, pik gjak

kur ja hapi zemrën… në zemër delja kishte
shtatë plagë të vogla, shtatë vrima
dhimbja prej nëne në plagë kthyer ishte,
si nëpër shtatë fyej, blegërinin shtatë qingja!


treg

shitësit e butikëve,
përpiqen të shesin veshmbathje,
furrat e bukës shesin bukën e përditshme,
botat me ujë Selite , shesin ujë
fshatarët dalin të shesin perimet e stinës,
blegtorët shesin qumështin,
kasapët mishin e bagëtive,
gjykatësit …shesin drejtesinë,
politikanët blejnë dhe shesin …
Atdheun tim, Shqipërinë.


fati

fati im sa më tremb!…
kur të kërkoj, ti më harron
kur të harroj, ti më …gjen!


flutura

Një natë të qetë,mbushur me pranverë
nga dritarja e dhomës hyri një flutur
u ngrita, e zbova me gjeste nëpër erë:
“më lër të qetë moj mysafire e bukur!”

dhe iku…dritarja përsëri e hapur
kaluan pak çaste dhe e desha atë
e thirra…e prita më kot zemërakull…
ç’e zbova aq lehtë nuk vinte tanimë!


mendim

nëpër ëndrra.
kopshtin e hireve të tua
bredh vend për vend!
kur më del gjumi
mbes pa…mend!


molla

në dorë kam një mollë të kuqe e të artë
në pëllëmbë të dorës më shndrit ajo
thua gjithë dielli i ditës është futur brenda saj,
por unë se ç’kam…s’jam i gëzuar, jo!

jo se kjo mollë nuk është vërtet e hijshme
është krejt e tillë e s’ka njeri ta shajë,
nëse fytyra ime është disi e trishtme
kjo ndodh, se mollën…nuk kam me kë ta ndaj!


lutje në shi…

bie një shi i furishëm sonte
rrodhi trotuareve thuajse e mbuloj tokën
e lagu qytetin e madh ky shi,
i paparë
por,
në çast sa pushoi,
rrugët gjithë baltë sërish dhe bota
prap e palarë.

O Krishti im
deshe të na lësh mendjen në vend ,
kur na the se do të ringjallesh?
të lutem ngjallu e ulu nga kryqi,
ku të gozhduam,
se duke të pritur …u kalbëm!


flatrat

(Poetit Agim Spahiu)

Miku im të lutem ruaju!…

më trishtove kur më the,
se të kanë dalë flatrat
dhe me fluturime i sheh ëndrrat

është e vështirë të kesh flatra.
(këto gjëra të veçanta më trembin)
kur t’i kesh ato flatra , duhet t’i fshehësh
ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin.
pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme dhe të padurueshme
do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh

por e pamundur o mik i vlerë! A e di?
nëse do t’i presësh
ti do të vdesësh…

sa fatkeq je o njeri…
mes tokësorëve
një flatrambajtës si ti!


e sotme

e sotmja është tejet e vështirë,
gënjeshtare, gërrnjare, e pabesë,
e fortë dhe e papushtueshme,
e frikshme dhe pa të ardhme
asnjeri këtu nuk mendon të hapë,
rrugën e një të nesërme!

lodhem, shtrihem të fle, të pushoj,
ose më mirë të harroj.
e sotmja është aty jashtë
një prostitutë e vërtetë,…
sapo u kthye nga vizita tek gjinokologu
dhe mban në dorën që nuk i dridhet
një dëshmi virgjërie.


shfletim libri

ah është e saktë dhe e qartë
drejtësia, e vërteta
dhe lumturia
hyjnë në gjërat fort të rralla.

nëse do t’i hasësh vërtet ato,
hap librin e përrallave!

Exit mobile version