Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Dr. Klara Kodra: Romantiku atipik Zef Serembe dhe enigmat e poezisë...

Prof. Dr. Klara Kodra: Romantiku atipik Zef Serembe dhe enigmat e poezisë së tij

Para 180 vjetëve, në fshatin arbëresh Strigari (San Kozmo Albaneze), me një natyrë pitoreske, plot kontraste ngjyrash, që të sjell ndërmend Shqipërinë, më 6 mars 1844, nga Mikelanxhelo Serembe dhe Maria Tereza Toçi, do të lindte një fëmijë që u pagëzua me emrin Zef. Më vonë bashkëvendasit do t’i ngjisnin llagapin Ruvec.

Ky fëmijë do të bëhej poet dhe madje një poet i shquar. Ky poet do t’i përkiste drejtimit letrar të romantizmit, në formën që drejtimi në fjalë mori tek arbëreshët, drejtim që do të ishte një degë e romantizmit shqiptar të Rilindjes.

Zef Serembe do të thellonte atë frymë moderne që kishte sjellë për herë të parë Jeronim de Rada në letërsinë arbëreshe. Ai do të shprehte prirjen lirike të kësaj letërsie. Ai do të ndizte në poezinë e vet dy vatra qendrore tematike, temën e lirisë (të atdheut të stërgjyshërve, Shqipërisë, të vendlindjes, Italisë, të popujve të tjerë si Greqia, të individit dhe temën e dashurisë (erotike, po edhe gjithënjerëzore).

Me kultin e Atdheut dhe të lirisë ishte i afërt me poetët e tjerë arbëreshë dhe shqiptarë të Shqipërisë të letërsisë së Rilindjes dhe gjithashtu me heroin lirik tribun dhe flamurtar, zëdhënës i bashkësisë. Po pranë atij kulti do të pohonte kultin e gruas dhe të ndjenjës, i spostuar në plan të dytë në letërsinë shqiptare të Rilindjes, ashtu si problemet ekzistenciale të jetës dhe të vdekjes, të së mirës dhe së keqes, të domosdoshmërisë dhe lirisë, të së drejtës për lumturi, të marrëdhënieve midis Perëndisë dhe njeriut.

Pranë heroit tribun, luftëtar, afirmohej individi me botë ideoemocionale më të gjerë se mjedisi, që hynte në luftë me atë mjedis, një konflikt ky tipik për romantizma të tjerë më të zhvilluar europianë si romantizmi francez, anglez, gjerman, romantizma që ndryshonin thellë nga romantizmi arbëresh dhe shqiptar, madje edhe nga romantizmi italian me elemente klasicizmi.

Për herë të parë Serembeja sillte në romantizmin arbëresh (dhe shqiptar) “brengën e shekullit”, “etjen për pafundësi”, madje edhe titanizmin, të gjitha këto karakteristike për romantizmin e Evropës Qendrore.

Zef Serembeja, pra, ishte një poet atipik për romantizmin arbëresh dhe shqiptar, po tipik i romantizmit evropian.

Në të vërtetë, poezia e tij, në thelb lirike, e ndryshme nga lirizmi i ndërthurur me epizëm dhe dramatizëm i bashkëkohësve të tij De Rada, Dara, Santori e arriti nivelin estetik të letërsisë evropiane bashkëkohëse, siç e pranuan autorë të ndryshëm të kohës arbëreshë, shqiptarë, italianë dhe bashkatdhetarja e shquar e poetit, e lindur në Rumani, Dora d’Istria, siç do ta pranonin shumë më vonë (në shekullin e njëzetë dhe të njëzetenjëtë) poetë dhe kritikë të atdheut të origjinës dhe studiuesja ruse, Serkova.

Pra, origjinaliteti dhe niveli i lartë estetik i krijimtarisë së Serembes u pranuan që në gjallje të tij, përmes velit të përkthimit italisht të botuar më 1883 dhe përmes ndonjë vjershe të rrallë të botuar arbërisht.

Megjithatë, forma e lartë e poezisë së tij fsheh ende thesare të panjohura. Këtu del edhe një problem nevralgjik. Deri në ç’pikë botuesi i vjershave të tij në arbërisht, nipi Kozmo Serembe i qëndroi besnik origjinalitetit të ungjit?

Ndonëse vetë botuesi pretendon se nuk e preku materialin poetik të mbledhur (përveç heqjes aty-këtu të ndonjë barbarizmi) gjuha e botimit të vjershave më 1926 është tepër e afërt me gjuhën e Shqipërisë, duke përfshirë fjalë që poeti zor që t’i dinte. Prandaj hipoteza për një manipulim dhe deformim të vjershave origjinale, e hedhur për herë të parë nga studiuesi Dhimitër Shuteriqi më 1961 dhe e mbështetur më vonë nga studiuesi arbëresh Belmonte, sipas të gjitha gjasave, qëndron, ndonëse më vonë atë do përpiqet ta hedhë poshtë studiuesi Domeniko Kasiano (po i vetmi argument i tij është shumëllojshmëria e burimeve ku u mbështet botuesi, gjë që do ta vështirësonte mjaft manipulimin, po s’do ta bënte të pamundur).

Zbulimi i mjaft dorëshkrimeve autentike të Poetit (gjithsej nëntë) do t’i ndihmonte mjaft studiuesit në këtë pikë.

Gjithashtu, niveli i lartë i mjaft vjershave, si dy elegjitë (të quajtura kryevepra të tij nga studiuesit) dhe sonetet do të dëshmonte në favor të një prekjeje të sipërfaqëshme, meqenëse një poet minor, siç ishte botuesi Kozmo, domosdoshmërisht do t’i dëmtonte këto vjersha duke i ndryshuar.

Rreth Poetit dhe krijimtarisë së tij janë krijuar gjithashtu legjenda, si legjenda e poetit improvizues, indiferent ndaj fatit të krijimtarisë së tij, legjendë që u pranua edhe nga studiuesi Eqrem Çabej në studimin e tij për romantizmin shqiptar. Po fakte të mëvonshme kanë dëshmuar se Poeti, ndonëse ishte vërtet edhe improvizues qe edhe artist i limës që punonte me fjalën, duke krijuar variante të ndryshme të poezive të tij dhe gjithashtu kujdesej që vepra e tij poetike t’i shkonte publikut, jo vetëm të bashkëvendasve, po edhe të përtej kufijve, siç dëshmojnë botimet e tij në Amerikë (“Sonete të shumëllojshme”, “Ushtari shqiptar”, “Zotit”).

Një legjendë tjetër qe ajo e poetit indiferent ndaj problemeve sociale të kohës, legjendë e pasaktë, siç dëshmojnë vjershat e tij italisht me problematikë sociale, të përfshira te “Sonete të shumëllojshme”. Po problematika sociale, duke mos iu përgjigjur vokacionit të thellë të Poetit, u ka dhënë jetë artistike vetëm disa vargjeve të shpërndara të krijimeve italisht të Serembes, si vargjet rrënqethëse që mbyllën poezinë “Një taksidari”.

“Po Italia do të bëhet shtet i madh/

Ç’e ha meraku atë për kë ka uri?”,

vargje vërtet të forta, po që stonojnë me retorikën e pjesës tjetër të poezisë, ideja e së cilës ishte e fuqishme, po nuk arriti realizimin estetik.

Mbi krijimtarinë e Serembes, vizionin e tij të jetës, pati edhe gjykime kontradiktore: disa studiues si Zef Skiroi i Ri e quajtën poetin si të nënshtruar, ndonjë tjetër që i përkiste atdheut të origjinës shkon deri aty sa i atribuon “aspirata revolucionare”, ndonjë studiues si Ali Xhiku e ekzagjeron ndjenjën fetare të Poetit, duke e quajtur mistik dhe fatalist, ndonjë tjetër si Razi Brahimi mendon se ai arriti në ateizëm.

Mendojmë se këto janë gjykime të skajshme, poeti qe rebel edhe në plan social, po nuk arriti, madje as te socializmi utopik i bashkëkohësit Vinçenc Stratigo; arrin të rebelohet kundër klerit, Vatikanit, madje edhe vetë Zotit, po nuk e vë asnjëherë në dyshim ekzistencën e këtij të fundit dhe për këtë dëshmon edhe vjersha e tij më kryengritëse “Zotit”, ku ai i drejtohet në mënyrë protestuese, Perëndisë si një Job i ri, po e pranon si një fuqi të njëmendtë dhe personale dhe nuk e sheh si forcë të verbër, siç do të bënte përkundrazi me “natyrën njerkë” ateisti Leopardi, të cilin Serembeja e njihte dhe e nderonte, siç dëshmon vjersha kushtuar atij.

Edhe pesimizmi i Serembes s’do ta arrinte kurrë thellësinë e pesimizmit të Leopardit. Zefi s’e humbet kurrë besimin në vlerat etike njerëzore dhe dashurinë për jetën: ai beson në progresin njerëzor dhe në solidaritetin midis njerëzve, gjithashtu besimi në çlirimin e atdheut të të parëve qe për të, gjatë gjithë jetës, një yll ndriçues edhe në vitet e fundit, kur mendjen e tij e pushton gjithnjë e më tepër terri i marrëzisë.

S’duhet lënë pa përmendur si një dukuri e skajshme në studimet serembiane, mendimi i shfaqur nga studiuesi Anton Berisha që çuditërisht vë në dyshim literalitetin e poezisë së Serembes dhe e quan atë një poet më të ulët nga niveli ndaj bashkëkohësve të shquar De Rada, Dara, Santori dhe madje edhe ndaj folklorit arbëresh.

Me gjithë respektin që ushqejmë për këtë studiues, s’mund ta pranojmë kurrsesi këtë tezë të tij që në fakt nuk mbështetet në argumenta bindëse. Studiuesi nuk merret, për ta provuar atë, në analizën estetike të vjershave që janë quajtur si të mirat e Poetit (dy elegjitë dhe disa nga sonetet), po përmend disa vjersha të rinisë së parë të tij. Madje, ai lë mënjanë disa vjersha mjaft të bukura patriotike si “Rrutullupë”, “Për vdekjen e Pjetër Irianit”.

Sikur kjo tezë, që e përmbys krejt gjykimin për Poetin, t’i përgjigjej realitetit, do të mbetej një enigmë entusiazmi i mjaft autorëve (kritikë dhe poetë) italianë bashkëkohës. Në qoftë se entusiazmi i studiuesve arbëreshë dhe shqiptarë për Seremben do të mund të shpjegohej disi me ndjenjën e ekzaltuar nacionaliste, si do të shpjegohej entusiazmi i italianëve dhe, shumë më vonë, vlerësimi i lartë i ruses Serkova?

Mendoj se kjo tezë mund të ketë lindur nga prirja për origjinalitet me çdo kusht.

Poezia e Serembes fsheh edhe enigma të tjera. Për mendimin tonë, është e çuditshme ndërthurja e elitarizmit me ndikimin nga folklori në këtë poezi. Një ndërthurje të tillë e paraqiste edhe poezia e De Radës, po këngët epiko-legjendare që e frymëzuan atë kishin një nivel estetik më të lartë se këngët popullore lirike të lindura në mjedisin arbëresh që frymëzuan Seremben dhe që ishin më të thjeshta e të qarta.

Mandej De Rada e kishte huazuar metrikën popullore arbëreshe, ndërsa Serembeja lëvroi forma të rafinuara si sonetin, oden, elegjinë.

I çuditshëm ka qenë edhe anashkalimi i ndikimit të Serembes prej folklorit nga studiuesit të cilët ose e mohuan krejt si Çabej ose s’e përfillën si Shuteriqi apo Gradilone.

Për t’u vënë re është edhe naiviteti i poezisë së Serembes që shfaqet në një çiltërsi gati fëmijërore në kundërshtim me letrarizmin e romantizmave kryesore europiane. Serembeja i paraprin asaj “poetike të fëmijës” që do të zhvillonte më vonë poeti dekadent italian Paskoli.

Kjo poetikë bie në kundërshtim me ato hove dhe vrulle që e çojnë poetin te titanizmi i poezisë “Zotit”.

Po e tillë është poezia e Serembes, tepër tërheqëse dhe e pasur me kontradikta, si një shpellë e mbushur me enigma ende, pas aq vitesh studimi nga autorë nga më të ndryshmit.

Exit mobile version