Kreu Editorial Bujar Hudhri: Camaj – Onufri, një histori 30-vjeçare

Bujar Hudhri: Camaj – Onufri, një histori 30-vjeçare

Nëse botimi i letërsisë shqipe më çoi natyrshëm drejt veprës së Kadaresë, ishte pikërisht kjo letërsi e Kadaresë që shumë vite më vonë do të më shpinte te vepra e Camajt.

Ka qenë viti 1996 kur për herë të parë kam prekur librat e Martin Camajt. M’i dhuroi këto libra me një paraqitje tipografike të mrekullueshme zonja e tij, Erika, kur erdhi për vizitë në Elbasan, ku atëherë ishte selia e Onufrit.

Si çdo lexues shqiptar në atë kohë, vetëm sa kisha dëgjuar për Martinin, asgjë më shumë. Dhe për këtë i shpreha keqardhjen e thellë zonjës Erika. Nuk ndihmoi dhe përmbledhja e veprave e sapobotuar në Tiranë. Ka qenë një mbështetje financiare e ministrisë së kulturës që kishte bërë të mundur, që për herë të parë në Tiranë të botohej Camaj. E kujtoj me trishtim këtë kolanë, e cila u realizua nga një shtëpi  botuese e vogël në Tiranë, që merrej vetëm me letërsi të huaj (kryesisht botonte librat e përkthyer vetë) dhe ministri i besoi një aksion të tillë kaq të rëndësishëm. Latinët thonë se për ata që nuk jetojnë duhet thënë vetëm e vërteta. Dhe e vërteta është se kjo kolanë u botua me tirazh modest, aqsa për ditën e promovimit.

Si duket, ende vazhdonte keqkuptimi me vendin e tij, mungesa e kontaktit gati gjysmëshekullor me lexuesit e gjuhës së tij. Përveç kësaj, vepra e Camajt, sado e paktë në tirazh, erdhi në kohën më të vështirë që mund ta mendoje. Për Camajn, mund të themi se kishte pasur një vetmi të dyfishtë: si krijues i kishte munguar lexuesi i gjuhës së tij dhe për fatin e keq të letërsisë së tij, po i mungonte, edhe pse vepra e tij u botua në Shqipëri. Në vitet e para të pas ’90, krejt vëmendja e lexuesit shqiptar ishte përqendruar te letërsia e huaj. Vetëm letërsi e huaj. Si botues që jam marrë pikërisht me letërsinë shqipe, e mbaj mend mirë këtë indiferentizëm të lexuesit dhe kjo ishte (dhe vijon të mbetet) shumë e trishtueshme.

Ajo që mbaj mend nga gjithë këto vite, për t’u habitur dhe për të ardhur keq, ishte edhe qasja e mjaft nga dashamirësve të Camajt (lexues, krijues, studiues etj.), të cilët, mendonin se pengesë për përhapjen dhe leximin e veprës së Camajt, ishte emri i Kadaresë. U shkruan të pavërteta, u sajuan shumë thashetheme që të dëshmonin me çdo kusht që Kadare, ashtu sikundër pengonte Fishtën, Trebeshinën, po ashtu pengonte edhe Camajn. Kjo zhurmë vazhdoi për një kohë të gjatë. Sa herë takohesha me një mikun tim shkrimtar, që mbështeste këtë konspiracion letrar, i thosha: po mirë, pse nuk e botoni veprën e Camajt? Tani ka me dhjetëra shtëpi botuese dhe askush nuk mund të të pengojë. Miku im përgjigjej: pa zhgulë njëri (Kadare) nuk mund të ngulet tjetri (Camaj).

Pikërisht në këtë kohë, më vjen një letër nga profesor Bardhyl Demiraj, i cili drejtonte katedrën që dikur kishte në krye vetë Martin Camajn në Universitetin e Mynihut. Letra e tij kishte titullin “Lutje”. Ai më lutej nëse do të kisha dëshirën ta botoja veprën e plotë të Camajt, me rastin e 85-vjetorit të lindjes. I ktheva përgjigjen se fjalën “Lutje”, unë e lexoj “Nder’. Ishte nder për mua që pasi kisha botuar veprën në 20 volume të Kadaresë, të botoja veprën e plotë të Camajt.

Për ironi të mikut tim dhe për fatin e mirë të veprës së Camajt, krejt vepra e plotë letrare e Camajt, në dhjetë volume, botim special, e përshirë në një kuti si versionet më të mira botërore, e bëri pikërisht, shtëpia botuese që boton Kadarenë. Dhe qershia mbi tortë, siç do të thuhej në këto raste, me një parathënie brilante nga vetë Kadare që mbyllet me radhët si një himn: “Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për ‘engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre’. Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos.”

Exit mobile version