Kreu Opinion Visar Zhiti: Zemër në bukë dhe diçka për letrat

Visar Zhiti: Zemër në bukë dhe diçka për letrat

Shkak u bë copa e bukës, e hollë mbi një pjatë në tryezë. Kur e mora, pashë se në tulin poroz të saj njëra nga vrimat, më e madhja, kishte formën e zemrës. Dhe e hoqa mënjanë, po edhe copa tjetër, ngjitur me të,  po ashtu kishte një zemër. Si vepra arti, një performancë… 

Zemra në bukë… thashë me vete dhe doja t’u gjeja një domethënie, një kuptim.

Edhe pse duken si të bëra me dorë, natyrisht që ishin formuar vetvetiu, një sajesë e brumit gjatë pjekjes, që ka marrë ajër, pra çështje ajri, pastaj kur buka është prerë në copa, janë krijuar ato konfiguracione ashtu: zemra, që më zhytën në mendime.

– Rastësi? – pyeta veten.

– Jo, pse? – U përgjigja.

Zemra në bukë, – thashë prapë, – buka në zemër, metaforë pas metafore, eh, këtu ka poezi, zemra, ajri, brumi janë fjalë poetike.

Buka ka qenë një simbol i fuqishëm në letërsi, do të thosha, nga që kam qenë dhe mësues, buka përfaqëson punën, mbijetesën, jetën, do të vazhdoja t’u thosha nxënësve. Në shumë kultura, ajo është e shenjtë, bën lidhjen mes natyrës dhe njerëzve.

Ngrita copën e bukës lart dhe aty ku ishte ravijëzuae ajo zemër emocionuese, që nga andej pashë time shoqe, i bëra dhe një foto me celular. E  rrethuar me zemër buke…

BUKA, GRUAJA DHE LETËRSIA.

Duart dhe brumi dhe fjala… A nuk është gruaja ajo, nëna, që tradicionalisht bënte bukën? Në shtëpi dhe në letërsi, do të thosha, që  përfaqëson familjen dhe kujdesin, përgatitësja e bukës së fëmijëve, duke thënë dhe fjalë të ëmbla, duke kënduar, që bashkarisht janë vêtë jeta dhe riprodhimi.

Dhe do të vazhdoja si mësues shqiptar flisja që puna shpesh shihet si një mjet për të fituar bukën e përditshme, duke e lidhur kështu punën me mbijetesën dhe dinjitetin. Po kontrasi, uria… para çlirimit… simbol i vuajtjes, i nevojës, i mungesave, që shpesh janë përdorur si motivr për padrejtësitë sociale, mosbarazinë dhe do të kaloja te antibuka, revolucionet, etj, etj.

Po le të ndalim te metafora në bukë. Buka e ka një zemër brenda, ajo gjithmonë bëhet me zemër, kështu duhet të jetë, jepet me zemër, etj.

Bukë e kripë e zemër, thotë populli ynë, – a nuk e përsërisim shpesh?

Në kulturën shqiptare, buka është dhe simbol i mikpritjes dhe i respektit. Shpesh, kur një mik hynte shtëpi, atij i nxirrej bukë dhe kripë shenjë nderimi dhe respekti të thellë, që dhe se nënkupton një familje që ka pak, ajo gjithmonë e ndan atë që ka me miqtë.

Ky ritual bëhej madje dhe në ceremonitë shtetërore, kur vinin personalitete nga bota, tregonim mirëpritjrn dhe varfërinë. 

Për atë bukë! – betoheshin të parët tanë.

I mirë si buka, – lavdërohej tjetri. 

Kujtoj nga fëminia ime që, kur ndokush gjente ndonjë copëz buke në rrugë, e merrte dhe e puthte dhe e vinte në anë që të mos e shkelnin. Adhurim bukës dhe punës. Po puthja, që është punë zemre?

Po shkoj të ha bukë, – thuhet ende në shqip dhe fjala është për hajet e ditës. 

Po kur bukën e sjell gruaja në tryezë, bëhet dhe më shijshme dhe sheh dhe delikatesën në bukë, si atë që gjendet dhe në poezi.

NË LEGJENDA DHE NË KANUN

Në legjendën e Kalasë së Shkodrës, Rozafa e bukur po u çonte bukën vëllezërve, ku ishte dhe burri i saj, të cilët po ndërtonin kalanë dhe që muret që ngrinin ditën, të mos binin natën, duhej murosur ajo, Rozafa.

Kalaja ende pikon qumësh nga gjiri i saj, i lënë jashtë mes gurëve për të ushqyer foshnjën, që duke u rritur, me atë qumësht ka ngjyer bukën e legjendës ndër shekuj.

Pas gjirit është zemra…

Në Kanunin e lashtë të Shqiptarëve, të marim atë të Lekë Dukagjinit, buka përmendet shpesh, jo vetëm kontekstin e mikpritjes, por dhe të besës. Ai që pranon bukën e një tjetri është nën mbrojtjen e tij dhe nuk mund të tradhtohet. Kjo e ka bërë bukën një simbol dhe të nderit.

Buka u bë pjesë e kulturës shqiptare. duke marë një rëndësi të madhe, se bëhet dhe si simbol i bashkimit, duke u lidhur me rite dhe zakone të përditshme dhe të shenjta. Dhe patjetër është future në folklor dhe në letërsi.

*   *   *

Bukën tonë të përditshne na i jep sot! – kështu është vargu i famshëm në lutje dhe falenderohet Zoti. Në meshën e krishterë, në ritin e Eukaristisë, buka dhe vera janë trupi dhe gjaku i Krishtit.

Në Bibël, në Darkën e Fundit, Jezusi mori bukën, e bekoi, e ndau me dishepujt dhe u tha: “Ky është trupi im, i cili jepet për ju; bëjeni këtë në përkujtimin tim” (Lluka 22:19).

Në një mënyrë misterioze buka dhe vera shndërrohen në gjakun dhe trupin e Krishtit (doktrina e Transsubstancionit në Kishën Katolike).

Edhe në Kuran buka përmendet si një simbol i begatisë dhe furnizimit nga Zoti, si një metaforë për mbështetjen hyjnore dhe ushqimin fizik, por gjithashtu përkujton njeriun që të jetë mirënjohës dhe të mos harxhojë pasuritë që i janë dhënë. Një nga historitë më të njohura është ajo e Profetit Jusuf, ku buka luan një rol në ëndrra. (Sureja Jusuf, 12:36).

*   *   *

“Zoti të dhashtë bukë!” – është dhe ky urim shqiptar, ku buka shikohet si bekim, po dhe si lumturi dhe urimi bëhet me zemër.

*   *   *

Buka në folklor shpesh përmendet si simbol i sakrificës dhe punës. Në këngët e trimërisë dhe të punës gratë shqiptare përshkruhen duke gatuar bukën për burrat që luftojnë apo punojnë.

LETËRSIA SHQIPE KA BUKË DHE URI

Që në veprat e para është buka, himnizimi i saj. Këtë mision e mbarti më së miri poema.

NAIM FRASHËRI DHE ATDHEU:

“Bagëti e Bujqësia” është vepra e famshme e tij, që e mësonim në shkolla herët dhe pastaj e jepnim dhe mësim vetë. Aty ka natyrë, bukoliket dhe idiliket shqiptare, toka dhe puna, që b:ehen mirëqenie e bukë… dhe zemër…

Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar,

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e zjarr.

Çfarë metafore: ma gatove zemrën, folja që përdoret për bukën.

Grurë, misër e elb të bardhë, bagëti e bujqësi,

Të lumtë për të gjitha, o moj tokë me begati!”

Edhe te poema tjetër madhore “Qerbelaja” Naimi ynë i përdor simbolet e grurit dhe të bukës në një kontekst shpirtëror dhe moral. Edhe pse kjo vepër është një elegji për betejën e Qerbelasë, Naimi i referohet bukës dhe grurit si metafora nevojës për drejtësi dhe përmirësimin të jetës njerëzore.

                                             Gruri i bardhë dhe buka e nxehtë,

Nuk po i shijon njeriut të drejtë.

DOM NDRE MJEDA DHE LIRIA

Edhe ku flitet për rëndësinë e lirisë, ajo është e lidhur dhe me bukën, për fat, të mirë apo të keq? Është shprehje e mbijetesës dhe e të drejtave themelore.

Në poezinë “Liria” thuhet: 

Pa liri s’ka jetë, as bukë, as dritë,

Veç nata e zezë e robnisë së randë.

Ndërsa në poezinë “Scodra” urohet:       

Mbi Zadrimë rritet gruni,

O Zot, bekòj atdhenë!”

AT’ GJERGJ FISHTA DHE EPOSI

Në veprën madhore “Lahuta e Malcis” buka dhe gruri shfaqen si simbole të rëndësishme kulturore dhe morale.

Edhe pse është eposi i luftës dhe i sakrificave të shqiptarëve për liri, At’ Fishta sjell bukën, përveç të tjerave dhe si përballje. përshkrimi i jetës së thjeshtë dhe mundi i burrave dhe grave shqiptare në kohë lufte:

N’djep të dheut t’tanë Shqipni,

Buka asht me djersë e lot…

Në “Lahuta e Malcis” shqiptarët ndajnë bukën si tregues i traditës dhe unitetit kombëtar, ndërsa gruri, kokrra e tij e vogël është symbol i pasurisë dhe mirëqenies:

Gruri i rritun ndër ara t’tana,

Rreze e diellit, bekim i Zotit…

Po letërsia do të ishte ajo që solli në fushat e saj dhe të kundërtën, urinë, “Kafshatë që s’kapërdihet ash’, or vlla, mjerimi”, – do të degjohej klithma migjeniane.

Te një skicë e Nonda Bulkës, e viteve ’30, thuhet hapur dhe pa mëshirë që në fillim:

– Nënë, dua bukë.

– S’ka.

*   *   *

Një zemër e vockël në bukë… një vrimë në fakt… një vrimë në formën e zemrës… një zemër-vrimë… dhëmbjeje. Ashtu është zemra apo çdo vrimë në zemër… në bukë… bukë kujtimesh…

Skica e Migjenit “Legjenda e misrit” që bënim në shkollë në orën e letërsisë, më dukej tejet e rëndë si vetë ato thasët që mbanin malsorët mbi shpinë. Por kjo ishte për dikur, në kihën e mbretërisë, kur sundonin… etj, etj. 

Po ajo poezia e Asdrenit:

Nuk duam gjë tjetër, nukë,

Vetëm ca plumba dhe ca bukë.

Ekzistencializëm i habitshëm për mua si dhe rima që kishte gjetur poeti, më bënte përshtypje, se dhe unë kisha nisur të kërkoja rima si bukën.

POLITIZIMI I BUKËS

Në vitet e diktaturës, kur isha fëmijë, më ndërmenden muret dhe parrullat me shkronja të mëdha e të kuqe, do përmend njërën që zakonisht vihej mbi depot e grurit: “Lufta për bukën është lufta për socializmin” dhe nuk e kuptoja domethënien. A do kishte luftë kështu? Të jashtme apo të brendshme?

Mamasë time gjithmonë çmimi i bukës i ishte dukur i shtrenjtë dhe gjersa nuk ulej, diktatura ishte e pamëshirshme. Dhe sipas mamasë time fajin e kishte ai qeni, Stalini! – Kështu e shante si furxhiun e lagjes, kur digjte ndonjë tavë a bukën.

Po të shahej buka, mund të bije dhe në burg,

“Patatja është dhe bukë dhe gjellë” do të mësonte Shoku Enver, udhëheqësi largpamës i popullit shqiptar. Patalogji e urisë.

Në poemën “Tokai me, kënga ime” Dritëro Agolli do të shkruante:

Unë për gruan dhe tokën

Lë kokën.

Deklarata e sakrificës. Ndërsa në poemën e gjatë “Nënë Shqipëri” do të kërc;enonte:

              S’doni të hapni kanale 

              Në Myzeqe dhe Pukë?

              S’ka bukë!

Në një poemë tjetër, “Gruri i tokës kufitare”, poeti Fatos Arapi, në polemikë me një poemë tjetër të Kadaresë, “Toka kufitare”, e sheh grurin, rrënjët e tij si bashkim të duarve të popujve nën tokë.

Do të kishte këngë a piktura a balet a filma me tituj kështu: Buka e duarve tona, Brazdat, Dhera të lëruar. Edhe në prozë buka do të bëhej personazh: Buka dhe thika, Buka me helm, etj, do të kishte romane “Ara në mal” – Petro Marko, “Buka e një stine me bore”, – Koço Kosta, etj.

Edhe te romanet e Kadaresë është buka, por me një vështrim tjetër, sa kërcënues, po aq dhe akuzues. Në romanin “Kështjella” ekspeditat ndëshkimore otomane djegin arat me grurë dhe rrëmbjenë vajzat vendase flokëverdha, ndërsa te “Kronikë në gur” komunistët s’e kanë për gjë të vrasin njeriun e tyre mu në sofër të bukës, dhe te “Dimri i vetmisë së madhe” nga shkaku i bllokadës së revizionistëve sovjetikë shfaqet kriza e bukës në një popull, etj, etj.  

Por po shkoj te romani “Këneta” i Fatmir Gjatës, ku do të thahej këneta për ta kthyer në tokë buke, por armiqtë sabotonin dhe u dënuan me burg, pushkatim e varje inxhinierë që kishin studiuar jashtë, gra të bukura, kur në të vërtetë në atë kënetë punon si skllevër të burgosur politikë, mes të cilëve dhe shkrimtarët Mitrush Kuteli apo poeti dhe filozofi Arshi Pipa, që u arratis në SHBA, ndërsa një tjetër i burgosur, Makensen Bungo, do të shkruante dhe ai në Amerikë, pas rënies së komunizmit romanin “Këneta e vdekjes”. 

Edhe unë kam poezi për bukën, më saktë për arën me grurë, të shkruar në burg, është botuar dhe po e sjell këtu:

GRUNORJA MATANË

TELAVE ME GJEMBA

Liri

është era e ngrohtë 

që vrapon mbi grunore?

Dhe kallinjtë e artë cicërijnë

                                                e bëhen zogj,

(oh, të ngujuar! Dot s’ikin si dhe ne).

U poq gruri, s’e kemi harruar

kokërrzën e vogël me një vijëz në mes

si vija mes gjinjve të vegjël

                                           të një vajze – ankth.

Gruri i ëmbël

Na u bë bukë e hidhur e robërisë

që na mban gjallë.

Spaç, 1981

E kujtoj atë copëz toke të verdhë si arnat tona, përballë burgut në pjerrinën trallisëse. 

Atëhere s’e dinim se diku në mërgim, në Romë, po për ne ishte njëlloj larg si dhe Paris, New York apo planetin Mars, që një shkrimtar i dënuar me vdekje në mungesë në atdhe, shqiptar, Ernest Koliqi, kishte botuar një roman, “Shija e bukës së mbrume”.

Po Shqipëria rronte me bukë burgu.

*   *   *

Mund të flisja më shumë, plot për bukën dhe urinë dhe shkak u bë ajo vrimë në formën e zemrës te copa e bukës, edhe për furrat e dyqanet, për bukën që merrnim me vete, kur shkonim në punë, të mbështjellë me gazetë dhe shija e saj varej dhe nga artikulli në gazetë, nga lajmi, te fotografia e gazetës, te politikani bukëshkalë, mund të flas dhe për grurin, po, po, do të tregoj për një mikun tim në burg, M., kapiten vapori, ktheheshin me anije nga Franca, në altoparlant dëgjohej fjala e Enver Hoxhës në njërin nga kongreset e tij, ku po mburrej se Shqipëria për herë të parë siguronte bukën në vend, pa grurë nga jashtë, ndërsa ne, – më thoshte miku im në burg, – po sillnim grurë nga Franca, plot ishte hambari i anijes, se vendi ishte në krizë, në bllokadë, bërtiste Enver Hoxha, jemi të rrethuar nga armiqtë kapitalistë e revizionistë. Mos merrni grurë nga Kosova, – porosiste, – edhe pse më lirë, jo nga Jugosllavia titiste… 

*   *   *

Dhe mendja pindarikisht më shkon te Lufta e Kosovës, te eksodi i madh si në Bibël i shqiptarve dhe e dija se poeti Ali Podrimja nuk kishte ikur nga Prishtina, nga Ulpiana e tij, madje kishte patur dhe një mik në shtëpi, përkthyesin e poezive të tij në gjermanisht, por s’kishte bukë. Dhe doli të gjente diku, furrë, shitore, fqinjë, UÇK, ç’të ishte, duhej bukë në shtëpi. Dhe po kthehej me një bukë te vërtetë në dorë, e mbante lart dhe ca laraska iu afruan dhe po i çukisnin bukën. S’ka gjë, edhe ato kishin uri, mendonte poeti dhe përkthyesi gjerman, që shikonte nga dritarja, më ka treguar se u avitën aq shumë korba përreth poetit Podrimja, te buka, te koka, sa ai nuk po i përzinte dot tani. E mbuluan korbat dhe ai ecte kuturu mes tyre dhe kur arriti në shtëpi, nuk kishte më asnjë copëz buke. 

*   *   *

Copëz buke… Sa e shtrenjtë që ishte në burg! Edhe na i vidhnin… Kujtoj një burrë të imët, i heshtur si buka, që pastronte tryezat e mencës në Spaç, se ku gjente ndonjë kothere buke dhe na i jepte fshehurazi, se nuk lejohej, ne, të burgosurve të rinj, që kishim përjetësisht uri.

Vonë, tani afër, kur unë drejtoja ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë se Shenjtë në Vatikan, në një banket zyrtar, ai burrë ishte ulur afër meje, tashmë si Kardinal, i veshur me të kuqe, Eminenca e tij Dom Ernest Troshani dhe s’e di ç’vegim iu përshfaq, por më afroi njërën nga pjatat e tij, – merre, – më tha me urtësi, – nuk e kam prekur, ti ke uri më shumë… 

U preka dhe u mrekullova. Dhe s’m’u durua pa ua treguar të gjithëve në banket. Edhe restorantet më të shtrenjta, darkat qeveritare plot shkëlqim me presidentë, kryeministra, deputetë, shkrimtarë të shquar, etj, nuk kanë për mua atë ndjesi e shije e kuptim sa ajo copëz buke e thatë, e dhënë fshehurazi në një tryezë në mencën e pistë, plot me miza të burgut, – kështu thashë dhe heshtën të gjithë duke na parë me adhurim…

BUKA E HUAJ

Kujtoj një roman sovjetik me tutullin “Buka”, isha gjimnazist dhe më dukej si një ulërimë urie, por dhe një roman tjetër, “Tokat e çara” të Shollohovit, që iu dha dhe çmimi Nobel dhe që u ndalua në Shqipërinë tonë.

Do të mësoja që dhe poeti nobelist Pablo Neruda, do të kishte “Ode Bukës” si një simbol universal i punës dhe shpresës, si diçka që bashkon njerëzit, një ushqim i thjeshtë, por i rëndësishëm, aty janë përpjekjet e përbashkëta të njerëzimit.

Po kujtoj Bertolt Brecht: “Buka e popullit”, që e përdor bukën si një metaforë për të drejtat bazë dhe barazinë.     

Te John Steinbeck, romanin klasik “Vilet e zemërimit” mbi depresionin e madh në Amerikë, buka dhe uria janë tema qendrore, puna e bujqve që luftojnë për të fituar bukën e gojës dhe padrejtësitë që përballojnë për ta siguruar atë..

Poeti Walt Whitman e sheh bukën si simbol në veprën e tij, “Fije bari”, si ndërlidhjen e thjeshtësisë së jetës së përditshme me dimensionin shpirtëror. Buka dhe idea e bashkimit dhe përbashkësisë.

Në “Kënga e vetes” Whitman shkruan:

I mbrujtur në brumë dhe i pjekur në bukë njësoj,

Edhe unë gjithashtu jam në atë bukë…

Buka uitmaniane merr një dimension të thellë metafizik, duke përfaqësuar lidhjen mes trupit, natyrës dhe shpirtit. Buka bëhet një pjesë e ciklit të përhershëm të jetës dhe rilindjes, një simbol i përbashkësisë njerëzore dhe lidhjes me universin. Për Whitman-in, ashtu si në shumë poetë të tjerë, buka ka një përfaqësim të thjeshtë dhe të madhërishëm: është jeta vetë, e përbashkët për të gjithë.

Ndërsa te Franz Kafka kemi të kundërtën, urinë. Te  “Metamorfoza” e tij Gregor Samsa, pas shndërrimit të tij në insekt, refuzon të hajë bukë, një simbol i lidhjes së tij të mëparshme me njerëzimin dhe familjen. Refuzimi i bukës është refuzim i shoqërisë dhe i jetës.

PO ZEMRA?

Po pse më dolën ato zemra të vogla te copa e bukës? Ç’donin të thoshin? Pse, janë zemrat të vogla, kur ato janë dashuri, po thosha.        

Dhe m’u shfaq prapë një mur, por ndryshe në një qytet në jug të Italisë. Në Salerno ka ca rrugë, shkallë, ballina pallatesh, anë dyersh e dritaresh, shtylla, etj, ku gjen vargje plot, pra, janë pikturuar poezi të zgjedhur nga poetë italianë dhe nga bota.

Në njërin mur gjenden dhe vargje të miat: 

Ty prapë

të erdhi koha të mendosh,

                                o zemër!

Prandaj dhe m’u shfaq te buka…

Exit mobile version