Kreu In memoriam Abdurrahim Myftiu: Për një “mbretëreshë” të poezisë, Bllaga Dimitrova

Abdurrahim Myftiu: Për një “mbretëreshë” të poezisë, Bllaga Dimitrova

Para se të merrja udhën për në Veliko Tërnovo në verë të vitit 2003, në bllokun e shënimeve, ku kisha listën e disa gjërave, që më interesonin, kisha shënuar edhe një emër: Bllaga Dimitrova. Jo thjesht se ajo kishte pasë kaluar fëmininë dhe mësimet e para i kishte marrë në atë qytet, por edhe për dy-tri arsye të tjera…

  … Për herë të parë emrin e Bllága Dimitróvës e pata hasur në kapakun e një poeme me titullin “Liljana” në vitin e largët 1959. I kushtohej Liljana Dimitrovës, një luftëtare antifashiste me jetë interesante, e cila, gjatë Luftës II Botërore, qysh herët merr pjesë në veprimtarinë dhe drejtimin e Bashkimit të Rinisë Punëtore; kalon në ilegalitet më 1941, internohet, arratiset dhe, ndonëse vuante nga sytë me një miopi të theksuar, e vijon veprimtarinë ilegale, duke organizuar demonstrata e aksione. Dërgohet me detyrë nga Sofia në Plovdiv, ku një ditë të vitit 1944 rrethohet nga milicia dhe nuk dorëzohet e gjallë, duke rënë kështu në moshën 25-vjeçare (1918-1944). Me këtë heroinë të poemës, autorja rastësisht kishte të përbashkët mbiemrin, po edhe dy anë të tjera: ilegalja pati mbajtur pseudonimin Bllaga, po edhe vetë autorja e poemës kishte qenë anëtare e së njëjtës organizatë rinore antifashiste gjatë luftës.

Për një kohë të gjatë, deri në fillim të viteve ’90, në kujtesën time kishte mbetur vetëm si një nga poetet më të shquara të Bullgarisë, kurdoherë me portretin e një gruaje të bukur, madje emrin e saj vazhdimisht e përqasja me atë të Elisaveta Bagrjánës, një tjetër shkëlqim i poezisë bullgare të shekullit XX. Mirëpo, pas rënies së regjimit totalitar të Todor Zhivkovit në nëntor 1989, me fitoren e Bashkimit të Forcave Demokratike, ajo shfaqet edhe si politikane e nivelit të lartë – zgjidhet me votim nga populli si zëvendës-presidente e vendit bashkë me Zhélju Zhélevin si president.

Veçse motivi i vërtetë, që më shtyu të rrëfej për të, nuk ka lidhje me sa më sipër, por me do hollësi të tjera:

– me “takimin” me të, nëpërmjet një libri, i cili, edhe pse jo ndër më kryesorët e më të vëllimshmit të saj, është një libër i veçantë, qoftë për biografinë letrare e politike të shkrimtares së shquar, qoftë për kohën kur u shkrua, qoftë edhe për lexuesin shqiptar;

– me dëshirën dhe, më pas, me pamundësinë për t’u takuar me të sy më sy, më 2003;

– me ndeshtrashat e jetës së saj si shkrimtare, redaktore, përkthyese, veprimtare shoqërore, si karakter antikonformist.

Duhet të ketë qenë një ditë e vitit 2000, kur, në një nga sallat e Tiranës, mora pjesë në paraqitjen e përmbledhjes me poezi dhe ese Ballkaniada, të Bllaga Dimitrovës. Titulli në origjinal ishte BALLKANIADA-ADA, i botuar në Sofie vetëm para një viti, më 1999. Poeti dhe studiuesi i njohur Agim Vinca e kishte shqipëruar pasi e kishte marrë, po atë vit, në festivalin ndërkombëtar “Mbrëmjet e Poezisë” në Strugë. Në shqip ishte botuar në Prishtinë. Sikundër shkruan në vend të parathënies, Vinca qe befasuar kur në këtë libër gjeti një cikël me poezi kushtuar Kosovës. “Lufta sapo kishte mbaruar, – shkruan ai, – njerëzit e dëbuar me dhunë po ktheheshin në vatrat e veta, kurse ajo, një poeteshë e njohur, po dilte para lexuesve me një libër kushtuar kësaj drame.”

Mbase e vutë re, titulli në origjinal ka shtojcën “ADA”, fjalë që në bullgarisht ka kuptimin “ferr”, “skëterrë”. Ky cilësim buron nga ndjesia eprore e heroit lirik të të gjitha poezive të cikleve për Bosnjën dhe për Kosovën – ndjesia e dhimbjes së thellë dhe tronditjes shungulluese, që e bën poeten të këlthasë nga njëra poezi në tjetrën: “Gjëmë, gjëmë!”, “Një kosë e tmerrshme kosit Kosovën”, “Kush do ta ndalë këtë krim?”; që e bën poeten, tashmë në moshën e tretë, ta cilësojë shekullin e saj të 20-ë në një titull poezie “Shekull refugjat”, shoqëruar me nëntitullin “Kosova është afër”.

Në një cikël tjetër, të datuar “Verë 1999”, me poezi trivargshe, poetja na grish të shohim e të dëgjojmë, duke vizualizuar edhe mendimin më të thellë në skena gati kinematografike: “Pema shartohet / degë më degë. / Dhimbja – fjalë pas fjale.”; “Në Kosovë çirren mëllenjat, / këndojnë bilbilat, cicërojnë harabelat. / Mes tyre nuk ka spastrim etnik.” “Natë mbi Kosovë: “Det i pafund errësire. / As yll, as dritë, as zjarr. / Veç një klithmë zogu mbi varr.”

Kurse në tufën e eseve në fund të librit, në vijim të poezive lakonike me tri vargje, Bllaga Dimitrova përsiat si ballkanase e vërtetë, mediton për “Homo Ballkanikusin”. Përsëri me një ndjenjë të thellë dhimbjeje për fatin e ballkanasit: “Fat muhaxhiri, refugjati. Ky është një mallkim i përjetshëm i tij: gjithçka ta fillojë nga e para dhe kurrë të mos e shpjerë gjer në fund të filluarën.” Më tej: “Ne kemi njohur gjatë kohëve robërinë shekullore, konfliktet ndëretnike, luftërat vëllavrasëse e gjakderdhjet djallëzore, të nxitura shumë herë nga fuqi të jashtme, kurse në këta 50 vjetët e fundit – totalitarizmin dhe censurën e ashpër…” Ndërkohë, në një trivargësh më parë, ajo kishte vërejtur: “Në Gadishullin e diellosur Ballkanik / secili është i madh, i parë, me nam, botëror! / Pak si shumë për të na mbajtur mend bota.”1

Pasi kaloi java e parë në Veliko Tërnovo, shënimi i emrit të saj në bllokun tim qysh në Tiranë më nxiti të interesohem me dëshirën për të mësuar diçka më shumë për të. Jo thjesht prej librit në fjalë, që, duhet thënë se është një pikë uji në detin e korpusit letrar e publicistik të saj prej mëse 60 librash – poeteshë, prozatore, përkthyese, skenariste filmash, personalitet publik e politik. E dija se kishte lindur në Bjalla Sllatina, pranë qytetit Vraca, por fëmininë e kishte kaluar në Veliko Tërnovo, pra në qytetin ku do të qëndroja tri javë. E dija se gjithë periudhën tjetër të jetës e kalonte në Sofie, por mbase dikush do të më ndihmonte ta takoja atje më pas. Po përfytyroja si do të ishte në moshën e tanishme ai përshkrim i dikurshëm nga leximet dhe fotografitë – grua e bukur, me sy të kaltër të kthjellët, shtatgjatë, leshverdhë. Mirëpo, në Veliko Tërnovo, në programet e ndryshme të Seminarit të Bullgaristikës, emri i saj as nuk u zu me gojë (?!). Një ditë pyeta dhe u ndjeva në siklet: mësova se ishte ndarë nga jeta vetëm tre muaj më parë, në 2 maj të atij viti, pra ishte rasti për ta përmendur. M’u dha të kërkoj në bibliotekë shtypin letrar të muajve të fundit. Më bëri përshtypje, kur lexova në faqet e një gazete se, në kremtimin e 80-vjetorit të lindjes së saj në kryeqytet, në janar 2002, kishin marrë pjesë vetëm tre shkrimtarë (?!). Mirëpo këtu në Veliko Tërnovo duhet të krenoheshin me të. Në një intervistë me rastin e këtij jubileu, pyetjes nëse Fjala kishte qenë gjëja më e rëndësishme në jetën e saj, Bllaga Dimitrova i qe përgjigjur: “Si jo, ashtu ka qenë. Qysh nga Veliko Tërnovo, atje ushqejnë nderim të madh për Fjalën. Nuk e di nëse në Tërnovo vazhdon kështu, kohët e fundit nuk e kam ndjerë këtë atmosferë, por nga fëminia ime mbaj mend, nënën e kam patur mësuese, edhe bibliotekën e Tërnovos, bibliotekën e dëgjuar… Më hapën kartelë anëtarësie herët, fare e vogël shkoja për të marrë libra. Dhe, për të vajtur atje, kaloja para shtëpisë së Petko Raçov Sllavejkovit dhe Penço Sllavejkovit, me ndjesinë e pandërprerë se përbri meje endeshin Fjala dhe krijuesit e Fjalës…”

Ja, pra, pse qe e pamundur ta takoja sy më sy… Isha vonuar. Ose ajo kishte ikur para kohe… Edhe pse në moshën 81-vjeçare (1922-2003).

Çka më nxori nga sikleti qe mendimi se poetët janë të pavdekshëm, sepse, me veprën  e tyre, gjallojnë në të tashmen e në të ardhmen.

Pikërisht me veprën e saj të pasur e të shumanshme gjallon edhe sot Bllaga Dimitrova: me dhjetra përmbledhje poetike, pesë romane, libra me esé, përshtypje udhëtimi, përkthime, jetëshkrime, kritika letrare, publicistika, qysh para Luftës e deri në fillim të mileniumit të ri; redaktore në të përmuajshmen kryesore letrare “Septémvri” më 1950-1958. Detyra më e lartë e saj si krijuese qe redaktore letrare e thjeshtë, ashtu edhe doli në pension. Në vitin 2003, kur edhe u largua nga jeta, u botua vëllimi i parë i veprave të zgjedhura prej 22 vëllimesh, të dhjetin e pashë më 2009, vetkuptohet vëllimet e tjerë do të kenë dalë më pas. Në vitin 2015 është autorja bullgare më e shitur: në krye të renditjes “Greenwich” – për numrin e kopjeve të shitura të të gjithë titujve ndër autoret femra në periudhën 8 mars 2015 – 7 mars 2016.

Jeta letrare e saj pati baticat e zbaticat e veta. Në vitet ’70 u kritikua për pikëpamje “të gabuara” dhe nuk iu pranuan një sërë përmbledhjesh poetike. Peripeci pati me romanin e saj të tretë “Licé” (“Fytyrë”), i botuar më 1981. Kritika zyrtare e shpartalloi nga ana “ideore“ e “estetike”, duke e karakterizuar si vepër, që vinte në shënjestër “fytyrën” e socializmit real në atë periudhë, duke vënë në pah shëmtimet e tij dhe shfytyrimin e personalitetit të njeriut në regjimin totalitar. Dhjetëra artikuj në shtyp e cilësuan vepër heretike, që nxinte realitetin. Kur u hoq nga qarkullimi, një pjesë e tirazhit pati vajtur tashmë te lexuesi, dhe pjesa tjetër u dërgua në një depo të posaçme burgu në rrethin Sliven. U lejua të qarkullojë vetëm më 1989, kur edhe ra Muri i Berlinit. Më pas pati dy botime të tjera, më 1990 dhe 1997, duke përfshirë edhe shkurtimet e variantit të botimit të parë. Probleme pati edhe me poezinë. Përmbledhja “Kljuç” (“Kyç”), e dorëzuar për botim më 1988, doli nga shtypi vetëm pas kthesës politike, më 1991.

Tri herë e patën ftuar të hynte në Partinë Komuniste Bullgare, por nuk kishte pranuar, edhe pse gjatë Luftës kishte qenë anëtare e organizatës së rinisë të asaj partie.

Dhe vjen logjike veprimtaria shoqërore e politike disidente e saj, në gjysmën e dytë të viteve ’80, kur në “kampin socialist” kishte nisur fushata liberale e “perestrojkës dhe gllasnostit” (“reformimit dhe transparencës”). Për shkak të kësaj veprimtarie në shoqata letrare e organizata joqeveritare, më 1987-1989 i hiqet e drejta e botimit. Më 1988 është ndër themeluesit e organizatës joqeveritare “Komiteti për mbrojtjen ekologjike të qytetit Ruse” dhe i “Klubit në përkrahje të gllasnostit dhe perestrojkës”. Më 1989, në pranverë, ajo proteston fuqishëm kundër fushatës së spastrimit etnik të turqve të Bullgarisë, duke folur haptaz në Radion “Europa e Lirë”, çka i bëri grupet nacionaliste shoviniste të manifestonin në verë para shtëpisë së saj në Sofie me thirrjet “Tradhtare! Tradhtare!” Merr pjesë në themelimin e partisë opozitare Bashkimi i Forcave Demokratike më 7 dhjetor 1989, zgjidhet deputete e kësaj partie në votimet për Kuvendin më 13 tetor 1991, kurse në janar 1992 bëhet e para zv/presidente grua e Bullgarisë, e zgjedhur në mënyrë demokratike të drejtpërdrejtë nga populli, bashkë me presidentin Zhelju Zhelev. Mirëpo, pak kohë më pas, e ndjeu veten të tepërt në koridoret e pushtetit, u zhgënjye nga politizimi i skajshëm, nga gjuha e urrejtjes dhe kundërvënia “blu / të kuq”. Dha dorëheqjen më 30 qershor 1993, iu kthye vokacionit të saj themelor dhe u muar vetëm me krijimtari letrare. „Me anë të kësaj dorëheqjeje, – u shpreh ajo, – unë po zgjidh duart e lidhura të mija, për të qenë qytetare e lirë, e jo për të qenë, pa dashjen dhe vullnetin tim, peng veprimesh të fshehta… Tek ne po i hapet rrugë një diktature.“

Edhe ky kthim qe i natyrshëm, po të kemi parasysh zhgënjimet e vjetra dhe të reja në jetën e saj.2

Dhe, pas këtij kthimi, ajo mbeti një nga zërat lirikë më të fuqishëm në historinë e letërsisë bullgare, “mbretëresha e poezisë bashkëkohore bullgare”, sikundër e ka quajtur kritika.

Kurse autorit të këtyre radhëve për Bllaga Dimitrovën, veç dhimbjes së thellë të saj për njeriun e për Ballkanin, i mbeti gjallë edhe pengu, i vogël në dukje, por gjithsesi i pashlyer – pengu i pamundësisë për t’i shtrënguar dorën.

Nga vonesa ime, apo nga nxitimi i saj për t’u ndarë nga bota dhe njerëzit për të cilët krijoi?

Nuk e di…

________________

Të gjitha citimet janë sipas përkthimit nga A. Vinca.

Ja një vjershë e marrë po nga përmbledhja “Ballkaniada”, kësaj here kushtuar një figure emblematike bullgare të diasporës në SHBA – Hristo Javashev (1935-2020), lëvrues i artit mjedisor (environmental art), i nouveau réalisme, piktor instalacionesh, i shquar botërisht si paketues a mbështjellës artistik i shumë objekteve, ndërtesave, monumenteve, që përmenden edhe nga autorja:

Kristo, ti dreq i vërtetë!

Lavdi dhe nder i Bullgarisë!

Shpikës vellosh!

Iluzionist sensacionesh!

Fantast i shekullit!

Paketues i Niagarës,

i Urës Mirabó,

i Rajhshtagut,

i Empajër Stejt Billdingut.

i Hiroshimës me çadra japoneze!

Ti, që mund të paketosh gjithçka –

thatësirën, erën, detin,

retë dhe majat me borë!

Paketoje frikën e atdheut im!

2022

Exit mobile version