Kreu Letërsi Bibliotekë Cikël poetik nga Skënder Buçpapaj

Cikël poetik nga Skënder Buçpapaj

GURI ME FLOKË TË BLERTË

Askush nuk e di
As unë nuk e di ku ndodhet
Guri me flokë të blertë

Nën myshqet e moçme
Kaptina e tij
ka vetëm kujtesë

Përtyp ditenatë kujtesën e tij
Siç përtypet ditenatë
Nga kujtesa e tij

Reshjet nuk ia prekin kurrë krifën e blertë
Avullojnë në mes të rrugës

Deri akullanajat në pole
Kanë vapë prej kujtesës së tij

Është i vetmi blerim
I përjetshëm
I përbotshëm

Ahishtet mezi pesin
t’ia dorëzojnë blerimin e tyre
dimrit

Breishtat dhe pishnajat
bredhin horizonteve
Në kërkim të asaj rrufeje
Që ua heq qafe blerimin e tyre

Jehonat e kujtesës
Ia krehin flokët e bukur
Ia ndajnë në mes
Ia bëjnë krela

Nëpër jehonat e kujtesës së tij
ajri kurdis kordat e zërit
për bilbilat majë plepave

Sa më shumë që zhytet në tokën e zezë
aq më shumë zhytet në kujtesën e tij të bardhë

aq më shumë ruan në kujtesën qelibar
kutinë e zetë të kujtesës
të kushedi çfarë përtejuniversi

Nëse ndonjëherë do të dalë nga toka e zezë
Guri me flokë të blertë
Asnjëherë nuk do të dalë nga kujtesa e tij qelibar
ku është zhytur

HIJET TONA

Gjithë ditën e lume
në hijen e qiellit
Gjithë natën e lume
në hijen e tokës
Gjithë jetën e lume
në hijet e tokës dhe të qiellit

Hijet tona
Nuk lëmë askënd të na i shkelë

BORA E VJETËR MBI BORËN E RE

Bora e re
Ndjen ftohtë kur bie
Mbi lulëzimin
Që sapo ka dalë nga goxhet.

Ndjen ftohtë kur bie
Mbi gjelbërimin
Që sapo ka dalë nga sythet.

Aq sa ndien ngrohtë bora e vjetër
Nga arkiva qiejsh të moçëm
Kur bie mbi borë të re
Qiejsh të rinj.

NËSE KA DIÇKA PËR T’U HABITUR

Nëse ka diçka për t’u habitur
Nëse një ëndërr të filluar diku në foshnjërinë e vonë
E vazhdon në një foshnjëri të dytë apo të tretë
Dmth në pleqëritë e tua
Dhe nëse e ndërpret edhe amshimin
Duke bërë një përjashtim që nuk i lejohet tjetërkujt
Për të vazhduar të shohësh të njëjtën ëndërr

E ç’ka këtu për t’u habitur

NGUJIM NË GUR

Qiejt që lë tek ju ja si ikin me një thikë hëne të ngulur në shpinë
Në këtë natë me hënë shpinëkthyer nga unë, po e marr veten time dhe po e ngujoj në këtë gur
Veshur dhe mbathur larë dhe krehur me kozmosin tim
Me kozmosin tim që nuk e ndaj më askënd që e ndaj veç me veten time
Kjo hapësirë e pafund ishte plot me pritjen time
Kjo hapësirë e pafund është plot me mua
Këtu shoh gjithkënd e gjithçka, këtu më sheh vetëm Zoti
Për trup e për shpirt kjo hapësirë nuk më bie ngusht as unë nuk i bie ngusht
Qiejt tuaj ikin askush nuk ua heq dot thikën e hënës nga shpina
Nuk ia heq dot shpinën e therur të këtyre qiejve këtij tehu të zi hëne të zverdhur,
Nuk ia heq dot damarët e prerë të këtyre qiejve këtij tehu të verdhë hëne të nxirë
A nuk duket kjo hënë mbi shpinë të këtyre qiejve në ikje si një embrion i dështuar hershëm?
A nuk duket kjo hënë mbi shpinë të qiejve në ikje si një kërmill mbi shpinë
Guaskash fluturuese?
Kështu pyes unë teksa ngujohem në gurin tim me diell dhe hënë të vetën
Që lindi njëherë dhe nuk perëndon kurrë. Pyes. Kë tjetër?
Pyes veten time.

VETËM NJË DRITARE

Vetëm një dritare
Është vetëm një dritare
Në jetën time
Që hapet në balada
Krrokamash.

Është e vetmja dritare
Që nuk e hap natë as ditë
Dhe më vjen keq
Si kërcunet e shkreta
Sa herë që ia hedh vështrimet.

Të gjitha dritaret e tjera
Edhe pa dashur unë
Hapen në koncerte zogjsh
Secila në qiellin e vet
Sa më këngëtar.

VRAMENDJE SORRASH

Vrasin mendjen
Janë shartim i korbave me pëllumba
A janë shartim i pëllumbave me korba

Vramendjet kolektive
Nuk japin përgjigje kurrë

Exit mobile version