Kreu Letërsi Bibliotekë Cikël me poezi nga Bislim Ahmetaj

Cikël me poezi nga Bislim Ahmetaj

***

Një hënë e kaltër
E plotë
Si limon i pjekur
Erdhi mbrëmë e
E mu zhyt në shtrat
Pa pritë e pa pyetë

Ashtu e hëntë cullak
M’u lidh për trup
M’i mbylli sytë
S’e di çfarë ndodhi
Asgjë s’mbaj mend
Dashuri ishte
Apo një flirt.
Kur rrezja rrahu në agim
Hëna kish tretur në amshim
Dritaren tash e mbaj të mbyllur
Dhe hënën shoh me bisht të syrit
Veçse atë natë s’mund ta harroj
N’sytë e mi u shfaq një rreze
N’zemrën time u dogj një zjarr

N’shpirtin tim u lind një diell
Që përjetësisht do t’më bëj dritë…

***

Lotët m’u thanë
duke qarë për ty.
Tash ngjyj gishtin në thëngjijtë e syve të mi
e shkruaj vargje malli për ne të dy.

***

Mëngjeseve
dal e mbledh vesë
ndër lule
që të shuaj mallin që më djeg për ty.

Mesditave
kur dielli zhurit
hijeve fshihem,
që malli për ty të mos më përvëlojë.

Mbrëmjeve
shkoj pas xixëllonjave
në parkun e madh të qytetit
me shpresën e vakët që dritëza e tyre
do mund ta ndriçojë fytyrën tënde ngjyrë vjollcë.

***

më beso
unë di të bie bukur në dashuri
dhe vazhdo më beso
edhe kur ajo,
dashuria tërbohet
unë vazhdoj të mbetem prapë Njeri

***

Asnjë re gjumi s’kaloi
Sonte kah sytë e mi
Ata mbetën t’hapur
Duke të pritur ty.

***

Me akuj harrese
e ushqej vetminë
Me avuj shprese
mbaj gjallë dashurinë
Me thërmija drite
ndriçoj shpirtin tim
Mbi fragmente ëndrrash
kam ndërtuar shtëpinë.

***

Në kutinë postare gjeta një letër
pa pullë poste
pa adresë dërguesi
veç me një shënim dy rrokësh
ku shkruhej “Për ty”.
E mora,
nuk guxova ta hap
dhe eca me zarfin në dorë
përkundrejt erës
dikur e hapa atë zarf
një letër e bardhë
me një rrjesht
‘Kjo letër të vjen nga e dashura jote e parë
që ka vite që është ngjitur mbi re dhe jeton mes engjëjve në parajsë”

***

poezitë që i shkrova për ty
më humbën në dorëshkrim
tash që të kam humbur edhe ty
ndjehem i ngratë,
i mjerë,
i humbur,
jetim.

***

Dashnia ashtë mal i naltë
E thepinë e thellë
Ku edhe engjëlli edhe dreqi kanë thye
qafën
Fije peni ashtë dashnia
Po aq sa edhe teh i zjarrtë.
Dashnia ashtë shkamb i stralltë
E livadh i bleruem
Ujitun me lotë zanash
Ku prehen kaprojtë e andrrave
Ndër mrize ahishtash.
Dashnia ashtë si troku i kalit të bardhë
Fije bari në gojën e dhisë s’egër bri artë
Dashnia ashtë lumë andrrash që rrjedh përpjetë.
Dele shpresash të varura në qiell që i lshohen tokës si kope kometash në verë.

Exit mobile version