Kreu Letërsi Bibliotekë Donika Dabishevci: Ngjitun si thue n’mish

Donika Dabishevci: Ngjitun si thue n’mish

Kapëdhecun skej oxhakut fërkojnë duert
ma t’rrudhuna se ftyra. T’mpita, gjithsesi.
Tuj kqyrë prushin e shymun t’votrës. Drutë gati
e asnji gacë zjermi n’shkarpa t’thata
tuj mos guxue me e dhezë.
Se shihet tymi e vinë Ata…

Dimër, ftoht’ i madh, acar. Kallnori
gjithmonë egër ka marrë n’këto anë. Gjithë
i ka zhvesh e kërcllue dhambët. Ka kërcënue…
Bora s’ka t’ndalun.
Fërfllazë.
Kallkanosun pleqtë, t’gërmuqun ngjiten
njani n’tjetrin si thue n’mish.

-Do Zoti e kanë mrri,
pa i nalë kush udhës!

Rrëqethun shpirtnash,
djegun malli,
luten për reja e fmi.
Për djemtë n’mal.

-A thue, a janë dekë a gjallë?


Kreshtbardhët s’kishin pasë gajret me e lshue shpinë.
S’kishin mujtë. S’jau kish bajtë zemra.

Ai e kish marue me duer t’veta atë konak.
N’t’ri t’vet. Hala pa i ra brisk mjekrës.
N’za ish për trina t’thurrueme me purteka. Nganjiher’ deri n’avlli.
Kish pas punue gjithë, si dem. Deri n’pleqni. Kurrë pa ndalë.
“Ma kadal, he burrë se do me lanë shpirtin…”, e ngucnin
akrabatë at’ vakt. Por, s’ndalej. Trupi ia donte punën.
Ia lypte… I bante mirë. E kishte ba ma t’mirë. Babaxhan.

Plakut i shndriti nji fije buzëqeshje musteqeve,
tek ish përhumbë n’mejtime.

-A t’kujtohet…? e pveti plakën, sikur me ditë
që anejpari turbullueshëm edhe ajo kish fluturue.
Ofshau…mallëngjye kujtimesh moti t’pandërmenduna,
kujtimesh t’rinisë s’kahmotshme, ditëve t’kahershme.
Nji e rrëqethun e ftohtë ia përshkoi trupin.

Sa shpejt ikin motet.
Sa shpejt kalon jeta!

Prej syve n’sy lulzoi nji urë. Nji urë dashnie e moçme.
E mblatueme fort. Me bedena t’pashembuna vitesh.
S’e kish lëkund asgja. Edhe pse e ndryeme. E shtypun thellë.
Furtunat, rrebeshet, shtrëngatat, acari.
Krajatat e jetës.
As lufta!


Ajo kish hi aty nuse s’pari. N’atë kullë.
E re. Pehri e bukur. E marrshme. Ftyrë e saj si drandofille
e posaçelun, kuq all i baheshin faqet kur i thurrnin lavd…
Ish kanë e zoja, fort e zoja, kallxojshin. Sabah e aksham
kish rangue, pa ju ni kurr’ nji fjalë. Druhej. Gojë ka gojë s’ka,
thojshin. E kur fliste, gojë e saj rridhte nektar.
Kish miklue ambël fmi e nipa, n’djepa gdhendun hollë,
bojna- bojnash lulue, me aromë trumzash tuj spërkatë për fat,
mos me qenë t’paudhë, mos me qenë udhëpremë…


Bashkë kishin pritë miq e dashamirë.
Derë e tyne gjithë çelë, për t’njofshëm
e t’panjofshëm. Për akraballëk e jabanxhi.
N’za për mikpritje. Familje bujare. Shpirtna t’fismë.
Sa dasma, sa deka…Kurrë t’lëkundun. Kurrë t’dorëzuem.

Kur u ngushtue rrethi, kur lufta ia mbërrini n’prag t’shpisë,
krejt u banën gati me ikë. Plakun e plakën i lutën n’be e rrfe.
N’zot e gjithçka, po s’mun’ i morën me vete.

Mbshtjell me aurën e t’parëve, t’shejntnueme
e kishin tokën, kullën, dheun…

– Ikni ju, ju priftë e mara, rune veten, runi këta thmi,
se na pleq jem! Pak pa dekë. E ma e mire se deka n’shpi s’ka!,

kishin pasë thanë flokëborët.

S’kish pasë gja që i nxjerrë prej shpisë.
S’kishin livritë.
Nji ndajnate t’krahneztë, dikush prej djemve i kish ra anej pari
dhe e kish pas pa që shpija ish djegë me themel.

Prej pleqve,
nji grusht eshtna.
Aq kish mbetë!

Exit mobile version