“Thonë se kur erdhi lajmi që Zoti do të mblidhte të gjithë krahinat për
të ndarë të mirat që kishte, u nis edhe gorani e udhëtoi nëntë ditë e
nëntë net, deri sa mbërriti te Shtëpia e Zotit. Por e gjeti sofrën të
ngritur, të tjerët kishin marrë gjithçka u dhuroi Zoti dhe ishin larguar.
Kur pa goranin, Zoti u habit.
“ Nga vjen?”,- e pyeti.
“ Vij nga fundi i botës,- i tha ai,- nga një vend që quhet Gorë.”
“ Erdhe vonë, unë i ndava të gjitha të mirat që kisha.”
“ O Zot, unë udhëtova nëntë ditë e nëntë net deri te oborri yt, mos
më kthe duarbosh.”
Zoti hodhi sytë në oborr, mori një gur dhe ia dha.
“ Këtë kam dhe po ta jap me gjithë zemër, ndoshta pak gjëra do të
keni në jetë, por gurët e maleve tuaja do t’i doni shumë.”
Zanafilla e legjendave të herëshme të Gorës, thonë se ishte në këtë ditëtakimi të goranit me Zotin, ndërsa zanafilla e këtij libri të ri të shkrimtarit shqiptar Namik Dokle,- përkthyer nga Maria Roces Gonzáles dhe i sapo botuar nga shtëpia botuese Malas Compañías e Madridit,- nis mbrëmjen kur, në Institutin Cervantes u bë promovimi i romanit të Dokles “Vajzat e mjegullës”, i pari libër shqiptar që është prezantuar në këtë institut prestigjioz, event gjatë të cilit, Sekretarja e Përgjithshme e tij, Carmen Noguero e konsideroi romanin si një vepër të nivelit të lartë. Pas këtij prezantimi, autori u ftua në një darkë, në rrugën e famshme Sagasta të Madridit, nga botuesja Ana Cristina Herreros Ferreira, në shoqërinë e përkthyeses Maria Roces. E gjithë biseda u zhvillua për Shqipërinë dhe për Gorën, të cilës i ishte kushtuar romani i Dokles, një tekst i stërpikur nga disa legjenda, njëra më impresionuese se tjetra.
Shkrimtari Namik Dokle ka lindur në Durrës (1946), në brigjet adriatike, por u rrit dhe e kaloi gjithë fëmijërinë e tij në Borje, një fshat i Gorës (Kukës) që u kthye në qendrën e bisedës së asaj mbrëmjeje. Histori, kulturë, tradita dhe, mësëshumti, legjendat e asaj treve. Botuesja, Ana Cristina, e pyeti autorin përse të mos e shkruante një libër të ri, me të gjitha legjendat e Gorës, duke shtuar që do ta botonte “me shumë kënaqësi”. “ Edhe unë do ta përktheja me shumë dëshirë”, tha përkthyesja Maria Roces. Dokle nuk mundi ta kundërshtojë këtë ofertë interesante dhe, me tu kthyer në Shqipëri, filloi nga puna krijuese për të na ritreguar të gjtha ato legjenda të Gorës, një pjesë prej të cilave ende jehonin, disa prej tyre pëshpërisnin dhe të tjera që ishin në grahmat e fundit të kujtesës.
Në parathënien e librit autori na tregon për ndarjen në dy shtete ( Shqipëria dhe Mbretëria Jugosllave) të kësaj krahine, me territor kompakt, kulturë, të folme e tradita të përbashkëta, nga një komision ndërkombëtar anglo-franko-rus, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, dhe tashmë në tre shtete ( Shqipëri, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut). Por legjendat janë pjesë e kulturës shpirtërore të gjithë Gorës dhe goranëve.
Disa prej legjendave të këtij libri i kemi hasur edhe në romanin “Vajzat e mjegullës”-, pjesa e parë e triologjisë që përbën Sagën e Gorës,- por shumica e tyre janë një risi për mua dhe lexuesin spanjoll, një surprizë magjike që, përveç që të jep mundësinë të njohësh një trashëgimi kulturore krejt të veçantë të një krahine dhe të një grupi etnografik origjinal, kontribuon që të mos humbasin këto histori legjendare, që të mbijetojnë edhe pas vdekjes së atyre që i kanë ruajtur dhe treguar deri në ditët e sotme. Për herë të parë ato shfaqen në një libër me veprën e Namik Dokles.
Është interesante të nënvizojmë se legjendat, ashtu si gjithë folklori i Gorës, siç shkruan vetë autori i librit në prologun përcjellës, karakterizohen nga lirika, më shumë se nga epika, nga këngët e dashurisë më shumë se sa ato të luftës, nga përjetimet e viktimave të historisë se sa ato të heronjve të saj . Dhe kjo vihet re sapo nis udhëtimin në faqet e këtij libri. Do të sillja si shembull legjendën “Lulet që nuk u vyshkën nëntë vjet”. Ajo tregon se si nusja e një luftëtari, kur e përcjell atë për në luftë, i dhuron një tufë me lule dhe i thotë që do ta pres deri sa ato të vyshken.
“ Janë lulet e shpirtit tim,- i tha,- do të të pres nëntë vjet, të dhjetin, po nuk erdhe, do të martohem me ndonjë vejan të plakur e të gërbulur.”
“ Si ta marrë vesh kur vjen ajo ditë?- pyeti ai nusen e tij të bukur.
“ Ta tregojnë lulet e shpirtit tim… nëntë vjet nuk do të vyshken, të dhjetin do të ulin kryet.” Nëntë vjet luftë, por legjenda flet vetëm për lulet e besnikërisë. Kanë kaluar mijëra vjet që bota diskuton për seksin e engjëjve, por në legjendën e Gorës ëngjëjt janë dy djem që bien në dashuri me dy vajza të Gorës, madje për këtë pranojnë çdo lloj dënimi nga Zoti dhe, kur ai i pyet çfarë lloj varjeje do të preferonin, ata i përgjigjen: “ Na varni kokëposhtë që të shikojmë Tokën dhe Vajzat…” Dhe të tilla legjenda, ku ndërthuren lirizmi me tragjizmin e dashurive njerëzore, nuk janë të pakta në librin e Namik Dokles. Sepse Gora është ai vend ku dielli lind dy herë çdo ditë, ku një yll mund të bjerë edhe në prehërin e një gruaje, ku vajzat mund të vallëzojnë me hënën, ku një fjalë e rëndë vret dhe një kokë e prerë flet për të treguar dashurinë e vet, ku ka një ditë që edhe qielli hapet për të dëgjuar dhe plotësuar dëshirat e njerëzve.
Në legjendat e Gorës, Njeriu dhe Zoti komunikojnë me një gjuhë tepër njerëzore, edhe pse Zoti, sipas njerës prej legjendave, mund ta përbirojë botën edhe në një vrimë gjilpëre. E megjithatë, në një nga legjendat, gorani i tregon Zotit se sa e padrejtë është “ e drejta e tij.” Dhe kjo në fare pak radhë:
“ Meqë Gora u ankua për varfërinë e saj, Zoti thirri një goran të mençur e të ndershëm dhe i tha: Po të jap tri mijë dele, shko në Gorë dhe ndaji me Të drejtën e Zotit. Ai i mori delet dhe zbriti në Bjeshkët e Gorës. Dhe filloi ndarjen; atij që kishte dy dele në shtëpi, i dha edhe dy të tjera, kush kishte pesë i dha edhe pesë, ai që kishte njëqind, mori edhe po aq të tjera. Krisën poterja dhe ankesat për atë lloj ndarjeje. Zoti e thirri përsëri burrin e ndershëm dhe i foli i zemëruar:
“ Çfarë bëre?! A nuk të thashë që t’i ndaje delet me Të drejtën e Zotit?!”
“ Ashtu bëra…”
“ Si ashtu?!”,- u habit Zoti.
“ Aq sa u kishe dhënë Ti, aq u dhashë edhe unë.”
Tani mbetet në të drejtën e lexuesve spanjollë të vlerësojnë këtë krijim të ri të Dokles, punën e tij të pashembullt për t’i ritreguar në letër këto legjenda mijëravjeçare, që kurrë më të mos bien në harresë dhe që ne, nëpërmjet përkthimit të mrekullueshëm të Maria Roces Gonzales t’i çmojmë, t’i njohim dhe të emocionohemi prej tyre.
Dhe së fundi, për të krijuar një ide për largësinë e Gorës, të kësaj treve të legjendave e baladave magjike, po them se në udhëzuesin për udhëtimet në Shqipëri të Lonely Planet,- i konsideruar si Bibla e udhëtarit,– nuk ka asgjë për këtë krahinë, gjë që mplekset shumë mirë me ato mjegulla që duket se e mbulojnë, por, njëherësh, sikur e pasurojnë ndjeshmërinë shpirtërore të jashtëzakonshme të saj. Më vjen keq që, kur bëra udhëtimin tim të parë në Shqipëri, nuk kisha lexuar asgjë nga Namik Dokle, për ndryshe, me siguri do të shkoja në Gorë, vetëm 30 km. larg nga Kukësi. Kush e di, ndoshta ndonjë ditë shpirti i Majkës, asaj plake legjendare, e cila kaloi 200-300 vjet në këtë botë, e harruar nga vdekja, me magjinë e saj do të më çojë rishtaz në Shqipëri dhe, më në fund, ta vizitoj atë krahinë dhe të zhytem përsëri në historitë dhe legjendat e jashtëzakonshme që na tregon Namik Dokle.