Kreu Letërsi Bibliotekë Delvina Kërluku: Korç’ e Shkup – dashuri

Delvina Kërluku: Korç’ e Shkup – dashuri

N’KORÇË

U pamë. Kaq.
Ky ishte Çasti. 
Pastaj s’ prajtëm së renduri 
si të magjepsur pas njëri-tjetrit, 
duke kërkuar  
dorën, të fshijë lotët e syve tanë. 
Kur u gjetëm sërish, 
bëmë dashuri. Eh! 
Qeshëm sa shembëm paralele dhe meridianë, 
deri sa zemra s’dinte më 
nëse rrihte apo çahej nga gëzimi 
Aq shumë u deshëm 
sa koha u tremb prej nesh. 
As orë, as shekull nuk mjaftonte, 
asnjë çast s’e pranonte ndarjen. 
Rendëm, u kthyem, u puqëm, 
 sikur puthja 
vetëm e vetëm për të mbijetuar. 
Në heshtje i ndoqëm gjurmët tona, 
aty ku mungesa na priste hapekrah. 
Nëpër ato gjurmë 
Mblodhëm copëza shprese, 
për të ngushëlluar veten në largësi. 
Dhe kujtimet — 
oh, kujtimet — 
si ajër na mbajnë frymën, 
edhe kur s’e kemi. 
Njëherë deshëm qytetin e dashurisë – Korçën. 
Rrugët e saj na panë të digjeshim ngadalë, 
mbrëmjet e saj na dëgjuan të betoheshim. 
Prandaj u kthyem, 
jo për qytetin — 
por për atë që lamë aty. 
Ne deshëm njëri-tjetrin 
deri në çmenduri, 
deri në afshin që s’ka emër, 
deri sa dashuria u bë plagë 
dhe plaga — strehë. 
Aq e madhe është kjo dashuri 
sa qielli i pafund çahet mbi ne. 
Dhe ne mbetemi poshtë tij, 
të gjallë nga dhimbja, 
të djegur nga dashuria.
 
17 dhjetor’’25 



N’SHKUP 

Unë dhe ti u deshëm 
kur qyteti ishte ende i lodhur nga historia, 
kur muret dinin të rrëfejnë më shumë
se njerëzit, 
kur (krye) qyteti merrte frymë me plagë 
dhe ne i dhamë frymën e dashurisë tonë. 
Dashuria jonë nuk erdhi si festë, 
erdhi si sfidë. 
Si zë që thotë “qëndro” 
kur gjithçka tjetër thërret “ik”. 
Unë të desha me frikë, 
ti më deshe me guxim, 
dhe mes nesh u ndërtua një botë 
që askush tjetër nuk e pa. 
Në një strofull të shkatërruar nga luftërat, 
ku diktatorët kishin gdhendur heshtjen, 
ne vendosëm zemrat. 
Aty ku kishte rrënoja, 
ti më solle dritë. 
Aty ku hiri i kohës mbulonte gjithçka, 
unë mbolla shpresë. 
E bëmë shtëpi, 
edhe pse e dinim se ishte e përkohshme. 
Shkupi na pa të qeshnim, sa një jetë, 
si të mos ekzistonte e nesërmja. 
Na pa të qanim pa zë 
kur nata bëhej orë e gjatë. 
Na pa të betoheshim me dënesë, pa fjalë, 
se nëse gjithçka shembet, 
ne do të mbetemi – dashuria jonë. 
Por koha nuk mban premtime. 
Ajo na e shqeu dashurinë ngadalë, 
si letër të lagur. 
Erdhi dita e ikjes 
dhe unë nuk dija si të marr frymë 
pa ty, 
pa rrugët tona, 
pa qytetin që na mbante bashkë. 
Ti u bëre mungesë. 
Unë u bëra kujtim. 
Dhe Shkupi — plagë e hapur. 
Ti u ktheve drejt rrënjëve të tua, 
por shpirti im mbeti aty ku ishe ti. 
Çdo hap larg teje 
është (ishte) një tradhti e vogël ndaj asaj 
që ndërtuam. 
Të kërkoj në çdo fytyrë, 
në çdo zë që s’të ngjan 
në çdo heshtje që më thërret emrin tënd. 
Dashuria për ty 
u shtri si dhimbje në çdo rrugë të qytetit. 
Dashuria për qytetin 
u kthye në mall për ty. 
Nuk di më kë po humbas më shumë. 
Edhe sot, 
kur mbyll sytë, 
ti je aty, 
mes urave dhe dritave të zbehta, 
duke më pritur në një Shkup 
që merr frymë vetëm kur ne kujtohemi. 
Një qytet që nuk u shkatërrua nga luftërat, 
por nga ndarja jonë. 
Kujtimet nuk më lënë të arratisem 
nga Shkupi 
Ato rrojnë në mua, 
si plagë që nuk kërkon shërim, 
sepse dhimbja 
është e vetmja dëshmi 
që ne vërtet u deshëm. 

Dhjetor, ”25 

Exit mobile version