Kreu Letërsi Bibliotekë “Botë e çmendur”, tregim nga Gjergji Mihallari

“Botë e çmendur”, tregim nga Gjergji Mihallari

“Mendja një grusht me miza është, po e hape pëllëmbën e dorës, vështirë se i mbledh ato!”

E kishte dëgjuar dhe stërdëgjuar këtë shprehje me një pafundësi numërimi të shqiptimit, në biseda të ndryshme nga të moshuarit dhe brezi i atyre që quheshin burra të pjekur. Kjo shprehje e kishte shoqëruar qysh nga fëmijëria dhe deri në këtë moshën e tanishme, kur edhe ai bënte pjesë tek burrat e pjekur. Në fëmijëri, e kishte brejtur mendimi për të gjetur enigmën e shprehjes, me gjithfarë pyetjesh dhe aludimesh, se si mund të ishte mendje një grusht me miza. Kishte ndalur edhe frymëmarjen, duke përqëndruar dëgjimin me veshët pipëz përpjetë. Të paktën të dëgjonte zhurmimin e mizave brenda kokës, se nëse mendja ishte një grusht me miza, me siguri ato do të zhurmomin dhe zukatnin si mizat që sillen rrotull në ajrin e nxehtë të një dite vere. Sado që e stërmundoi vehten, nuk zbuloi gjë në kokën e tij, të dëgjonte atë ronitje të kolonisë së mizave që ishin brenda kokës së tij, të mizave që formomin trurin e tij.

Me kalimin e viteve kuptoi të vërtetën e shprehjes. Mençuria e popullit, tir edhe shprehjet më të çuditshme dhe më domethënëse.

Nuk e di pse kjo shprehje po i trokiste shpesh në mendimet e tij, në këto kohë që jetonte në këtë vend të huaj. Mbase nga ato që shihte me sytë e tij. Veprime që në atdheun e tij, do të quheshin anormale, dhe ata që i kryenin, do të etiketoheshin menjëherë si të çmendur, të shkarë nga trutë, të lojtur nga trutë. Shkurt, do të vështroheshin dhe trajtoheshin në një mënyrë ndryshe nga turma, mund të shkonte deri në atë masë sa tu qëndronin larg këtyre tipave. Më e keqja mund të vështroheshin edhe si rrezik për turmën…

Ditët e para të mbritjes, kishte hipur në autobus. Përballë tij një djalosh, i gjatë si skërfyell dhe që nxinte si qymyr, kishte filluar të lëvizte trupin sikur po vallëzonte. Filloi ta shoqërojë lëvizjen edhe me fjalë që po i këndonte. Vështrimin e largoi nga djaloshi përballë, duke e sjellë rrotull tek udhëtarët e tjerë dhe tek pamjet që i parakalonin në ambientin e jashtën, përtej xhamit. Ata, udhëtarët e tjerë, të përhumbur në vetminë e tyre, as që u bënte përshtypje gjestet dhe tingujt e lëshuar nga djaloshi.  I ngeli në buzë një buzëqeshje që u shua pa lindur mirë. Edhe vështrimin e hidhte tjetër kund. Nuk dëshironte që djaloshi t’i dallonte buzëqeshjen në fytyrë. Dreqi e mori, edhe këtu duhet të ndeshem me të shkarë nga trutë, ishte mendimi që i përshkoi trurin. Ky mendim i kujtoi ditën e largët në vendlindje, kur duke gjerbur lëngun e kafes tek lokali përballë punës, në harkun e gjysëm ore kohë, i kishin kaluar përpara fytyrës gati dymbëdhjetë tipa me probleme mendore. Atë buzëqeshje të shtrirë në fytyrë, tjetri, mund ta merte për të keq. E në këtë qytet të madh, me gjithfarë fytyrash dhe racash, nuk dihej me kë gjendeshe përballë. Ndeshje të bardhin e të ziun, të verdhin dhe mulatin. Një lukuni e tërë njerëzish ku nuk dalloje vendaliun nga ardhacaku, turistin nga endacaku…

Në ditët dhe muajt në vazhdim ndeshi jo një herë, por shumë herë të “shkarin nga trutë”. Pritë të mbledhë mizat i shkreti, do të thonin në vendin e tij. Kush këndonte për hesap dhe qejf të vet, e kush lëvizte trupin e vallzonte në atë copë vendi ku kishte mbështetur këmbët në dyshemenë e autobuzit, trenit. Ndaj nuk po i bënte përshtypje kjo sjellje apo shpërthim i brëndshëm i hovit të të panjohurve të shumtë. Ndonjëherë ishte gati të shpërthente edhe vetë, kur koka bluante lloj-lloj mendimesh dhe lodhja i varej deri në majë të gishtërinjve. Por, shpejt e shpejt, i vinte fre vehtes. Ende ndjenja e paragjykimit për veprimet e të tjerëve dhe çfarë do të mendonin të tjerët për të, kur të reagonte në atë mënyrë, ishte e fortë dhe stopuese. 

Mëngjesi ishte pak i freskët, por me qiell të pastër. Larg, shumë larg, në një cep të tij, disa njolla të bardha resh. Nuk kishin ngrystësinë e grisë të plumbtë të reve që bartin shiun. Më tepër ishin si një dekoracion lulesh të bardha, në blunë e thellë të konkavës së pafundme. Iu gëzua këtij fakti, për arsyen e vetme se duhej të punonin jashtë, duke suvatuar fasadën e një shtëpie. Ende e ndiente deri poshtë rrobave ujin e shiut të një dite më përpara. Duhej të mbarohej sa më shpejt puna. Ishte një torturë e vërtetë, kur shiu derdhte furinë e vet mbi mbulesën plastike me të cilën kishin mbuluar faqen e murrit ku punohej. Nuk mjaftonte shiu, por edhe era e fortë që ta përplaste mbulesën mbi fytyrë dhe pështillej trupit. Kishte çaste kur e mendonte veten se gati po e paketonin si copë mishi, në një qese të madhe plastike. Por, edhe pse mëngjesi nuk diktonte shenjat e një dite me shi, shiu erdhi me rrëmbim dhe një forcë më të madhe se dita e shkuar. Solli me vete edhe erën e fortë. Ajo fishkëllente dhe frynte sikur perëndia e erërave të kishte hapur grykën e thesit. Mbulesa plastike filloi të rrëshqasë prej çatisë, ku ishte e fiksuar duke u mbështjellë pas disa dërrasave të mëdhë dhe të rënda. Duhej të forconte bazamentin e dërrasave, tu vinte diçka të rëndë mbi to. Nëse rrëshqiste mbulesa, do të shkonte dëm gjithë puna dhe mundi.

Mbushi disa kova plastike me gurë dhe ujë, për t’i vendosur mbi dërrasat e sheshta ku ishte mbështjellë plastmasi. Me vështirësi, duke u shtërnguar pas shkallës nga era që frynte nga të mundej dhe gjithë egërsi, i ngjiti në çati. Si tërhoqi me mundim drejt vendit të mëparshëm bazamentin e drunjtë të mbulesës që tërhiqej vazhdimisht nga fuqia e erës, vendosi kovat e rënda mbi to. Ishin pesëmbëdhjetë copë prej tyre, që i ngjiti lart, gati puthitur me trupin nga pesha e rëndë. Kur u bind që efekti i erës nuk mund të lëvizte mbulesën në gjithë gjatësinë e çatisë, zbriti në katin e mëposhtëm ku filloi të vazhdojë punën. Shiu kishte bërë punën e vet. Bluza e trashë ishte lagur,por, edhe flokëve vazhdonin të lëpiheshin pika uji që mësynin qafës e vazhdonin rrugën nën rroba në lëkurën e nxehtë.

Era dhe shiu, herë pushonin dhe herë fillonin. Dukej sikur në intervalet e qetësisë, ato, përgatiteshin për të mbledhur forcat dhe të fillonin mësymjen me një furi më të madhe. Ngjitje-zbritjet nga çatia ishin sa kur mbaronte shiu, për të parë nëse mbulesa nuk kishte lëvizur nga vendi, por edhe gjatë furisë së tij dhe erës. Kur dëgjohej zhurma gërvishtëse e lëvizjes së dërasave, ai ngjitej shpejt e shpejt lart. Duhej të luftonte me erën, për të mos i rrëmbyer mbulesën, por edhe me shiun që po i futej me ftohtësinë deri në palcë.

Kur gjithçka mbaroi, ndëroi këpucët e rënda të punës, duke veshur një palë atlete. Kërkoi të ndëronte edhe bluzën, por ajo ishte e lagur. E gjendur në çantën e shpinës, kishte pirë ujë me bollëk, pasi ai e kishte haruar të varur në gardhin rrethues. Ofshau fort gjithë zemërim. Nuk kishte ç’të bënte. Do t’i duhej të kthehej drejt shtëpisë i lagur qull. Në trup po e shponte e ftohta, duke ia mornicuar lëkurën. Edhe në buzë ndjeu dridhje. Cigarja e ngezur vetëm sa ngrohte idenë e tij fikse që tymi i saj, e ngrohte nga brenda. U ul afër fundit në autobus. Ngrohtësia e motorit, filloi ta sjellë pak në vehte. Ende hungërinte si një bishë. Nuk mund të harronte edhe grindjen me punëdhënësin. Gjatë ngjitje-zbritjeve të kovave të mbushura me ujë e gur, njëra prej tyre ishte përmbysur, duke dëmtuar suvanë.

-Hej të vravtë zoti, ku i ke sytë, apo të plasën? -kishte shpërthyer bosi gjithë inat.

Nuk i ktheu përgjigje. U kapërdi thellë. Shtërngoi duart pas mbajtëses së kovës. Nuk e dëshironte në këtë moment një grindje. Jo! Më mirë do t’i thonte dy fjalë kur të mbaronin punë. E përtypi si kotkë pështyme mllefin gjatë gjithë kohës së punës.

-Zoti Arjan, sot ishte dita ime e fundit! Nesër të lutem dua të më bësh pagesën, -foli qetë, duke u sforcuar në ruajtjen e qetësisë. -Më thuaj orën kur të vij për lekët!

-Pse mor djalë, dita e fundit?-ia ktheu tjetri gati me mospërfillje.-Apo s’ke më bythë për këto punë?

-Kam zoti Arjan, kam bythë e fuqi, por nuk duroj dot më mallkimet e tua,-vazhdoi përsëri qetë ai.-Sytë do më plasin kur ta vendosë zoti, dhe ai vetë e di kur do të më vrasë!

Nuk vazhdoi më tej bisedën. Bosi kishte ngelur tek kamionçina e punës, kurse ai nxitoi hapat tek stacioni i autobuzit. Atëhere ngriti krye zemërimi që e kishte mposhtur dhe mbajtur të shtypur në grykë. Po ziente si të ishte një enë me presion. Gati edhe shikimi ishte turbulluar. Njerëzit në autobus brenda, i dukeshin si miza. Duhej të fliste, të nxirte dufin. Po me kë të fliste? Koka zhurmonte sikur brenda të kishte një zgjua bletësh.

-Më thotë bota je i marë,

unë për ty do t’i ve zjarrë,

…..

Filloi të këndonte me zë të lartë. Por pas dy vargjeve të para, e preu me thikë zërin. E harroi tekstin e këngës.

-Ej patriot, pse nale?-dëgjoi një zë nga mbrapa dhe një dorë iu mbështet mbi sup.-Jepi, mos ki turp e gajle! Këndo si të dush e si ta dojë e bardha zemër.

-E do këndoja, po ia harrova fjalët,-ia ktheu ai tjetrit.-Nuk më pëlcet fare se ç’thonë të tjerët. Kjo botë qënka e ndyrë dhe e çmendur!

-Ditë e keqe mesa shof patriot!

-Si të gjitha ditët kur je në kurbet!-ia ktheu.

Nga fillimi i autobuzit filloi një këngë tjetër:

Hajredin pasha o po na bjen o Radikës

Jalla ç’u bot o ju mallet e Dibrës,

Boni mexhlis në atë fushë t’gjuricës…

Një tjetër patriot po ia merte këngës. Me siguri edhe ai kishte patur një ditë të keqe. Më mirë ta shfreje dufin dhe zemërimin duke kënduar. Fundja-fundit, kjo ishte bota ku jetonin. Botë e çmendur

Mars 2023

Exit mobile version