Kreu Letërsi shqipe në përkthim Doli në Itali libri me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani”...

Doli në Itali libri me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani” i Visar Zhitit, botim i Shtëpisë Botuese “Puntoacapo Editrice” në Alessandria, qendër e Piemonte-s, e specializuar në letërsinë kontemporane..

Lajmin e jepte shtëpia botuese, duke e nisur me një fjali poetike:

Pavarësisht ditës së vranët, rrezet diellore arritën sot me një stampim gjurmëfreskët. Më së fundi erdhi në redaksi përkthimi me peshë i Elio Miracco-s me tekstet e origjinalit përballë, “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia” (Strade che scorrono dalle mie mani)të Visar Zhitit.300 faqe të mbushura me përvojat dhe vizionet e poetit që Eco, Grasso dhe Luzi e përkufizuan tashmë si një poet të qëndresës, pasi puna e tij si artist shenjoi në mënyrë të pashlyeshme jetën e tij të përditshme (për ata që nuk e njohin autorin, theksojmë vetëm se Zhiti konsiderohet si shkrimtar i madh i letërsisë së sotme shqipe dhe vuajti burgim nga regjimi diktatorial për 10 vjet për shkak të vargjeve të tij).Jemi krenarë që ky autor zbarkon në botimet tona, të lumtur që kjo ndodhi falë punës së “EstroVersi Associazione Culturale”, që prej vitesh jemi krah për krah dhe që ka mundësuar dhe mundëson zëra të huaj të lexohen dhe dëgjohen gjatë qëndrimeve këtu në Itali.Antologjia e Visar Zhitit përmbledh poezi nga librat e mëparshëm, por edhe të reja. Në kopertinë është piktura “Mendim rinor” e Maurizio Caruso-s, ka disa të dhënat për autorin dhe vleresime nga personalitete të shquara të letërsisë.

Piktori Maurizio Caruso
me librin e porsabotuar

KANË THËNË MBI VISAR ZHITIN:

Shihni… historinë e Visar Zhitit: mjaftoi që ai të shkruante poezi të konsideruara “hermetike dhe të trishtuara”, pra dhe armiqësore ndaj regjimit… dhe me të drejtë e dënuan me dhjetë vjet burg.

Poezia tremb regjimet autoritare dhe diktatoriale edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, vetëm për trëndafila.

Umberto Eco

Në ato burgje Zhiti është mbajtur për vite me rradhë, i pambrojtur përballë dhunës dhe arbitraritetit. […[

Por këto janë dhe faqe fitimtare të poezisë. Liria mbështet vargjet e Visar Zhitit edhe kur janë të mbytura nga argumente të errëta. Dhe na shfaqet lakuriq me pamje të plotë monstruoziteti i një tiranie. Dhe çlirohet nga kjo morsë një poet i fortë dhe i vërtetë.

Mario Luzi

Poet dhe gladiator. Poet dhe muzikant. Poet dhe kalorës i Varrit të Shenjtë. Poet dhe artist. Poet dhe ushtar. Poet dhe punëtor hekurudhash. Poet dhe falltar. Poet dhe doktor. Poet dhe mërgimtar. Poet dhe engjëll. Për të mos iu dorëzuar një dëshpërimi pa rrugëdalje, Visari shpik dita-ditës paraqitje dhe role të ndryshme, sepse në fund dëshiron të mbetet vetëm poet.

Sebastiano Grasso, President i Klubit PEN Italian

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij…

Robert Elsie, Albanolog kanadezo-gjerman

Maurizio Caruso: “Mendim rinor”.
Exit mobile version