Kreu Letërsi Bibliotekë Cikli me poezi i përkthyer nga Granit Zela, vlerësuar me “Çmimin Vexhi...

Cikli me poezi i përkthyer nga Granit Zela, vlerësuar me “Çmimin Vexhi Buharaja” 2023

Robert Frost

NJË MBRËMJE ME BORË
U NDALA NDANË KORIJES

Një grimë gjeta prehje ndanë asaj korije
I zoti diku larg në strehën e tij flinte
S’kishte frymë njeriu veç unë i shtanguar
Kundroja bornajën që binte e binte

Kali nuk trokon, turfullon pa kuptuar
Liqeni kallkan ngrirë, vis krejt i shkretuar
Më sheh sikur thotë “çfarë kundron imzot
Ndanë korijes me borë tejendanë mbuluar?”

Shkund krifën, rreh thundrat kali im më kot
Pyetja që s’bën dot po e mundon fort
As han as bujtinë në mugëtirën e qetë
Puhia leht’ fryn bornaja zbardhon

Seç më grish korija me prehjen që jep
Por udhën e nisur s’e lë dot në mes
Kam një amanet që dheu s’e tret
Kam një amanet që dheu s’e tret.

UDHA KU NUK SHKOVA

Dy udhë m’u shfaqën në gjethnajën e artë
Mjerisht unë isha një e s’ndahesha dot më dysh
Ia ngula sytë njërës, për ta kundruar më qartë
E rroka me vështrim sa munda, sa më larg
Derisa m’u tret sysh tutje në drizërishtë

Udhës tjetër u nisa, sa përngjasonte,
Por dukej nga udhët ku shkohet rrallë
Barishtja e pashkelur mugullonte
A thua se askërkush andej s’kalonte,
Edhe pse gjurmët tregonin për udhëtarë

Një qilim gjethesh pyllin e mbulonte
Askund frymë njeriu, drita po zbardhonte
Ah fati mbase me tjetrën do të më takonte
Por kjo udhë më hapi shtigje të panjohura
Patjetër do të zbuloja se ku do të më çonte

Do të vijë dita kur do të tregoj me mall
Këtë rrëfenjë jete, kur udhëtimi të ketë fund
Dy udhë m’u shfaqën papritmas në gjethnajë
E unë mora udhën ku shkohet më rrallë
Prandaj edhe mbërrita ku ka shkelur pakkush

PËRVËLIM DHE AKULLNAJË

Po thonë fundbota vjen prej përvëlimit
Po thonë mbaron në akullnajë
Unë që e di ç’është ethe e gjakimit
Them fjala u del këtyre t’përvëlimit
Po nëse fundi vjen dy herë
Kob i urrejtjes është bash hatà
Po, akullnaja e sjell rrënimin
E bën një herë e për përherë
Fund tjetër s’ka.

Maya Angelou

KUR LISAT E MËDHENJ RRËZOHEN

Kur lisat e mëdhenj rrëzohen
shkëmbinjtë në kodra tunden vendit
luanët bëhen njësh me tokën
fushave oshëtima jehon
dhe elefantët nisin e kërkojnë
një vend ku të fusin kokën

Kur lisat e mëdhenj rrëzohen
në male
gjallesat e vogla nuk ndihen
shqisat nga frika e humbjes u mpihen

Kur njerëzit e mëdhenj vdesin
ajri përreth nesh nis të soset,
bëhet i thatë, mbytës
mezi marrim frymë me hope
sytë na shohin lëndimthi
gjithçka i la kësaj bote
kujtimet papritmas ia behin
shohim pas, gjejmë fjalë
të ngrohta që s’u thanë
asnjëherë
shëtitje që s’u bënë
në asnjë pranverë.

Kur njerëz të mëdhenj vdesin
qenësia jonë e lidhur me ta shembet.
shpirtrat tanë kërkojnë burimin e përhershëm
tani struken, vogëlohen
mendjet tona kanë marrë forcë
dhe fuqi prej tyre
tani janë në bosh
e s’ka njeri të na thotë
se duhet ta ndalim zemërimin
ndaj asaj shpelle të errët
të panjohur dhe të ftohtë

Dhe kur njerëzit e mëdhenj vdesin
pas njëfarë kohe paqja lulëzon,
pak e nga pak, përherë
ndryshe nga secilin për ne,
boshi mbushet me shkreptima
drithëruese jete, shqisat tona
nisin të reagojnë por asgjë,
kurrë s’do të jetë si më parë
më thonë ato.
Ata ishin, ishin. Prandaj
ka shpresë se ne mund të jemi
më të mirë. Po ka shpresë,
sepse ata ishin.

Robert Burns

NJË HERË E NJË KOHË

Jo mos më thuaj se malli s’të merr
Për ato kohë të vjetra herët a vonë?
A thua vallë ke mall përnjëmend?
Për një herë e një kohë!

Kori
Ah, s’ka si një herë e një kohë
Ta kremtojmë atë koh’ të shenjtë
Ta ngrejmë një dolli mik i shtrenjtë
Për një herë e një kohë

Dhe do t’a kthesh kupën me fund
Dhe fill pas teje unë do ta zbraz
Një dolli mes shokësh mor tungjat’ jeta
Për gazmendin e një kohe të lumë

Të dy nëpër shpate kemi rendur
Në lulnajën mahnitëse thurnim kurorë
Përshkuam paskëtaj pareshtur shtigje
Si një herë e një kohë

Sa detra kaptuam dorë për dore
Prej agu gjer në mbrëmje tok e të pandarë
Por detrat u bënë oqean që na ndanë
Qysh prej një herë e një kohe!

Ja një dorë që zgjatet drejt teje për besë
Po të jep thesar, kape atë dorë!
Ajo shoqëri e rrallë qoftë e tillë përherë
Si një herë e një kohë

George Byron

E MAHNITSHME KALON AJO

E mahnitshme kalon ajo, porsi natë
Me qiell që kaltëron e yjnajë të zjarrtë 
Magji e zisë dhe shkëlqimit të pamatë
Rrëzëllin te pamja dhe sytë e saj;
Butësisht përhumbet n’atë dritë të artë 
Më hyjnore se e lumja parajsë   

Dritëhije që shfaqet e sakaq venitet
Veç ia shton bukurisë së paemër
Atë hir që praron floknajën e zezë,
Mu mbi fytyrë shndrit e zbehtë
Tek zhytet në t’ëmblat mejtime 
Sa qenie e dëlirë dhe e shtrenjtë.  

Ja faqet, balli të shtangin hutueshëm 
Magjepsin gjestet por dhe fjalët urtojnë 
Buzëqeshje e ëndërrt, e drojtur përskuqet
Pasqyrë e një jete krejt të përkorë
E paqtë mendja e saj çiltëri përçon
E pafajshme dashuria prej zemre i buron!

W.b. Yeats

KUR VJESHTË E JETËS TËNDE

Kur vjeshtë e jetës tënde të të gjej ndërdyshas                                  
Të kërrusur ndanë vatrës, të plakur, të përgjumur
Kjo vjershë do të përmall për hirin e humbur
E të fshehtën yshtëse të syve grishës

Po kush s’e  deshi atë lulëzim vashërie
Pakkush menjëmend, shumëkush si shtiracak
Veç unë s’reshta së dashuri shpirtin endacak
Kur fytyrës sate ndehej një vel trishtësie 

Kësisoj ndanë prushit do psherëtish pa zë
Si Dashuria iku e humbi në pakthim
Si mori arratinë rrëpirave në largim
E u struk ndër yje që për ty s’ndrijnë më

Bob Dylan

KJO ER’ QË FRYN

Gjer kur ti njeri udhëve do të rendësh
Një ditë më në fund vetes me i dalë zot?
Pëllumbeshë e bardhë në sa detra do endesh
Gjersa në ranishtë përngaherë të pushosh?
Po sa gjyle gjithë kob do shpërthejnë më kot
Për të reshtur mandej në pambarim?
Përgjigjen miku im ta thotë kjo er’ që fryn
Ta thotë kjo er’ që fryn

Sa shekuj qëndron një mal i patundur
Gjersa të zhbëhet prej detit përsëri?
A do ta flakësh ndonjëherë zgjedhën o njeri
E të mos zgjedhin për ty kur të rrosh i lirë?
Gjer kur do ta kthejmë kryet mënjanë
Për të mos e pa të vërtetën në sy?
Përgjigjen miku im ta thotë kjo er’ që fryn
Ta thotë kjo er’ që fryn

Gjer kur horizontin njeri do kundrosh
Për ta pikasur qiellin e paanë?
Sa veshë vallë njeri të duhen të dëgjosh
Fatin e popujve të shkrehur në vaj?
Po sa vdekje të bindin se në këtë jetë më s’janë
Të gjallët e shkretuar prej mortit pa pushim?
Përgjigjen miku im ta thotë kjo er’ që po fryn
Ta thotë kjo er’ që fryn

William Ernest Henley

INVICTUS

Tashti që terri po pllakos
Zezonë në botën e kanosur
Ty t’falem Zot cilido qofsh
Më mbrujte shpirtin e pamposhtur

Kur më degdise në rrokullimë
S’nxora një “oh”, pa u tutur
Ballas u ndesha në zgrip greminë
Mora plot plagë, por i papërkulur

Mbi këtë vend me mllef e mort
Vërtitet kob’ i lig pa fund,
Tmerr i këtij fati që m’ra për short
Të rri në besë s’më tremb dot kurrë

Edhe n’u kyçshin dyert ngado
E rraskapitem në shtegtim
Unë fatit tim i dal për zot
Jam kapiteni i shpirtit tim

Exit mobile version