Kreu Letërsi Bibliotekë “Dhe diçka tjetër”, tregim nga Raymond Carver

“Dhe diçka tjetër”, tregim nga Raymond Carver

Raymond Carver, Ridge House, Port Angeles, Washington. 1987.
Përktheu nga origjinali: Aristidh Shqevi

Bashkëshortja e L.D-së, Maxine, në momentin që u kthye nga puna vonë në mbrëmje dhe e gjeti atë të pirë, e madje tek sillej në mënyrë abuzive me Rae-n, vajzën e tyre pesëmbëdhjetë vjeçare, i kërkoi atij të largohej nga shtëpia. L.D. dhe Rae ishin ulur në tavolinën e kuzhinës dhe po debatonin ashpër me njeri tjetrin. Maxine nuk arriti as ta vinte çantën në vendin e vet, as ta hiqte pallton.

Rae tha: ‘Thuaji, mama. Foli për ato që biseduam bashkë.’

L.D. rrotulloi gotën që mbante në dorë, por nuk ktheu asnjë gllënjkë. Maxine ia kishte ngulur sytë me një shikim shqetësues.

‘Mos fut hundët në gjëra të cilat nuk i kupton,’ tha ai, dhe pa vonesë shtoi: ‘unë nuk mund t’i marr seriozisht njerëzit që qëndrojnë ulur gjithë ditën duke lexuar revista të astrologjisë.’

‘Kjo nuk ka asnjë lidhje me astrologjinë,’ tha Rae. ‘Ti nuk ke përse të më fyesh.’

Përsa i përket Rae-s, ajo kishte javë të tëra që nuk shkonte në shkollë. Ishte e mendimit se askush nuk mund ta detyronte të bënte një gjë të tillë. Maxine tha se kjo ishte një tragjedi tjetër në serinë e gjatë të tragjedive të vogla.

‘Përse nuk e mbyllni gojën që të dy? tha Maxine. ‘O Zot, jam bërë me dhimbje koke.’

‘Foli, mama, ndërhyri Rae. ‘Thuaji se problemi është gjithçka që ai ka në kokë. Çdokush që merr vesh nga këto punë do ta thotë se problemi ndodhet aty!’

‘Po për diabetin, ç’ke për të thënë?’ pyeti L.D. Si i bëhet me epilepsinë? A mundet truri ta kontrollojë atë?’

Ai ngriti gotën lart pothuajse në lartësinë e syve të Maxine-s dhe i dha fund pijes që ishte në të.

‘Po, edhe diabetin e kontrollon,’ tha Rae. ‘Epilepsinë. Çdo gjë! Sa për dijeninë tënde, truri është organi më i fuqishëm në trupin e njeriut.’

Ajo mori paketën e tij dhe ndezi një cigare një për vete.

‘Sëmundja e keqe. Po për këtë çdo të thuash? vazhdoi L.D.

Ai pati përshtypjen se aty e kapi mat. Sytë i hodhi nga Maxine.

‘Nuk e kuptoj se përse filluam të flasim për gjëra të këtilla,’ iu drejtua L.D. Maxine-s.

‘Sëmundja e keqe,’ tha Rae duke tundur kokën në shenjë mohuese për shkak të naivitetit të tij. ‘Këtu përfshihet dhe sëmundja e keqe. Ajo e ka zanafillën te truri.’

‘Kjo është çmenduri!’ thërriti L.D. Ai goditi tavolinën me kurrizin e dorës. Taketukja hovi përpjetë. Gota e tij ra anash dhe u rrokullis. ‘Ti je e çmendur, Rae! A ke dijeni për këtë?            

‘Qepe gojën!’ bërtiti Maxine.

Ajo zbërtheu kopsat e palltos dhe vendosi çantën e vogël të dorës mbi banakun e kuzhinës. Tek ktheu vështrimin nga L.D. ajo tha: ‘Unë nuk duroj dot më. Po kështu edhe Rae. Gjithashtu, të gjithë ata që të njohin nuk të durojnë dot më. E kam menduar gjatë. Kërkoj që ti të largohesh nga shtëpia. Sonte. Këtë minutë. Tani. Shporrmu sysh pa e zgjatur.’

L.D. nuk kishte ndërmend të shkonte gjëkundi. Fillimisht ai i hodhi një shikim Maxine-s dhe më pas kavanozit të turshive, i cili pushonte në tavolinë që nga dreka. Ai rrëmbeu kavanozin dhe e flaku atë përmes dritares së hapur të kuzhinës.

Rae brofi nga karrigia. ‘O Zot! Ai ka luajtur mendsh!’ Ajo lëvizi në drejtim të mamasë për të qëndruar pranë saj. Merrte frymë me gojë.

‘Thërrit policinë,’ tha Maxine. ‘Ai është i dhunshëm. Dil nga kuzhina përpara se ai të godasë. Thërrit policinë,’ përsëriti ajo.

Me disa hapa të ngadaltë prapa, ato nisën të dalin nga kuzhina.

‘Po iki,’ tha L.D. ‘Në rregull, po largohem që nga ky çast,’ tha ai. Nuk e kam fare problem. Sido që të jetë, të dyja jeni të meta. Këtu është një çmendinë e vërtetë. Jetë ka edhe gjetkë. Më besoni, të qëndrosh këtu është e pamundur; bëhet fjalë për një çmendinë.’

Ai ndjeu në fytyrë një rrymë ajri që kaloi përmes një të çare në dritare.

‘Atje kam për të shkuar,’ tha L.D. ‘Tutje larg,’ tha ai duke treguar me gisht në distancë.

‘Mirë,’ u përgjigj Maxine.

‘Dakord, unë po iki,’ vijoi L.D.

Ai përplasi dorën me forcë mbi tavolinë. U ngrit në këmbë dhe shkelmoi karrigen ku kishte qëndruar ulur.

‘Mua nuk keni për të më parë më kurrë,’ tha L.D.

‘Ke bërë aq shumë gjëra ti, saqë e kam të vështirë të të harroj,’ tha Maxine.

‘Në rregull,’ u përgjigj L.D.

‘Vazhdo, dil jashtë,’ tha Maxine. ‘Qiranë e paguaj unë këtu, dhe jam unë ajo që po të them largohu. Tani, këtë minutë.’

‘Po iki,’ tha L.D. ‘Mos më shtyj,’ shtoi ai. ‘Jam duke ikur.’

‘Mos bëj gjë tjetër, ik,’ tha Maxine.

‘Po iki nga kjo çmendinë,’ tha L.D..

Ai përshkoi dhomën e gjumit dhe mori nga dollapi një prej valixheve që i përkiste asaj. Ishte një valixhe e vjetër rrobash në ngjyrë të bardhë, e markës Naugahyde, me njërën prej dy sustave të prishur. Ajo e kishte përdorur dikur atë për t’i mbajtur aty pulovrat e saj kur shkonte në kolegj. Edhe L.D. kishte qenë në kolegj. Ai e hodhi valixhen mbi shtrat dhe filloi t’i sistemojë aty të brendshmet, pantallonat, këmishët, rripin e vjetër prej lëkure të mesit me tokëz tunxhi, çorapët, dhe gjithçka tjetër që kishte të vetën. Për të lexuar mori disa revista nga komodina. Mori dhe taketuken. Në valixhe futi gjithçka që pati mundësi, çdo gjë që mund të zinte vend. Ai mbërtheu sustën e mirë, siguroi rripin e shtrëngimit, por në fund fare u kujtua për gjërat që përdorte në banjë. Çantën e dorës të veglave të rrojës, prej vinili, e gjeti në raftin e vogël prapa kapelave të saj. Ai vendosi aty briskun dhe pastën e rrojës, pudrën, deodorantin si edhe furçën e dhëmbëve. Ai mori gjithashtu me vete pastën dhe fillin për pastrimin e dhëmbëve.

  *   *   *

L.D. i dëgjoi ato tek flisnin me zë të ulët në dhomën e ndenjjes. Ai lau fytyrën, pastaj ngjeshi sapunin dhe pecetën në çantën e vogël. Më tej, vazhdoi me gotën që gjeti mbi lavaman, prefësen e thonjve dhe biguditë që ajo i përdorte për qerpikët e saj.

Çantën e rrojës nuk mundi ta mbyllë, megjithatë kjo nuk përbënte ndonjë problem të madh për të. Ai hodhi pallton mbi supe dhe rrëmbeu valixhen. Më pas u kthye në dhomën e ndenjjes.

Në momentin që e vuri re, Maxine hodhi krahun mbi supet e Rae-s.

‘Ja, pra,’ tha L.D. ‘Kjo është lamtumira ime,’ shtoi ai. ‘Nuk di ç’të them tjetër veçse, ma do mendja, nuk kam për t’ju parë më kurrë me sy. Këtu përfshihesh dhe ti,’ tha L.D. tek i’u drejtua Rae-s. ‘Ti dhe idetë e tua të krisura.’

‘Vazhdo,’ vijoji Maxine. Ajo tërhoqi Rae-n nga dora. ‘Nuk të mjafton dëmi që ke bërë në këtë shtëpi? Vazhdo L.D. Largohu nga shtëpia që të kemi edhe ne qetësinë tonë.’

‘Vetëm mos harro,’ tha Rae. ‘Problem janë të gjitha ato që ti ke në kokë.’

‘Po iki, nuk kam se ç’them tjetër,’ tha L.D. ‘Kudo qoftë. Mjafton të jetë larg nga kjo çmendinë,’ tha ai. ‘Kjo është më kryesorja.’

Ai i hodhi një vështrim të fundit dhomës së ndenjjes, kaloi valixhen nga njëra dorë në tjetrën dhe vendosi çantën e rrojës nën sqetull. ‘Rae, ty do të kontaktoj; Maxine, do të ishte më mirë për ty që të largoheshe nga kjo çmendinë.’

‘Ti e shndërrove shtëpinë në çmendinë,’ tha Maxine. ‘Nëse është çmendinë, është sepse ti e bëre të këtillë.’

L.D. uli valixhen përtokë, dhe vendosi çantën e rrojës mbi të. Ai drejtoi trupin dhe qëndroi në këmbë përballë tyre.

Ato bënë një hap prapa.

‘Kujdes Mama,’ thirri Rae.

‘Nuk e kam frikë,’ tha Maxine.

L.D. vendosi sërish çantën e rrojës nën sqetull dhe ngriti valixhen.

Ai tha: ‘Dua të them dhe diçka tjetër.’

Por L.D. nuk tha asgjë, papritur atij i’u këput filli i mendimeve.

Exit mobile version