Floresha Dado përfaqësohet tashmë si një personalitet i njohur në fushë të studimeve letrare. Sigurisht, që studimet e saj, kryesisht ato të rrafshit teorik, janë tërheqja dhe kontributi i saj më i spikatur.
Karakteristikë e dallueshme e këtyre studimeve, është se ato, marrin shkas dhe nxiten prej realitetit të letërsisë shqipe e më gjerë. Prandaj, mund të thuhet se në to, shpalosen jo thjesht dhe vetëm koncepte, vizione e sinteza teorike, por këtu përcillet një pjesë e konsiderueshme nga gjeografia/shtrirja dhe historia e kësaj letërsie, me tërë spektrin e larmishëm stilistik dhe estetik – që ajo ka mbartur në rrjedhë të shekujve.
Po qe se do të bënim një karakterizim të kontributeve të sjella prej kësaj studiueseje, ato do të kishin të bënin: a. me larminë dhe thellësinë e argumenteve të sjella, b. me prirjen për t`i përcjellë ato argumente me një stil të dukshëm polemist c. me mbështetjen e fortë e të sigurt teorike të tyre d. me ligjërimin sa shkencor – aq edhe me gjuhë të qartë, larg komplikacioneve abuziviste e po ashtu e. me një qasje të sigurtë ndaj sfidave teorike të trajtuara dhe duke ruajtur përherë një diskur shkencor me vizion të hapur, pra, shtjellim tezash me sens propozues dhe jo me prirje imponuese.
Këtë prirje e shfaq edhe vepra e saj më e fundit, ajo e botuar kohëve të fundit, me titullin: POSTMODERNIZMI Poetikë e “antirregullit”, në radhën e nëntë librave të tjerë të mëparshëm, ku mund të përmendim monografinë për Çajupin (“Jeta dhe vepra”), “Proza nëpër teknikat poetike”, “Intuitë dhe vetëdije kritike”, “Sfida teorike të historiografisë letrare” etj. Qysh në titull të librit, e kuptojmë tërheqjen e studiueses për t`u përballur me një dukuri sa komplekse, aq edhe të pastabilizuar ende në qasjen teorike ndaj saj, në nivel të letërsisë botërore e kuptohet, edhe asaj shqipe – që nuk mbetet kurrsesi pas këtyre rrjedhave letrare moderne.
Besojmë se libri zgjon interes, jo vetëm për lëndën e pasur letrare – ku hulumtohet me skrupulozitet (në vepra të Anton Pashkut, Rexhep Qosjes, Mehmet Krajës, Bashkim Shehut, Visar Zhitit, Agron Tufës, Fatos Kongolit, Virion Graçit dhe autorëve të tjerë) – por edhe për qasjen “dilematike” rreth problemit të përcaktimit të kufijve mes modernizmit dhe postmodernizmit. Si një kundërvënie estetike e të dytit (pra e postmodernizmit) – ndaj të parit (modernizmit), që në fakt, ende mes studiuesve të shumtë nuk parashihen që të ketë vlerësime fort të përcaktuara, apo fort të dallueshme mes tyre. E kjo, lidhet me vet kufijtë e lëvizshëm mes këtyre lëvizjeve mjaft të bujshme letrare, kryesisht të shekujve XX -XXI.
Autorja, duket se nuk mbetet thjesht dhe vetëm në konstatime referenciale prej sudiuesve të tjerë të njohur rreth këtij argumenti, pra, të njohjes së një paqartësie rreth dallimit prerazi mes tyre, por e hulumton këtë dukuri (le ta themi figurativisht e prezantuar si një lloj hermafrodití-je apo dytësije letrare), duke u ndalur nëpër një varg veprash konkrete, kryesisht ato në prozën romanore shqipe.
Me të drejtë autorja e këtij studimi, nënvizon konceptin e njohur se letërsia si akt krijimi, është/mbetet e pavarur nga përpunimi i mendimit teorik. Ajo nxitet veçse nga ndjeshmëria e autorit shkrimtar ndaj realitetit njerëzor dhe pastaj, është vet letërsia, ajo që ndikon në përpunimin e mendimit teoriko–letrar prej të tjerëve. Por ndërkaq, në kohët e sotme, nën ndikimin e rrjeteve të një informacioni tejet kompleks e vërshues: teknologjik, filozofik, kulturor e shpirtëror, sigurisht, që edhe letërsia, nuk mund që të mbetet në pozita të pastra autonomiste, por përcjell fluksin e ndikimit dhe orientimit estetik të saj, prej rrezatimit të këtyre lëvizjeve jashtëletrare mjaft intensive.
Janë me interes në këtë studim vështrimi i poetikës posmoderne në disa specifika të dallueshme, sidomos ato që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën “prishje” të kufijve gjinorë, ku vrehen natyrshëm kombinime e kolazhe zhanresh, që në fakt, sillen prej krijuesve (me sa duket) si një manierë – për të sjellë e fuqizuar në vepër, përparësi specifike prej seicilit zhanër. Apo evidentimi i kësaj poetike në shfaqjen e “thyerjes” së narracionit, si një ligjërim energjik ky dhe shumë shtresor, që krijon efektin artistik të leximit të thellë, ardhur prej strukturës së njohur të palimpsestit.
Në vargun e studimeve dhe veprave monografike të karakterit teorik të autores, është edhe ai me titull “Sfida teorike të historiografisë letrare”. Sigurisht, që mbetet një guxim shkencor marrja përsipër e shkoqitjes në rrafshin teorik të një morie sfidash të natyrave të ndryshme, shkencore e jashtë shkencore, nga ato që kanë të bëjnë me gjetjen e rrugëve më të sigurta për hartimin e një historie të letërsisë. Studiuesja e ka të qartë këtë ballafaqim të vështirë e delikat dhe pikërisht, mbase kjo, ka qënë edhe një arsye më shumë në “vendimin” e saj për t`u marrë me këtë argument. Një botim si ky, i llojit kritik, me parashtrim pikëpamjesh e debatesh letrare, gjykojmë se ka vlerë të dyfishtë: risjell një fond të gjerë modelesh konceptuale të historive të ndryshme të letërsisë, por ndërkaq, është edhe një grishje dhe ftesë për hartimin, ose më mirë, për shkrimin e historisë së letërsisë shqipe në nivel akademik, më se të pritshme e më se të realizueshme në kohët e sotme.
Theksuam shkrimin dhe jo rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe, se në gjykimin tonë, çdo botim i këtij lloji – që sheh dritën e botimit, është në vetvete një histori e pavarur apo histori unike letërsie, realizuar sipas koncepteve të zgjedhura teorike prej autorit, apo një grupi autorësh. Një vepër kjo, që do të quhej pastaj e kryer, e çertifikuar, për mirë apo me rezerva ndaj saj, sigurisht nga gjykimi/vlerësimi i vet lexuesit të saj. Një botim vijues/pasues i këtij profili, edhe pse mund që të ketë të njëjtin objekt studimi, pra letërsinë shqipe (me po ata shkrimtarë përkatës), është dhe mbetet sigurisht një vepër e re. Në këtë kuptim, mund të thuhet se në traditën tonë historiografike letrare, kemi aktualisht një mori tekstesh e manualesh mbi historinë e letërsisë shqipe, të botuara dhe të qarkulluara në arealin kulturor shqiptar dhe jashtë tij, në disporën arbëreshe dhe në qendra të ndryshme albanologjike, me autorë shqiptarë dhe të huaj, të shkruara nga individë apo nga ekipe studiuesish, me destinacione parauniversitare, universitare, apo njohëse masive, të natyrës enciklopedike – drejtuar lexuesve të huaj. Duke qënë të hulumtuara dhe të shtjelluara këto procese letrare sipas rastit: mbi bazën e periudhave historike, mbi formacionet letrare qarkulluese, mbi individualitetet e shkrimtarëve, sipas gjinive letrare etj.
E gjithë kjo tipologji botimesh tashmë jo të pakta, ka qënë objekt i një studimi të vëllimshëm nga autorja dhe për më tepër, krahas synimit paraqitës të këtyre kontributeve nëpër vite (përcjellë si informacion filologjik), është parë e udhës për të hetuar tendencat dhe kontributin e kësaj trashëgimije. E cila, me një rrokje/vështrim të parë, mund të të ngjajë modeste si vëllim dhe si tipologji prirjesh stilistike, por që kur i hyn hulumtimit të saj, e kupton se je duke u përballur me një pasuri komplekse dhe njëherësh me një sfidë, për nga qasja e një interpretimi sa më të sigurtë.
Do ta quanim vlerë të kësaj vepre studimore, ngritjen e debateve dhe tezave shkencore mbi bazën e asaj se çka sugjeron realiteti letrar e shkencor dhe jo e kundërta, siç ndodh në disa raste, kur studiuesi, ka ca ide e teza të vetat paraprake dhe sipas e në funksion të tyre, kërkon pastaj në mënyrë të sforcuar modele ilustruese për ato teza, nëpër rrjedhat e proceseve letrare. Janë të shumta burimet e cituara rreth argumenteve të ndryshme, aq sa vepra, është edhe një bibliografi e pasur burimesh letrare, si dhe merr formatin e një “antologjie” pikëpamjesh të lloj-llojshme kritike. Kështu, vetëm në çështjen e periodizimit të letërsisë shqipe po të ndaleshim, do të ndeshim të ballafaquara një mori pikëpamjesh, që e formulojnë këtë periodizim: mbi bazë qarqesh letrare, mbi bazë individualitetesh (nisur nga vështrimi i saj si letërsi atipike), mbi bazën e shtatë shkollave letrare (që nga tekstet filobiblike e deri tek ato moderne), mbi bazë rrymash letrare, mbi bazë periudhash social-historike, mbi bazë diskursesh, që nga ai heroik e deri te ai historik etj.
Vihet re se autorja është e vëmendshme dhe jo preferenciale a priori kundrejt autorëve të caktuar, kontribues në rrethin e dijeve letrare, duke dëshmuar kësisoj, etikë dhe mbështetje e vlerësim mirënjohës prej kolegu. Vlera këto, që jo rrallë në këto kohë, i shohim (për fat të keq) të jenë tronditur jo pak, vrejtur si modele qëndrimesh këto të ardhura nga matanë lagjeve shkencore, ku debati i kujdesur/i përkorë dhe intelektual (ashtu si e ka kuptimin dhe qëllimin të jetë), është kthyer shpesh në grindje të pakontrolluara. Në vepër parashtrohen kontribute, teza, debate e polemika letrare të qarkulluara nga studiues të ndryshëm dhe në kohë të ndryshme, duke i vlerësuar ato, për aq sa kanë mundur e arritur që të ndriçojnë rrugët nëpër të cilat është endur filli i letërsisë shqipe. Por autorja, nuk pajtohet me tendencat e debatit azgjësonjës, një debat ky, që nuk do të prodhonte veçse amulli dëshpëruese, duke dëshmuar kësisoj, se ajo është ndjekëse e të ashtuquajturës kritikë me perspective. Domethënë, që pas çdo diskuri, sado kritik, të ndihet i projektuar modeli i afirmimit të një vlere të caktuar.
Rolin e historianit të letërsisë, studiuesja e vlerëson si mjaft delikat, sidomos në procesin e shqyrtimit dhe klasifikimit të letërsisë së traditës. Për të realizuar një studim serioz e objektiv, ai duhet që ta ketë mirë parasysh se duhet që të njohë e të vlerësojë drejt një zinxhir pritjesh të veprave letrare, në kohë të ndryshme. Çdo vepër, nuk ka vlera në vetvete. Ato shfaqen veçse në raport me lexuesin, prandaj edhe historiani i letërsisë, kërkohet që të jetë zëri i kualifikuar dhe njëherazi, të jetë sintezë e shumë receptimeve. Në këtë kuptim, studimi i tij mbi letërsinë e traditës, ka një qasje reagimi dyfish: ndaj veprës letrare (si pasojë e leximit ndryshe të saj, nën ndikimin e kodeve të reja të buruara e zbuluara prej saj), ndaj historive paraprijëse të letërsisë (nën ndikimin e horizontit të pritjes kundrejt asaj kohe të dikurshme). Kjo pozitë sui generis është edhe misteri dhe bukuria e kësaj dijeje, që mban përherë gjallë shpirtin e kërkimit dhe të zbulimit të pandërprerë të kodeve dhe strukturave të reja artistike, mbi tekste që sigurisht, nga ana e tyre nuk ndryshojnë asnjëherë, qysh prej vullnetit autorial.
Një vepër si “Sfida teorike të historiografisë letrare”, ka jo vetëm peshën e një argumenti të rëndësishëm, që merr përsipër të shqyrtojë procesin letrar, por edhe të ketë rolin e vet sado ndihmues dhe kontribues për hartimn e një historie të pritshme akademike të letërsisë shqipe. Një vepër, që vazhdon të ndihet si shumë e munguar. Pra, edhe këtu, shihet koncepti i kritikës me perspektivë i kësaj studiueseje, e cila, me sa duket, udhëhiqet nga ai “urdhër” edhe për dijetarin e letërsisë: Unë kam një endërr…
Duhet kujtuar se studimet letrare të rrafshit teorik, përveç vështirësive që paraqesin për vet natyrën e tyre gjerësisht hulumtuese nëpër një morie të madhe veprash, ndërkohë, ato kanë edhe një numër mjaft të kufizuar lexuesish. Pra, nuk e sjellin fort lehtë atë kënaqësinë, që do të vinte nga ndjekja e një lexuesi sa më të shumtë, që përbën kredon e çdo krijuesi. Por gjithsesi, studime të këtij formati, kanë rol të rëndësishëm, pasi përmes tyre, përcillen disa “çelësa” mjaft të rëndësishëm e të dobishëm, për ta rrokur në mënyrë sa më të sintetëzuar e të vështruar dhe gjykuar/vlerësuar si sistem një proces letrar. Dhe F. Dado, ka një kontribut të vyer prej shumë vitesh në fushën e studimeve teorike të letërsisë.