Kreu Letërsi Shënime mbi libra Donika Dabishevci: E gjithmonshmja dashni (poezi)

Donika Dabishevci: E gjithmonshmja dashni (poezi)

Cikël poetik nga libri “E gjithkohshmja Andërr” që u vlerësua vepra më e mire në poezi për vitin 2024 duke marrë Çmimin shtetëror “Ali Podrimja” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, me motivacionin: “Për memorizimin poetik të luftës në Kosovë dhe krijimin e dëshmisë artistike që kthehet në testament letrar. Poezia e këtij libri shpalos mikroperspektivën e historisë së luftës 1998-99, amplifikon zërin e viktimave civile, siç amplifikon edhe zërin e njeriut në zgrip të ekzistencës pas vitit 1999, si një thirrje për të kujtuar dhe një thirrje për të mos harruar”.


PAS MASAKRËS

Nji qetësi trishtuese mlue e ka katunin.
Zjermi gërmadhave asht shue.
T’fundmet shllunga tymi janë shkri n’kaltri.
Asnji gjurmë njeriu. Asnji za. Asnji pipëtimë.

Grumbuj trupash nji mbi nji bajnë mozaikun e apokalipsës.
Atij t’projektuem prej trunit njerëzor.
Katër S-ja n’lëvozhgë vrarëlie lisi…

Nji kambë ktu, nji krye atje, trupa si kuaj deti,
torso, pa gjymtyrë, mushkni e zorrë përziet,
sy t’ngrimë që shkëlqejnë si fosfor, fmijë t’coptuem,
mish i grimë dhe gjak. Shumë gjak.

Era shpupurit flokët e kokave të preme.
Korbat bajnë dasmë. Gosti e papame.
Mas tyne kanë me ardhë minjtë…masnej krymbat…
ushqim i bollshëm për krejt.

T’nesërmen, punë fati, fotot me trupa t’gjymtuem
mun’ dalin n’ndonji faqe gazete a agjencie t’huej lajmesh.
Ndoshta edhe n’ndonji TV. Por, publiku botnor
si zakonisht, ndrron kanal. Telepiloti o pshtim.
Pamje t’randa, pamje që nuk shkojnë me venë t’kuqe
e shandanë, pamje makabre që ta idhtsojnë darkën.

Trupat e gjymtuem mujnë me qenë
dëshmi empirike për do pleqnarë t’urtë,
fisnik t’huej, që mun’ ja vnojnë gishtin kresë
e me mendue se o marre për civilizimin krejt kjo,
e se kshtu s’shkon ma!

Masnej do demagogë,
me parrulla humanizmi n’kmisha
me i shtrue hartat n’tavolinë
tuj kqyrë rreptë zuzarët luftëbamës
e me ba ate që granatat se bajnë dot…

Me i kapë gërshantë
me ja pre teshat nji vendi,
me e pre fatin e nji populli.

Si gjithmonë, pas çdo lufte!


NINULLË

Flej bir, se shalue n’t’bardhin njibri,
shpejt ka me fluturue edhe kjo natë.
Me qilim magjik ka me ikë.
Qilim bojnabojnash lulue si ylber.

Nesër… nesër ka me u ba ditë prapë,
synin ka me e çelë ai i bukri diell,
kemi me u gzue lojnash,
hareshëm kemi me qeshë,
me e knaqë shpirtin,
si kurrnjiherë …
Kemi me u shkrie qejfi, bir!

Këtu n’mal, nanë, a?

Me zogj mali, me pllumba krahshkruem
kemi me u hedhë n’valle, n’tinguj harfash
luajtun prej pemsh.
Me flutra kraharta e dallndyshe bishtpreme
kemi me u përpjekë,
me u ndjekë.

E kur t’lodhun kemi me u shtri n’ledinë
bleroshja ka me gufue,
vrap shtigjesh prej mjedis malit
sorkadhja t’vogjlit ka me i tubue,
bashkë kanë me ardhë nëpër luleshqerre
syrrushin tem me e marrë,
me shkue te nji e akulltë ujëvarë,
kangës me ia thanë.

Shushurinte nana ninulla,
ninulla andërrndjellëse,
ninulla t’përndjekunve,
ninulla t’zhvendosunish,
ninulla refugjatësh,
ninulla tokësorësh,
ninulla vdekatarësh të zakonshëm
ninulla lufte…

E baba, nanë?

Masnej nji shtojzovalle flokartë
e nji zanë e bukur, zanë sykaltroshe…

Baba s’livritke, nanë,
krejt n’gjak e kam pa babën… nanë!

Andërr ka qenë bir, andërr…

A ka dekë baba, nanë?

Flej djali i nanës… flej,
andërr asht krejt kjo,
andërr… asht… bir,
andërr… andërr…
andërr…
asht!
…Flej, bir…flej…
se shpejt ka me fluturue edhe kjo natë.
Me qilim magjik ka me ikë.
Qilim bojnabojnash lulue si ylber…
Flej, i vogli i nanës,
Flej!


BUNARI I ÇIKAVE

Veç nji Zot e di çka mun’ kenë hekë
Tri flokëpraruemet para se me dekë.

N’makthin e pafund t’zanunit n’çark
n’vorbull t’ngjeshun kriminelësh,
trup i tyne përplasej nga njeni te tjetri.

Mizori e papame!

Britmë e piskamë
ushtue kishin n’shtatë katune.

Me ju dhimtë gurit e drunit!

Masnej n’rrjedhën e natyrshme
t’nji lufte t’përbindshme, çikave
ju kishte lidhë gjuha, kishin jehue
krismat e ishin mbyllë perdet…

Akt i fundm i tyre mbaroi!

Sot e asaj dite bunari i çikave
thirret ajo gropë me ujë
trupat cpirruem ashklash
ku ua kanë gjetë…

Atyre tri t’mallkuemeve fati!


PUTHJA

E djathtë e tij shtrëngue e kish fort për beli.
Kokë e saj zgjatun n’puqje t’cepbuzëve t’tij.

Tronditëse.
E dhimbshme.
E bukur.
Madhështore.

Dy kufoma t’zhveshuna mishi
u çpluen bore, si aguliçet lajmëse t’pranverës
nxjerrin sytë mas acarit t’gjatë.

T’pashkoqituna…
T’mbërthyeme fort n’njeni-tjetrin,
si me dashtë me e dëshmue shekujsh dashninë!


E GJITHMONSHMJA DASHNI!

Nji hap para veç e kish,
kur u rrëzue si shkamb i bashëm shtatrandë
dhe e puthi tokën.

Nji lulebozhure iu qëndis mjedis shpatullash,
lulebozhure ujitun me vrushkuj t’nxehtë gjaku.

Dritë e hanës përthyhet n’t’kuqen e ndezun.
Llamburit fort!

S’don me ju zanë besë syve, ajo.
M’u qorrofshin të dytë, thotë,
teksa ndihet edhe krisma tjetër.
Dhimta tmerrësisht therrëse s’e ndali.
Kambadoras e marramendun
rropatet mjedis plumbash
drejt trupit t’dashtunit
tuj zvarritë.

Lotët i rrëshqasin si gur n’rrënoja
t’nji kështjelle të shkatrrueme…

Tre hapa sa tre shekuj!

U plandos mbi trup t’tij
ngrimun si mermer,
e përqafoi çehrebardhin
shikim mbetun drejt qiellit,
iu lëbyrën sytë,
iu terratis gjithçka
… dhe vdiq!

Trotuari u kuqlue.
U la n’gjak.

Ish e diel e tyre e fundit,
vrapim i fundit,
përqafim i fundit, ish!

Asht dashnia ajo
që s’e ndalin
as plumbat,
as ploja,
as kurthet,
as pritat,
as çmendunia,
as absurditeti i luftës.

E përjetshmja.
E përtejshmja.
E gjithmonshmja.


GJA S’KA NDRRUE!

Gja s’ka ndrrue n’egërsinë antropike,
n’etjen, n’urinë, n’dalldinë, n’babëzinë
apo thjesht n’instiktin e brendshëm njerëzor,
me i hangër s’gjalli t’dobtit. Jo për mbijetesë. Jo.
Për zgjanim pushteti e pasunie. Për dominim.

Gja s’ka ndrrue, qysh prej neandertalve!

Diçka që asht pa me mija vjet.
Diçka që s’harrohet me mija vjet.
Diçka që përsëritet me mija vjet.

Janë po këta yje t’trazuem,
po kjo hanë e mejtueme që ciklon trajta,
po ky diell i përflakun që shndrit përdit’
stuhitë e çmenduna t’instinkteve primordiale.
Asht po kjo tokë e trueme.

T’tanë janë dëshmitarë
t’’dhunuemve e gjymtuemve,
t’vorreve pa emna e t’eshnave pa vorre,
t’nanave mbetun qyqe n’themele shpijash t’rrënume,
t’nuseve me duvak t’zi e shpirtnash t’djegun jetimash,
për mija vjet…

T’tanë janë dëshmitarë
marrëzish t’shpirtnav’ t’ligë
e muranave që z’vendsojnë njana-tjetrën!
Gja s’ka ndrrue n’këtë rruzullim!

Njerëzim i nemun, shpreskallun,
mbetun ngrimë n’nji fluskë kohe –
përbotshëm gjakatare!

Exit mobile version