Kreu Letërsi Bibliotekë “Çika jeme”, tregim nga Arbër Selmani

“Çika jeme”, tregim nga Arbër Selmani

Tregim fitues i vendit të parë në konkursin e poezisë organizuar prej “Historia Ime” në Shqipëri

Isha 9 a 10 vjeç, aty diku, saktësia është fort e mbivlerësuar, nëna ma bleu një llambadë. Po i them llambadë jugosllave, një dozë e puhizës jugosllave. Në pah dilte më shumë ngjyra e kuqe, por llambada kishte të gjitha ngjyrat në një eksploziv marramendës piktoresk ku çdo nuancë e çdo ngjyre ishte llogaritur të mos e cënonte të drejtën e ekzistimit të ngjyrës tjetër. Starti im në universin e ‘çikës’ mendoj se ka qenë ky. Këtu unë nisa të merrja frymë si çikë, të ecja si çikë, të nervozohesha si çikë, dhe këmbët e bardha dëborë në një moment dikujt edhe i janë dukur si këmbët e një….çike.

Projekti i nënës, krijimi i një fëmiu që mund të ndërrojë gjininë sa herë të dojë, ishte në fillime të mbara. Në shkollë, në agime, para mësueses, isha një djalë me flokë të zeza i cili e donte shumë sidomos diturinë për natyrën. Në shtëpi, kur të tjerët të ishin larguar, nëna mund të më ndihmonte në picpillimin e pasdites. Më takonte mua të kompenzohesha disi, të ndërroja shpesh personalitetet, karakteret, rolet e mia, absurdin, me vështirësinë që e ka të transformohet një fytyrë mbushur buzëkuq në një çehre me mustaqe të forta si korja e bukës.

*

Unë jam një xham i dyfishtë i një shtëpie të harruar në mal. Unë jam mjellma më e thyeshme në delegacionin e mjellmave të fshatit. Unë i trembem ndjenjave të mia, unë jam i dëmtuar prej situatave të jetës, prej diktateve që shkruhen për ta urryer e dënuar ekzistencën time. Unë jam sharja që thuhet nën zë, si e heshtur. Unë jam 30 vjeç. Me siguri të plotë, betohem se nuk kam pjesë të trupit ku nuk kanë depërtuar ngacmimet e maltretimet e poshtërsirave njerëzore. Unë jam i njomë për brutalitetin, unë jam Bellorusia në shtrat me Rusinë, unë jam aktori i cili kurrsesi nuk del prej roleve komike e zbavitëse anipse ushtron diksionin për të qenë gladiatori i radhës, në sezonin e katërt. Unë jam burrë, kështu më ka mësuar bota ta njoh veten. Unë jam burrë, sepse kështu më kanë thirrë burrat. Unë jam burrë, sepse kësisoj ka vendosur gjysmërrethi i burrave. Unë jam sasia e duhur e klorit në një pishinë të përshtatshme për secilin lloj lëkure. Unë jam lëng i frutave. Në dy raste që i kujtoj tash, kam zhvilluar dashuri absurde kur këmbët më rrëshqisnin në ballkonet e lagura të atyre hienave seksuale. Unë jam viktimë e idealeve që të devotshmit i pshtyjnë më shpesh se gratë e tyre gjatë aktit. Jam përpjesëtimi që e mban të gjallë problemin matematikor. Nëse flasim për lëndën e kimisë, jam përzierja mes sodës së bukës dhe uthullës. Jo, më falni, do të ishte një shpërthim i tmerrshëm lirik dhe gabim i madh laboratorik. Më mirë ta përziejmë etanolin në ujë.

Më duket e thashë më herët, nuk e di me siguri forenzike, jam 30 vjeç. Jam i goditur tri herë me shufër në kokë, stacioni policor e njeh dhe e ka të dokumentuar vetëm herën e parë. Shoh fotografitë e masakrës së Srebrenicës dhe nuk e kuptoj se si ende merret frymë lirshëm mbi këtë tokë.  Unë jam i lënduar, unë jam vajtuesi më i ftohtë në funeralin e shoqes time 49 vjeçare. Më është thënë tash e sa kohë që jam burrë, dhe kërkojnë prej meje që mos të lotoj, që t’i përgënjeshtroj emocionet që kanë, sipas tyre, aromë gruaje: pikëllimin, empatinë, mallin, përqafimin me dy duar, turpin, fajin. Si burrë, shkenca, mjekësia dhe gjyqësori i qytetit ku jetoj ma japin një siguri gati qindpërqindëshe që nuk kam faj dhe që ekziston një mekanizëm i cili më mbron nga çdo dobësi.

A tregova që jam 30 vjeç? Sulmet e panikut janë pesë, çdo ditë, një për çdo vakt islam. Ende më marrin për grua, për çikë.

*

Nëse deri tash isha pikturë e ndrydhur për juve, ka mundësi që prej paragrafit më lartë e keni krijuar një kukull që mund të duket pak a shumë si unë. Një kukull me sytë e vrenjtur, që dikujt i duket çikë e mua përherë më katrrithet si një mashkull mustaqezeza, me një mjekërr që më lehtë konsiderohet si shpatë prerëse.

Prapë, kjo kukull, nënës time, në vegime të mjegullta, i duket çikë.

*

Çika jeme.

Futur si me zor në oborrin e përkëdhelisë së saj, e kam dëgjuar jo rrallë nënën të më thërrasë kësisoj. Përgjatë tri dekadave, unë shpesh kam qenë çika më e bukur në ekspozitën ku kuratore është ajo, nëna, e ku nuk ka vepër tjetër. Kur e tëholloj këtë shprehje në copëza të vogla plasteline, imagjinata më gjuan e më përplas në disa drejtime. Nëna ime, në shkollën e saj jetësore, njeh dy çika biologjike që kanë rrjedhë prej trupit të saj: motrën time të gjallë, dhe motrën time të vdekur (Çikën tash e tutje po e marrim si çikën e shtëpisë, çikën e familjes, çikën që del prej trupit si çokollatë e shtypur prej kroasantit që e blen në dyqanin më të afërm, si llava kur e lezetshme derdhet prej majës së kraterit të vullkanit)

Motrën time të gjallë, ndjej unë, nëna nuk e ka përqafuar asnjëherë në versionin e një çike. Motra ime e gjallë është në karrocë; gjatë javëve të para të ardhjes në këtë botë (dy pyetje: a vijmë ne në këtë botë, apo bota e kësaj bote, ky planet, vjen e na imponohet neve, në fetusin e patrazuar ku pushojmë?), diçka nuk shkoi mirë me aparatusin që e mbante në jetë, dhe trupi i saj i vogël u nxeh aq shumë sa, një kapilar diku nuk u puç sa duhet me tjetrin dhe mbi të u betua një fat i tillë, të ecte më ndryshe se ne të tjerët (67 milion njerëz në mbarë botën përdorin karrocën për të lëvizur, pjesa tjetër i shfrytëzon këmbët për të grushtuar objekte pa nevojë ose për t’i rrezitur ato në Diell, pa dëshirë për lëvizje), të kërkonte ndihmë për t`u larë edhe në bregun e detit por edhe brenda banjos së përbashkët. Nëna ngadalë e kuptoi vet se çika shembullore dhe me flatra të vullnetshme, do të mbetej ndonjë tjetër, por jo e saja. Çikës, asaj, do t`ja qetësonte epiqendrën e tërmeteve mendore, do ta linte dikur edhe punën që t`i qëndronte afër fizikut të saj, do t’i bënte asaj pite e peshk. Më shumë se një çikë që shtron tryezën dhe përgatitet për provimin e autoshkollës, nëna e kishte, e ka, në shtëpi, një tjetër grua së cilës i përulet për veshjen e çorapave. Po, ka momente kur ajo e mendon këtë njeri si çikën e saj; nuk kanë kaluar tridhjetë minuta prej kur e dëgjova duke e thirrë – ‘çfarë çike je ti’ – supozoj si një prapamendim i ndonjë gjesti të motrës që e ka nervozuar pak nënën. Gjithçka ndoshta ka qenë shaka. Nuk e kupton shakanë veç Milan Kundera. Nëse e sheh jetën si spektator nga jashtë, nëse arrin nivelin e vetëdijes ku e takon krejt jetën tënde dhe bisedon shumë pak me të, e vëren se është një shakagjie. Një shfaqje humoristike. Kamerë e fshehtë. Një tejkalim në vija të plota rrugore që vijnë duke u pështjelluar dita ditës, deri në të fundit ditë. Motra ime u kthye në një çantë dërrmuese të rënduar për prindërit e mi. Çika e dytë e dalë prej trupit të nanës time, e para dhe e vetmja e gjallë, do të merrte ngjyra e trajta të ndryshme përgjatë ditëve të saj, ndoshta asnjëherë formën e një çike siç nëna e kish ëndërru gjatë kohës sa po e bartte lartë e poshtë në barkun e saj të fryrë. 

*

Një këngë tmerrësisht e dobët në tërë përbërjen e saj, në gjuhën shqipe, pak a shumë lexohet kësisoj: ‘…veç pa çika t`mira, Zoti mos na lashtë’…. Pa gajle, Zoti i ka në sirtare çikat, veç po e pret momentin t`i plasojë ato rrapëllueshëm si raketa që sulmojnë.

Në trojet prej kah unë vij, lindja e një çike festohet shumë pak. Sikur nuk shtohet popullsia e botës me lindjen e një çike. Sikur, një çikë në familje është lumturi e çiktë, është një njollë e zezë. Nuk është shkruar në ndonjë paragraf shtetëror por çikat sikur nuk ndihmojnë në natalitet, në rritje të popullësisë (si dy e dy që bëjnë katër, problemi më i madh i plotve është fakti se bota po shkon drejt fundit meqë nuk po ka mjaftueshëm pjella: ka më shumë se një grup njerëzish në botë që gjykohen e goditen me gurë veç pse nuk ndihmojnë në natalitet, kanë zgjedhur ta duan veten më shumë se fluturimin e spermës).

Nuk është e largmendshme nëse së shpejti do të ndahen çmime arritjeje veç për burrat; aktori më i mirë, aktori më i mirë në rolin dytësor, regjisori më i mirë, mostra më e mirë mashkull në kravatë, këpucët më të zeza mashkullore në tepihun e kuq, këngëtari më i mirë në zhanrin mashkullor, këngëtari më i mirë mashkull, rrobaqepësi më i mirë i qytetit, mister fotogjenia. Çikat do të jenë duke i shtrënguar më pak kecelet e më shumë buzëqeshjet, në sallën e madhe të ndarjes së çmimeve, e cila e ka emrin më të këndshëm që e keni dëgjuar viteve të fundit: Salla ‘Burri’.  

Lind një djalë, gjuajnë pushkë. Lind një çikë, rrudhen fytyrat e shtatë katundeve, një kilometër i vuajtjes më nuk i ka 1 mijë metra. Lind një djalë, shtrohet darkë me speca të mbushur e kadaif, hare apokaliptike, monumentale. Lind një çikë, një facoletë e bardhë mbi fytyrë i duhet vënë se ndryshe na e kaplojnë dreqnitë. Lind një djalë, pllaçitet një gotë raki e dardhës. Lind një çikë, ta gjejmë një udhë që lajmi të vonohet pak, mos ta marrë vesh njerëzia qysh në behar. Lind një djalë, dasmë. Lind një çikë, pikëllim. Lind një djalë, copëtojeni kurbanin. Lind një çikë, i plaset timbri i veshit tek vajtojnë skenarin e jetës së saj, paramenduar gabimisht. Lind një djalë, lind një tjetër, lindin djemtë. Linda unë, në vitin një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e …. Çikë.

A tregova tashmë që jam 30 vjeç? Nëse skleroza më ka puthur përjetësisht, po e përsëris: jam 30 vjeçar. I lindur në një të martë, 8 tetor. Gjinia: çikodjalë. Seksi: burrë. Seksi në Grindr: i dobët. Emri: Arbër. Shprehja që do ta përdorë ndonjëherë nëna për të ma cokatë mendjen: çika jeme.

*

Nuk shoh diçka të jashtëzakonshme nëse ajo më drejtohet me ‘çika jeme’. Dukshëm, poetikshëm, fjalët vijnë mbushur me dashuri, me estetikë, me brishtësi, me një delikatesë që as nëna vet nuk e di se e posedon, me një dhembshuri që ma lejon të mendoj se, mundësia ekziston, që fati im i keq është të vija në jetë si djalë, të rritesha si mashkull, të bëhesha 30 vjeç si një burrë. Nëse rrethi yt të sheh si një portokall, ti tanimë je një portokall lëvizës. Nëse ndërtimi shoqëror të sheh e të formëson si varrmihës, ti varre ke për të gërryer deri në grahmën e fundit. Diskursi publik të lë pa fjalë, por të jep shuplakë të nxehtë. Prindi të jep të tjera, më vonë, edhe nëse je çikë. Shoqëria rreth meje tërë kohës më ka përceptuar si djalë, ndaj stili im i jetës dhe së paku gjinia ime, konvencionalisht, kualifikohen e manifestohen si të burrërishme, burrnake, burrërore.

Exit mobile version